Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
PASOJAT E VDEKJES SË MUHAMMEDIT (alejhi’s selam) PËR MUSLIMANËT

PASOJAT E VDEKJES SË MUHAMMEDIT, alejhi’s selam PËR MUSLIMANËT

Hyrje

Falënderimi i takon Allahut ndërsa përshëndetjet më të sinqerta qofshin mbi Muhammed Mustafanë, familjen, shokët dhe mbarë neve, pasuesit e tij gjer në amshim!

Jeta e njeriut nuk është e tëra lumturi. Shpeshherë ndodhë që njeriu të sprovohet me gjëra, të lehta e të rënda, dhe kurrë, flas për besimtarin e sinqertë, nuk harron ta falënderojë Allahun që sprova e tij, çfarëdo të jetë, nuk ka qenë më e madhe. Thotë Allahu:

أَحَسِبَ النَّاسُ أَنْ يُتْرَكُوا أَنْ يَقُولُوا آمَنَّا وَهُمْ لا يُفْتَنُونَ

A menduan njerëzit të thonë: "Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë?“. ([1])

Se sprovat janë të tilla (dalluese te besimtarit nga hipokriti e kështu me radhë), të lehta e të rënda, dëshmojnë fakte kur’anore. Thotë Allahu:

وَلَنَبْلُوَنَّكُمْ بِشَيْءٍ مِنَ الْخَوْفِ وَالْجُوعِ وَنَقْصٍ مِنَ الْأَمْوَالِ وَالْأَنْفُسِ وَالثَّمَرَاتِ وَبَشِّرِ الصَّابِرِينَ

Ne do t'ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, po ti jepju myzhde durimtarëve“. ([2])

Sprova e atij që ka humbur një gisht të dorës nuk është sikurse e atij që ka humbur tërë dorën. Sprova e atij që e ka humbur njërin prind nuk është sikurse e atij që humb të dy prindërit. Sprova e atij që ka humbur xhaxhain nuk është sikurse sprova e atij që ka humbur babain. Sprova, çfarëdo që të jetë, qoftë edhe me humbjen e vet jetës sonë, për ne është prapë më e lehtë se sa humbja e Muhammedit, alejhi’s selam. Vdekja e tij, paqja e Allahut dhe mëshira e Tij qofshin mbi të, është më e rëndë se çdo fatkeqësi tjetër.

Sahabet, Allahu qoftë i kënaqur me ta, shumë u mërzitën për vdekjen e tij saqë disa nga befasia e lajmit e mohuan në tërësi vdekjen e tij, alejhi’s selam. Ata nuk mund ta paramendonin ndarjen nga Muhammedi, alejhi’s selam me të cilin kalonin kohën, dëgjonin mësimet dhe këshillat e tij, ua lexonte Kur’anin, ua shpjegonte kuptimet e tij, luftonte krah për krah me ta, bashkëpunonte me ta në çështje të kësaj bote, dhe vërtet pas humbjes se të gjitha këtyre dhe shumë e shumë gjërave tjera që ndanin me Muhammedin, alejhi’s selam, ata me të drejtë konsideruan se vdekja e tij është sprova më e madhe që i ka goditur ndonjëherë. Thotë Muhammedi, alejhi’s selam:

إِذَا أَصَابَ أَحَدَكُمْ مُصِيبَةٌ فَلْيَذْكُرْ مُصَابَهُ بِى ، فَإِنَّهَا مِنْ أَعْظَمِ الْمَصَائِبِ

Kur dikë ta godet ndonjë fatkeqësi le ta përkujtojë fatkeqësinë që e ka goditur nga vdekja ime ngase ajo është fatkeqësia më e madhe“. ([3])

Hadithi ka sened mursel por në bazë të dëshmive është ngritur në autenticitet. Një prej dëshmive është edhe ky hadith i shënuar në Sunenin e Ibni Maxhes nga Aisheja, Allahu qotë i kënaqur me të:

فَتَحَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ بَابًا بَيْنَهُ وَبَيْنَ النَّاسِ أَوْ كَشَفَ سِتْرًا فَإِذَا النَّاسُ يُصَلُّونَ وَرَاءَ أَبِي بَكْرٍ فَحَمِدَ اللَّهَ عَلَى مَا رَأَى مِنْ حُسْنِ حَالِهِمْ رَجَاءَ أَنْ يَخْلُفَهُ اللَّهُ فِيهِمْ بِالَّذِي رَآهُمْ فَقَالَ يَا أَيُّهَا النَّاسُ أَيُّمَا أَحَدٍ مِنْ النَّاسِ أَوْ مِنْ الْمُؤْمِنِينَ أُصِيبَ بِمُصِيبَةٍ فَلْيَتَعَزَّ بِمُصِيبَتِهِ بِي عَنْ الْمُصِيبَةِ الَّتِي تُصِيبُهُ بِغَيْرِي فَإِنَّ أَحَدًا مِنْ أُمَّتِي لَنْ يُصَابَ بِمُصِيبَةٍ بَعْدِي أَشَدَّ عَلَيْهِ مِنْ مُصِيبَتِي

Pejgamberi, alejhi’s selam e hapi derën që ishte në mes tij dhe njerëzve apo ngriti pak lart perden dhe pa se njerëzit faleshin pas Ebu Bekrit. E falënderoi Allahun për formën e mirë të tyre që pa (bashkimin) me shpresë se Allahu pas vdekjes se tij do t’i lërë në një gjendje të tillë. Tha: O ju njerëz, çdo njeri apo besimtar që goditet me ndonjë fatkeqësi le ta ngushëllojë veten me fatkeqësinë time për të (pasojat e vdekjes sime për të) ngase askush nuk do të sprovohet me ndonjë fatkeqësi më të madhe se sa fatkeqësia nga pasojat e vdekjes sime“.

Se sa fatkeqësi e madhe është kjo për ne tregon edhe kjo ngjarje që e përshkruan Othmani, Allahu qoftë i kënaqur me të:

توفي رسول الله -صلى الله عليه وسلم-، فحزن عليه رجال من أصحابه حتى كاد بعضهم يوسوس!! فكنت ممن حزن عليه، فبينا أنا جالس في أُطم من آطام المدينة -وقد بويع أبو بكر- إذ مر بي عمر فسلم علي فلم أشعر به لما بي من الحُزن

Vdiq i dërguari i Allahut, paqja dhe shpëtimi qofshin mbi të, ndërsa disa nga shokët e tij u mërziten shumë saqë gati ranë edhe në vesvese (mashtrime nga djalli të veprojnë diç që është në kundërshtim me fe). Edhe unë isha prej atyre që u mërzitën shumë dhe derisa isha ulur në një kala të Medinës ne kohen kur Ebu Bekrit veç i ishte besuar mandati për halife, kaloi pranë meje Omeri dhe mëdha selam por nga mërzia që ndieja nuk e dëgjova fare selamin e tij.“

Ka thënë Ibni Rexhebi: Kur vdiq Muhammedi, alejhi’s selam muslimanët u tronditen; kishte që u çuditen, kishte që mbetën të shtangur pa nxjerre as edhe një fjalë të vetme prej goje, kishte që iu morr goja e nuk fliste dot por kishte edhe që e mohuan vdekjen e tij në tërësi.

Ibni Rexhebi në një rast tjetër ka thënë: Çdo fatkeqësi para kësaj fatkeqësie është e lehtë.

Ebu’l Xhevza rrëfen: Kur medinasve iu ndodhte ndonjë e keqe ata shkonin dhe kur e ngushëllonin njëri tjetrin i thoshin: O rob i Allahut, t’ia kesh frikën Allahut ngase në Pejgamberin, alejhi’s selam kemi shembull të mirë.

Thënë më thjesht, bë durim ngase neve na ka mësuar Muhammedi, alejhi’s selam të durojmë duke na bërë me dije se këto bela e sprova në raport dhe krahasim me sprovën e ndarjes së tij, fizikisht, prej nesh, nuk janë shumë të mëdha, çfarëdo që të jenë. Sa bukur ka thënë poeti:

تذكــــــرتُ لمـــا فــرقَ الدهــرُ بيننـــا *** فعـزيــتُ نفســـي بالنــبي مـحمــــد

وقـلــــتُ لـــهـا إنَّ المنـــــايا سـبيلنـــا *** فمـن لم يمـتْ في يومه مات في غد

Kur koha na ndau në mes nesh

e ngushëllova veten time me profetin Muhammed

thashë: vdekjet janë rruga jonë,

dhe atij, që sot nuk vdes, nesër vdekja i vjen

Sahabet nuk mund ta merrnin me mend këtë. Ata sikur e dinin se pas vdekjes së Muhammedit, alejhi’s selam punët nuk do të jenë më siç kanë qenë. Rregulli nuk do të shkojë meë siç ishte; do të ndodhin të papritura, për të cilat vet ai, alejhi’s selam, i kishte lajmëruar. Para se të shohim detajet e temës sonë, do ta bëjmë një përmbledhje të shkurtër rreth personalitetit të Muhammedit, alejhi’s selam.

