Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
VATANI NGA KËNDVËSHTRIMI FETAR

Lidhja e njeriut me atdheun dhe vendin e tij është një çështje e rrënjosur thellë në shpirt. Atdheu është vendlindja, është vendi i jetës, vendi i adhurimit, vendi i pasurisë dhe mallit, vendi i krenarisë; aty jeton, aty Allahun e adhuron, prej të mirave të tij jeton, nga uji i tij etjen e shuan, vatani, me një fjalë, është dhunti e Allahut për individin dhe shoqërinë( ).
Domethënia e fjalës Vatan dhe sinonimeve të saja
Fjala Vatan, edhe pse e huazuar nga turqishtja në shqipe, në të vërtetë ajo ka origjinë arabe. Sinonimi i saj në gjuhën tonë janë fjalët “Atdhe”, “Mëmëdhe”, etj.
Marrë në përgjithësi, kuptimi i saj, jo në gjuhën shqipe  por nga gjuhët prej të cilave buron, në këtë rast arabishtes , doemos, nuk përkufizohet vetëm në vendin ku ke lindur a ku jeton. Ajo si term është me gjithëpërfshirëse, kuptim ky që njeriun e bën më njerëzor, më human, më zemërgjerë, gjë që plotësisht përputhet me Islamin.
Nga këtu, gjuhëtare dhe juristë islam, kur flasin për Vatanin, e përcjellin atë edhe me mbiemër a cilësor, sipas të cilit ia japin kuptimin. Kështu, Xhurxhani, fjalën Vatan e ka shpjeguar nga dy këndvështrime kohore:
1. Vatani amtar (indigjen, i lindjes, arab. el-vatan el-aslijj), është vendi ku ka lindur njeriu dhe vendi ku banon-jeton në të.
2. Vatani i përkohshëm (vatanu’l ikameh) është vendi ku njeriu qëndron aty 15 ditë apo edhe më shumë por pa vendosur që të banoj-jetoj në të( ).
Një sqarim të tillë kanë dhënë edhe disa juristë, të cilët pas kuptimit që i japin Vatanit, e qe sipas tyre është „Vendi i qëndrimit“, sqarojnë se Vatani është disa lloje:
1. Vatan amtar-autokton është vendi në të cilin njeriu ka lindur apo vendi në të cilin jeton përgjithmonë.
2. Vatani i qëndrimit-atdhe është vendi në të cilin njeriu qëndron kohë të gjatë që nuk i lejohet shkurtimi i namazit (nuk vlejnë për të lehtësimet juridike për udhëtarin) por je me qëllim të qëndrimit të përhershëm.
3. Vatan i banimit është vendi ku njeriut i lejohet shkurtimi i namazit (dhe lehtësimet tjera juridike fetare për të)( ).
Me gjithë këto sqarime, duhet pranuar se Vatani apo Atdheu në  praktikën e njerëzve dhe terminologjinë e tyre është definuar si: Territori gjeografik të cilit i përket njeriut dhe te cilin e kanë zgjedhur për banim stërgjyshërit e tij…( )
Dashuria për vatan është instinkt në njeriun
Njeriu është i krijuar që të dojë disa gjëra dhe favorizojë më shumë se të tjerat. Ai e do pasurinë, fëmijët, familjen, të afërmit, shokët, dhe në mesin e shumë gjerave tjera ai e do edhe vatanin e tij. Dashuria për vatan është instinkt i mbjellur në shpirtra, i cili e bën të qetë njeriun kur qëndron në të dhe mallëngjehet për të kur është jashtë dhe larg tij. Sado që njeriu të dëshirojë të largohet prej tij dëshira për kthim mbetet përherë e varur në kujtesën e tij. Mu për këtë ka Ismeiu përmend Hindin të ketë thënë: Tri tipare gjenden tek tri lloje krijesash:
1.   Deveja mallëngjehet për vendin e saj edhe nëse ka qëndruar larg tij kohë të gjatë.
2.   Zogjtë mallëngjehen për foletë e tyre edhe nëse atje është thatësirë e nuk ka ushqim, dhe
3.   Njeriu për vatanin e tij edhe nëse tjetri i sjell më shumë dobi( ).
Këtë instinkt e kishte të mbjellur edhe krijesa më e mirë, Muhammedi, alejhi’s selam, i cili me rastin e migrimit nga Mekkeja në Medinë kishte kthyer kokën edhe njëherë dhe kishte shikuar Mekken e kishte thënë: “Sa vend i bukur që je, sa e dashur më je! Sikur populli yt të mos më nxirrnin me dhunë prej teje, kurrë nuk do të kisha banuar diku tjetër”. ( )
Buhariu përmend se kur Muhammedit, alejhi’s selam i tha Verek b. Neufel në çastet e para të pejgamberllëkut se populli yt do të largojnë, ai, alejhi’s selam, i çuditur pyeti: “Pse, a do të më nxjerrin me forcë ?”. Vereka ia ktheu: “Po, nuk ka ardhë asnjë njeri me këtë që erdhe ti e të mos jetë persekutuar. Nëse më zë dita jote, do të ndihmoj…”.
