Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
SI TË INTERPRETOHET FETARISHT PAMJA E PEJGAMBERIT (A.S.) NË ËNDËRR?

Hyrje
Tema e pamjes së Pejgamberit [alejhis salatu ves selam!] në ëndërr, edhe si debat, daton qysh herët. Një varg hadithesh me këtë tematikë kanë qenë dhe janë  shkak për interpretime të fjalëpërfjalshme dhe të motivuara nga rryma dhe teori të ndryshme, rreziku i të cilave nuk është për tu nënvlerësuar. Ato nuk paraqesin vetëm alternativa të ndaluara të adhurimit, nuk janë po kështu thjesht vetëm risi, bidate, por janë derë për risi dhe bidate. Janë mënyra legjitimimi të tyre. Ëndrra është marrë burim legjislacioni fetar nga disa grupe të devijuara. Është hapur një derë e madhe për mashtruesit dhe gënjeshtarët[1].
Kjo ka bërë që dijetarët, tash për shkak të mundësisë së ofruar për qasje në mjete të ndryshme komunikimi dhe rrjedhimisht rrezikut të madh të infektimit me ide të gabuara, ndër të cilat edhe kjo, t’i kushtojnë rëndësinë e duhur. Është një çështje që ka të bëjë me kredon, besimin, andaj nuk duhet anashkaluar.
Ky punim është një kontribut modest në këtë drejtim.
I. PAMJA E PEJGAMBERIT [alejhis salatu ves selam!] NË ËNDËRR SI MUNDËSI E DOKUMENTUAR
Fetarisht, mundësia që besimtari të sheh në ëndërr edhe Pejgamberin [alejhis salatu ves selam!] nuk mohohet[2]. Kjo, edhe për shkak të specifikës që kanë këto ëndrra. Djalli nuk ka mundësi të personifikohet në formën e Muhammedit [alejhis salatu ves selam!]. ndonëse ka mundësinë e transformimit në forma dhe pamje të ndryshme, megjithëkëtë, kur në pyetje është Muhammedi [alejhis salatu ves selam!], atëherë ajo mundësi nuk funksionon. Këtë e ka përmendur në shumë raste vet Muhammedi [alejhis salatu ves selam!]. [3] Ebu Hurejre [Allahu qoftë i kënaqur me të!][4] transmeton se Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
مَن رآني في المنام فقد رآني، فإنَّ الشيطان لا يتمثَّل بي
Kush më ka parë në ëndërr, ai më ka parë, ngase djalli nuk mund të më imitoj-kopjoj mua.”
Me këtë tekst e transmetojnë Imam Ahmedi, Muslimi dhe Ibni Maxheh. Ndërsa në një version të Imam Ahmedit qëndron:
مَن رآني في المنام فقد رآني، إنَّ الشيطان لا يتشبَّه بي
Kush më ka parë në ëndërr, ai vërtetë më ka parë, (ngase) djalli nuk mund të shfaqet i ngjashëm me mua. ”
Ngjashëm por me një shtesë e transmeton edhe Buhariu:
ومَن رآني في المنام فقدْ رآني، فإنَّ الشيطان لا يتمثَّل في صورتي
Kush më ka parë në ëndërr, ai më ka parë, ngase djalli nuk mund të më imitoj (kopjoj) me pamjen time.”
Tirmidhiu e transmeton me këtë tekst:
مَن رآني فإنِّي أنا هو، فإنه ليس للشيطان أن يتمثَّل بي
Kush më sheh, (le ta dijë se) unë jam me të vërtetë ai (që ka parë), ngase djalli nuk ka mundësi të më kopjojë mua.
Imam Ahmedi dhe Ibni Hibbani e transmetojnë me këtë formulim:
مَن رآني في المنام فقد رأى الحقَّ، إنَّ الشيطان لا يتشبَّه بي
Kush më ka parë në ëndërr, ai e ka parë të vërtetën. Djalli nuk mund të shfaqet i ngjashëm me mua.”
Në një formë, e cila është provokuese e një debati të vjetër dhe të vazhdueshëm, e transmetojnë Ahmedi, Buhariu, Muslimi dhe Ebu Davudi:
مَن رآني في المنام فسيراني في اليقظة، ولا يتمثَّل الشيطانُ بي
Kush më ka parë në ëndërr, do të më sheh dhe zgjuar ngase djalli nuk mund të më kopjojë (dot) mua!
Në të vërtetë, me këtë tekst hadithi është vetëm tek Buhariu ndërsa tek Imam Ahmedi, Muslimi dhe Ebu Davudi ka këtë tekst:
مَن رآني في المنام فسيراني في اليَقظَةِ، أو فكأنَّما رآني في اليقظة، لا يتمثَّل الشيطان بي
Kush më ka parë në ëndërr, do të më sheh dhe zgjuar, ose është sikur të më ketë parë zgjuar. Djalli nuk mund të më kopjojë mua.