Muhammedi, alejhi’s selam njeri

Allahu i Madhëruar ka sqaruar në Kur’anin Famëlartë se roli dhe misioni i Muhammedit, alejhi’s selam janë të pakontestuara. Ai, alejhi’s selam ishte pejgamber, udhëzues, mësues, edukator, bashkëshort, prind dhe fqi i mrekullueshëm për të mos thënë i përkryer ngase i tillë është vetëm ALLAHU. Personaliteti i tij ishte ne epiqendër të vëmendjes. Ai më parë të bindte me sinqeritetin dhe modestinë e tij se me fjalët e tij. Jo rrallë këto gjëra udhëzonin njerëzit në Islam pa kontaktuar fare me Muhammedin, alejhi’s selam. Allahu i Madhëruar ka thënë:

لَقَدْ كَانَ لَكُمْ فِي رَسُولِ اللَّهِ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ لِمَنْ كَانَ يَرْجُو اللَّهَ وَالْيَوْمَ الْآخِرَ وَذَكَرَ اللَّهَ كَثِيراً

Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun”. ([4])

E vërtetë, ai për ne ishte shembull dhe prijës. Ai nuk urdhëronte diç e vet ta bëjë të kundërtën, ai bënte vet i pari e pastaj, jo me aq por me shumë më pak se ai adhurim apo rit që ai kryente, urdhëronte apo këshillonte muslimanët. Vet falej tërë natën ndërsa neve na stimulonte për këtë si tipar i të sinqertëve. Jepte sadaka me gjithë varfërinë që kishte. Agjëronte me tërë qenien e tij...Me një fjalë, ai ishte i sinqertë.

Ai për kumtimin që bënte nuk kërkonte kompensim material, ai thoshte që misioni i tij është më shumë se interesi material. Misioni i tij përveç që kishte përmasa të interesit të përgjthshëm, ai ishte mision shpirtrash. I pasur nuk bëhej xhepi por zemra, pasuri nuk mbushej qesja por mbushej shpirti. Thotë Allahu:

وَمَا أَرْسَلْنَاكَ إِلَّا رَحْمَةً لِلْعَالَمِينَ

E Ne të dërguam ty (Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat”. ([5])

Ai ndihej keq shumë kur shihte që tregtia e tij nuk kishte përfitime në treg. E dini, tregtia e tij ishte tregti me Allahun; mall ishte Xhenneti ndërsa para-valute ishte besimi. Sa here që ky mall i shtrenjte nuk shitej me një çmim që mund ta posedojë çdokush, ai, alejhi’s selam ndihej jashtëzakonisht keq. Këtë ndjenjë të tij e përshkroi edhe Kur’ani:

أَفَمَنْ زُيِّنَ لَهُ سُوءُ عَمَلِهِ فَرَآهُ حَسَناً فَإِنَّ اللَّهَ يُضِلُّ مَنْ يَشَاءُ وَيَهْدِي مَنْ يَشَاءُ فَلا تَذْهَبْ نَفْسُكَ عَلَيْهِمْ حَسَرَاتٍ إِنَّ اللَّهَ عَلِيمٌ بِمَا يَصْنَعُونَ

A atij që vepra e vet e keqe i është hijeshuar dhe e sheh si të mirë (a është i njëjtë me atë që i largohet asaj)? Në të vërtetë, All-llahu e largon nga e vërteta atë që do dhe Ai e udhëzon atë që do, andaj ti (Muhammed) mos shkatërro veten me dëshpërim për ta, All-llahu e di shumë mirë atë që bëjnë ata”. ([6])

وَلا يَحْزُنْكَ الَّذِينَ يُسَارِعُونَ فِي الْكُفْرِ إِنَّهُمْ لَنْ يَضُرُّوا اللَّهَ شَيْئاً يُرِيدُ اللَّهُ أَلَّا يَجْعَلَ لَهُمْ حَظّاً فِي الْآخِرَةِ وَلَهُمْ عَذَابٌ عَظِيمٌ

E ty të mos të brengosin ata që përpiqen për mosbesim, ata kurrsesi nuk mund të dëmtojnë asgjë All-llahun. All-llahu me urtësinë e vet dëshiron që atyre të mos u takojë kurrfarë e mire në botën tjetër dhe ata kanë një dënim të madh”. ([7])

لَعَلَّكَ بَاخِعٌ نَفْسَكَ أَلَّا يَكُونُوا مُؤْمِنِينَ

A mos do ta mbysësh ti veten (Muhammed) pse ata nuk bëhen besimtarë?!”. ([8])

Megjithatë, edhe pse ishte i shquar me tipare dhe edukateë të lartë, me sinqeritet dhe devotshmëri, Allahu na tregoi në Kur’an se ai është vetëm njeri dhe se, sikur të tjerët, edhe ai do të vdesë. Thotë Allahu:

وَمَا جَعَلْنَا لِبَشَرٍ مِنْ قَبْلِكَ الْخُلْدَ أَفَإِنْ مِتَّ فَهُمُ الْخَالِدُونَ

Ne, asnjë njeriu para teje (Muhammed) nuk i dhamë jetë të përhershme, e nëse ti vdes, a mos do të mbesin ata përgjithmonë?”. ([9])

قُلْ إِنَّمَا أَنَا بَشَرٌ مِثْلُكُمْ يُوحَى إِلَيَّ أَنَّمَا إِلَهُكُمْ إِلَهٌ وَاحِدٌ فَمَنْ كَانَ يَرْجُوا لِقَاءَ رَبِّهِ فَلْيَعْمَلْ عَمَلاً صَالِحاً وَلا يُشْرِكْ بِعِبَادَةِ رَبِّهِ أَحَداً

Thuaj: "Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj, e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos e përziejë askë”. ([10])

إِنَّكَ مَيِّتٌ وَإِنَّهُمْ مَيِّتُونَ

Ti do të jesh i vdekur, e edhe ata do të jenë të vdekur”. ([11])

وَمَا مُحَمَّدٌ إِلَّا رَسُولٌ قَدْ خَلَتْ مِنْ قَبْلِهِ الرُّسُلُ أَفَإِنْ مَاتَ أَوْ قُتِلَ انْقَلَبْتُمْ عَلَى أَعْقَابِكُمْ وَمَنْ يَنْقَلِبْ عَلَى عَقِبَيْهِ فَلَنْ يَضُرَّ اللَّهَ شَيْئاً وَسَيَجْزِي اللَّهُ الشَّاكِرِينَ

Muhammedi nuk është tjetër vetëm se i dërguar. Edhe përpara tij pati të dërguar (që vdiqën ose u vranë). E nëse ai vdes ose mbytet, a do të ktheheshit ju prapa (nga feja ose lufta)? E kushdo që kthehet prapa, ai nuk i bën dëm All-llahut aspak, kurse All-llahu do t'i shpërblejë mirënjohësit”. ([12])

Si të mos jetë fatkeqësi vdekja e një njeriu të tillë që pa shikuar aspak tekstet fetare bindesh nga biografia e tij se është i dërguar i Allahut, i sinqertë dhe njeri që interesin e kësaj bote e ka hedhur pas shpine dhe punon vetëm për interesat globale të njerëzimit?!

Dëshmi tjetër për njerëzinë e Muhammedit, alejhi’s selam

Dëshmitë që do t’i përmendim këtu, dhe prej të cilave përfitojmë fakte se Muhammedi, alejhi’s selam ishte vetëm njeri dhe pejgamber, janë kryesisht nga ditët e fundit të jetës së tij. Këto dëshmi na rrëfejnë për dhimbjet e mëdha që i shkaktonte sëmundja e vdekjes atij.

