Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
DISKUTIM RRETH DISA PARASHENJAVE TË LINDJES SË PEJGAMBERIT, ALEJHI’S SELAM

Rrëfimet, është interesant, edhe pse shpeshherë janë pjellë e imagjinatës, (lexo: famëkeqe) të njerëzve të pasionuar pas gjërave të kota, ndikojnë shumë. Mjerisht, në këtë grackë ranë si viktima edhe disa biografë të jetës së Pejgamberit, alejhi's selam, ani pse qëllimet e tyre janë diametralisht të kundërta me ato të rrëfimtarëve që përmendëm.

Këto rrëfime me avancimin dhe përparimin e teknologjisë informative, në vend se të merrnin fund e të vërtetës t’i lihej vendi i saj, kanë marrë hov dhe vrull saqë është e pamundur të hulumtosh për tematika të ngjashme e të mos hasësh më së shumti në to. Kjo, siç kanë përmendur shumë dijetarë, është vetëm një imazh i injorancës së muslimanëve në raport me fenë e tyre[1].
Kështu, sa herë që vjen Muaji Rebiul Evvel, muaji i lindjes së krijesës më të nderuar tek Allahu i Madhëruar, rishfaqen në skenën e muslimanëve, edhe ashtu të mjere, “rrëfime e hiqaje” që ngulfasin atë. Ato ndizen si një zjarr që nën vello të shndritjes dhe ndriçimit të personalitetit të Pejgamberit, alejhi's selam, tymosin dhe njollosin atë. Ato zhvendosin vëmendjen nga ajo që do të duhej të mos i ndahemi kurrë dhe që llogaritet si dëshmi kryesore dhe më sfiduese e pejgamberisë së tij, alejhi's selam, në gjëra që faktet vërtetojnë të kundërtën. Fjalën e kam për ndërlidhjen e lindjes së Pejgamberit, alejhi's selam me disa fenomene natyrore, që kinse paskan paralajmëruar për ardhjen e tij. “Rrëzimi i 14 pirgjeve nga kështjella e Kserksovit në Persi, fikja e zjarrit që me shekuj e kanë adhuruar farisejët në Indi, rrëzimi i kishave rreth liqenit Sava pasi që më pare ai është tharë”, etj, janë disa prej atyre rrëfimeve që nuk janë verifikuar si të vërteta dhe që si te tilla nuk ia vlejnë të përmendën në ligjëratat tona. Ajo që prej tyre është vërtetuar është vetëm rasti i Emines që në ëndërr ka parë një dritë të ketë dalë prej saj dhe të ketë ndriçuar vendet përreth[2].
Ky artikull modest synon sqarimin e të vërtetës nga e kota përkitazi me këto rrëfime.
1. Dritë...
Drita është rrëfyer në disa raste. Ndonjëherë burim ka rrëfimeve shumë të pabaza dhe tepër ofenduese për Pejgamberin, alejhi’s selam derisa në raste tjera, jo për të njëjtën çështje, ajo është vërtetuar, siç do të mësojmë më poshtë:
A) Para lindjes ku ai ishte drite në ballin e babait, Abdullahut[3]. Ja edhe një version i këtij rrëfimi. Ishte një grua nga Hath’ami, e cila e prezantonte veten e saj gjate kohës së Haxhit. Ishte e bukur dhe me vete kishte ushqim kinse për shitje. I shkoi Abdullahut dhe i tha: Unë nuk po e bartë këtë ushqim për ta shitur pse kam nevojë për para por po shikoj nëse mund ta gjej ndonjë burrë të përshtatshëm. Nëse ta merr mendja për mua, ja ku më ke. Abdullahu i tha: Rri këtu derisa të kthehem. Shkoi tek familja dhe atje pati kontakt me Eminën, e cila mbeti me barrë me Muhammedin, alejhi's selam. Kur u kthye tek gruaja ajo kinse nuk po e njeh Abdullahun. “Nuk je ti ai që unë po e pres. Ai kishte një dritë në ballë që ty nuk po ta shoh” - i tha gruaja.