Ka thënë Suhejliu: Nga ky hadith përfitohet mësimi se ndarja nga vatani është shumë e rëndë ngase kur Muhammedit, alejhi’s selam i tha Vereka se do të keqtrajtohesh, përgënjeshtrohesh e persekutohesh, ai nuk u bezdis shumë por kur ia përmendi largimin nga atdheu, shpirti i tij lëvizi për dashurinë që kishte për vatan dhe tha: Pse a do të më nxjerrin me dhunë prej tij?!
Vatani na përkujton vatanin e përhershëm
Sa here që flasim për vatan dhe mallëngjimin për të, doemos, në mendje na sillet vatani jonë i parë: Xhenneti. Xhenneti është vatani jonë kryesor. Ka thënë Fudejl b. Ijjadi: “Besimtari në dunja është i brengosur, i pikëlluar. Brenga e tij është si të pajiset me gjëra që i bëjnë dobi kur të kthehet. Prej kur Allahu i Madhëruar e krijoi Ademin, alejhi’s selam dhe e vendosi atë me gruan e tij në Xhennet, për t’i nxjerrë më pas nga aty, iu premtoi se do t’i kthejë prapë në atë vend ata dhe pasardhësit e mirë të tyre. Besimtari përjetë mallëngjehet për vatanin e tij të parë dhe dashuria për vatan është pjesë e besimit”.
Gurbeti i vërtetë
Nëse Vatan i vërtetë qenka Xhenneti atëherë gurbet i vërtetë dhe i hidhur është vetëm Xhehennemi. Ndryshe, nëse njeriu merr udhën e kurbetit për fitim të bukës apo mësim, Allahu e ruan dhe e llogarit në mesin e dëshmorëve.
Sa bukur e përshkruan Allahu dynjanë e cila largon njerëzit nga vatani i vërtetë dhe i shpie në humnerën e kurbetit të hidhur. Thotë Allahu i Madhëruar: „Ju njerëz dijeni se jeta e kësaj botë nuk është tjetër vetëm se lojë, kalim kohe në argëtim, stoli, krenari mes jush dhe përpjekje në shtimin e pasurisë dhe të fëmijëve, e që është si shembull i një shiu prej të cilit bima i habit bujqit, e pastaj ajo thahet dhe e sheh atë të verdhë, mandej bëhet e thyer, e llomitur, e në botën tjetër është dënimi i rëndë, por edhe falje mëkatesh dhe dhurim i kënaqësisë nga All-llahu; pra jeta e kësaj botë nuk është tjetër vetëm se përjetim mashtrues“. (el-Hadid, 20)
Megjithatë…
Hadithi i shumëpërfolur nga shumëkush se: „Dashuria për atdheun është pjesë e besimit“, është i shpifur.
Ka thënë Albani në es-Silsiletu’d daifah, 1/110: Ky hadith është i shpifur. Domethënia e tij nuk është e drejtë –shton Albani- ngase dashuria për vatan është sikurse dashuria për vetvete, pasurinë, e të ngjashme, gjëra instinkte në njeriun që as nuk lëvdohet për dashurinë e tyre por as nuk janë domosdoshmëri të besimit-imanit. A nuk sheh se si të gjithë njerëzit, besimtarë e pabesimtarë, janë bashkëpjesëmarrës në këtë dashuri?
Edhe San’ani e ka cilësuar të fabrikuar dhe apokrif. Por ajo që e bën të dallojë nga Albani është se ky i fundit hadithin të shpifur e konsideron vetëm në bazë të tekstit dhe senedit të tij të pa transmetuar nga Pejgamberi, alejhi’s selam, ndryshe, domethënia -sipas tij- është e vërtetë, edhe pse el-Kariu e ka kundërshtuar dhe është munduar t’i jap një koment kësaj fjale( ).
Islami dhe vatani
Nëse dashuria për vatanin është instinkt në njeriun, Islami ka ardhur me parime e norma për kontrollimin dhe përcaktimin e fushës së tij që gjithnjë të jetë transparente( ). Ibrahimi, alejhi’s selam kur e solli familjen e tij në Mekke, edhe pse vet nuk qëndroi në të, e luti Allahun që ai vend të jetë i bekuar. Po kështu e luti edhe për vendin ku qëndronte vet. Thotë Allahu duke përshkruar lutjet e tij: „Dhe kur Ibrahimi tha: “Zoti im, bëje këtë një qytet sigurie dhe banorët e tij, që besuan All-llahun dhe jetën tjetër, furnizoi me lloje të frutave”…“. (el-Bekare, 126)
Përmendëm më herët dashurinë e Muhammedit, alejhi’s selam për Mekken e Nderuar. Ai pas vendosjes së tij në Medinë, ecte hapave të Ibrahimit, alejhi’s selam, kështu që tërë kontributin e tij e kishte përqendruar në të. E luste Allahun që ta pajisë me dashuri për të siç qëndron tek Buhariu: “O Allahu ynë! Na e bë Medinën të dashur ashtu siç e duam Mekken, apo edhe më shumë”.