Në lidhje me këtë, Muhammed Abduhu, ka një përvojë personale shumë interesante[5]. Njëherë kishte udhëtuar në Gjenevë, Zvicër, në vendin ku ndodhej ndërmjetësuesi shpirtëror botëror, i cili njihej si K. Shler. Njerëzit mendonin se nëpërmjet tij kanë mundësi të flasin me të dashurit, të afërmit dhe shokët e tyre, të cilët kanë vdekur…Muhammed Abduhu rrëfen: “Një verë të një viti rastësisht udhëtova për në Gjenevë dhe gjeta një shans të mirë për ta vizituar këtë njeri dhe për të prezantuar në atë ndejë “shpirtërore.” Me mua ishte një shok imi. Para se të shkonim i thashë: Atje ka shejtanë, të cilët prezantojnë në dhomë, imitojnë të vdekurit dhe zbulojnë sekretet familjare. Kjo ngase ata xhinë ishin me të vdekurit sa qenë gjallë, ndërsa tash, pas vdekjes së tyre, shfaqen duke i bartur kinse porositë e tyre, për t’i devijuar dhe lajthitur njerëzit nga e vërteta. Këtë do ta vërtetosh tani – i thashë shokut tim. Së bashku me njerëz tjerë hymë në dhomë, e cila ishte ndriçuar me poqe elektrike të kuqe si dhe ishte lëshuar një muzikë e lehtë…Ndërmjetësuesi (falltari) fjeti ndërsa në dhomë u paraqitën lugetër, pastaj njerëzve iu lejua të kërkonin çfarë të dëshironin. Unë isha prej të parëve që fillova të flas dhe bëra një kërkesë, që askujt nuk i kishte rënë ndërmend. Them më mirë, isha sikur bombë e hedhur mbi ta. Thashë: Kërkoj ta sillni shpirtin e Muhammedit, Pejgamberit të myslimanëve, sepse unë jam një pasues i tij dhe kam nevoje ta pyes një pyetje shumë me rëndësi për disa thënie të tij! U shkaktua kaos dhe rrëmujë në dhomë ndërsa lugetërit u përplasën ndërmjet vete si dhe zërat u shuan. U ngrit falltari, i cili deri atëherë ishte fjetur dhe tha: O profesor! Ata (që po kërkon) janë shpirtra të lartë (njerëz të mëdhenj) dhe ata nuk hynë në këtë fushë…
I thashë shoqëruesit tim: A u binde për mashtrimin e atij gënjeshtari? A të kam thënë se ata janë shejtanë dhe asnjëri prej tyre nuk ka mundësi të personifikohet në personalitetin e Muhammedit [alejhis salatu ves selam].
Pra, ajo që përfitojmë nga këto tekste dhe kjo përvojë e Muhammed Abduhusë është se ai që e sheh Muhammedin [alejhis salatu ves selam] në ëndërr, ai e ka parë në të vërtetë atë, për shkak të pamundësisë që xhinët të marrin formën e tij dhe të personifikohen në formën e tij.
II. RREZIKU I GËNJESHTRËS NË ËNDËRR
Pretendimi rrejshëm se e ke parë të Dërguarin e Allahut [alejhis salatu ves selam] në ëndërr, ndërsa nuk e ke parë, është ndër mëkatet e mëdha. Në fakt, gënjeshtra për ëndrrën, pavarësisht se a është në pyetje pamja e Muhammedit [alejhis salatu ves selam] apo jo, është mëkat. Buhariu dhe Imam Ahmedi transmetojnë se Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
إِنَّ مِنْ أَفْرَى الْفِرَى أَنْ يُرِيَ عَيْنَيْهِ مَا لَمْ تَرَ
Vërtetë, trillimi - shpifja më e madhe është të thotë (njeriu) për sytë e tij atë që nuk e kanë parë.
Madje, për këtë mëkat, është përshkruar edhe dënimi. Buhariu transmeton se Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
مَنْ تَحَلَّمَ بِحُلْمٍ لَمْ يَرَهُ كُلِّفَ أَنْ يَعْقِدَ بَيْنَ شَعِيرَتَيْنِ وَلَنْ يَفْعَلَ
Kush dëfton një ëndërr që nuk e ka parë, do të ngarkohet të lidh dy qime floku ndërsa nuk do të mund ta bëjë!
Lidhja ndërmjet dy qimeve është ngarkim me diç që nuk mund të ndodhë, dhe kjo, sipas llojit të mëkatit, ngase ai ka thënë diç që nuk ka ndodhë, kështu që ngarkohet me diç që nuk mund të ndodhë. Por, ajo që duhet ta kemi parasysh është se kur gënjeshtra të jetë në raport me Muhammedin [alejhis salatu ves selam], atëherë dënimet gjithsesi se janë më të mëdha. Gënjeshtra ndaj Muhammedit [alejhis salatu ves selam] nuk është sikur gënjeshtra ndaj njerëzve të thjeshtë. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Mugireja, i cili ka dëgjuar Muhammedin [alejhis salatu ves selam] duke thënë:
إِنَّ كَذِبًا عَلَيَّ لَيْسَ كَكَذِبٍ عَلَى أَحَدٍ مَنْ كَذَبَ عَلَيَّ مُتَعَمِّدًا فَلْيَتَبَوَّأْ مَقْعَدَهُ مِنْ النَّارِ
