Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
Olimpiada e Ramazanit

Hyrje
Ramazani është një sezon adhurimi i veçantë. Është një periudhë kohore e caktuar, me elemente dhe karakteristika të veçanta, që ofron shanse dhe mundësi të ndryshme dhe të shumta për të përfituar nga mirësitë e Allahut dhe dhuntitë e Tij të panumërta. Besimtarët janë shumë të lidhur me të ndërsa ardhjen e tij çdo vit e presin me padurim. E dinë se kalimi i ‘testit’ në këtë muaj nënkupton shpëtimin më të madh, atë nga zjarri i Xhehennemit. Megjithëkëtë, jo të gjithë i përcjell deri në fund të tij vullneti, elani dhe entuziazmi që kanë në fillim. Shkak, siç nënvizojnë dijetarë dhe thirrës të shumtë, është mospërgatitja shpirtërore dhe fizike për të.
E duke qenë se jemi në vitin e lojërave olimpike verore, të cilat rastisën këtë vit të fillojnë në pjesën e parë të Ramazanit, menduam që në kuadër të ligjëratave për parapërgatitjen për Ramazan të mbajmë këtë ligjëratë nën titullin ‘Olimpiada e Ramazanit’, për të kuptuar konkretisht për madhështinë e këtij muaji dhe rëndësinë e përgatitjes për të. Do t’i referohemi aspekteve të ndryshme të konceptimit të këtyre lojërave, parapërgatitjeve për to, pjesëmarrjes aktive, planeve pas tyre, e gjëra tjera të rëndësishme, kuptohet vetëm për krahasim dhe ilustrim, ndryshe shembulli i Ramazanit është shumë më madhështor se të krahasohet me këto lojëra sportive.
I. KONCEPTI
1. Pozita
Këtë vit lojërat do të mbahen në Angli ndërsa qeveria e atjeshme është e përkushtuar maksimalisht për të organizuar ato si është më së miri. Konceptohet si një ngjarje shumë madhështore për vendin, ngjarje me të cilën sikur duan ta riafirmojnë prestigjin prej një shteti të civilizuar . Po muaji të cilin po e presim, e dini sa madhështor është? E dini ç’rëndësi ka për ne? E dini ç’pozitë të ummetit afirmon? Është muaji, ardhjen e të cilit të cilin Muhammedi [alejhis salatu ves selam] e paralajmëronte me fjalët: “Iu erdhi Ramazani, (i cili është) muaj i bekuar, agjërimin e të cilit Allahu i Madhëruar ua obligoi. Në të hapen dyert e qiellit (Xhennetit), mbyllen ato të Xhehennemit ndërsa djajtë e tërbuar prangosen. Zoti ka përzgjedhë një natë më të mirë se njëmijë muaj, ndërsa ai që privohet prej mërisë së saj, ai vërtetë është i privuar!”
Se ç’muaj është dhe për ç’vlerë bëhet fjalë na mëson edhe Kur’ani. Në kaptinën el-Bekare, ajeti 185, Allahu i Madhëruar thotë: “Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra)…”
Ka thënë Ibn el-Kajjim el-Xhevzijjeh: ‘E prej këtij (ligjit të përzgjedhjes) është edhe përzgjedhja e muajit Ramazan ndaj gjithë muajve tjerë dhe përzgjedhja e dhjetëshit të tij të fundit ndaj të gjitha netëve…’
Përzgjedhja mbase qëndron mbi katër çështje si më të rëndësishmet:
1) Nata e Kadrit, e cila është më e mirë së njëmijë muaj . Adhurimi në këtë natë është më me vlerë se adhurimi i njëmijë muajve.
2) Shpallja e librave hyjnorë . Imam Ahmedi në Musned dhe Taberaniu në el-Mu’xhem el-Kebir transmetojnë se Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Fletushkat e Ibrahimit zbritën në natën e parë të muajit Ramazan, Teurati zbriti në ditën e gjashtë, Inxhili në të trembëdhjetën, Zeburi në të tetëmbëdhjetën ndërsa Kur’ani në të njëzetekatërtën ditën të kaluar të Ramazanit.” Albani në es- Silsiletu-s-sahihah, 1575, e cilëson për hasen – të mirë.
3) Hapen dyert e Xhennetit dhe mbyllen dyert e Xhehennemit
4) Adhurimet e shumta dhe të shumëllojshme, disa prej të cilave janë veçori vetëm e Ramazanit, si agjërimi, teravitë, dhënia e iftarit, i’tikafi, etj.