Muhammedi, alejhi’s selam kishte dhimbje shumë të mëdha, dhimbje të përshkruar në shumë hadithe që nuk lënë vend për ta cilësuar njeriun si të keq nëse ai ndien dhimbje gjate vdekjes apo si të mire nëse ai nuk ndien dhimbje. Aisheja, siç transmetojnë Ahmedi, Ibni Maxheh dhe Daremiu, rrëfen se Muhammedi, alejhi’s selam ishte kthyer një ditë tek ajo nga një xhenaze që e kishin varrosur në Beki’e. Më gjeti duke thënë nga dhimbjet që ndieja në kokë: Ah koka ime! e tha:

بل أنا يا عائشة وارأساه وما ضرك لو مِت قبلي فغسلتك وكفنتك، وصليت عليك ودفنتك

Jo oj Aishe, jo, mua më dhemb koka. Çfarë dëmi do te ishte për ty po të vdisje para meje ndërsa unë do të pastroja, vishja në qefin, do ta falja namazin dhe do të varrosja?! ”.

Në prag të vdekjes kishte temperaturë të madhe. Ebu Seid el-Hudrijj transmeton se:

وضع رجل يده على النبي -صلى الله عليه وسلم- فقال: والله ما أطيق أن أضع يدي عليك من شدة حُمَّاك، فقال النبي -صلى الله عليه وسلم-: إنا معشر الأنبياء يُضاعفُ لنا البلاءُ كما يُضاعف لنا الأجرُ. إن كان النبي من الأنبياء يُبتلى بالقمل حتى يَقْتُلَهُ، وان كان النبي من الأنبياء ليُبتلي بالفقر حتى يأخذ العباءة فيجوبها وإن كانوا ليفرحون بالبلاء كما تفرحون بالرخاء

Një njeri e vendosi dorën mbi Pejgamberin, alejhi’s selam e tha: Pasha Allahun, nuk mund ta mbaj dorën prej etheve të shumta. Pejgamberi, alejhi’s selam tha: Ne pejgamberët, sikur që kemi mundime shumëfish më shumë po kështu kemi edhe shpërblim shumëfish. Ka patur pejgamberë që ka vdekur nga morrat, të cilët e kanë mbytur, ka patur pejgamberë që është sprovuar me varfëri saqë pelerinën e ka marre i ka bërë xhepa që t’ia mbuloj tërë trupin dhe e ka veshur. Ata gëzoheshin me sprovë ashtu siç ju gëzoheni me jetë të mirë-luks “. ([13])

Para tij ishte pjata me ujë. I lagu duart me ujë, e fërkoi fytyrën e tha([14]):

لا إله الإ الله ، إن للموت سكرات

La ilahe il-la Allah, vërtetë vdekja ka dhimbje (agoni)…([15])

Dhembja bëhej gjithnjë e më e fuqishme. Gjurma e helmit, të cilin e kishte ngrënë në Hajber, u shfaq, e ai tha: “O Aishe, ende jam duke ndjerë dhembjen dhe hidhësirën e atij ushqimi që e kam ngrë­në në Hajber. E ndiej se më pëlcet delli i gjakut nga ai helm.([16])

Aisheja rrëfen:

ما رأيت رجلاً أشد عليه الوجع من رسول الله -صلى الله عليه وسلم

Nuk kam pare dikë të ketë patur dhimbje më shumë se sa Pejgamberi, alejhi’s selam“. ([17])

Abdullah b. Mes’udi rrëfen:

دخلت على رسول الله -صلى الله عليه وسلم- وهو يوعك وعكاً شديداً فمسسته بيدي، فقلت: يا رسول الله، إنك لتوعك وعكاً شديداً‍! فقال رسول الله -صلى الله عليه وسلم-: أجل، إني أوعك كما يوعك رجلان منكم، فقلت: ذلك أن لك أجرين؟ فقال رسول الله -صلى الله عليه وسلم-: أجل

Hyra tek Pejgamberi, alejhi’s selam ndërsa ai kishte temperaturë të lartë. E preka me dorën time dhe i thashë: O i dërguari i Allahut, ti vërtet ke temperaturë të lartë. Unë kam temperaturë aq sa kanë dy burra prej jush- tha Pejgamberi, alejhi’s selam. A është kjo për shkak se edhe për të mirën keni dyfish shpërblim?- pyeta. Po- mu përgjigj Pejgamberi, alejhi’s selam“. ([18])

Urtësia e vdekjes së Muhammedit, alejhi’s selam

Pak më lartë përmendëm se Muhammedi, alejhi’s selam edhe pse i zgjedhur, dalluar, respektuar, megjithatë ai është njeri. Nga ky këndvështrim, vdekja e tij tregon se:

- Vdekja fat i çdo krijese, madje edhe i pejgamberëve. Thotë Allahu:

وما جعلنا لبشر من قبلك الخلد أفإن مت فهم الخالدون * كل نفس ذائقة الموت ونبلوكم بالشر والخير فتنة وإلينا ترجعون

Ne, asnjë njeriu para teje (Muhammed) nuk i dhamë jetë të përhershme, e nëse ti vdes, a mos do të mbesin ata përgjithmonë? 35. اdo krijesë do ta shijojë vdekjen, e Ne, në shenjë sprove ju sprovojmë me vështirësi e kënaqësi, dhe ju ktheheni te Ne”. ([19])

- Ligjet e Allahut vlejnë për çdo krijesë. Allahu dhe pse i zgjodhi dhe favorizoi robërit e devotshëm megjithatë Ai ligjet e Tij ua zbatoi të gjithëve. Muhammedit, alejhi’s selam vdekja nuk iu shty për asnjë çast sikur që nuk i shtyhet askujt. Kështu është drejtësia e Allahut…

Derisa jemi këtu është mirë që të përmendim edhe urtësinë e vdekjes së Muhammedit, alejhi’s selam në Medine. Amër Halid, duke folur për biografinë e Muhammedit, alejhi’s selam në mes tjerash e përmend edhe këtë se Muhammedi, alejhi’s selam u kthye pas çlirimit të Mekkes në Medine për ta vazhduar pjesën e mbetur të jetës si mirënjohje dhe respekt për të mirat e medinasëve, të cilët e vërtetuan, ndihmuan dhe përkrahën kur populli i vet e përgënjeshtroi, sulmoi dhe përzuri nga vendi. Muhammedi, alejhi’s si mirënjohës dhe falënderues për të mirat qe ishte zgjodhi që vdekja e tij dhe varri të mbetej pikërisht në Medine.

Ekzistojnë edhe arsye tjera shumë të rëndësishme por që të gjitha janë vetëm përpjekje në bazë të hulumtimeve e jo se janë definitive. Byron Porter Smith, në librin e tij “Islami në literaturën  angleze” përmend se në periudhën e mesjetës, e njohur si periudha e errësirës dhe injorancës (v. 1500-1600), shkrimtarët shkruanin gënjeshtra rreth Muhammedit, alejhi’s selam dhe fesë islame. Një prej këtyre shpifjeve ishte edhe ajo se varri i Muhammedit, alejhi’s selam qëndron në ajër dhe muslimanët kryejnë haxhin çdo vit pikërisht aty. Autori në fjale përmend se këta autore nuk e shpifën këtë gënjeshtër për tjetër vetëm për faktin se të krishterët nuk mund ta marrin me mend që haxhi (pelegrinazhi) të mos kryhet tek ndonjë varr ngase pelegrinazhi tek ata zakonisht kryhet tek varret e të shenjtëve. Natyrisht se kjo gjë vetëm sa qet në shesh shpifjet dhe trillimet e tyre ngase Allahu i Madhëruar me urtësinë e Tij caktoi që varri i Muhammedit, alejhi’s selam të jetë në Medine e jo në Mekke që t’i iket këtij keqkuptimi.

Pasojat e vdekjes së Muhammedit, alejhi’s selam

Pasojat e vdekjes së atij, që nga injoranti kishte formuar njeri të ditur, nga idhujtari besimtar të denjë, nga krimineli pendimtar të sinqertë, nga “viktima” e alkoolit në personalitet të dalluar, atij që gruan e nxori nga kthetra shqyese e traditës barbare të arabëve paraislamik, atij që femrën e konsideroi motër të mashkullit, duhet, gjithsesi, të jenë të mëdha. Mbase është e pamundur të numërohen të gjitha ato pasoja ngase, sa herë që koha sjell ndonjë dukuri negative, ajo, para së gjithash, është edhe si shkak i mungesës fizike të Muhammedit, alejhi’s selam në mesin tonë, i cili me bagazhin e këshillave dhe porosive do të ndikonte në masë të madhe për zhdukjen e tyre. Nuk synoj të bëj përmbledhje të tyre por dua të fokusohem në vetëm ato që ishin më dëmprurëset për ummetin tonë.