Vërtetë, një gënjeshtër ndaj meje nuk është sikur gënjeshtra ndaj të tjerëve. Ai që, qëllimshëm, gënjen për mua, atëherë le ta përgatisë ulësen e tij prej zjarri.
Gënjeshtra ndaj Muhammedit [alejhis salatu ves selam] e përmendur në këtë hadith përfshin gënjeshtrën në kuptim të përgjithshëm, pra edhe ëndrrën.
III. SI TA DI SE AI QË KAM PARË NË ËNDËRR ËSHTË NË TË VËRTETË MUHAMMEDI [alejhis salatu ves selam]?
III.1. Dijetarët kanë shpjeguar se një gjë e tillë mund të dihet nëpërmjet tri mënyrave[6]:
1)     Që personin që ke parë në ëndërr të të thotë se: ‘Unë jam i Dërguari i Allahut’, ose ‘Unë jam Muhammedi, i biri i Abdullahut’, ‘Unë jam Profeti yt’, e shprehje të ngjashme që aludojnë se ai që ke parë është i Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam].
2)     Që personi që e ka parë në ëndërr të bindet shpirtërisht se ai që ka parë është i Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam]. Pra, nuk kushtëzohet që dikush t’i thotë se ky është Pejgamberi [alejhis salatu ves selam].
3)     Që dikush t’i thotë në ëndërr se personin që e pe, apo të foli, apo personin që po e sheh, apo që do ta shohësh pas pak, ose që do të flet me ty pas pak, ose që do të vi tek ty pas pak, është i Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam].
Me këto apo dhe forma tjera të përshkruara nga dijetarët mund të vërtetosh se atë që ke parë në ëndërr është i Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam].
III.2. A kushtëzohet për të qenë Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] që ai të jetë në formën në të cilën ka qenë?
Por, kjo nuk është e tëra përkitazi me këtë çështje. Për ta vërtetuar se njëmend ai është i Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam], dijetarët kanë bërë dhe një debat: A kushtëzohet që patjetër ta shohim sipas përshkrimit fetar që ekziston në libra të hadithit apo jo? Dijetarët ndajnë dy mendime:
a.      Nuk kushtëzohet[7]. Ata kanë thënë se nuk kushtëzohet doemos dhe se mjafton që personi të bindet se e ka parë. Pra, pavarësisht se e ka parë, sipas përshkrimeve në libra, apo në një formë tjetër, atëherë ai e ka parë. Kanë argumentuar me disa tekste, ndër të cilat edhe hadithi:
مَنْ رَآنِي فَقَدْ رَأَى الْحَقَّ فَإِنَّ الشَّيْطَانَ لَا يَتَكَوَّنُنِي
Kush më sheh mua, ai e ka parë të vërtetën, ngase djalli nuk mund të bëhet si unë![8]
Me këtë sikur kanë dashur të thonë se hadithi mohon që djalli të mund të shfaqet si i Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam], qoftë edhe si i shtirur apo i rremë.
b.      Kushtëzohet. Ata kanë thënë se patjetër duhet të jetë në gjendjen, në të cilën ka vdekur. Madje, disa kanë shtuar edhe atë se duhet që edhe qimet e thinjura në kokën e tij të jenë po me atë shifër që kanë qenë. Të këtij mendimi janë Ibni Abbasi[9] dhe Ibni Sirini[10]. Ata kushtëzonin përshkrimin për të vërtetuar nëse ëndrra ka qenë e saktë apo jo[11].
Mendimi i dytë është më i saktë, për faktin se, siç nënvizojnë disa studiues, nëse personi nuk e di përshkrimin e Muhammedit [alejhis salatu ves selam], pra nuk e ka në mendjen e tij një portret të tij, të mësuar nga librat që e përshkruajnë atë, atëherë nuk është e pamundshme që djalli të vjen dhe të gënjejë se është i Dërguari i Allahut [alejhis salatu ves selam]. Po kështu, kjo është marrë edhe si kriter për të dalluar gënjeshtarët nga të vërtetit. Shejh Albani konsideron s kjo është një formë e dallimit të gënjeshtarëve, ngase janë të shumtë ata që pretendojnë se e kanë parë, e të cilëve po t’iu thuhej të na e përshkruajnë Muhammedin [alejhis salatu ves selam] nuk do të ishin në gjendje ta bëjnë dot.
III.3. Përshkrimi i Muhammedit [alejhis salatu ves selam]
Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ishte një njeri i kompletuar edhe në kuptimin fizik. Hassan ibn Thabiti  [Allahu qoftë i kënaqur me të!] e kishte përshkruar[12]:

