Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
KËSAJ NUK I THONË VËLLAZËRI

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar ndërsa përshëndetjet qofshin për zotërinë e njerëzimit, Muhammedin, familjen, shokët dhe të gjithë ata që pasojnë rrugën e tij gjer në amshim!
 
Të nderuar vëllezër besimtarë!
 
Ramazani është muaji i vlerave dhe kultivimit të tyre. Ai synon dhe ka për objektivë që njeriun ta nxjerr nga çdo robëri përveç asaj të Allahut të Madhëruar. Në fakt, ai duke e lidhur njeriun më shumë me Allahun, tenton të përmirësojë edhe raportet ndërmjet vet njerëzve, e me theks të veçantë ndërmjet besimtarëve. Mëton që t’i lidhë dhe bashkojë ata sa më shumë, që njëri të interesohet për tjetrin më shumë, sidomos për ata të varfrit. Këtu qëndron edhe poenta e abstenimit nga ushqimi dhe pija gjatë ditës. E po kështu, këtu qëndron dhe sekreti i porosisë së të Dërguarit të Allahut, Muhammedit, alejhi’s selam për solidaritet dhe mirësjellje reciproke gjatë këtij muaji.
 
“مَنْ فَطَّرَ صَائِمًا كَانَ لَهُ مِثْلُ أَجْرِهِ غَيْرَ أَنَّهُ لَا يَنْقُصُ مِنْ أَجْرِ الصَّائِمِ شَيْئًا
 
Kush i jep iftar një agjëruesi, ai ka shpërblimin edhe të tij, pa iu pakësuar aspak shpërblimi këtij të fundit.”[1]
 
Megjithëkëtë, praktika jonë nuk po dëshmon apo të themi nuk po reflekton shpirtin e agjërimit. Uria dhe etja siç duket nuk kanë ndikuar në edukimin tonë shpirtëror. E them këtë ndërsa parasysh kam dy lajme trishtuese që ne muslimanët morëm këtë Ramazan. I pari ka të bëjë me vëllezërit dhe motrat tona në Somali që për shkak të thatësirës dhe urisë (varfërisë) vdesin çdo ditë, madje vetëm gjatë tre muajve të kaluar kanë vdekur hiç më pak se 29.000 fëmijë[2]. Ndërsa lajmi tjetër nuk ka të bëjë me varfëri por me luks të tepruar, me ekstravagancë të urryer, me shpenzime të tepërta, me dhënie pas dynjasë. Është ky lajmi për princin (e shthurur) saudian, Velid Ibn Talal, i cili në kohën kur vëllezërit e tij muslimanë në Somali vdesin nga uria, ai nga “mungesa e ndërtesave të banimit” që ka, nënshkruan kontratën për ndërtim të një ndërtese gjigante, e lartë hiç më pak se 1000 metra[3] dhe me kosto mbi 1 miliardë dollarë. Këtë ndoshta që ta ngrijë kokën pak më lartë se emiratianët të cilët ndërtuan një të tillë por vetëm “800 metra.” Ky kontrast sigurisht se nuk është shkaktuar nga dhimbjet e urisë por nga ngopja e tepërt.
 
Nejse, marrja shembull princin ishte për shkak të koincidencës, ndryshe gishti për faj për fatin e somalezëve na drejtohet gjithë neve.
 
Solidariteti dhe ndihma të varfërve
 
Vëllazëria islame ka shpirt. Ajo nuk është ose nuk guxon të mbetet vetëm teori. Ajo reflekton në marrëdhëniet e besimtarëve ndërmjet vete. Kjo për arsye se besimtarët, si kolektiv, ndihen si një trup, që për secilën pjesë të tij duhet kujdesur. Nëse, figurativisht, do të dhembte gishtin i vogël i dorës, atëherë nuk do të duhej lënë pa mjekuar pse është i vogël ngase sa njeriu e gjeti vdekjen si shkak i një anashkalimi të tillë. Kësisoj do të duhej të ishte puna edhe në rrafshin vëllazëror islam. Dhimbja e somalezëve dhe uria e tyre do të duhej të shfaqnin simptoma dhimbjeje në tërë ummetin islam. Muhammedi, alejhi’s selam,  ka thënë:
 
“تَرَى الْمُؤْمِنِينَ فِي تَرَاحُمِهِمْ وَتَوَادِّهِمْ وَتَعَاطُفِهِمْ كَمَثَلِ الْجَسَدِ إِذَا اشْتَكَى عُضْوًا تَدَاعَى لَهُ سَائِرُ جَسَدِهِ بِالسَّهَرِ وَالْحُمَّى
 
I sheh besimtarët në mëshirë, dashuri dhe butësi ndërmjet vete si një trup, që nëse ankohet një gjymtyrë, atëherë i tërë trupi vuan nga pagjumësia dhe ethet.” Transmeton Buhariu.
 