Pejgamberi, alejhi’s selam aq shumë e donte Medinën saqë kur dilte për ndonjë luftë apo udhëtim mallëngjehej për të. Buhariu transmeton nga Enesi se: Kur Muhammedi, alejhi’s selam kthehej prej ndonjë udhëtimi dhe afrohej afër Medinës saqë shihte rrugët, pemët apo muret e saj, e nxitonte devenë, nëse ishte duke udhëtuar me të apo lëvizte kafshën (mushkë ose kali nëse ishte me të)”.
Harith b. Umejri përmend nga Humejdi shtesën: E lëvizte nga dashuria që ndiente për të”. Ka thënë Ibni Haxheri ne El-Fet’h, Ajniu në Umdetu’l karii dhe el-Mubarek Fevri në Tuhfetu’l ahvedhijj se në këtë hadith ka dëshmi për vlerën e Medinës dhe dëshmi për ligjësimin e dashurisë për vatan dhe mallëngjim për të.
Si rezultat i këtyre teksteve fetare, vizioni islam për vatanin është jashtë çdo ndikimi racor. Vatanizmi në Islam d.t.th.: dashuria e individit për atdheun dhe vendin e tij si dhe përmbushja e obligimeve dhe detyrave të ligjshme karshi tij…Vatanizmin që Islami e refuzon është ai racor, grupor, i cili ummetin dëshiron ta ndajë në grupe të dobëta, që urrejnë njëra tjetrën dhe shajnë e fyejnë në vend se të ndihmohen e përkrahen. Vatanizmi, që përcakton largimin e fesë nga radhët e tij, duhet urryer. Dashuria për vatanin do të duhej personifikuar në përpjekjet serioze për përhapjen e besimit të vërtetë në mesin e shoqërisë, zhdukjes së shkaqeve që shpijnë në amoralitet, lidhja e vërtetë në mes pjesëtarëve të shtetit duke flakur shkaqet e ndarjes e përçarjes, ruajtjen dhe garantimin e të drejtave të qytetarëve.
Vatani islam“Vatani islam”, është bota islame me të gjitha tokat e saja, sado të mëdha apo të vogla të jenë, madje qoftë edhe tërë bota me këtë kuptim ajo është vatan islam( ).
Shteti islam është shtet ideologjik që formohet në baza të ideologjisë islame dhe të dispozitave e sistemit që burojnë prej tij. Andaj ai nuk është shtet territorial, i kufizuar me kufij tokësor, as shtet etnik i kufizuar me kufij etnik, nacional apo racor. Por ai është shtet ideologjik që shtrihet deri atje ku arrin ideologjia e tij .
Bazamenti i vatanizmit në Islam është akideja, kredoja, besimi, e assesi fanatizmi racor a shtetëror( ).Si rezultat i kësaj, nëse çështja fetare vihet në pikëpyetje qoftë edhe në vet vendin ku ka lindur e ku jeton njeriu, atëherë atij i bëhet e detyrueshme lëshimi i tij. Praktika më e mirë për këtë është hixhreti-migrimi i Muhammedit, alejhi’s selam.
Vatani në Islam përfshin lloje dhe ngjyra të ndryshme njerëzish sikur që ruan dhe merr përsipër sigurinë e feve dhe popujve( ), dhe këtë bazuar në fjalët e Allahut dhe Muhammedit, alejhi’s selam. Thotë Allahu: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat)…”. (el-Huxhurat, 13)
Thotë Muhammedi, alejhi’s selam: “Nuk ka vlerë arabi ndaj joarabit përveçse me devotshmëri”. (Ahmedi)
Juristët muslimanë të të gjitha drejtimeve kanë paraparë se jomuslimanët në shoqëritë islame konsiderohen si banorë të vatanit (vatrës) islame. Ata, edhe pse nuk janë pjesëtarë të fesë sonë, janë anëtarë dhe pjesëtarë të shoqërisë sonë( ).