وأجملمنكلمترقطعيني ... وأفضلمنكلمتلدالنساء

خُلقت مبرءا من كل عيبٍ ... كأنك قد خلقت كما تشاء

 

Më të bukur se ty nuk më kanë parë sytë

Gratë më të mirë se ti nuk kanë lindur

Je krijuar i pastër nga të çdo e metë,

Sikur, siç ke dashur vet, je krijuar!

 
Në vijim, një përshkrim i shkurtër i Muhammedit [alejhis salatu ves selam] [13].
1)     Pamja. Ka qenë i bukur. Ebu Hurejre thotë se nuk ka parë më të bukur. Thuajse ishte si diell, që kishte rënë në tokë dhe ecte. Kishte pamje të skuqur në të bardhë. Pamja e tij ishte burrërore. Ebu Hurejre thotë se kishte një pamje sikur të ishte bërë nga argjendi.
2)     Trupi. Nuk ishte i gjatë, por as i shkurtër.
3)     Fytyra. Bera-ja thotë se fytyrën e kishte sikur hënë. Aisheja e përshkruan kësisoj: Kishte fytyrë të ndritur, sikur hëna rrezonte në të.
4)     Sytë . Sytë i kishte ngjyrë kafe e të ndritshëm.
5)     Flokët. Flokët nuk i kishte shumë kaçurrela apo shumë të drejta. Ebu Hurejre thotë se në flokët e tij kishte një baluke. I kishte paksa si të valëzuara.
6)     Shikimi. Sa herë që shikonte diçka, shikonte drejt në të. Sytë e tij zakonisht ishin të ulur, më tepër të drejtuar nga toka se sa nga qielli.
7)     Mjekra. Kishte mjekër të madhe dhe të shpeshtë.
8)     Dëgjimi. Kishte dëgjim të fortë. Dëgjonte edhe gjërat që të tjerët nuk i dëgjonin.
9)     Dhëmbët. Kishte dhëmbë sikur inxhi.
10)      Pështyma. Pështyma e tij ishte më e mirë se misku.
11)      Qafa. Qafa e tij ishte sikur ibrik argjendi.
12)      Gjoksi. Kishte gjoks të gjerë.
13)      Duart. Duart e tij ishin më të buta se mëndafshi.
14)      Ecja. Ecte lehtë dhe në mënyrë të sigurt, sikur zbret nga një shkallë më e lartë në një më të ulët.
IV. A SHIHET ZGJUAR MUHAMMEDI [alejhis salatu ves selam]?
Shkak i këtij debati ka qenë një hadith, për të cilin aluduam ehde pak më parë. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë[14]:
مَن رآني في المنام فسيراني في اليقظة، ولا يتمثَّل الشيطانُ بي
Kush më ka parë në ëndërr, do të më sheh dhe zgjuar ngase djalli nuk mund të më kopjojë (dot) mua!
Ky hadith është interpretuar në forma të ndryshme. Disa kanë thënë se qëllimi me të është pamja edhe zgjuar e Pejgamberit [alejhis salatu ves selam]. Pra, sipas tyre, kush do që e sheh në ëndërr Pejgamberin [alejhis salatu ves selam], ka për ta parë edhe zgjuar. Nga dijetarët e hershëm këtë mendim e ndanë Sujuti, i cili  ka një libër[15] që merret si referencë për këtë çështje dhe për shkak të të cilit edhe është akuzuar, madje në disa raste edhe shumë rëndë[16]. Po kështu janë edhe Ibni Haxher Hetemiu[17], Sha’rani[18] dhe të tjerë.Nga të tanishmit këtë mendim e mban me ngulm ish-Myftiu i Egjiptit, Dr. Ali Xhumua, i cili thotë të ketë lexuar një ditë nja dyzet libra të Sires dhe më pas t’i jetë shfaqur Muhammedi [alejhis salatu ves selam][19]. Kjo, përveç audioinizimeve[20], gjendet edhe në formë të shkruar. Tarikatet sufiste, të cilat edhe e kanë shpallur për “evlija” kanë botuar një shkrim të tij, në të cilin, tekstualisht, mbron qëndrimin e pamjes së Pejgamberit [alejhis salatu ves selam] zgjuar[21].
IV.1. Në çka e mbështesin pamjen?
IV.1.1. Interpretimet e gabuara profetike
Sujuti kur argumenton pamjen, thotë se ai ka bazë hadithin e sipërpërmendur[22], për të cilin shpjegon se ai është nga thëniet e Muhammedit [alejhis salatu ves selam] ndërsa ai nuk flet vetëm se nga shpallja[23]. Pra, është një devijim i argumentimit. Çështja nuk është se Muhammedi [alejhis salatu ves selam] e flet apo jo të vërtetën, Allahu na ruajt, ai që dyshon në këtë mund të mbetet fare pa besim, por çështja ka të bëjë me interpretimin e një pjese të hadithit, e cila, siç do të shohim, nga hadithet tjera që trajtojnë të njëjtën çështje, ka një interpretim tjetër.  
IV.1.2. Fuqia e Allahut
Një tjetër shtrembërim të parimeve fetare e vërejmë edhe në argumentin tjetër që na sjell Sujuti. Ai thotë se të mohohet mundësia e pamjes zgjuar të Muhammedit [alejhis salatu ves selam] është një lloj dyshimi në fuqinë e Allahut[24]. Me respektin e madh për Sujutin, megjithatë, ky argumentim është qesharak. Çështja nuk ka të bëjë me fuqinë e Allahut por me një ligj kozmik të Tij: Ata që vdesin më nuk kthehen në këtë botë. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka vdekur dhe, në këtë ligj, ai është sikur të gjithë njerëzit tjerë.