Imam Dhehebiu ka thënë: “Këto hadithe dhe të ngjashmet nuk pranohen, forca e transmetuesve refuzohet dhe ata cilësohen të dobët” derisa recensenti i El Bidaje ve’n Nihaje ka thënë: “Forma sipërfaqësore e tij (rrëfimit) tregon për falsitet dhe apokrifizëm...”[4].
Dr. Ekrem Dija El Umerijj autorët e këtyre tregimeve i quan gënjeshtarë[5].
Si mund të thuhet një gjë e tillë për një personalitet siç ishte Muhammedi, alejhi's selam, dhe si mund të vërtetohet pejgamberia e një pejgamberi siç ishte Muhammedi, alejhi's selam me rrëfime si ky. Kjo mund të jetë ofendim por lavdërim apo parashenjë e pejgamberisë nuk ka gjasa të jetë.
Kurse drita që Eminja pa në ëndërr, është vërtetuar. Taberaniu transmeton se Pejgamberi, alejhi's selam ka thënë:
ورأت أمي في منامها أنه خرج من بين رجليها سراج أضاءت له قصور الشام
Nëna ime ka pare një drite t’i ketë dalë prej nën këmbëve që ka shndritur pallatet e Shamit”[6].
Ndriçimi i pallateve të vendeve dhe Basrasë, sipas Maxhid Sulejman Dudin,  padyshim së përfaqëson faktin e përhapjes së madhe të rrezeve të besimit (monoteist), të cilat burojnë nga duart e Pejgamberit Fisnik në ujdhesën arabe, dhe të cilat paraqesin zhdukjen e errësirës së padrejtësisë, e cila ishte zhvilluar në kohën kur mendja (e pastër), dituria (burimore dhe e mirëfilltë) dhe besimi (monoteist) mungonin[7].
B) Pas lindjes.
Edhe këtu kemi një nënndarje. Nëse bëhet fjalë për dritën që e ka parë Eminja, nëna e Muhammedit, alejhi's selam, atëherë ajo është vërtetuar. Imam Ahmedi transmeton nga El Irbad b. Sarije një hadith ku përveç tjerash qëndron:
إِنَّ أُمَّ رَسُولِ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ رَأَتْ حِينَ وَضَعَتْهُ نُورًا أَضَاءَتْ مِنْهُ قُصُورُ الشَّامِ
...nëna e të dërguarit të Allahut kur e lindi atë pa një dritë prej së cilës u ndriçuan pallatet e Shamit ”[8].
Këtë e përkrah edhe Dr. Dija el Umerijj[9].
Kurse sa i përket asaj se ka qenë nur që nuk ka patur hije, siç qëndron edhe në Mevlud[10], është diç që bie ndesh edhe me Kur’anin Famëlartë. Si mund të jetë i tillë kur ai ishte njeri prej gjakut, mishit e eshtrave, ishte i krijuar nga babai dhe nëna?! Ai ishte siç ishin edhe profetët; hante, pinte, martohej, sëmurej, gëzohej, hidhërohej...Thotë Allahu i Madhëruar:
قُلْ إِنَّمَا أَنَا بَشَرٌ مِّثْلُكُمْ يُوحَى إِلَيَّ أَنَّمَا إِلَهُكُمْ إِلَهٌ وَاحِدٌ
Thuaj: "Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj...”[11]
Madje vet ai, alejhi’s selam, e ka mohuar një gjë të tillë dhe duke rrëfyer për materien e krijimit të krijesave jep këtë sqarim:
خُلِقَت المَلائِكَةُ مِن نُورٍ ، وَخُلِقَ إِبلِيسُ مِن نَارِ السَّمومِ ، وَخُلِقَ آدَمُ عَلَيهِ السَّلامُ مِمَّا وُصِفَ لَكُم
Melaiket janë krijuar nga nuri, Iblisi është krijuar nga flaka e fortë e zjarrit, kurse Ademi, alejhi's selam është krijuar ashtu siç iu është përshkruar juve”[12].
Aludimi profetik sigurisht se mund të jetë edhe në këto ajete kur’anore ku përshkruhet krijimi i njeriut dhe xhinëve:
وَلَقَدْ خَلَقْنَا الإِنسَانَ مِن صَلْصَالٍ مِّنْ حَمَإٍ مَّسْنُونٍ وَالْجَآنَّ خَلَقْنَاهُ مِن قَبْلُ مِن نَّارِ السَّمُومِ وَإِذْ قَالَ رَبُّكَ لِلْمَلاَئِكَةِ إِنِّي خَالِقٌ بَشَراً مِّن صَلْصَالٍ مِّنْ حَمَإٍ مَّسْنُونٍ