Në vatanin islam mishërohen racat dhe barazohen të gjithë. Thotë Allahu: „O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqën) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burra shumë e gra…“. (en-Nisa, 1)
Islami nuk njeh kufijtë territorial e racor. Toka është e të gjithëve dhe të gjithë kanë të drejtë të dëfrehen me begatitë e saja…Në Islam përkatësia me e çmuar është përkatësia islame. Mu për këtë, vëllazëria në Islam tejkalon kufijtë familjar, kombëtar dhe territorial. Çdo besimtar është vëlla për besimtarin, lidhje nga e cila rrjedh respekti dhe ndihma reciproke, siç na ka mësuar Muhammedi, alejhi’s selam: „Besimtari për besimtarin është sikurse një ndërtesë, pjesët e së cilës mbajnë njëra tjetrën“. (Transmetim unanim), „Shembulli i besimtareve ne dashuri, mëshirim dhe butësi (reciproke) është sikurse shembulli i trupit; nëse ankon një gjymtyrë i tërë trupi ankon nga pagjumësia dhe ethet“.(Transmetim unanim)
Përfundim
Në fund të këtij punimi modest, do të preferoja përmbledhjen e rezultateve, pjesa më e rëndësishme e të cilave dëshmon për humanitetin dhe universalizmin islam që janë një ofertë për një ardhmëri më stabile dhe më parimore të shoqërive, e në veçanti asaj islame. Ja disa nga ato rezultate:
- Dashuria për vatan është instinkt dhe ndjenjë e mbjellur në njeriun.
- Fjala vatan nuk kufizohet vetëm në vendin ku jeton ani pse më së shumti emërton atë.
- Islam pranon elementin atdhetar të njeriut. Me të, siç sqaron në Kur’an , edhe e ka krijuar, vetëm se atë nuk e ka lënë element vlerësimi. Peshojë e vlerës së njeriut nuk janë ngjyra dhe gjuha por devotshmëria dhe edukata e tij.
- “Koprracia” shtetërore, në kuptim të mos dhënies së kontributit edhe në vendin ku jeton e që nuk është vendi yt amtar, është e urryer në Islam. Praktika e Muhammedit, alejhi’s selam në Medinë dhe përpjekjet e tij për mirëqenien e atij vendi dëshmojnë një gjë të tillë.
- Vatan i vërtetë konsiderohet Xhenneti derisa gurbet i vërtetë është Xhehenemi.
- Vatani në Islam nuk është territorial dhe domethënia gjeografike nuk pushton domethënien fetare të vatanit. Ai është i themeluar në baza fetare dhe si i tillë është shumë më i gjerë, edhe në aspektin kuptimor por edhe në atë territorial. Kudo që mundësohet lirshëm praktikimi i fesë për muslimanët, ai konsiderohet vatan i tyre. Ndryshe, nëse edhe në vendin ku të kanë lindur stërgjyshërit, nuk të jepet një mundësi e tillë, atëherë je i urdhëruar ta lëshosh atë vend. Kur’ani shumë qartë e ka sqaruar një gjë të tillë .
- Vatani në Islam nuk urrehet përderisa nuk është shkak ai për urrejtje racore.
- Mallëngjimi për kthim në vatan është natyrshmëri në njeriun vetemse duhet të jetë i motivuar për reforma në çështje shpirtërore, siç veproi Musai, alejhi’s selam i cili ftoi Faraonin në Islam.
- Vatanizmi sot më shumë përdoret si shekullarizëm se sa njohje e së drejtës fetare të njeriut. Partitë nacionaliste dhe popullore ne vendet islame, qe refuzojnë fenë, janë dëshmi e gjallë e këtij realiteti.
- Nuk është e sigurt se një komb i caktuar ka prejardhje të kulluar nga të njëjtit paraardhës, duke marrë parasysh se popullatat kanë migruar në territore të ndryshme, janë martuar me grupe të ndryshme etnike, domethënë janë përzier përmes proceseve të ndryshme. Kjo e bën të vështirë të provohet prejardhja e përbashkët. Njerëzit kanë prejardhje të përzier, kurse imazhet e tyre të imagjinuara që i japin të kaluarës së tyre janë më shumë mite se sa fakte . Nga këtu, ndodhë që paraardhësit e ndonjë vendi të kenë qenë moralprishur kështu që të sotshmit ndihen të nënçmuar nëse iu përmendën ata. Kurejshët ishin pagan dhe sot asnjë musliman që ka lozë kureshite nuk mburret me të, edhe pse ata, edhe si pagan, kishin një nam të madh tek arabët.
Edhe një herë, synimi ynë ka qenë realizmi përkitazi me këtë problematike. Nëse ia kemi qëlluar, pranojmë me respektin më të madh se ajo është prej Allahut të Madhëruar, derisa për gabimet, çfarëdo që të jenë ato, pranoj me modesti se janë lëshime të bëra pa qëllim prej meje dhe harresës së shkaktuar nga djalli.
Përshëndetjet qofshin mbi Muhammedin, ndërsa lutja jonë e parë dhe e fundit është: Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013