IV.1.3. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] është i gjallë në varr
Jeta e Berzahut (varrezave) dallon nga jeta e kësaj bote. Argumentimi me të, pa dashur të hyjmë shumë në detaje, është i gabuar. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] është i gjallë në varr, hadithi për këtë është autentik, por interpretimi i tij se mund të shihet edhe jashtë varrit, është i gabuar. Madje në varrë, ai nuk përjeton jetë të gjallësh. Nuk han, nuk pinë, nuk kryen asnjë gjë që e kryejnë të gjallët[25].
IV.1.4. Mundësia e pamjes së melekëve
Ky është argumenti i Sujutit[26]. Pamja e melekëve dhe xhinëve nuk mund të merret argument për pamjen e të vdekurve nga radhët e njerëzve.
IV.1.5. Përvoja dhe rrëfime të kokave sufite
Si argument tjetër për këtë teori marrin edhe përvojat e liderëve shpirtërorë të sofistëve[27].
IV. 2. Qëndrimi i dijetarëve sunnitë  dhe argumentet e tyre
Dijetarët që ndjekin rreptë vijën e Ehli Sunnetit kanë mohuar që Muhammedi [alejhis salatu ves selam] të shihet edhe zgjuar. Sehaviu mohonte kategorikisht këtë. Argument merrte vajzën e Pejgamberit, Fatimen [Allahu qoftë i kënaqur me të!], e cila ishte mërzitur shumë për vdekjen e babait të saj [alejhis salatu ves selam], aq sa, nga mërzia, pas gjashtë muajsh kishte vdekur. Sikur puna të ishte siç thonë ata, atëherë shtëpia e saj ishte ngjitur me dhomën ku qe varrosur Pejgamberi [alejhis salatu ves selam], por nuk është transmetuar ta ketë parë ajo babanë e saj pas vdekjes[28].  Muhammed Ahmed Luh merr dhe një argument tjetër. Ai thotë se pas vdekjes së Muhammedit [alejhis salatu ves selam] shokët e tij kanë patur shumë mospajtime dhe polemika, kështu, sikur ai të shihej gjallë, do t’i zgjidhte ato[29].
Këto janë vetëm disa, ndryshe, Ehlu Sunneti, kanë argumente të shumta që demantojnë teorinë sufiste. Në vijim do të përmendim disa prej tyre:
1)     Dijetarët kanë mendime të ndryshme sa i përket formulimit të haditheve përkatëse, veçanërisht pjesës: ‘فسيرانيdo të më sheh’ Ibni Haxheri thotë se hadithi ka ardhur me tri shprehje: “فَسَيَرَانِيdo të më sheh”, “فَكَأَنَّمَا رَآنِيsikur të më ketë parë”, “فَقَدْ رَآنِيai veç më ka parë”. Shumica e haditheve – shpjegon Ibni Haxheri- janë me këtë shprehjen e fundit[30]. Edhe Bin Bazi mban këtë qëndrim, madje ai thotë të ketë dyshime në disa pjesë të tekstit të hadithit. Ai thotë se shprehja ‘فسيرانيdo të më sheh’ është dyshim nga transmetuesi dhe se duhet të jetë: ‘فقدْ رآنيai më ka parë’ Pra, fjala është vetëm për ëndrrën. Kush e ka parë në ëndërr, ai vërtetë e ka parë atë.
2)     Pamja në Medinë
Hadithi, sipas këtij mendimi, është shpjeguar si një sihariq për besimtarët që ngelën në Mekkë gjatë migrimit. Ata që e kanë parë në ëndërr Muhammedin [alejhis salatu ves selam] kanë marrë një myzhde nga Allahu se do ta shohin edhe në Medinë. Pra, do t’iu mundësohet migrimi dhe do të jetojnë bashkë me Muhammedin [alejhis salatu ves selam] në Medinën e Ndritur. Këtë mendim e ka Imam Neveviu [Allahu e mëshiroftë!].
3)     Pamja në botën tjetër
Bin Bazi thotë se, nëse themi të kundërtën e asaj që shkoi, pra supozojmë se pjesa e hadithit është e saktë, atëherë interpretohet si mundësi e pamjes në botën tjetër.
Tuvejxheriu citon Ibnul Arabiun dhe Ibni Bettalin të kenë thënë se qëllimi nuk është pamja në botën tjetër, ngase Pejgamberin [alejhis salatu ves selam] do ta shohin të gjithë besimtarët, por qëllimi është se ajo që ka parë në ëndërr (çështja e shtjelluar në ëndërr) do të realizohet në praktikë[31].
Këtij argumenti i janë përgjigjur se do ta shohin por në një formë më të veçantë se sa besimtarët tjerë[32].
V. ËNDRRA A MERRET SI BURIM LEGJISLATIV?
Mashtruesit e kanë përdorur këtë burim ”alternativ” të fesë për të ligjësuar gjëra që nuk janë në të vërtetë. Ëndrra nuk është burim legjislativ Dijetarët e kanë mohuar kategorikisht këtë. Kanë thënë se ajo që shihet në ëndërr patjetër se duhet të krahasohet me Kur’anin dhe Sunnetin: ajo që përputhet, pranohet, tjetra refuzohet. Në vijim disa thënie të dijetarëve:
