Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
ZEKATI - RËNDËSIA DHE DISPOZITAT E ZEKATIT NË DRITËN E KURANIT DHE SYNNETIT

"Faleni namazin dhe jepni zekatin" 
Zekati është një prej pesë shtyllave mbi të cilat është ngritur Islami. Ai është ibadet - adhurim 
që i kushtohet Allahut xh.sh. dhe njëkohësisht është institucion mjaft i rëndësishëm për myslimanët. 
Përmes kryerjes së këtij obligimi, myslimani e pastron jo vetëm shpirtin e tij, po edhe pasurinë që ia 
ka dhuruar dhe mundësuar Allahu i Gjithëmëshirshëm. Në Kuran, në mbi shtatëdhjetë vende, krahas 
namazit, Allahu e ka përmendur edhe zekatin, që në fakt vërteton vlerën dhe rëndësinë që ka ky 
institucion. Allahu i Gjithëmëshirshëm në një ajet të Kuranit urdhëron e thotë: 
"Merr prej pasurisë së tyre lëmoshë (fjala është për zekatin), që t'i pastrosh me të dhe 
t'ua shtosh begatitë...". (Et-Teube, 103). 
Edhe në traditën e Pejgamberit a.s., zekati zë vend të merituar. Pejgamberi a.s. kur e ka 
dërguar Muadh bin Xhebelin në Jemen, tregohet t'i ketë thënë: "Mësoji ata se Allahu ua ka bërë 
obligim zekatin për pasurinë e tyre, të merret nga të pasurit e tyre e t'u jepet të varfërve të 
tyre". Me një rast tjetër, Pejgamberi a.s. urdhëron: "Kini dro Allahun, falni pesë kohët e namazit, 
agjëroni muajin e Ramazanit, jepni zekatin e pasurisë suaj dhe respektoni prijësit tuaj, do të 
hyni në Xhenetin e Zotit tuaj". 
Bazuar në ajetet kuranore dhe hadithet e Pejgamberit a.s., të gjithë dijetarët islam kanë 
konfirmuar unanimisht se dhënia e zekatit është farz-obligim - për myslimanë e myslimane, të cilët 
posedojnë pasuri, sasia e të cilës është e përcaktuar me norma të sheriatit (nisabi). 
Sipas të dhënave autentike, vërehet se zekati është bërë obligim para Hixhretit të Pejgamberit 
a.s., pra, derisa ai jetonte dhe vepronte në Mekke, mirëpo, për shkak të gjendjes së vështirë të 
myslimanëve në të cilën ata ndodheshin, ishte të thuash gati e pamundur që atë ta jetësonin. Prandaj, 
në vitin e dytë të Hixhretit në Medinë, tash në kushte dhe rrethana më të mira se më parë, kjo 
obligueshmëri do të përsëritet edhe një herë, e më pastaj edhe shumë herë të tjera. Madje, një 
përsëritje e tillë veç sa e vërteton rëndësinë që ka ky institucion, duke ua përkujtuar myslimanëve në 
vazhdimësi detyrëshmërinë e praktikimit të tij. 
Ç’është e vërteta, tek arabët, një lloj dhënie e pasurisë ka ekzistuar edhe para fillimit të 
zbritjes së Kuranit, me ç'rast të varfërit detyroheshin të jepnin një sasi në dobi të të pasurve. 
Ndërkaq, me institucionalizimin e zekatit, që nga viti i dytë i hixhretit, dhënia e pasurisë vazhdon 
edhe më tutje, por tash në drejtim tjetër, gjegjësisht të pasurit duhet të jepnin në dobi të të varfërve, 
atyre që nuk kanë pasuri. 
Kushtet për dhënien e zekatit 
Personi obligohet për të dhënë zekatin, nëse i plotëson këto kushte: 
- Pronari i pasurisë të jetë mysliman, 
- I moshës madhore, 
- I shëndoshë psikikisht, 
- Pasurinë ta ketë në pronë të plotë të veten, 
- Pasuria ta arrijë nisabin (shumën prej kur obligohet zekati), 
- Pasuria ta ketë vlerën e nisabit gjatë një viti (kjo nuk vlen për të mbjella dhe fruta). 
Nëse personi ka borxhe, së pari duhet t'i shlyejë ato, e për pjesën e mbetur, ta japë zekatin. Nga kushtet e sipërpërmendura kuptohet se jomyslimani nuk është i obliguar me dhënien e 
zekatit. Gjithashtu edhe fëmija ose i riu që nuk ka arritur moshën madhore nuk obligohet me zekat, 
megjithëse, nëse pasuria e tij tejkalon nisabin, zekatin për pasurin e tij duhet ta japë kujdestari 
(personi që përkujdeset ligjërisht për atë fëmijë). Kjo për faktin se zekati është ibadet-adhurim, a 
dihet mirëfilli se fëmija nuk është i ngarkuar me të. E njëjta dispozitë vlen edhe për të çmendurin 
dhe të matufosurin. 
