Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
REFLEKTIMI I PËRQENDRIMIT NË FE NË JETËN E BESIMTARIT NË PERIUDHËN PAS RAMAZANIT

Jeta është sprovë. Njeriu, doemos, gjatë jetës së tij, do të sprovohet. Është ky ligj prej ligjeve të Allahut të Madhëruar.
“Ne do t'ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, po ti jepju myzhde durimtarëve.“ (el-Bekare, 155)
Kështu, ne sprovohemi me mungesë sigurie, mungesë furnizimi, varfëri, humbje të të afërmve, por nuk janë këto sprovat e vetme. Ka edhe më të rënda. Janë ato që me një theks më të veçantë shprehen në ‘kohën e fundit’ ose ahir zemanin, siç e quajmë në fjalorin fetar. Janë sprova të një karakteri tjetër. Ato janë me pasoja fatale. Janë sprovat në besim. Ka thënë Muhammedi [alejhis salatu ves selam]: “Paraprijuani me vepra të mira sprovave, të cilat do t’iu vinë (njëra pas tjetrës siç vijnë) pjesët e errëta të natës, në të cilat njeriu gdhin besimtar ndërsa ngryset pabesimtar, apo, ngryset besimtar e gdhin pabesimtar: e shet fenë për mall të kësaj dynjaje.”[1]
Këtu, siç po shohim, kemi të bëjmë me sprova të një natyre tjetër. Në rastin e sprovave të përmendura më parë, njeriu dëmtohet, qoftë fizikisht, qoftë materialisht, por durimi është zgjidhje e problemit. Për këtë edhe iu merret myzhde nga Allahu i Madhëruar. Ndërsa tek sprovat e besimit ajo që ofron zgjidhjen dhe garanton ruajtjen e besimit është përqendrimi në fe ose –siç e quajmë në gjuhën fetare el-istikame.
Çfarë është el-istikame?
El-istikame nënkupton trasimin e rrugës së drejtë duke mos lajthitur majtas a djathtas. El-istikame nënkupton të kryesh adhurimet dhe të largohesh nga ndalesat, pavarësisht se janë apo jo të dukshme. Është ajo rruga mesatare ndërmjet dy ekstremeve.
El-istikame si fryt i Ramazanit
El-istikame nuk është luks. E vërtetë, pak njerëz disponojnë me të, por jo për shkak se ajo është e paarritur. Ajo është e mundshme, madje, në kohë të caktuara, siç ka qenë Ramazani, bie edhe “në lirim.” Secili që ka agjëruar Ramazanin duke përfillur rregullat dhe edukatën përkatëse, ka mundësi ta ketë realizuar el-istikamenë. Do tua shpjegoj se si ndodhë kjo. Agjërimi, ndonëse nënkupton abstenimin nga ushqimi dhe pija, megjithatë, këto nuk janë qëllimet e tij, madje as të fundit. Ushqimi dhe pija, respektivisht, largimi prej tyre nuk figurojnë asnjëherë në listën e synimeve të Ramazanit. Allahu i Madhëruar qëllimin themelor të Ramazanit e shpjegon me devotshmëri.
“O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.“ (el-Bekare, 183)
Pra, ajo që Ramazanin synon tek besimtari është shpirti i tij (devotshmëria) ndërsa trupi (braktisja e ushqimit dhe pijes) është vetëm mjet. Është forcimi shpirtëror, ose ajo që Kur’ani e përkufizon si ‘devotshmëri’. E, nëse ndalemi ta studiojmë sado pak këtë të fundit, do të shohim se, kuptimisht, ajo është sinonim i el-istikames. Devotshmëria (ar. et-takva) nënkupton përfilljen e urdhrave të Allahut dhe largimin nga ndalesat e Tij.
Kështu, sot do të mundohemi të shpjegojmë ndikimin e el-istikamesë në jetën e besimtarit në periudhën pas Ramazanit.
Rruga e vetme që duhet pasuar
El-istikame paraqet rrugën e vetme të cilën besimtari duhet ta ndjek. Është kjo rruga e sigurt, rruga e cila çon në kënaqësinë e Allahut.
Ka thënë Allahu:
“Ti (Muhammed) përqendrohu vendosmërisht ashtu si je i urdhëruar, e bashkë me ty edhe ata që u penduan (prej idhujtarisë), e mos tejkaloni (kufijtë e caktuar), se më të vërtetë Ai është shikues i asaj që veproni.“ (Hud, 112)
Është rruga e vetme e të vërtetës në kohën kur rrugët na prezantohen të shumta. Muslimi transmeton në Sahihun e tij nga sahabiu i nderuar Sufjan ibn Abdullah eth-Thekafijj, i cili i kishte thënë të Dërguarit të Allahut [alejhis salatu ves selam]: “O i Dërguari i Allahut, ma thuaj një fjalë në Islam, për të cilën më pas nuk do ta pyes askënd tjetër? Tha: Thuaj: Kam besuar në Allahun, pastaj përqendrohu në fe!”
Se kjo rrugë është një dhe e vetme dhe se rrugët tjera të çojnë në devijim e lajthitje ka dhe argumente. Në Kur’an, Allahu i Madhëruar duke na folur për të Dërguarin e Tij dhe urdhrin dhënë pasuesve, thotë:
“Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t'ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, ashtu që të ruheni.” (el-En’amë, 153)