1. Rrëmuja në shtetin e ri islam. Menjëherë pas vdekjes së tij,  shumë arabë që menduan se Islami është i lidhur për Muhammedin, alejhi’s selam dhe se me vdekjen e tij merr fund edhe Islami,  dezertuan dhe u larguan prej kësaj feje. Të krishterët dhe jehudët shfrytëzuan rastin për të shpalosur tradhtinë dhe hipokrizinë e tyre derisa disa prej muslimanëve të dobët filluan të mos e japin zekatin, për çka Ebu Bekri, Allahu pasuroftë këtë ummet me njerëz si ai, nguli këmbë që t’i luftoj që të gjithë. Mu për këtë ka thënë Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur ndaj të gjithë sahabeve,:

لولا أبو بكر لهلكت أمة محمد عليه السلام بعد نبيها

Sikur të mos ishte Ebu Bekri, ummeti i Muhammedit, alejhi’s selam pas vdekjes së tij do të shkatërrohej“.

Ebu Bekri, se do të jetë një lider largpamës dhe shumë i vendosur, dëshmoi qysh në momentet e para të ndërrimit jetë të Muhammedit, alejhi’s selam. Kur njerëzit dyshuan, u hutuan dhe ranë në konfuzion përkitazi me vdekjen e Muhammedit, alejhi’s selam, ai shfaqi diturinë, mendjemprehtësinë dhe kuptimin real të fesë, andaj, doli para masës dhe tha:

ألا من كان يعبد محمدا صلى الله عليه وسلم فإن محمدا قد مات ومن كان يعبد الله فإن الله حي لا يموت

Vëni re! Kush  e ka adhuruar Muhammedin, le ta dijë se Muhammedi ka vdekur ndërsa kush e ka adhuruar Allahun, le ta dijë se Allahu është gjallë dhe nuk vdes...“.

Jo vetëm kaq. Ai ua përkujtoi edhe ajetet kur’anore që sikur sahabet, nga pikëllimi që ndien për vdekjen e Muhammedit, alejhi’s selam, thuajse i dëgjonin për herë të parë.

إِنَّكَ مَيِّتٌ وَإِنَّهُمْ مَيِّتُونَ

Ti do të jesh i vdekur, e edhe ata do të jenë të vdekur”. ([20])

وَمَا مُحَمَّدٌ إِلَّا رَسُولٌ قَدْ خَلَتْ مِنْ قَبْلِهِ الرُّسُلُ أَفَإِنْ مَاتَ أَوْ قُتِلَ انْقَلَبْتُمْ عَلَى أَعْقَابِكُمْ وَمَنْ يَنْقَلِبْ عَلَى عَقِبَيْهِ فَلَنْ يَضُرَّ اللَّهَ شَيْئاً وَسَيَجْزِي اللَّهُ الشَّاكِرِينَ

Muhammedi nuk është tjetër vetëm se i dërguar. Edhe përpara tij pati të dërguar (që vdiqën ose u vranë). E nëse ai vdes ose mbytet, a do të ktheheshit ju prapa (nga feja ose lufta)? E kushdo që kthehet prapa, ai nuk i bën dëm All-llahut aspak, kurse All-llahu do t'i shpërblejë mirënjohësit”. ([21])

Sikur kjo nuk mjaftoi. Ummeti islam me kalimin e viteve vetëm sa tronditej edhe më shumë. Sikur e ardhmja i qe dalë përpara Muhammedit, alejhi’s selam dhe ai e përshkruante atë. Zubejr b. Adijj rrëfen: Shkuam tek Enesi dhe u ankuam nga problemet që na i shkakton Haxh-xhaxhi e tha:

اصبروا فإنه لا يأتي عليكم زمان إلا والذي بعده شر منه حتى تلقوا ربكم

Keni durim sepse nuk iu vie ndonjë kohë e të mos jetë e shoqja më e keqe derisa ta takoni Zotin tuaj. Këtë (thënie) e kam dëgjuar prej Pejgamberit tuaj, alejhi’s selam". ([22])

E vërtetë! Nuk pati kohë e që nuk qe më e keqe se sa koha para saj. Vrasja mizorike e tre halifëve pasues pas Ebu Bekrit është dëshmia më e mire për këtë. Siguria dhe qetësia, që dikur me të identifikohej shteti islam, tani ishte zëvendësuar me ankth, panik dhe pasiguri. Çdo kund flitej për luftëra, probleme, dhe sikur përshkrimi i Muhammedit, alejhi’s selam ishte realizuar i tëri. Usameja transmeton se Pejgamberi alejhi’s selam:

أشرف على أُطُم من آطام المدينة ثم قال : هل ترون ما أرى ؟ إني لأرى مواقع الفتن خلال بيوتكم كمواقع القطر

Shikoi në ndërtesat e Medinës e tha: A po shihni çfarë po shoh? Unë po shoh vendet e (zbritjes, ndodhjes së) sprovave në qoshet e shtëpive tuaja sikurse vendet ku bie pika([23]) e shiut "([24]).

Këto rrëmuja dhe trazira në ummetin islam, sa dobësuan politikisht e ekonomikisht shtetin islam, po aq, në mos më shumë, dobësuan edhe aspektin fetar të tij. Tanimë kredoja (akideja) e pastër islame kishte filluar të sulmohej nga injorantë, të cilët flisnin nga hamendja. Havarixhët, shiitët, murxhiet, intrigat çifute, hipokrizitë krishtere, kishin vërshuar skenën politike e fetare të shtetit islam. Por, falë ndihmës së Allahut, fillimi i tyre qe gjykuar të dështoi dhe ashtu edhe ndodhi. Edhe pse u bën përpjekje të hatashme për t’i ndërruar kahjen shtetit islam, edhe pse u dobësua shumë, megjithatë ai mbeti kokëlartë gjithmonë. Edhe pse luftëra të brendshme, ai korrte suksese në betejat me pabesimtarë...

2. Shfaqja e fraksioneve të devijuara. Paralajmërimi profetik për këtë gjë ishte në memorie të çdo muslimani. Të gjithë e dinin se këto gjëra, herët a vonë, do të ndodhin porse pasojat fatale pak kush mund t’i imagjinonte. “Teoria e shpalljes renegat e heretik të njerëzve (tekfiri), “Hyjnizimi i njerëzve”, “Akuzimi i Muhammedit, alejhi’s selam ([25])”, “Sharja e sahabeve”, “Imameti”, “Sufizmi i devijuar”, “Komplotet”, “Varrezat në xhami (teqetë)”, “Thirrja në fanatizëm medh’hebor a kombëtar”, e shumë e shumë moto e nisma djallëzore ndodhën pikërisht pas vdekjes së Muhammedit, alejhi’s selam!

Çfarë mendoni sikur të ishte gjallë Muhammedi, alejhi’s selam si do t’iu përgjigjej këtyre shiave fanatikë të cilët e akuzuan atë se “imametin” e tyre nuk e paska kumtuar? Ai, alejhi’s selam, një njeriu që e akuzoi për drejtësi i qe përgjigjur:

Po kush bën drejtësi, nëse nuk bën Allahu dhe i dërguari i Tij? Allahu e mëshiroftë Musain! U sprovua me shume se kjo dhe bëri durim"([26]).

Mendoj se këtyre do t’iu përgjigjej: Mjere për ju! Po nëse unë nuk kam kumtuar e zbatuar porositë e Allahut, kush mund t’i ketë kumtuar e zbatuar ato?!

Atyre që hyjnizuan Aliun, a nuk do t’iu thoshte se unë as veten time nuk e kam shpallur të tillë e lëre më t’i shpalli të tjerët? Sigurisht se, në radhë të parë shiiave, do t’iu thoshte: Mua Allahu më ka urdhëruar ta kumtoj të vërtetën e të them:

 " قُلْ إِنَّمَا أَنَا بَشَرٌ مِثْلُكُمْ يُوحَى إِلَيَّ أَنَّمَا إِلَهُكُمْ إِلَهٌ وَاحِدٌ فَمَنْ كَانَ يَرْجُوا لِقَاءَ رَبِّهِ فَلْيَعْمَلْ عَمَلاً صَالِحاً وَلا يُشْرِكْ بِعِبَادَةِ رَبِّهِ أَحَداً

Thuaj: "Unë jam vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se vetëm një Zot është Zoti juaj, e kush është që e shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos e përziejë askë"([27]).