Zekati në të holla, ar dhe argjend 
Nisabi (pasuria prej nga fillon të llogaritet zekati) për këtë kategori është 91,5 gr. ar apo 642 
gr. argjend ose kundërvlera e njërës prej tyre në valutë. Sasia që duhet dhënë zekat është 2.5 %.
Prandaj, personi që posedon gjatë një viti 91.5 gram ar, është i obliguar ta japë zekatin që me këtë 
rast është 2.29 gram ar ose kundërvlerën e tij në valutë, pra 32 €. 
Konkretisht, personi që ka 200 gr. ar, duhet të japë zekat 5 gr. ar, ose kundërvlerën 70 €. 
Edhe për valuta monetare për bazë merret ari, gjegjësisht çmimi i arit në berzën botërore të 
metaleve të çmuara (New York) dhe në tregun vendor, prandaj mbi këtë rregull llogaritet edhe nisabi 
në të holla e që është 1.281€. P.sh. Në qoftë se personi gjatë një viti ka pasur në dispozicion 2.000 €, 
ai duhet të japë 2.5%, gjegjësisht 50 € zekat. 
Edhe për arin në sasi më të madhe, vlen i njëjti rregull. Llogaritet e tërë sasia e arit, dhe për 
aq sa ka, duhet të jap 2,5%. 
Në të gjitha rastet lejohet të jepet kundërvlera e arit ose argjendit që posedon, në të holla. 
Në qoftë se poseduesi të hollat i ka të deponuara në bankë: në valutë, në formë të çeqeve ose 
si letra me vlerë, edhe për to është i obliguar ta japë zekatin sipas rregullit të sipërpërmendur. 
Zekati jepet edhe për paratë që personi ia ka dhënë dikujt hua - borxh. P.sh. në qoftë se 
personi ka një shumë të të hollave, p.sh. 2.000 €, kurse 1.000 € të tjera ia ka huazuar ndokujt, me 
këtë rast zekati duhet llogaritur për 3.000 €. 
Ndërkaq, në qoftë se huadhënësi është plotësisht i bindur se huamarrësi nuk ka se si t'ia 
kthejë huanë, atëherë, për atë sasi ai nuk obligohet të japë zekat. 
Zekati për mallra tregtie 
Allahu i Madhërishëm urdhëron:"O besimtarë, jepni nga të mirat që keni fituar dhe nga
ajo që u dhamë prej tokës..." (El-Bekare, 267). 
Semurete b. Xhundubi tregon e thotë: “Pejgamberi a.s. na urdhëronte ta jepnim zekatin e 
mallit të përgatitur për ta shitur". 
Çdo lloj malli që personi e dedikon për tregti (shitblerje), me qëllim fitimi, si: kafshë, mjete 
teknike, rroba të ndryshme, artikuj ushqimorë, drithëra, pemë, perime, ndërtesa etj., detyrohet ta japë 
zekatin, natyrisht, në qoftë se i tërë ai mall vlen më shumë se vlera 91.50 gr. ar. 
Tek ky lloj malli duhet llogaritur që sasinë e konsideruar e ka në dispozicion një vit, prandaj 
edhe vlerësimi i tij bëhet në fund të vitit. 
Poseduesi ka mundësi që zekatin e mallit të tillë ta japë nga i njëjti mall ose edhe 
kundërvlerën e tij në të holla, gjithnjë duke llogaritur 2,5 %. 
Zekati për të mbjellat (drithëra) 
Allahu i Madhërishëm në Kuran thotë:"... Dhe jepni pjesën e obligueshme (zekatin) ditën e 
korrjes së tyre". (El-En'am, 141) Allahu i Gjithëfuqishëm, edhe për kulturat bujqësore, pra, për bereqetet e të mbjellave ka 
caktuar zekat. Pronari është i obliguar që me rastin e korrje-shirjeve ta japë zekatin për ato bereqete 
që i ka mbjellë, siç janë: gruri, misri, elbi, thekra, tërshëra, patatet, rrepat e të ngjashme. Nisabi i 
prodhimeve bujqësore është 653 kg. Për rendimentet e marra nga të mbjellat që ujiten vetë ose nga 
shiu (ujitje natyrore), sasia e zekatit është 1/10 sasi ose 10%. 