Ky mosinteresim dhe kjo shpërfillje e halleve dhe problemeve të muslimanëve nga ana e vëllezërve të tyre është për “No coment!”. Paramendoni, nëse Omer Ibn Hattabit, Allahu qoftë i kënaqur me të, i interesonte edhe halli i një deveje në Irak dhe frikësohej se në rast ngordhjeje për shkak të kushteve do të jepte llogari para Allahut, atëherë si është puna me këta njerëz që nuk çajnë kokën për vëllezërit e tyre. “Nuk mund të jetë musliman ai që nuk interesohet për muslimanët sikur që nuk mund të pretendojë vëllazëri ai që flenë i ngopur ndërsa vëllai i tij vuan nga uria.”
 
Vallahi, nuk do të duhej të ndienim kënaqësi dhe as të shfaqnim gëzim përderisa vëllezërit tanë somalezë vdesin nga uria.
 
Mungesë modelesh
 
Në të kaluarën puna nuk ishte kështu. Besimtarët ishin shumë të lidhur me njëri tjetrin dhe për njëri tjetrin bënin çmos. Ata i jepnin përparësi vëllezërve ndaj vetes së tyre edhe nëse vet kishin nevojë. Allahu i Madhëruar ka thënë:
 
“وَالَّذِينَ تَبَوَّءُوا الدَّارَ وَالْإِيمَانَ مِنْ قَبْلِهِمْ يُحِبُّونَ مَنْ هَاجَرَ إِلَيْهِمْ وَلَا يَجِدُونَ فِي صُدُورِهِمْ حَاجَةً مِمَّا أُوتُوا وَيُؤْثِرُونَ عَلَى أَنْفُسِهِمْ وَلَوْ كَانَ بِهِمْ خَصَاصَةٌ وَمَنْ يُوقَ شُحَّ نَفْسِهِ فَأُولَئِكَ هُمُ الْمُفْلِحُونَ
 
Edhe ata që përgatitën vendin (Medinen) dhe besimin para tyre, i duan ata që shpërnguleshin tek ata dhe nuk ndiejnë në gjoksat e tyre ndonjë nevojë (për zili a tjetër) nga ajo që u jepej atyre (muhaxhirëve), madje edhe sikur të kishin vetë nevojë për te, ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes. Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar.” Kur’ani, el-Hashr, 9.
 
Kjo kohë tashmë ka perënduar. Fatkeqësisht, janë të tjerët ata që na rrëmbyen këto tipare të solidaritetit. Unë nuk pashë ende ndonjë miliarder musliman i cili del dhe gjysmën e pasurisë së tij e lë vakëf për Allahun e Madhëruar derisa ithtarë të feve tjera, sigurisht të motivuar vetëm nga humanizmi, ndajnë shuma të mëdha parash. Unë nuk e mohoj se në Ummet ka besimtarë të mirë, solidarë, bamirës, ka ve li-l-Lahi-l-hamd por jo aq sa për të parandaluar këtë katastrofë humanitare. Paramendoni sikur këtë vit të ngrihej ndonjë musliman dhe të organizonte mbledhjen e Zekatit dhe Sadakatul Fitrit në emër të ndihmës për këta vëllezër dhe këto motra, a mendoni se varfëria në Somali do të ishte lajm?! Natyrisht se jo. Apo, si do të tingëllonte nëse ky princ jaramaz do të anulonte kontratën dhe për Allahun e Madhëruar tërë ato para do tia ndante popullit somalez!
 
T’ia kthejmë Ramazanit botëkuptimet e vërteta
 
Të nderuar vëllezër!
 
Nëse Ramazani është muaj i pastrimit shpirtëror, solidaritetit dhe bamirësisë, atëherë të përfitojmë nga rasti dhe të ndihmojmë të varfrit. Le të jetë jenë uria dhe etja motive për tu interesuar për nevojtarët dhe skamnorët më shumë, për tu vetëdijesuar se sa të rëndësishme janë kontributet tona, e me theks të veçantë Zekati dhe Sadakatu-l-Fitri, që thjesht mund të shpëtojnë jetë. Le të përgatitemi që përgjigjen për pyetjen e Allahut nesër në Ditën e Llogarisë: “O robi Im! Isha i uritur ndërsa nuk më ushqeve…” të mos e dëgjojmë fare por të jemi prej atyre që Xhennetin do të përjetojmë duke hyrë nëpërmjet derës së lëmoshës.
 
O Zot i Plotfuqishëm! Ndihmo robërit e Tu në Somali, mos lejo që në mungesë të solidaritetit tonë ata të vdesin urie! Këtë vrazhdësi shpirtërore, këtë zhveshje nga rahmeti dhe mëshira, këtë largim ndërmjet vete, këtë shthurje morale dhe dhënie pas luksi na i largo Ja Rabb! Na bë pasues të sahabeve që vëllait do t’i jepnim përparësi edhe nëse vet kemi nevojë!
 
E lus Allahun që të pranojë agjërimin tonë!
 
[1] Transmetojnë Tirmidhiu dhe Ibni Maxeh ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
 
[2] http://botasot.info/def.php?gjuha=0&category=13&id=131058
 
[3] http://botasot.info/def.php?category=13&id=130716
 


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013