2. Përjetimi
Pjesëmarrja në lojërat olimpike shih si rast i artë, si mundësi, e cila përjetohet si kënaqësi shumë e veçantë. Asnjëri nga pjesëmarrësit nuk ndien monotoni nga garat, përkundrazi, fokusi i tyre është në fitimin e tyre. Kësisoj, të paktën, do të duhej përjetuar edhe ardhja e Ramazanit nga ana e besimtarëve. Kënaqësia dhe gëzimi do të duhej të ishin si në takimin dhe qëndrimin për një kohë me një personalitet më madhështor në botë, me një mik më të dashur, me një mysafir më të respektuar. Ndryshe, fjalët që i dëgjojmë me të ardhur të Ramazanit se ‘sikur ta zhvendosnim këtë Ramazanin në dimër’, ‘sikur të ishte tri ditë’, etj, janë fjalë jo që nuk përkojnë me identitetin e besimtarit të sinqertë, porse ato në fakt janë fjalë dhe veprime të femohuesve.
Në koment të ajetit: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (el-Bekare, 183),
…dijetarët kanë cituar Hasan el-Basriun të ketë thënë se të gjithë popujve tjerë iu ishte obliguar agjërimi sikurse neve, 30 ditë, mendim i përkrahur edhe nga es-Sudijji, ndërsa komentatorët e shquar të Kuranit si Et Taberiu dhe Ibnul Arebiu transmetojnë se të krishterëve iu obligua agjërimi [më parë]. Po ashtu iu obligua atyre që të mos hanë pas gjumit [kur të zgjohen në mëngjes] dhe të mos kenë marrëdhënie me gratë gjatë muajit të agjërimit. Agjërimi atyre u vinte në kohëra [stinë] të ndryshme. Herë u vinte në ditë të nxehtë e të gjatë e herë u vinte në ditë të ftohtë e të shkurtër. Kjo sikur i rendoi ata andaj zgjodhën mendimin e tyre që ta caktojnë atë në një stinë mesatare. Kështu që vendosën ta bëjnë atë në Vjeshte, kur nuk është as nxehtë por as ftohtë dhe si arsyetim të krimit që kishin bërë, thanë: Do t’i shtojmë 20 ditë që ta shlyejmë mëkatin të cilin e bëmë. Kështu pra agjërimi i tyre arriti në 50 ditë. Kjo beri qe ata te ligjësojnë atë qe Allahu i Madhëruar nuk e ka ligjësuar ndaj edhe u cilësuan si pabesimtarë. Thotë Allahu: “Në të vërtetë, një grup prej tyre janë ata që pështjellojnë gjuhët e tyre kur lexojnë librin (për ta deformuar kuptimin) ashtu që ju të mendoni se ajo (shprehje) është nga libri, po ajo nuk është nga libri (i vërtetë), madje thonë: “Kjo është nga All-llahu”! Po ajo nuk është nga All-llahu. Ata duke ditur thonë gënjeshtra për All-llahun.” (Ali Imran, 78)
Pra, përjetimi i ardhjes së tij si diç e rëndë dhe e vështirë, si diç që na bezdis, është simptomë e sëmurjes së rëndë të zemrës.
3. Përkujtimet
Ramazani gjithashtu është muaj që në memoaret e muslimanëve ka shënuar ngjarje nga më madhështoret, duke filluar nga:
Shpallje hyjnore: Zbritja e fletushkave të Ibrahimit [alejhis selam]; shpallja e Teuratit, Inxhilit, Zeburit dhe Kur’anit.
Beteja: Beteja e Bedrit, e cila ndodhi më 17 Ramazan 2 h.; Beteja e Tebukut, e cila ndodhi më 8 Ramazan 9 h. / 18 dhjetor 630.
Çlirime islame: Çlirimi i Egjiptit në kohën e Halifes Omer Ibn Hattab [Allahu qoftë i kënaqur me të]. Kjo ndodhi nën komandën e sahabiu të nderuar, Amr Ibn el-Asit [Allahu qoftë i kënaqur me të dy] në vitin 20 h./13 gusht 641 g.; Fillimi i çlirimit të Spanjës. Kjo ngjau në v.91 h./710 g.; Çlirimi i Sicilisë, ngjarje kjo e ndodhur më 9 Ramazan 212 / 1 dhjetor 827 g.; Çlirimi i Mekkes, ngjarje kjo e regjistruar më 21 Ramazan 8 h. / 11 janar 630 g.
Shkencë: Hapja e Universitetit të El-Ez’herit për adhurim dhe dije. Kjo ngjau më 7 Ramazan 361 h / 971 g., etj.