- Për rendimentet e marra nga të mbjellat që ujiten në mënyrë artificiale - me angazhimin e 
njeriut, si me anë të sistemit të ujitjes, me hidrofor, me cisternë e të ngjashme, sasia e zekatit është 
1/5 sasi ose 5% e sasisë së marrë. 
- Në rastet kur ujitja bëhet edhe me njërën edhe me tjetrën mënyrë, sasia e dhënies së zekatit 
është 7,5 %. 
* Dispozitat e përmendura më lart për të mbjellat, vlejnë edhe për pemët. Koha e dhënies së 
zekatit të pemëve është kur pronari i vjel ato. 
Zekati për kafshët 
Sheriati ka precizuar dhënien e zekatit edhe për kafshët që ka pronari: lopë, buallica, dele, dhi 
etj. Për kafshët e sipërpërmendura nisabi dhe sasia e zekatit është si më poshtë: 
 - prej 30-39 lopë ose buallica duhet dhënë zekat 1 lopë dyvjetëshe, 
- prej 40-59 lopë duhen dhënë një lopë trevjetëshe, 
- prej 60-69 duhen dhënë 2 lopë dyvjetëshe, 
- prej 70-79 duhen dhënë 2 (1 dyvjetëshe dhe 1 trivjëtshe), 
- prej 80-89 duhet dhënë 2 lopë trevjetshe, 
- prej 90-99 duhet dhënë 3 lopë dyvjetshe, 
- prej 100-109 duhet dhënë 3 lopë (2 dyvjetshe dhe 1 trevjetëshe). 
Kurse për dele e dhi zekati jepet sipas këtij rregulli: 
- Prej 40-119 dele ose dhi duhet dhënë një dele (ose dhi), 
- prej 120-219 duhen dhënë 2 dele, 
- prej 220-320 duhen dhënë 3 dele. Pastaj, për çdo njëqind më tepër, jepet një dele më shumë. 
Kujt duhet t'i jepet Zekati 
Allahu i Madhërishëm ka përcaktuar se kujt duhet t'i jepet zekati: Sipas këtij ajeti të Kuranit, 
dhënia e zekatit është përcaktuar: 
1. për të varfrit, 
2. për të ngratët, 
3. për punonjësit (që e tubojnë atë), 
4. për ata të cilëve u duhen përfituar zemrat, 
5. për lirimin e skllevërve, 
6. për ata që kanë shumë borxhe, 7. në rrugën e Allahut, dhe 
8. për atë që ka mbetur në rrugë pa mjete. 
Duke marrë parasysh kushtet dhe rrethanat tona, në të cilat është duke u zhvilluar jeta fetare 
islame, dhe duke u bazuar në fjalën e Allahut në ajetin e sipërpërmendur "ve fi sebilil-lah - në rrugën 
e Allahut", pra për të mirën e përgjithshme, ulemaja kompetentë dhe përgjegjës për çështje islame, 
kanë dhënë fetva (mendim juridik obligativ) për dhënien e zekatit në dobi të institucioneve fetaroarsimore. Të tilla institucione në Kosovë janë Fakulteti i Studimeve Islame i Prishtinës dhe 
medreseja e mesme "Alauddin" e Prishtinës me dy paralelet e saj të ndara fizike në Prizren e Gjilan. 
Dhënien e zekatit mund ta bëni pranë Këshillit tuaj të Bashkësisë Islame ose përmes imamit tuaj, ose 
edhe duke e paguar përmes bankës në këtë adresë: 
Pro Credit Bank 
Account Nr. 1110179032000116 
Swift code: MBKORS22- Prishtinë 
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, duke apeluar tek ju që ta jepni zekatin në dobi të 
Medresesë dhe Fakultetit, në emër të personelit mësimor-edukativ, nxënësve e studentëve të saj, Ju 
shpreh mirënjohje të sinqertë dhe ju falënderon për ndihmën tuaj. 
Në qoftë se e jepni zekatin, Allahu xh.sh. do t'ua mbrojë pasurinë tuaj dhe do t'ua shtojë dhe 
se ju ditën e Bajramit do ta pritni me shpirt dhe pasuri të pastër. E lusim Allahun që këtë ibadet t'ua 
pranojë dhe t'ua shtojë bereqetin edhe më shumë. 
(r.r.) 
Adresa: Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës 
Tel. 00 381 38 224022 
 224024 
www.bislame.net


VIDEOS / YOUTUBE
Devotshmeria synim kryesor i agjerimit Vlera e kohes Monumente besimi ne agjerim Edukimi seksual i femijeve
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013