"قُلْ إِنَّمَا أَنَا بَشَرٌ مِثْلُكُمْ يُوحَى إِلَيَّ أَنَّمَا إِلَهُكُمْ إِلَهٌ وَاحِدٌ فَاسْتَقِيمُوا إِلَيْهِ وَاسْتَغْفِرُوهُ وَوَيْلٌ لِلْمُشْرِكِينَ

Thuaj: "Unë jam vetëm njeri sikurse edhe ju, mua më shpallet se Zoti juaj është vetëm Zoti Një, pra drejtonju Atij dhe kërkoni falje prej Tij. Për idhujtarët është mjerim i madh"([28]).

Sikur Muhammedi, alejhi’s selam të dëgjonte sot të sharat e hipokritëve që ua bëjnë sahabeve, e në veçanti Ebu Bekrit dhe Omerit, a do të mund t’i imagjinonte ato? A nuk do të thoshte: Po Ebu Bekri ka qenë njeriu i parë që më besoi, ka qenë ai që për këtë Islam dhe tërë pasurinë, ka qenë ai që më shoqëroi në Hixhret, ai që më përkrahu gjithmonë, ai qe për mua e ju bëri këtë e atë...Si paskeni harruar këto? Si keni të drejtë ta shani Omerin, njeriun, drejtësia e të cilit mahniti njerëzimin?...

Jam më se i bindur se do t’i shpallte heretike dhe të dalur prej kësaj feje!

Atyre që ndërtuan teqe e varreza të “evliave”, shkurt, do t’iu thoshte se kanë rënë në pabesim. Atyre që thërrasin në fanatizëm kombëtar a racor do t’ua përkujtonte ajetin kur’anor:

يَا أَيُّهَا النَّاسُ إِنَّا خَلَقْنَاكُمْ مِنْ ذَكَرٍ وَأُنْثَى وَجَعَلْنَاكُمْ شُعُوباً وَقَبَائِلَ لِتَعَارَفُوا إِنَّ أَكْرَمَكُمْ عِنْدَ اللَّهِ أَتْقَاكُمْ إِنَّ اللَّهَ عَلِيمٌ خَبِيرٌ

O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s'ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e All-llahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”. ([29])

Atyre sofisteve që shfaqen “modesti” e “devotshmëri”, do t’iu drejtohej: “A jeni ju që keni thënë këtë dhe këtë? Sa më përket mua, pasha All-llahun, unë jam më i drojtur dhe më i devotshëm ndaj All-llahut se sa ju, por unë agjëroj dhe ha, falem dhe flej, dhe bëj jetë bashkëshortore! Kush largohet nga Sunneti im, ai nuk më përket mua” ([30]).

Atyre që vrasin muslimanët do t’iu thoshte: Ruajuni nga shtatë të këqija të mëdha!...:Të shoqëruarit e All-llahut, sihri, mbytja e dikujt, që All-llahu e ka ndaluar, përveç me të drejtë, ngrënia e kamatës, pasurisë së bonjakut, ikja nga fushëbeteja dhe shpifja për amoral të besimtares së devotshme dhe të ndershme ([31]).

3. Dobësimi i ummetit. Ummeti islam sot sulmohet nga të katër anët e botës. Është dobësuar aq shumë saqë lëre më që nuk mundet ta bartë amanetin e çlirimit të popujve nga barbaria idhujtare, egërsia shpirtërore dhe dekadenca morale, por as veten nuk mund ta mbron. Iraku që për çdo ditë vriten me dhjetëra, Palestina që do ditë dhuron gjak e dëshmor, Kashmiri që aq fort thërret, filipinezët muslimanë që aq shumë vuajnë, tajlandezët muslimanë që aq shumë persekutohen, nuk kanë mund ta zgjojnë ummetin nga gjumi dhe ta kthjellin nga plogështia. Krenaria ka mbetur vetëm histori. E ardhmja më shumë i është lënë dobësisë se sa planifikimit e forcimit. Vetëm “Shkopi magjik” na mungon. “Mehdiu” do i qërojë hesapet me ta”, “Isai ka për t’i mbytur” janë arsenali ynë ushtarak kundër atyre që edhe me armë kimike na shkatërruan. Unë nuk dyshon në paralajmërimet e vërteta profetike porse them se sikur të ishte gjallë Muhammedi, alejhi’s selam nuk do t’ua lejonte muslimanëve ëndërrimin se një ditë do të vjen Mehdiu, do të vjen Isai, alejhi’s selam dhe muslimanët do t’i çliroje. Jo, ai do t’ua kumtonte edhe njëherë ajetin qe ua ka mësuar shumë herë:

قَاتِلُوهُمْ يُعَذِّبْهُمُ اللَّهُ بِأَيْدِيكُمْ وَيُخْزِهِمْ وَيَنْصُرْكُمْ عَلَيْهِمْ وَيَشْفِ صُدُورَ قَوْمٍ مُؤْمِنِينَ

Luftoni ata, All-llahu i dënon dhe i mposhtë ata nëpërmjet jush, e juve ju ndihmon kundër tyre dhe shëron zemrat e njerëzve besimtarë”. ([32])

4. Prapambeturia arsimore. Islami, moto e të cilit është dituria, madje edhe para besimit, sigurisht se ndihet keq sot me këta vagonë injorantësh që i janë lidhur pas lokomotivës së tij. Derisa muslimanët sot diskutojnë për çështje sekondare, madje edhe janë ndarë e përçarë për shkak të tyre, të tjerët kanë përparuar shumë, jo vetëm në tokë, por kanë tejkaluar atë dhe kanë arritur në gjithësi. Analfabetizmi është përhapur gjithandej shteteve islame. Sipas raporteve të disa organizatave ndërkombëtare, analfabetizmi është i përhapur tek 15-20 përqind e popullatës në Kosovë, dhe rreth 80 përqind e tyre janë femra([33]).

Çfarë mendoni, po të ishte gjallë Muhammedi, alejhi’s selam, a nuk do të ndalej para muslimanëve dhe t’iu thotë: Urdhri i parë që më ka zbritur prej Allahut ka qenë dituria. A keni harruar ajetin?

اقْرَأْ بِاسْمِ رَبِّكَ الَّذِي خَلَقَ

Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë)”. ([34])

A nuk iu kam thënë se: Dijetarët janë trashëgimtarë të Pejgamberëve dhe Pejgamberët nuk kanë lënë trashëgimi as dinarë dhe as dërhemë por kane lënë trashëgimi diturinë. Kush e merr këtë ai ka marrë një fat të madh”.

5. Fundosja morale. Si të mos jetë fatale për ne vdekja e Muhammedit, alejhi’s selam kur parimet morale dhe edukative që ai na la si trashëgimi kanë humbur?! Në vend të respektit ka ardhur arroganca, në vend të miqësisë konflikti e armiqësia, në vend të dashurisë urrejtja, smira e mëria, në vend të përshëndetjeve të sharat, ofendimet e shpifjet, me një fjalë, anija morale është fundosur thellë në ujërat e zeza të amoralit e injorancës.

Prindërit, për të cilët jemi porositur shumë prej tij t’i respektojmë, sot kanë një pushimore, por të dhunshme, të quajtur “Shtëpia e pleqve”. Djali më nuk ka vend në shtëpinë e tij për babain dhe nënën. Ata vetëm sa i shkaktojnë probleme në familje.

Jetimët, për kujdesin e të cilëve si shpërblim zgjodhi shoqërimin me të në Xhennet, janë harruar fare. Mungesën fizike të prindërve e ka tejkaluar mungesa e kushteve normale për jetesë. Nëse të parët garonin për edukimin dhe rritjen e jetimëve, sot ata injorohen dhe ndihen si klasa e strukur dhe e pa përkrahur e shoqërisë.