Ka thënë Imam Neveviu: “...por, nuk lejohet vërtetim i ndonjë dispozite fetare...” [33]
Edhe Ibni Tejmije mban këtë qëndrim. “...unanimisht, nuk lejohet të vërtetohet asgjë me ëndërr.”- thotë ai[34].
Ka thënë Imam Shatibiu[35]: “Ndoshta disa kanë thënë: “E kemi parë Profetin [alejhis salatu ves selam] në ëndërr, kështu që më ka thënë kështu, më ka urdhëruar me këtë” dhe ai (person) vepron sipas saj (ëndrrës) dhe braktis punë sipas saj, duke shkelur kufijtë apo normat e caktuara në fe. Ai ka gabuar ngase ëndrra e çdokujt që nuk është profet nuk paraqet bazë për të gjykuar në asnjë rrethanë me të në fe, me përjashtim nëse krahasohet me parimet fetare që i kemi, kështu që, në rast se përshtatet, punohet sipas asaj që përcakton, ndryshe, obligohet braktisja e saj dhe mohimi. Dobia e saj ngel në suaza individuale dhe këtë në kuptim të përgëzimit ose qortimit, ndërsa nxjerrja e dispozitave nuk vlen prej saj.”
Po kështu ka thënë[36]:  “Nuk thuhet: “Ëndrra është pjesë e profetësisë dhe për këtë shkak nuk duhet të anashkalohet”, sikur që nuk thuhet: ‘Ai që na ka lajmëruar në gjumë mund të ketë qenë Profeti [alejhis salatu ves selam] dhe ai është që ka thënë: ‘Kush më sheh në gjumë, ai vërtetë më ka parë, ngase djalli nuk mund të merr formën time!’, kështu që, nëse ai ka qenë në gjumë, atëherë lajmërimi – kumtimi është sikur të ketë qenë zgjuar (gjallë).” Kjo është gabim, ngase nëse ëndrra është pjesë e profetësisë, ajo për ne nuk është plotësim i shpalljes. Ajo nuk është hiç më shumë se pjesë prej pjesëve të saj (shpalljes) ndërsa pjesa jo plotësisht mund ta përfaqësojë tërësinë. Jo, ajo vetëm në disa aspekte mund të jetë në vend të tërësisë. Kësisoj,  ajo (ëndrra) është trajtuar në kuptim të përgëzimit dhe qortimit, dhe kjo mjafton!”
Imam Shevkani[37] shpjegon se feja jonë është kompletuar sa ka qenë gjallë Muhammedi  [alejhis salatu ves selam], kështu që tani pas vdekjes së tij nuk ka nevojë për asnjë plotësim. Allahu i Madhëruar ka thënë:
4 tPöqu‹ø9$# àMù=yJø.r& öNä3s9 öNä3oYƒÏŠ àMôJoÿøCr&ur öNä3ø‹n=tæ ÓÉLyJ÷èÏR àMŠÅÊu‘ur ãNä3s9 zN»n=ó™M}$# $YYƒÏŠ 4
...Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe...“(el-Maide, 3)
Ubejdil-lah in Zijadi kishte shkuar tek dy djemtë e Busrit, të cilëve iu kishte thënë: Allahu iu mëshiroftë ju dy! Ne ndonjëherë po iu hipim kafshëve dhe po i rrahim me kamxhik, a ka diç nga feja që flet për këtë? Ne nuk dimë asgjë – ia kthyen. Atëherë, rrëfen Ubejdil-lahu, dëgjova një zë gruaje nga brendësia e shtëpisë, e cila tha: O pyetës! Allahu i Madhëruar ka thënë:
$tBur `ÏB 7p­/!#yŠ ’Îû ÇÚö‘F{$# Ÿwur 9ŽÈµ¯»sÛ çŽÏÜtƒ Ïmø‹ym$oYpg¿2 HwÎ) íNtBé& Nä3ä9$sVøBr& 4 $¨B $uZôÛ§sù ’Îû É=»tGÅ3ø9$# `ÏB &äóÓx« 4 ¢OèO 4’n<Î) öNÍkÍh5u‘ šcrçŽ|³øtä† ÇÌÑÈ  
Nuk ka asnjë gjallesë në tokë dhe as shpendë që fluturojnë me dy krahë e që nuk janë të ndara në grupe (të ndryshme), sikurse edhe ju (Zoti i krijoi, i pajisi si juve). Asgjë nuk kemi lënë pas dore nga evidenca. Më në fund te Zoti i tyre do të tubohen.“ (el-En’amë, 38)
Kjo është motra jonë. Ajo është më e madhe se ne. Ajo e ka parë të Dërguarin e Allahut [alejhis salatu ves selam] -thanë.[38]
Pra, nga kjo kuptohet se nuk ka çështje, madje edhe nga ato më të thjeshtat, që feja nuk i ka sqaruar. Kështu, ajo është e kompletuar. Kur ta kemi kuptuar këtë, atëherë nuk e kemi të vështirë të kuptojmë se ëndrrat e tilla nuk kanë ndonjë efekt juridik. Në të vërtetë, ato, siç thotë Ibni Haxheri në El-Fet’h, krahasohen me Sunnetin, nëse përputhen, atëherë nuk ka gjë të keqe, e nëse jo, atëherë defekti është në të dëgjuarit e atij që ka parë ëndrrën. Ose, ato mund të kenë lidhje vetëm me personin në fjalë. Ibni Shahini në El-isharat fi ilmil ibarat[39] thotë se nëse dikush sheh ndonjë Pejgamber duke e urdhëruar me diç që bie ndesh me fenë, atëherë, në rastin e tij, ajo është ndalesë,  vërejtje dhe kërcënim. Kjo, sjell një shembull Ibni Shahini, është e ngjashme me hadithin: “Nëse nuk turpërohesh, bë çka të duash!”[40], e me të cilin nuk urdhërohet për të bërë vepra të këqija, por kërcënohet për të mos i bërë ato.
Përfundim
SI TA SHOHËSH MUHAMMEDIN [alejhis salatu ves selam] NË ËNDËRR? [41]
 
