Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
Butësia dhe vetëpërmbajtja

CILËSITË E ROBËRVE TË ALLAHUT

II – Butësia dhe vetëpërmbajtja

Rezymeja e hutbes: 1. Rëndësia e moralit në Islam; 2. Domethënia dhe esenca e butësisë; 3. Kush janë injorantët; 4. Rëndësia e butësisë; 5. Shembuj të butësisë dhe mirësjelljes nga tradita profetike dhe historia e bujshme islame.
***
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Robërit e sinqertë të Allahut edhe sot janë protagonistë kryesor të ligjëratës sonë. Edhe në këtë hutbe ata kanë pushtuar hapësirën tonë, dhe vëmendja, e tëra, është e përqendruar tek ata. Nëse javën e kaluar veç patëm filluar përshkrimin e tyre, përshkrim që kufizohej, thënë disi, brenda vetvetes; patëm folur për modestinë, e cila, siç nënvizon Kardavi , ka të bëjë vetëm me njeriun dhe vetveten e tij, sot do të flasim per tiparin e dytë të tyre, i cili është i një rëndësie jashtëzakonisht të veçantë, jo vetëm pse në aspektin e marrëdhënieve tejkalon njeriun, por edhe per faktin se ka të bëjë me një shtresë njerëzish, që kanë karaktere të ulëta: arrogantë, sharlatanë, huliganë, etj.
Më konkretisht, lëndë shtjellimi e ligjëratës sonë sot është pjesa e dytë e ajetit 63 të kaptinës el-Furkan:“… e kur atyre me fjalë u drejtohen injorantët, ata thonë: “Paqe!”.
Por më parë të rikujtojmë rëndësinë e moralit në Islam.
Islami moralin e ka bërë sinonim. Salimi, i biri i Abdullahut, transmeton prej babait te tij (Ibni Umerit) se Pejgamberi, alejhi’s selam kishte kaluar pranë një medinasi që këshillonte vëllanë për turp-moral, me ç’rast i kishte thënë:“Lëre ngase turpi është pjesë e besimit”. (Buhariu)
Ndoshta këtu qëndron edhe sekreti pse besimtari më i mirë është ai që ka moralin më të mirë. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Besimtarët me besim më të përkryer janë ata që janë më të moralshmit” .
Besimtarë të dashur!
(Botëkuptimet reale të butësisë dhe vetëpërmbajtjes)
Përvetësimi i karakterit dhe cilësive të robërve të Allahut është moral që për bazë ka fuqinë. As modestia, për të cilën folëm në hutben e kaluar, por as butësia të cilën jemi duke e shtjelluar tani nuk janë imazhe të dobësisë por të fuqisë dhe dinjitetit. Ky (përshkrim) është një lavdërim për ta – sqaron Sa’diu në tefsirin e tij – për arsye se ata nuk kthyen të keqen me të keqe dhe as që ranë në shkallen e injorantëve.
Nga këtu, butësia (në arab. El hilmu الحلم ) është shpjeguar si vetëpërmbajtje nga hidhërimi. Butësia, në fakt, është mesatarja e dy ekstremeve: hidhërimit, ku ashpërsia tejkalon kufijtë, dhe budallallëkut, ku butësia më nuk ka kuptim.
Se me butësi synohet fuqia shpirtërore dhe zhveshja nga vetitë e urryera dëshmojnë tekste të shumta fetare. Kur përdoret si cilësi e Allahut, ajo, vjen paralel me cilësi tjera, që dëshmojnë për ekskluzivitetin e saj si tipar morali e fuqie dhe assesi të kundërtën. Mu për këtë, në Kur’an, ajo është shoqëruar edhe me cilësi tjera, si: gafur, alim, ganijj, shekur. Thotë Allahu: “… All-llahu është i butë dhe falë shumë.” el-Bekare, 225.
Kurse Pejgamberi, alejhi’s selam, duke folur për këtë moral, kishte thënë: “Nuk është i fortë ai që ka fuqi fizike në mundje por i fortë është ai që vetëpërmbahet gjatë hidhërimit”. (Transmetim unanim)
Dr. Kardavi, duke folur për këtë tipar të lartë morali, jep komente shumë të bukura, një pjesë prej të cilave do i shkëpusim këtu për tua sjellë ju –të dashur vëllezër- si një buqetë parimesh me të cilat besimtari do të duhej ndërtuar personalitetin e tij.
1- Nuk e kthejnë të keqen me të keqe por me të mirë edhe pse kjo në fakt është e drejtë e tyre dhe kanë mundësi hakmarrjeje. Allahu ka thënë: „Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt.“ Fussilet, 34.
Enes b. Maliku qe pyetur për domethënien e këtij ajeti e pati thënë: Kjo është kur njeriun e fyen vëllai i tij nder ky ia kthen: nëse jam kështu, atëherë Allahu më faltë, e nëse ti je duke gënjyer, edhe ty Allahu të faltë!
2- Fjalori i tyre është i pastër, i zhveshur nga banalitetet dhe shprehjet që pas vete tërheqin dënimin në zjarre të Xhehennemit. Ata thonë: Paqe! Paqe!
3- Rrugët janë të ndara. Besimtarët janë të ndryshëm jo vetëm nga jobesimtarët por edhe nga mëkatarët. Rruga e tyre nuk të shpie kurrë tek arrogantët.
4- Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja janë pjesë e jetës së besimtarit. Të motivuar nga Kur’ani dhe Sunneti, ata urdhërojnë namazin, agjërimin, haxhin, zekatin kurse të këqijat i ndalojnë në tërësi.