Prindërit, të cilët sikur vet gatuan këtë mos respekt të bijve e bijave të tyre, harruan parimet e edukatës së mirëfilltë. Sot, mjerisht, ka musliman që ndoshta i fal pesë kohët e namazit por edukimit të familjes nuk i ka kushtuar rëndësi shumë. Sikur ka harruar fjalën e Allahut:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آَمَنُوا قُوا أَنْفُسَكُمْ وَأَهْلِيكُمْ نَارًا وَقُودُهَا النَّاسُ وَالْحِجَارَةُ عَلَيْهَا مَلَائِكَةٌ غِلَاظٌ شِدَادٌ لَا يَعْصُونَ اللَّهَ مَا أَمَرَهُمْ وَيَفْعَلُونَ مَا يُؤْمَرُونَ

O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëjt e rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar”. ([35])

Bijtë e tij konsumojnë alkool, birra, kanë dashnore e partnere, japin e marrin kamatë,...Bijat e tij vishen ngushtë, rrobat i kanë të tejdukshme, namaz nuk falin, hixhabin nuk e veshin, bisedojnë e shkojnë me djem të huaj, ndërsa kjo aspak nuk e shqetëson këtë musliman të mjerë. “Koha ka ardhur kështu”- arsyetohet. Nëse koha ka ardhur kështu, ajo assesi nuk ka mundur ta zhvleftësoje edhe një thënie adekuate te Muhammedit, alejhi’s selam për të. Ja dëgjo, o musliman, e pastaj mendo se çfarë je duke bërë! Thotë Muhammedi, alejhi’s selam:

ثلاثة لا ينظر الله عز وجل إليهم يوم القيامة : العاق لوالديه و المرأةالمترجلة و الديوث ، و ثلاثة لا يدخلون الجنة : العاق لوالديه و المدمن الخمر و المنان بما أعطى

Tri grupe njerëzish Allahu nuk do t’i shikojë në Ditën e Kiametit: Atë që është arrogant ndaj prindërve, gruan që sillet si të jetë mashkull dhe dejjuthin ndërsa tri grupe tjera nuk do të hyjnë në Xhennet: Ai që ka sjellje të keqe ndaj prindërve, ai që konsumon alkool dhe ai që jep e ua përmend atë njerëzve”. ([36])

Në hadith ndoshta mendon se për ty nuk u fol asgjë. Jo, mos u mashtro, ngase hadithi flet pikërisht për njerëz që nuk kanë dert edukatën e familjes së tyre. Fjala dejjuth (në popull: dejuz) është term për atë që braktisë këtë gjë. Muhammedi, alejhi’s selam e sqaron kështu:

ثلاثة قد حرم الله عليهم الجنة : مدمن الخمر و العاق و الديوث الذي يقر في أهله الخبث

Tri grupe të njerëzve Allahu ua ka ndaluar Xhennetin: Konsumuesit të alkoolit, arrogantit ndaj prindërve dhe dejjuthit, që pranon të keqen në shtëpinë e tij”. ([37])

Pasojat e vdekjes së Muhammedit, alejhi’s selam i ndiejmë edhe në jetën fetare të grave të ummetit tonë. Një pjesë e madhe e tyre sot nuk kanë me çka të identifikohen si pjesëtare të bashkësisë së tij. Duke filluar nga veshjet gjysmëlakuriqe, përzierjet me meshkuj, ushtrimin e prostitucionit, tradhtisë bashkëshortore, e deri tek luftimi i shamisë dhe parimeve tjera fetare. Jam më se i bindur se po të ishte Muhammedi, alejhi’s selam gjallë këtyre grave do t’ua përkujtonte një grua në kohën e tij, e cila vuante nga epilepsia dhe e cila kërkonte shërim. Muhammedi, alejhi’s selam i dha dy mundësi: Ose shërimin, në këtë botë, ose durimin e më pas Xhennetin, në botën tjetër. Kjo grua kur dëgjoi Xhennetin harroi sëmundjen e saj por jo edhe një pasojë të saj. Sa here i binte të fikët, kjo grua zbulonte ndonjë pjesë të trupit të saj. Ajo kërkoi prej Muhammedit, alejhi’s selam që vetëm nderi i saj të mos humbë ndryshe sëmundjet me durim e besim do t’i përballonte([38])...

Kjo grua “e trentë” kishte dert nderin dhe mbulimin e trupit të saj ndërsa muslimanet “e mençura” të kohës sonë, pa qenë fare të sëmura, zbulohen vet.

Sikur këto dukuri kanë ardhur si rezultat i braktisjes së Kur’anit, respektivisht, zbatimit të tij në jetën tonë. Intelektuali i shquar boshnjak, Husein Xhozo, ndiente këtë dhimbje në shpirt dhe në një letër të tij kishte shkruar: Kur'ani vërtetë shumë po lexohet, por o pejgamber i dashur i Zotit, vetëm të vdekurve dhe për sevabe, e jo për mësim, këshilla. Po e lexojnë lypsit, për arsye të lypjeve, po e përdorin magjistarët dhe falltarët në punët e tyre tëndyra, po e lexojnë për para (biznis), po mbahet si hajmalija dhe po ruhet në shtëpia në rafte për shkak të bereqetit...([39]).

    6. Dukuri tjera negative. Pasojat e vdekjes së Muhammedit, alejhi’s selam sot, në kohën bashkëkohore, ndihen më shumë se kurrë. Ato janë dhe shihen kudo porse ne do të ndalemi vetëm në disa prej tyre:

1) Pesimizmi, që si pasojë ka vetëvrasjet, me forma të ndryshme, qofte me varje, kërcim nga pjesë të larta të godinave, vrasje me armë, etj. Nëse mungesa fizike e Muhammedit, alejhi’s selam ndihet në jetën tonë megjithatë porosite e tij janë ende të gjalla, janë shumë aktuale, por sikur harrohen nga viktimat e kësaj dukurie. Jam i bindur se Muhammedi, alejhi’s selam njerëzve të rënë në këtë humnerë do t’ua përkujtonte ftesën e Allahut për falje të të gjitha mëkateve([40]), madje edhe nëse kanë rënë në ato më të mëdhatë([41]), do t’ua përkujtonte gëzimin e Allahut për pendimin e njeriut([42]), do t’ua përkujtonte faktin se Allahu fal shumë, madje dhe nëse disa here bie në mëkate e pendohesh prej tyre([43]), me një fjalë do t’iu thoshte:

وَلا تَقْتُلُوا أَنْفُسَكُمْ إِنَّ اللَّهَ كَانَ بِكُمْ رَحِيماً

...dhe mos mbytni veten tuaj (duke mbytur njëri-tjetrin). Vërtet, All-llahu është i mëshirueshëm për ju”. ([44])

2) Kamata. Vendet e varfra e sidomos ato të pas luftërave, zakonisht janë mejdan i një varg dukurive negative: Lojërat e fatit, falli, magjia, korrupsioni, vjedhja, plaçkitja, krimi i organizuar, kamata, dhe shumë gjëra tjera negative janë pjellë fatzezë e luftërave. Ndonëse fetarisht janë të ndaluara dhe nuk duhet të ekzistojnë kurrë, ato, me këtë dhe forma tjera, kanë lindur pas vdekjes së Muhammedit, alejhi’s selam. Sot, kur haptazi veprohet me kamatë, nuk di si do të na gjykonte Muhammedi, alejhi’s selam. Jam më se i bindur se nuk do të kishim patur shumë hise nga emri “Musliman i sinqertë” ngase Allahu të tillëve iu drejtua:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آَمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَذَرُوا مَا بَقِيَ مِنَ الرِّبَا إِنْ كُنْتُمْ مُؤْمِنِينَ (278) فَإِنْ لَمْ تَفْعَلُوا فَأْذَنُوا بِحَرْبٍ مِنَ اللَّهِ وَرَسُولِهِ وَإِنْ تُبْتُمْ فَلَكُمْ رُءُوسُ أَمْوَالِكُمْ لَا تَظْلِمُونَ وَلَا تُظْلَمُونَ

O ju që besuat, kini frikë All-llahun dhe nëse jeni besimtarë të sinqert , hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata. E në qoftë se nuk e bëni këtë (nuk heqni dorë nga kamata), atëherë binduni se jeni në luftë me All-llahun dhe të dërguarin e Tij…”([45]).

Më pas, Muhammedi, alejhi’s selam sigurisht se do t’ua përkujtonte këtë thënie të rëndësishme përkitazi me kamatën:

الرِّبَا سَبْعُونَ حُوبًا أَيْسَرُهَا أَنْ يَنْكِحَ الرَّجُلُ أُمَّهُ

Kamata është 70 mëkate; më i lehti është sikur njeriu të ketë marrëdhënie me nënën e tij ([46]).