Ne krijuam njeriun nga balta e argjilit, të zi e të prishur (me erë të keqe)? (të formuar-të trajtuar-mesnun). 27. E xhinët i krijuam më parë nga zjarri, nga flaka e fortë. 28. Dhe (përkujto) kur Zoti yt engjëjve u tha: "Unë po krijoj njeriun nga balta e tharë, e zezë e me erë”[13].
Pra, përderisa Muhammedi, alejhi's selam ka qenë trup, atëherë ai edhe hije duhet të ketë patur patjetër[14].
Por, nëse me dritë (nur) është për qellim misioni i tij që nxori njerëzimin nga errësira në dritë, pra domethënia alegorike, atëherë kjo është e vërtetë. Thotë Allahu i Madhëruar:
وما كان لبشر أن يكلمه الله إلا وحيا أو من وراء حجاب أو يرسل رسولا فيوحي بإذنه ما يشاء إنه عليم حكيم وكذلك أوحينا إليك روحا من أمرنا ما كنت تدري ما الكتاب ولا الإيمان ولكن جعلناه نورا نهدي به من نشاء من عبادنا وإنك لتهدي إلى صراط مستقيم صراط الله الذي له ما في السماوات وما في الأرض ألا إلى الله تصير الأمور
Nuk ka asnjë njeri që t'i ketë folur All-llahu ndryshe, vetëm se me anë të frymëzimit, ose pas ndonjë perdeje, ose t'i dërgojë të dërguar (melek), e ai t'i shpallë me lejen e Tij atë që do Ai. Vërtet, Ai është më i larti, më i urti. Po kështu me urdhrin tonë Ne të shpallëm edhe ty shpirtin (Kur'anin). Ti nuk ke ditur çka është libri (Kur'ani) as ç'është besimi, por Ne atë e bëmë dritë me të cilën e vëmë në rrugë të drejtë atë që dëshirojmë prej robërve tanë. Në të vërtetë, edhe ti udhëzon për në rrugën e drejtë. Në rrugën e All-llahut, të cilit i takon çka ka në qiej dhe çka ka në tokë, e ta dini se të gjitha çështjet janë me vullnetin e All-llahut”[15].
2. Rrëzimi i 14 pirgjeve nga kështjella e Kserksovit në Persi
Është thënë se kinse me lindjen e Muhammedit, alejhi's selam u rrëzuan katërmbëdhjetë pirgje të kështjellës së Kserksovit[16] në Persi por rezultoi të jetë lajm i gabuar. Ky lajm u komentua si rrëzim i fronit dhe kalim i pushtetit nga Kisraja tek muslimanët. Madje, shifrën e 14 pirgjeve e kanë komentuar me rrëzimin e katërmbëdhjetë mbretërve, i fundit prej të cilëve u nënshtrua në kohën e Omerit nën komandën e Sa’d b. Ebi Vekkasit, Allahu qoftë i kënaqur me ta, në betejën e njohur të Kadisijjes[17].
Muhammed El Gazali në librin e tij Fihu’s Sireh me recensim të haditheve nga Muhammed Nasiruddin el Albani, këtë ngjarje e klasifikon si të fabrikuar dhe aspak të vërtetë[18], mendim ky i mbështetur edhe nga Dr. Dija El Umerijji[19].
3. Fikja e zjarrit të mexhusëve. Sipas rrëfimeve, ai zjarr qe mbetur pa u fik për njëmijë vite[20]. Kur lindi Muhammedi, alejhi's selam, ai zjarr u fik[21]
Edhe pse qe komentuar mire[22], si parashenjë e fikjes së dritës së zymtë të politeizmit[23], megjithatë, ajo nuk është vërtetuar me dëshmi të sakta. Shumë dijetarë bashkëkohore këto gjëra të transmetuara nga Bejhekiu e të përfshira në shumë libra nga të tjerët, i kanë cilësuar të pabaza[24].
4. Shterja e liqenit Sava dhe rrëzimi i kishave. Shumë biografë kanë përmendur se me rastin e lindjes së Muhammedit, alejhi's selam, ishte shterë liqeni Sava[25] që për pasojë kishte rrëzimin e kishave. SafijuRrahman El Mubarekfuri[26] duke cituar Muhammed Gazaliun mbështet mendimin e pavërtetësisë së tyre[27].