5- Besimtari është kureshtar për kohën e tij. Duke e ditur se vdekja është e pashmangshme dhe se pas saj më kthim nuk ka, ai nuk ndalet të humbas kohë me tekanjozë e moralprishur por shfrytëzon çastet dhe bën diç për të qenë sa më afër Allahut.
(Kush janë injorantët?)
Kështu, nëse i kemi të qarta sado pak këto, atëherë përfundimisht mund të konstatojmë se Xhahil (injorant, arrogant) është çdokush që kundërshton Allahun, çdokush që tekja i ka mbizotëruar mbi të vërtetën dhe epshi ka ngadhënjyer mbi mendjen e tij.
Muslimanë të respektuar!
(Rëndësia e butësisë)
Se sa e rëndësishme është prania e këtij tipari moral në personalitetin e besimtarit faktojnë edhe veçoritë e tij, prej të cilave do të veçoja:
1- Si tipar është edhe cilësi e Allahut. Allahu ka thënë: “… Ai është i butë dhe fal shumë.” el-Isra, 44.
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë: “Nuk kam parë askënd që duron të këqijat më shumë se Allahu; i përshkruajnë fëmijë kurse Ai i ushqen, ua shuan etjen, i furnizon dhe iu jep shëndet”.
2- Tipar i profetëve, alejhimu’s selam. Kur Allahu përshkruan Ibrahimin, alejhi’s selam thotë: “…S’ka dyshim, Ibrahimi ishte shumë i ndieshëm dhe i butë.” et-Teubeh, 114.
Vëllezër të nderuar!
Përmbylljen e këtyre fjalëve të pakta dhe modeste për këtë moral madhështor do të doja ta bëja me momente të mrekullueshme dhe qëndrime mahnitëse legjenda të gjalla, të cilat para nesh sjellin heronj që arritën butësinë ta përkthejnë në vepra, ta jetësojnë në praktikën, sjelljet dhe veprimtaritë e tyre…
S’do mend se këtë listë e kryeson vula e profetëve, mësuesi i njerëzimit, mëshira e botëve, Muhammedi, alejhi’s selam. Allahu jo vetëm që mbolli butësinë në shpirtin e tij, por të njëjtën edhe ia bëri pjesë të programit: “Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falju atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në All-llahun, se All-llahu i do ata që mbështeten.” Ali Imran, 159.
Ibni Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se pas betejës së Hunejnit, Pejgamberi, alejhi’s selam ndau plaçkën e luftës. El-Akre’ b. Habisit dhe Ujejnes ua dha nga 100 deve, iu dha disa nga preja edhe disa esnafëve arabë dhe i veçoi -favorizoi me pre (dhe këtë për tua zbutur zemrat). “Me këtë ndarje nuk është treguar drejtësi dhe as që është synuar kënaqësia e Allahut me të”- tha një njeri. Pasha Allahun! Unë do t’ia përcjell Profetit, alejhi’s selam këtë që the- tha Ibni Mes’udi. Shkova –vazhdon Ibni Mes’udi- dhe ia rrëfeve ngjarjen kurse ai tha: E kush bën drejtësi nëse Allahu dhe i dërguari i Tij nuk bëjnë drejtësi. Allahu e mëshiroftë Musanë; qe sprovuar edhe më shumë e duroi! (Buhariu)
Muaviu, Allahu qoftë i kënaqur me të, njëherë ua pati ndarë ca rroba muslimanëve. Një plaku të moshuar nga Damasku ia dha një rrobë, e cila nuk i pëlqeu. Plaku i hidhëruar dhe plot zemërim u zotua se do t’ia jap për koke (do ta godasë me) atë rrobë. U ngrit dhe shkoi tek Muaviu dhe i rrëfeu për zotimin. “Kryeje zotimin tënd dhe le të jetë i butë plaku me plakun (nëse më godet, atëherë bëhu mos më lëndo shumë)”- i tha Muaviu.
Omer b. Abdu’l Azizi një natë derisa po vëzhgonte gjendjen e ummetit, hyri në një xhami të errët dhe këmba i zuri në këmbën e një njeriu që ishte fjetur aty dhe që nuk dukej. Je i çmendur ti a çfarë?- e pyeti njeriu me hidhërim. Omeri iu përgjigj: Jo. Polici, i cili e shoqëronte deshi ta përdorë dhunën ndaj tij por Omeri e ndaloi me arsyetimin se mua vetëm më pyeti në jam i çmendur apo jo, për çka unë i thashë jo.
Një njeri e fyeu Shabiun ndërsa ky ia ktheu: Nëse jam ashtu siç thua ti, atëherë Allahu më faltë, e nëse nuk jam, atëherë Allahu të faltë ty!
Vëllezër besimtarë!
Kjo është rruga jonë dhe ky është misioni ynë. Le të jenë këto parime dhe këta shembuj një motiv dhe shtytje drejt pastrimit dhe zhveshjes së moralit nga injoranca dhe imazhet e saj. Le të bindemi tash ose kurrë se të jesh i fortë d.t.th. të falësh, të edukohesh, të jesh krenar me të vërtetën dhe të mos kthesh kokën kah injorantët. Nëse vrazhdësia na i sulmon zemrat, atëherë ta lajmë atë me ujin e traditës profetike. Ta kujtojmë profetin tonë të dashur dhe butësinë e mirësjelljen e tij ngase kjo na mjafton!
O Zoti ynë! Na zbukuro zemrat tona me besim dhe moral, na vdis si besimtarë dhe na bashko me vepërmirët!
Amin! Amin! Amin!

Kjo hutbe eshte publikuar ne nr.238 te revistes Dituria Islame, f.16-17.

 


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013