3) Vëllavrasjet. Mjerisht sot bota islame është e përfshirë në një dhunë të brendshme, dhe, siç lutej njëri nga dijetarët tonë, “Elhamdulilah që nuk kemi armë bërthamore ne muslimanët ngase moti do të ishim shkatërruar”, kemi patur këtë fat, ndryshe sot do të ishim shumë pak. Kjo dukuri negative me ardhjen e Muhammedit, alejhi’s selam qe flakur. Ai bëri bashkimin e armiqve shekullor, evsit dhe hazrexhit, vëllazëroi muhaxhirët e ensarët, lidhi të pasurin me të varfrin, shoqëroi fshatarin me qytetarin; ai lidhi zemrën me zemër. Se mungesa e tij është e madhe, sidomos për këtë gjë, e kupton çdokush. Ai, alejhi’s selam, po të ishte gjallë, këto vëllavrasje sigurisht se do t’i shuante duke ua përkujtuar muslimanëve se ju, në radhë të parë jeni vëllezër([47]) dhe vëllai vëllain nuk e mbyt, e më pas: Mbytja e vëllait është prej mëkateve më të mëdha. Thotë Allahu:

وَمَنْ يَقْتُلْ مُؤْمِناً مُتَعَمِّداً فَجَزَاؤُهُ جَهَنَّمُ خَالِداً فِيهَا وَغَضِبَ اللَّهُ عَلَيْهِ وَلَعَنَهُ وَأَعَدَّ لَهُ عَذَاباً عَظِيماً

Kush e mbytë një besimtarë me qëllim, dënimi i tij është xhehennemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. All-llahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgaditur dënim të madh”. ([48])

4) Mashtrimet dhe ngritja e çmimeve. Muhammedi, alejhi’s selam kishte mësuar njerëzit se toka është e Allahut dhe ne, në të, kemi të drejte të rregullojmë e jo të prishim e të shkatërrojmë. Mu për këtë, çdo iniciativë për të dëmtuar shoqërinë, çfarëdo që të ketë qenë dhe në çfarëdo sfere të ketë qenë, ka qenë e dështuar. Sot, kur Muhammedi, alejhi’s selam nuk është fizikisht më në mesin tone, këto dukuri janë kthyer dhe si për inat kanë shtrire aktivitetin e tyre kudo. Muhammedi, alejhi’s selam po të ishte sot kur në tregjet tona dëgjohen betimet e rrejshme([49]), ku dhuntitë e Allahut harrohen([50]), dhe ku qarkullojnë lloje të ndryshme mashtrimesh e dredhish, muslimanëve do t’ua përkujtonte se: Allahu ka nënçmuar ata që bëjnë mashtrime në tregti dhe iu ka kërcënuar me dënim([51]), të tillët nuk bëjnë pjesë në grupin e pasuesve të mijë të denjë, ai që mashtron në tregti ka fund të keq([52]), Allahu nuk pranon lutjet e tyre([53]), Ihtikari është mashtrim([54]), dhe kështu, këto dukuri nuk do të ekzistonin fare.

Fund

Gjëja e parë që na shkon ndërmend kur të përmendim dukuritë negative janë protagonistët e tyre ngase pa vrasës nuk do të ndodhin vrasje, pa hajna nuk do të kishte vjedhje, pa të prishur nuk do të kishte prostitucion... Sa e bukur do të dukej bota pa ta!  Sa mirë do të ishte që sot në botë të kishte të paktën njerëz që pasojnë në mënyrë dinjitoze mësimet e këtij pejgamberi të madh, vdekja e të cilit aq shumë pasoja na solli! Sa të ndershëm do të ishim sikur të thoshim se ne, gjeneratat e fundit, nëse nuk e kemi fizikisht në mesin tonë Muhammedin, alejhi’s selam, mësimet, porositë dhe traditën e tij e kemi gjak dhe ajër pa të cilat nuk jetojmë dot. Sa keq që nuk jemi ndalur qoftë edhe një herë të vetme t’ia hedhim sytë një peizazhi mallëngjyes në sytë e Muhammedit, alejhi’s selam. Ai sikur shikonte ardhmërinë në një pasqyre dhe shihte ata besimtarë të pakte të cilët mbahen për fesë dhe traditës së tij me ç’rast nga zemra i buruan këto fjalë, që nga ai thesar magjik i përcolli Enesi, Allahu qofte i kënaqur me të!:

وَدِدْتُ أَنِّي لَقِيتُ إِخْوَانِي

Sa shumë do të dëshiroja sikur t’i takoja vëllezërit e mi!”.

Shiko, Muhammedi, alejhi’s selam ka një dëshirë: Takimin me vëllezër! Po kush janë ata vëllezër? Kush meriton të jete vëlla i këtij burri me moral të përsosur?

أَوَلَيْسَ نَحْنُ إِخْوَانَكَ

A nuk jemi ne vëllezërit tu?!- pyetën të habitur sahabet”.

Bëhu gati ta përjetosh momentin e rëndësishëm dhe të mësosh se kush është vëlla i Muhammedit, alejhi’s selam!

أَنْتُمْ أَصْحَابِي وَلَكِنْ إِخْوَانِي الَّذِينَ آمَنُوا بِي وَلَمْ يَرَوْنِي

Ju jeni shokët e mi- u përgjigj Muhammedi, alejhi’s selam. Vëllezërit e mi janë ata që më besojnë edhe pse nuk më kanë parë- sqaroi ai.”. ([55])

Për të qenë vëlla i Muhammedit, alejhi’s selam nuk mjafton vetëm të besosh në të, jo, duhet edhe ta pasosh atë ngase besimi pa punë është sikur cungu pa dege, gjethe e fruta. Puno, rregullo, bëhu modest, i përulur, i devotshëm, ndaloje të keqen, urdhëroje të mirën, zbatoje porosinë e Allahut dhe të Muhammedit, bëhu i sjellshëm, ngase kështu do të jesh vëlla i Muhammedit, alejhi’s selam. Ibni Mes’udi kur e pa modestinë, devotshmërinë dhe sinqeritetin e një tabiini, i tha: O babai i Jezidit, sikur të shihte Muhammedi, alejhi’s selam do të donte, do ta bënte ndonjë vend afër tij, dhe unë, sa herë që ty të shoh i përkujtoj njerëzit e devotshëm!

Vëllezër dhe motra! Pashë Allahun, më thuani se sikur Muhammedi, alejhi’s selam sot të ringjallej dhe të vinte prapë në këtë botë si do te ndihej kur do të na shihte neve? A do të thoshte se janë vëllezërit e mi apo ndoshta do ta kishte thënë atë që nesër në ahiret do ta thotë: Unë jam i pastër prej tyre! O Zot, unë nuk ua kam mësuar këto gjëra! Thotë Pejgamberi, alejhi’s selam:

و إنه يجاء برجال من أمتي فيؤخذ بهم ذات الشمال فأقول يا رب أصحابي ! فيقال : إنك لا تدري ما أحدثوا بعدك فأقول كما قال العبد الصالح : { كنت عليهم شهيدا ما دمت فيهم فلما توفيتني كنت أنت الرقيب عليهم } فيقال : إن هؤلاء لم يزالوا مرتدين على أعقابهم منذ فارقتهم

...Në Ditën e Kiametit do të sillen ca burra nga ummeti im të cilët do të ndahen në anën e majte. O Zoti im! Ata janë shokët e mi!- do të pyes. Ti nuk di se çfarë kanë bërë pas teje (pas vdekjes sate). Atëherë unë them ashtu siç ka thënë robi i mirë (Isau, alejhi’s selam): ...Sa isha ndër ta, kam qenë përcjellës i tyre, e pasi që më more mua, Ti ishe roje (dhe dëshmues) i tyre. Ti je dëshmitar për çdo send!{el-Maide, 117}. I thuhet (Muhammedit, alejhi’s selam): Ata janë kthyer prapa (të kanë kundërshtuar) qysh prej se je larguar-ndare prej tyre”. ([56])

A pak na duket humbja e Xhennetit?! A nuk kemi frikë zjarrin?! A nuk do të na ruante nga këto gjëra po të ishte gjallë?! Pra, a nuk është vdekja e Muhammedit, alejhi’s selam për ne, ummetin e tij, fatkeqësi mbi fatkeqësi?!

 

23-1-2008, e mërkurë

Vushtrri, Kosovë



[1] el-Ankebut, 2

[2] el-Bekare, 155

[3] Transmeton Daremiu në Sunenin e tij dhe Ibni Sa’di. Shejh Albani, pasi që sjell dëshmi për këtë hadith, thotë se ai është autentik. Shih: Silsiletu’s sahihah, 1106.

[4] el-Ahzab, 21

[5] el-Enbija, 107

[6] Fatir, 8

[7] Ali Imran, 176

[8] esh-Shuara, 3

[9] el-Enbija, 34

[10] el-Kehf, 110

[11] ez-Zumer, 30

[12] Ali Imran, 144

[13] Transmetojne Ahmedi në Musned dhe Kitabu’z Zuhd dhe Hakimi ne Mustedrek, duke vleresuar hadithin si autentik sipas kishtit të Muslimit, per ç’gjë ka pajtuar edhe Dhehebiu. Hadithin po ashtu e ka transmetuar edhe Ibni Maxheh në Sunenein e tij

[14] Nektari i vulosur i Xhennetit, Safijurrahman el-Mubarekfuri, Prishtinë 2004, f. 555-564

[15] Sahihu-l-Buhari: II/640.