1)     Devotshmëria
Devotshmëria e ngrit pozitën e robit tek Allahu i Madhëruar. Në Kur’an qëndron:
öqs9ur ¨br& Ÿ@÷dr& #“tà)ø9$# (#qãZtB#uä (#öqs)¨?$#ur $uZóstGxÿs9 NÍköŽn=tã ;M»x.tt/ z`ÏiB Ïä!$yJ¡¡9$# ÇÚö‘F{$#ur `Å3»s9ur (#qç/¤‹x. Mßg»tRõ‹s{r'sù $yJÎ/ (#qçR$Ÿ2 tbqç7Å¡õ3tƒ ÇÒÏÈ  
E sikur banorët e këtyre vendbanimeve të kishin besuar dhe të ishin ruajtur, Ne do t'ju hapnim begati nga qielli e toka, por ata përgënjeshtruan, andaj i dënuam me shkatërrim për atë që merituan.“ (elA’rafë, 96)
2)     Adhurimi
Adhurimi është një mjet që të afron tek Allahu i Madhëruar, e me këtë të shtohen edhe mundësitë që të begatohesh nga Allahu me mirësi. Muhammedi, alejhi's selam [alejhis salatu ves selam] thotë:
وَمَا يَزَالُ الْعَبْدُ يَتَقَرَّبُ إِلَيَّ بِالنَّوَافِلِ حَتَّى أُحِبَّهُ إِنْ سَأَلَنِي أَعْطَيْتُهُ وَإِنْ دَعَانِي أَجَبْتُهُ  
...dhe robi vazhdon të afrohet tek Unë me adhurime fakultative derisa ta dua: (atëherë) nëse me pyet, i jap, nëse më lutet, i përgjigjem...[42]
3)     Dashuria për Muhammedin [alejhis salatu ves selam]
Dashuria për Muhammedin [alejhis salatu ves selam] duhet të jetë mbi çdo gjë. Kur ajo të ketë marrë këto përmasa, atëherë përmallimi për të të bën që ta ëndërrosh atë. Kështu, me lejen e Allahut të Madhëruar, do ta shohësh.
Këtë mund ta kuptojmë dhe nëpërmjet një tregimi interesant. Shkoi një njeri tek Hoxha dhe i tha: Si mund ta shoh Pejgamberin [alejhis salatu ves selam] ne ëndërr ?
Hoxha iu përgjigj me modesti: Ke mundësi ta shohësh Pejgamberin [alejhis salatu ves selam] nëse vepron sipas udhëzimeve të mia.
Tha: Mi trego udhëzimet tua?
Tha Hoxha: Shko sot në shtëpi dhe dreko me mish peshku, por njelmoje shumë dhe mos pi ujë. Pastaj në darkë prapë ha mish peshku shumë të njelmët dhe mos pi ujë, sepse nëse pinë ujë nuk do të mund ta shohësh.
Tha njeriu: A vetëm kaq?
Tha: Po, vetëm kaq. Por mos harro se para se të flesh duhet ta shtosh kureshtjen tënde për të pirë ujë.
Shkoi njeriu në shtëpi, drekoi dhe darkoi ashtu siç i tha Hoxha. Filloi ta përjetojë pirjen e ujit me ndjenja të mëdha dhe pas pak shkoi në shtrat për të fjetur. Përkujtonte ujin dhe ndiente etje por frikësohej se nëse pinë ujë nuk ka mundësi ta shoh Pejgamberin [alejhis salatu ves selam] në ëndërr, andaj e alonte kohën duke u rrotulluar herë në një krah e herë në tjetrin derisa e zuri gjumi.
Kur u zgjua shkoi te Hoxha.
Ia parapriu Hoxha: A e ke parë Pejgamberin [alejhis salatu ves selam] në ëndërr?
Tha: Jo, nuk e kam parë – i tha.
Po çfarë ke parë? – e pyeti Hoxha.
Tha: E kam parë veten time duke pirë ujë, duke notuar në lumenj,  pashë se si qielli lëshonte shi, si toka gufonte ujë, pashë veten time duke pirë e notuar në çdo vend, uji buronte me bollëk nga çdo vend. Bujta tërë natën duke ëndërruar ujin dhe nuk e pashë Pejgamberin [alejhis salatu ves selam].
Këtu ndërhyri Hoxha dhe i tha: Po te buje duke menduar në Pejgamberin [alejhis salatu ves selam], siç mendoje për ujin, dhe po të lidhej zemra për Pejgamberit [alejhis salatu ves selam], siç ishte lidhur mbrëmë për ujin, gjithsesi se do ta kishe parë atë.
O biri im! Nëse ke dëshirë ta shohësh Pejgamberin [alejhis salatu ves selam] duhet ta mbushësh zemrën tende dhe mendimin tënd me Pejgamberin [alejhis salatu ves selam], në mënyrë që të mos mendosh tjetër përveç tij. Nëse vepron kështu, Allahu i Madhëruar padyshim se do të nderojë me pamjen e Pejgamberit [alejhis salatu ves selam] në ëndërr.
4)     Lutja dhe përgjërimi
Për ta realizuar këtë dëshirë, është mirë që të mos i ndahemi lutjes.
5)     Leximi i tregimeve të vërteta
Ato mund të ta shtojnë pasionin dhe dashurinë. Ato mund të jenë motiv që ti të shtosh adhurimin dhe të ngjitesh në shkallë të madhe devotshmërie.
 