Muhammedi [alejhis salatu ves selam], siç transmeton Imam Ahmedi në Musnedin e tij nga sahabiu i dashur Abdullah ibn Mes’udi, kishte bërë një vijë të drejtë pastaj kishte thënë: Kjo është rruga e Allahut. Pastaj kishte bërë vija tjera, në të djathtë dhe të majtë dhe kishte thënë: Këto janë rrugë të shkapërderdhura dhe në secilën prej tyre qëndron një djall që thërret në të. Pastaj lexoi ajetin: “Dhe se kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), pra përmbajuni kësaj, e mos ndiqni rrugë të tjera e t'ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, ashtu që të ruheni.” (el-En’amë, 153)[2]
Për shkak të kësaj rëndësie, ne gjejmë se Allahu me të ka urdhëruare dhe profetët [alejhimuselam]. Përkitazi me Musanë dhe Harunin [alejhimaselam], respektivisht lutjen e tyre, Allahu thotë:
“Ai (All-llahu) tha: "Lutja juaj është pranuar, prandaj ju të dy qëndroni ashtu si jeni e mos ndiqni rrugën e atyre që nuk dinë!“ (Junus, 89)
Jetë të lumtur
Përqendrimi në fe ka dhe një rëndësi tjetër. Ai, sidomos në këtë kohë kur stresi vret, vjen si shpëtues. Ai i dhuron besimtarit qetësinë dhe prehjen që nuk mund ta arrin me asgjë tjetër vetëm se me fe. Ka thënë Allahu:
“Ata që thanë: "All-llahu është Zoti ynë dhe qëndruan besnikërisht, për ta nuk ka frikë dhe ata nuk do të pikëllohen.“ (el-Ahkaf, 13)
Ibni Kethiri, në një koment të shkurtër që i bën këtij ajeti në këtë kaptinë, pasi që këtë e ka bërë edhe në kaptinën es-Sexhdeh, thotë: “Nuk kanë frikë për atë që i pret dhe nuk janë të dëshpëruar për atë që ka kaluar.“[3]
Si argumente tjera që dëshmojnë këtë janë edhe ato nga kaptina en-Nahl (ajeti 97) dhe nga kaptina Muhammed (ajeti 2).
Kush bën vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, e duke qenë besimtar, Ne do t'i japim atij një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t'u japim shpërblimin më të mirë për veprat e tyre.” (en-Nahl, 97)
Ndërsa atyre që besuan, bënë vepra të mira dhe atë që iu shpall Muhammedit e besuan, e ajo është e vërtetë prej Zotit të tyre, Ai atyre ua shlyen mëkatet dhe ua përmirëson gjendjen.“ (Muhammed, 2)
Si fryte të ndryshimit të kësaj gjendjeje, dijetarët kanë përmendur:
1)      Prehjen shpirtërore
2)      Udhëzimin në të vërtetën
3)      Dashurinë për Allahun dhe për robërit e Tij
4)      Dëfrimin me të mira materiale edhe në këtë botë
5)      Ruajtjen e besimtarit nga të ligat dhe të këqijat
6)      Përforcimin e lidhjeve ndërmjet pjesëtarëve të shoqërisë
7)      Mirësjelljen ndaj njerëzve dhe distancimi nga veprimet e liga
Përfundimi i mirë
Nuk është vdekja shqetësim sa është mënyra se si ndodhë ajo. Fundi i jetës është sprovë e rëndë. Njeriu mbase mund edhe të devijojë nga e vërteta. Por jo edhe besimtari i përqendruar në fe. Për hire të këtij qëndrimi të fortë në fe, Allahu ka premtuar një shpërblim të madh. Është prehja dhe qetësia shpirtërore.
“E, s'ka dyshim se ata që thanë: "All-llahu është Zoti ynë", dhe ishin të paluhatshëm, atyre u vijnë engjëjt (në prag të vdekjes dhe u thonë): të mos u frikësoheni, të mos pikëlloheni, keni myzhde xhennetin që u premtohej. 31. (u thonë) Ne kujdesemi për ju, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në botën tjetër, kudo të keni atë që dëshironi dhe gjithçka kërkoni.“ (Fussilet, 30-31)
Për ta kuptuar më mirë këtë do të doja tua sjell ndërmend një skenë që Kur’ani e përshkruan për njerëzit që kanë patur mungesë el-istikamenë ose përqendrimin në fe. Thotë Allahu:
“E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: "O Zoti im, më kthe, 100. Që të bëj vepra të mira e ta kompensoj atë që lëshova!" Kurrsesi, (kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë që e thotë ai, e ata kanë para tyre një perde (distancë periodike) deri në ditën kur ringjallen.“ (el-Mu’minune, 99-100)
E shihni sa i rëndësishëm është ky element në jetën shpirtërore të besimtarit. Andaj, të punojmë për ta forcuar veten edhe më shumë në rrugën e allahut se ndryshe nuk arrihet shpëtimi!
 


[1] Transmetojnë Muslimi dhe Tirmidhiu.

[2] Ahmedi Shakiri thotë se hadithi është autentik.

[3] Ibni Kethir, Tefsiru-l-Kur’ani-l-Adhim, 7/279.


VIDEOS / YOUTUBE
Edukimi seksual i femijeve Depresioni Lutja Perfitime nga istigfari
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013