Muhammed Nasiruddin Albani në Sahihu’s Sireti’n Nebevijjeh thotë: Lëkundja e pallatit të Kisrasë (Cezarit) dhe rrëzimi i 14 pirgjeve; fikja e zjarrit; ëndrra e Mubidhanit (për shkatërrimin e fronit), e gjëra tjera, janë të pavërtetuara.
Kurse Dr. Ekrem Dija el Umerijj në librin e tij Es Siretu’n Nebevijjetu’s Sahihah, 1/98/101, thotë: ...Po kështu janë transmetuar informacione apokrife dhe të fabrikuara rreth paralajmërimit të tyre për lindjen e Muhammedit, alejhi's selam meqë kishin dëgjuar këtë në qiell; Rrëzimi i disa putave në Mekke; Lëkundja e pallatit dhe rrëzimi i pirgjeve të Kisrasë; Fikja e zjarreve të mexhusëve; Shterja e liqenit Sava; Ëndrra e Mubidhanit...etj[28]
Këto nuk janë të vetmet, ekzistojnë edhe rrëfime tjera vetëm se ne mjaftuam me sqarimin e tyre meqë janë më shumë të përhapura tek ne. 
Përfundimisht...
A ka nevojë Muhammedi, alejhi's selam për vërtetimin e pejgamberisë së tij me gënjeshtra sikur këto? Çfarë na bën të jepemi pas tyre kur, siç thotë Muhammed Gazali[29], Muhammedi, alejhi's selam nuk ka nevojë për to. Madje ai asnjërën prej tyre nuk e tha me gojë të vet. Çudi, ndoshta sipas këtyre rrëfimtarëve nuk e ka ditur një gjë të tillë.
Këto janë shpifje[30], ndaj, duhet ditur se pejgamberia e tij nuk vërtetohet me gjëra të tilla por me fakte të prera. A nuk mjaftojnë citatet e Kur’anit dhe hadithet autentike për të dëshmuar vërtetësinë e Pejgamberisë së tij. Thotë Allahu i Madhëruar:
لَّـكِنِ اللّهُ يَشْهَدُ بِمَا أَنزَلَ إِلَيْكَ أَنزَلَهُ بِعِلْمِهِ وَالْمَلآئِكَةُ يَشْهَدُونَ وَكَفَى بِاللّهِ شَهِيداً
(Jehuditë i thanë se nuk të besojmë në shpallje Muhammedit) Por All-llahu dëshmon për atë që t'u zbrit ty, atë ta zbriti sipas dijes së Vet, edhe engjëjtë dëshmojnë, po mjaft është All-llahu dëshmues”[31].
إِذَا جَاءكَ الْمُنَافِقُونَ قَالُوا نَشْهَدُ إِنَّكَ لَرَسُولُ اللَّهِ وَاللَّهُ يَعْلَمُ إِنَّكَ لَرَسُولُهُ وَاللَّهُ يَشْهَدُ إِنَّ الْمُنَافِقِينَ لَكَاذِبُونَ
Kur të erdhën ty hipokritët, të thanë: "Ne dëshmojmë se vërtet ti je i dërguar i All-llahut!" E, All-llahu e di se ti je i dërguar i Tij, por All-llahu dëshmon se hipokritët janë rrenacakë (kur thonë ashtu)”[32].
Ebu Hurejra transmeton se Pejgamberi, alejhi's selam ka thene:
إِنَّ مَثَلِي وَمَثَلَ الْأَنْبِيَاءِ مِنْ قَبْلِي كَمَثَلِ رَجُلٍ بَنَى بَيْتًا فَأَحْسَنَهُ وَأَجْمَلَهُ إِلَّا مَوْضِعَ لَبِنَةٍ مِنْ زَاوِيَةٍ فَجَعَلَ النَّاسُ يَطُوفُونَ بِهِ وَيَعْجَبُونَ لَهُ وَيَقُولُونَ هَلَّا وُضِعَتْ هَذِهِ اللَّبِنَةُ قَالَ فَأَنَا اللَّبِنَةُ وَأَنَا خَاتِمُ النَّبِيِّينَ
Shembulli im dhe i profetëve para meje është sikur shembulli i një njeriu që ndërton një shtëpi të mirë dhe të zbukuruar por në një qoshe të saj lë zbrazët një vend sa një tullë. Njerëzit e vizitojnë atë dhe iu pëlqen shumë por mungesa e tullës i bënë të pyesin: Përse nuk është vënë edhe kjo tullë? Unë jam ajo dhe unë jam i fundit – vula e profetëve”[33].
O Zot! Na dhuro dituri të vërtetë, e cila na udhëheq në rrugën drejt kënaqësisë Sate dhe na largo nga rruga e cila tërheq pas hidhërimin Tënd!
 