 
(Punimi është publikuar në TAKVIM 2014, f. 145-163)



[1] Shih: El-Mukaddem, Muhammed ibn Ahmed Ismail. Usulun bila usul. F. 129-165.

[2] Shih: Al Abid, Halid ibn Bekr ibn Ibrahim. “Err-rrua es-sadikatu – huxh-xhijjetuha ve davabituha – dirasetun usulijjetun fikhijjetun.” Revista ‘Xhamiatu Ummi-l-Kura’, Vëll: 19, viti 42, Ramazan 1428, f. 13.

[3]Për më shumë rreth këtyre haditheve shih : Tuvejxherijj, Hamud ibn Abdullah. Kitabu-rr-rru’ja. f. 55-59.

[4] Versionet tjera të haditheve janë dhe nga Sahabij të tjerë, si Ibni Mes’udi, Ibni Abbasi, Abdullah ibn Amr, Enes ibn Maliku, etj.

[6] Abdul Aziz, Abdul Aziz Ahmed. Reejtu-n-Nebijje sal-laAllahu alejhis ve sel-leme. F. 14.

[7] Abdul Aziz, Abdul Aziz Ahmed. Reejtu-n-Nebijje sal-laAllahu alejhis ve sel-leme. F. 19-20.

[8] Transmeton Buhariu.

[9] Musnedi i Imam Ahmedit, 1/361. Cituar sipas: Albani, Muhammed Nasiruddin. Es-Silsiletu-s-sahihah. 6/513.

[10] Shih: El-Askalani. Ibni Haxher. Fet’hu-l-Bari. 12/384.

[11] Këtu ka dhe një gjë që dijetarët kanë mospajtuar.  Kanë thënë se a kushtëzohet që përshkrimi të jetë sipas gjendjes së fundit në të cilën ka qenë Muhammedi [alejhis salatu ves selam] apo jo? Një grup kanë thënë se kushtëzohet të ketë qenë në gjendjen në të cilën ka vdekur derisa të tjerë kushtëzojnë që të jetë të paktën sipas një gjendje që ka qenë ndonjëherë gjatë jetës së tij. Për më shumë, shih:  El-Askalani. Ibni Haxher. Fet’hu-l-Bari. 12/386.

[12] Shih: Salabi, Ali Muhammed Muhammed. Es-siretu en-Nebevijjeh – ariu vekaia ve tahlilu ahdath. F. 11.

[13] Abdul Aziz, Abdul Aziz Ahmed. Reejtu-n-Nebijje sal-laAllahu alejhis ve sel-leme. F. 21-27.

[14]Hadithin e transmetojnë Ahmedi, Buhariu, Muslimi dhe Ebu Davudi.

[15]Fjala është për librin Tenvir el-halek fi imkanijjeti ru’jeti-n-Nebijji vel melek.

[16]Shih: Ebu Usame el-Magrebij. Es-salek fi tahkiki kitabi tenviri-l-halek fi imkani ru’jeti-n-Nebijji ve-l-melek. F.3.

[17] Shih: El-fetava el-hadithijjeh. F. 217.

[18] Shih: Et-tabekat es-sugra. F. 89.

[22] “Kush më ka parë në ëndërr, do të më sheh dhe zgjuar ngase djalli nuk mund të më kopjojë (dot) mua!”

[23] Shih: Sujuti. Tenvir el-halek fi imkani ru’jeti-n-Nebijji ve-l-melek. 12-13.

[24] Shih: Sujuti. Tenvir el-halek fi imkani ru’jeti-n-Nebijji ve-l-melek. 12-13.

[25] Shih: Albani, Muhammed Nasiruddin. Et-tevessul – envauhu ve ahkamuhu. F. 59.

[26] Shih: Sujuti. Tenvir el-halek fi imkani ru’jeti-n-Nebijji ve-l-melek. 15.

[27] Shih: Sujuti. Tenvir el-halek fi imkani ru’jeti-n-Nebijji ve-l-melek. 23 & Ibn Ibrahim, Sadik ibn Muhammed. Hasaisu-l-Mustafa bejne-l-guluvvi ve-l-xhefaë – ariun ve nakdun ala dav’i-l-Kitab ve-s-Sunneh. F. 207-218.

[28] Shih: El-Mevahib el-ledunnijjeh bi-l-minehi-l-Muhammeddijjeh. 2/371.

[29] Shih: Luh, Muhammed Ahmed. Takdisu-l-eshhas fi-l-fikri-s-sufijj. 2/47-49.

[30] Shih: Fet’hu-l-Bari. 12/383.

[31] Shih: Tuvejxheri, Hamud ibn Abdullah. Kitabu-rr-rru’ja. F. 58.

[32] Shih: Fet’hu-l-Bari. 12/385.

[33] Shih: En-Nevevi. Sherhu Sahihi Muslim. 1/115.

[34] Shih: Ibni Tejmije. Mexhmuu-l-fetava. 27/457.

[35] Shatibijj, Ibrahim ibn Musa ibn Muhammed. El-I’tisam. 2/93.

[36] Ibid. 1/333.

[37] Shih: Shevkani, Muhammed ibn Alijj ibn Muhammed ibn Abdullah. Irshad el-fuhul ila tahkiki el-hakki min Ilmi-l-Usul. 2/202.

[38] Transmeton Imam Ahmedi ndërsa Shuajb Arnauti thotë se është autentik.

[39] Cituar sipas: Abdul Aziz, Abdul Aziz Ahmed. Reejtu-n-Nebijje sal-laAllahu alejhis ve sel-leme. F. 18.

[40] Transmetojnë Buhariu dhe Imam Ahmedi.

[41] Abdul Aziz, Abdul Aziz Ahmed. Reejtu-n-Nebijje sal-laAllahu alejhis ve sel-leme. F. 38-41.

[42] Transmetojnë Buhariu, Imam Ahmedi dhe të tjerë.


VIDEOS / YOUTUBE
Devotshmeria synim kryesor i agjerimit Vlera e kohes Monumente besimi ne agjerim Edukimi seksual i femijeve
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013