[16] Sahihu-l-Buhari: II/637.

[17] Buhariu dhe Muslimi

[18] Ibid.

[19] el-Enbija, 34-35

[20] ez-Zumer, 30

[21] Ali Imran, 144

[22] Buhariu

[23]Këtu Pejgamberi Alejhi selam sprovat i solli në shembull të pikave të shumta të shiut. Shif: Komentin e sahihut te Buhariut, libri mbi Haxhin, kreu: Atam El Medine, hadithi nr: 1745.

[24] Buhariu

[25] Shiiat akuzojnë Muhammedin, alejhi’s selam se nuk ka kumtuar urdhrat përkitazi me imametin e Aliut, Allahu qoftë i kënaqur me të!

[26]Akidetul Mu'mini, Ebu Bekir El Xhezairi,f:231-235

[27] el-Kehf 110

[28] Fussilet 6

[29] el-Huxhurat, 13

[30] Muttefekun alejhi

[31] Ibid.

[32] et-Teube, 14

[34] el Alek, 1

[35] et-Tahrim, 6

[36] Transmeton Nesaiu ndërsa Albani në es-Silsiletu's sahihahm 2/289, e ka cilesuar si hadith me sened xhejjid-të mirë.

[37] Sahihu’l xhamii, 3052

[38] Transmetim unanim

[40] ez-Zumer, 53-54

[41] Në dy koleksionet më të vërteta të hadithit, atë të Buhariut dhe Muslimit, transmetohet nga Seid el-Hudrijji se Pejgamberi ka thënë: "Në mesin e izraeliteve ishte një njeri, i cili kishte mbytur 99 persona. (U pendua për këtë dhe) Doli të pyeste (njerëzit e ditur) se a ka pendim për të? E takoi një prift, të cilin e pyeti: A ka pendim për mua? Tha: Jo. E vrau edhe këtë. Pyeste prapë ndërsa një njeri e këshilloi në filan vendbanimin (sipas një transmetimi: e pastaj pyeti se ku është njeriu më i mençur në tokë e u udhëzua për tek një njeri). I tha: Kam mbytur 100 veta andaj a ka pendim për mua? Tha: Po, dhe çfarë pengese ka mes teje e pendimit?! Shko në këtë e këtë vend sepse atje ka njerëz që e adhurojnë Allahun andaj adhuroje edhe ti me ta dhe mos u kthe në vendin tënd sepse ai është vend i keq. U nis njeriu por kur arriti në mes të rrugës e zuri vdekja. Polemizuan melaiket e mëshirës dhe ato të ndëshkimit…Thanë melaiket e mëshirës: Vërtet ai vdiq duke qenë i penduar me zemrën e tij ndërsa melaiket e ndëshkimit thanë: Ai nuk ka bërë kurrë asnjë punë të mirë. Derisa ishin në këtë gjendje, iu erdhi një melek neë formë të njeriut, të cilin e caktuan gjykatës mes tyre. Tha: Mateni distancën mes dy vendeve dhe prej cilës pjesë të jetë më afër, atëherë asaj i takon. E matën dhe panë se ai ishte më afër tokës, se cilës ia kishte mërsyer".

[42] Harith b. Suvejd tregon se ai me rastin e vizitës, që ia kishte bërë Abdullahut, i cili ishte i sëmurë, i kishte treguar se e kishte dëgjuar Pejgamberin duke thënë: "Vërtet Allahu gëzohet më shumë me pendimin e robit besimtar se sa njeriu, i cili është në një tokë të thatë, shkatërruese. Me vete ka kafshën, mbi të cilën e ka ushqimin dhe ujin. Flenë por kur të zgjohet shef se kafsha i ka humbur. E kërkon atë derisa të etet pastaj thotë: Të kthehem në vendin, ku isha më parë dhe të flejë derisa të vdes. E vendos kokën e tij mbi dorë që të vdes. Kur i doli gjumi pa se kafsha ishte pranë tij dhe mbi të ishte ushqimi dhe uji i tij. Allahu është më shumë i gëzuar me pendimin e besimtarit se sa ky (që u gëzua) për kafshën dhe ushqimin e tij". (Buhariu dhe Muslimi)

[43] Pejgamberi duke transmetuar nga Zoti i tij, (hadith kudsijj) tha: "Një rob bëri mëkat e tha: O Zoti im! Ma fal mëkatin! Tha Madhëria dhe Lartësia e Tij: Robi Im bëri mëkat dhe e diti se ka Zot që ia fal mëkatin por edhe e ndëshkon për të. Pastaj prapë bëri mëkat e tha: O Zoti im! Ma fal mëkatin! Tha Allahu: Robi Im bëri mëkat dhe e diti se ai ka Zot, që ia fal mëkatin por edhe e ndëshkon për të. Pastaj bëri prapë mëkat e tha: O Zot! Ma fal mëkatin. Tha Allahu: Robi Im bëri mëkat dhe e diti se ka Zot, që ia fal mëkatin dhe e ndëshkon; bë ç'të duash sepse t'i kam falur mëkatet". (Buhariu dhe Muslimi)

[44] en-Nisa, 29

[45] el-Bekare, 278-279

[46] Transmeton Ibni Maxheh ndërsa Albani e ka cilësuar autentik. Shih: Sahihu ve daifu suneni Ibni Maxheh, 2274 & Sahihu’l xhamii, 3541.

[47] Thotë Allahu: “S'ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj dhe kini frikë All-llahun, që të jeni të mëshiruar (nga Zoti).” (el-Huxhurat, 10).

[48] en-Nisa, 93

[49]Nëse gënjejnë dhe fshehin (të metat e artikullit) bereqeti i shitjes do te zhduket”. (Imam Muslimi)

[50] Allahu ka thënë: Dhe çdo të mirë që e keni, ajo është prej All-llahut.. .”. (en-Nahl, 53)

[51] Thotë Allahu: “Të mjerët ata që mangu masin e peshojnë. 2. Ata që kur matin prej njerëzve, për vete e plotësojnë, 3. E kur u matin të tjerëve ose u peshojnë, u lënë mangu”. (el-Mutaffifine, 1-3)

[52] Ebu Hurejre transmeton se: ”Pejgamberi, alejhi’s selam kaloi pranë një njeriu që shiste ushqim dhe i pëlqeu. E futi dorën në të por pa lagështi. Çfarë është kjo? Prej qielli është- u përgjigj. Përse atëherë nuk po e vendos mbi ushqim që ta shohin njerëzit. Kush na mashtron neve nuk është prej nesh”. (Muslimi)

[53] Pejgamberi, alejhi’s selam thotë: "Allahu është i mire dhe nuk pranon tjetër përveç te mirës, dhe se Allahu i ka urdhëruar besimtaret me atë, qe i ka urdhëruar edhe te dërguarit (pejgamberet) . Thotë Allahu i Madhërishëm: "O ju të dërguar, hani atë që është e lejuar dhe e mirë dhe bëni vepra të mira ". (Mu'minun, 51). Poashtu thotë: "O ju që besuat, hani nga të mirat që ua kemi dhënë". (Bekare, 172), pastaj përmendi njeriun, i cili udhëton gjate; flokëshprishur, i ngrit duart kah qielli (e lutet): O Zoti im! O Zoti im!, ndërsa ushqimin e ka haram, pijen e ka haram, është ushqyer nga harami, andaj si te përgjigjet (plotësohet duaja) te tillit?!". (Muslimi)

[54] Ihtikari përgjithësisht d.t.th: Mos qitja në treg e ndonjë artikulli kur çmimi është i ulët për ta shitur me çmim të lartë në treg kur çmimet të rriten dhe nevoja për të të jetë e madhe. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Ihtikarin nuk e ushtron përveçse gabimtari”. (Muslimi)

[55] Transmeton Imam Ahmedi ndersa Albani ne Sahihu’l xhamii, 7108, e ka cilësuar autentik.

[56] Hadithi është autentik. Shih: Sahihu’l xhami, 7870.


VIDEOS / YOUTUBE
Devotshmeria synim kryesor i agjerimit Vlera e kohes Monumente besimi ne agjerim Edukimi seksual i femijeve
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013