Sedat ISLAMI


[1] El Ehadith el mevduah vel kasas el mekdhubeh el munteshere bejnel muslimine ale’l intnernet, parathënia, www.almehskat.net.

[2] Sahihu’l xhamii, 224.

[4] Ekzistojnë edhe versione tjera të përmendura nga autori por nuk e pashë të rrugës t’i përmendi meqë edhe ashtu ato nuk janë shumë të njohura në mesin tonë madje edhe punimi në shqip është version i shkurtuar deri diku.

[5] Dr. Ekrem Dija El Umerijj, Es Siretun nebevijjetus sahihah, Muhaveletun li tatbiki kavaidi'l muhaddithine fi nakdi rivajati's sireti'n nebevijjeh, b. Mektebetu'l ulumi ve'l hikemi, Medine, A. Saudite, b. 6, 1994, f. 94-95.

[6] Albani kete hadith ne Sahihu’l xhamii, nr. 224, e ka cilësuar hasen – të mirë.

[7] Mefatihus Seadeh, Maxhid Sulejman Dudin, f: 31-43.

[8] Shuajb Arnauti e ka cilësuar sahih li gajrihi.  http://nosra.islammemo.cc/onenew.aspx?newid=285

[9] Dr. Ekrem Dija El Umerijj, Es Siretun nebevijjetus sahihah, Muhaveletun li tatbiki kavaidi'l muhaddithine fi nakdi rivajati's sireti'n nebevijjeh, f. 101.

[10] Ne Mevlud qëndron:

Me e para ai mubarek trupit tij

nuk i binte hiq ne toke hija e tij

trupi i shejtit tane qe nur dyshim nuk ka

t’gjithe e dine qe nuri hic hije nuk ka

Mevludi ne gjuhen shqipe, boton: Kryesia e shoqatës se ylemave ne R.S. te Serbise, Prishtine, 1984, f. 22.

[11] El Kehf, 110.

[12] Transmeton Muslimi.

[13] El Hixhr, 26-28.

[15] Esh Shura, 73.

[16] Subulu'l huda ve'rr rreshad, pj. 1, f. 355.

[18] Shih: f. 43.

[19] Dr. Ekrem Dija El Umerijj, Es Siretun nebevijjetus sahihah, Muhaveletun li tatbiki kavaidi'l muhaddithine fi nakdi rivajati's sireti'n nebevijjeh, f. 100.

[20] Sejjiduna Muhammed, Reshid Rida, www.almeshkat.com.

[21] Hulasatu sijeri Sejjidi’l basher, Muhibbuddin Ebi Xhafer b. Abdil-lah b. Muhammed b. Ebi Bekr et taberijj, Kapitulli II, www.almeshkat.net.

[22] I nderuari lexues. Nisur nga parimi i besnikërisë në përfitim dhe mësim të diturisë, më duhet të të informoj se edhe unë më herët pata rënë pre e këtyre komentimeve dhe transmetimeve të pabaza. Allahu i Madhëruar deshi e tani kur zbuluam të vërtetën, deshëm ta ndajmë bashkërisht me ju.

[23] Mefatihus Seadeh, Maxhid Sulejman Dudin, f: 31-43.

[24]  Shih: SafijurrRrahman El Mubarekfuri, Nektari i vulosur i Xhennetit, Përktheu nga boshnjakishtja: Muhamed Iljaz Dolaku, b. Urtësia, Shkup, 1997, f. 56.

[25] El Muktefa min sireti’l Mustafa, sal-la Allahu alejhi ve Sel-lem, El Hasen b. Umer b. Habib, Daru’l Hadith, Kajro, 1996, f. 5.

[26] SafijurrRrahman El Mubarekfuri, Nektari i vulosur i Xhennetit, f. 56.

[27] Muhammed el Gazali, Fikhu’s sireh, f. 43.

[29] Muhammed el Gazali, Fikhu’s sireh, f. 43.

[31] En Nisa, 166.

[32] El Munafikune, 1.

[33] Buhariu dhe Muslimi.


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013