II. PARAPËRGATITJET
Do të ishte shumë e pakuptimtë për një atlet apo sportist që merr pjesë në këto gara të mos parapërgatitet për to shumë më parë, sidomos nëse veç i ka vënë vetes për obligim që të thyej ndonjë rekord. Mu për këtë qëllim, ndonëse janë gara që mbahen vetëm një herë në katër vjet, pjesëmarrësit përgjatë gjithë kohës, ani pse jo me intensitet të njëjtë, ushtrojnë dhe përgatiten. Ndonjëherë, ata që janë në disiplina paksa më të vështira kanë si të thuash dhe regjime ushtrimesh që goxha janë të vështira.
Ajo që ne kërkojmë prej besimtarëve është pikërisht kjo: përgatitja para ardhjes së ramazanit, në mënyrë që të mos i ngjajmë atij atletit të papërgatitur, që garës mund t’ia fillojë shumë fuqishëm por që dështon vetëm pas pak kohe. Duam që Ramazani të na gjejë të përgatitur dhe që për asnjë çast të mos bëjmë as largimin qoftë edhe për pak kohë prej tij. duam që nga fillimi e deri në mbarim të jetojmë me të, të sfidojmë disiplinat e tij, të shënojmë rezultate konkrete dhe të kënaqshme.
Por, si të përgatitemi?
Përgatitja bëhet gjithnjë duke patur parasysh karakterin dhe natyrën e garave. Më konkretisht, shikohet në fushat në të cilat garohet në këtë olimpiadë dhe përgatitja bëhet pikërisht për to. Fushat në të cilat shtrihet aktiviteti i këtij muaji të shenjtë janë të shumta por kryesoret mbesin:
1) Agjërimi. Ia vlen shumë që të përgatitemi me agjërim, ngase abstenimi i përnjëhershëm nga ushqimi dhe pija për një periudhë tridhjetë ditore mbase nuk është i lehtë. Shumë njerëz, sidomos në ditët e para, përjetojnë probleme të shumta, disa madje edhe i japin fund agjërimit, dhe krejt kjo si shkak i mospërgatitjes konkrete. Buhariu në Sahihun e tij transmeton hadithin e Aishes [Allahu qoftë i kënaqur me të], e cila rrëfen për agjërimin e Pejgamberit [alejhis salatu ves selam] para ardhjes së muajit Ramazan. “…nuk e kam parë të Dërguarin e Allahut [alejhis salatu ves selam] ta ketë agjëruar komplet ndonjë muaj përveç Ramazanit ndërsa në muajt tjerë nuk më ka rënë ta shoh të ketë agjëruar më shumë se në Sha’ban!”
2) Kur’ani dhe leximi i tij. Enes Ibn Maliku [Allahu qoftë i kënaqur me të] thotë se ka qenë traditë e gjeneratave të para që me rastin e ardhjes së muajit Sha’ban, t’i qasen leximit të Kur’anit dhe dhënies së Zekatit, në mënyrë që ta ndihmojnë besimtarin e varfër për Ramazan.
Arsyeja e kësaj mbase qëndron në përfitimin e shprehisë së leximit. Njëri nga selefi ka thënë: Sha’bani është muaji i lexuesve. Ai që e ka bërë shprehi të kujdeset për traditën ditore të leximit para Ramazanit, atë shprehi –me lejen e Allahut- do ta ruajë edhe në Ramazan.
Për ta kuptuar këtë do të doja të marr një shembull, i cili në fakt është ajkë e një porosie të një mendjendrituri dhënë një besimtari neglizhent. Zemra i ngjan një organi, i cili për shkak të futjes së tij në përdorim për një kohë është ndryshkur. Natyrisht, pastrimi për ta rikthyer në gjendjen e mëparshme nuk bëhet me një të larë dhe dorëheqja nga pastrimi vetëm pse nuk u rikthyer në gjendjen e mëparshme vetëm me një herë është gabim. Duhet larë disa herë për ta kthyer në gjendjen e mëparshme ndërsa nga larja në larje shpresat e rikthimit janë gjithnjë më të mëdha. Kësisoj, neglizhimi i leximit të Kur’anit për një kohë ka pasoja, më e rrezikshmja e të cilave është ndryshkja e zemrës, e cila nuk lahet vetëm me një të lexuar të ndonjë pjese të Kur’anit. Ka nevojë për shumë e shumë lexim derisa ky i fundit të bëhet pjesë e zemrës.
3) Namazi
a. Namazi me xhemat
a.1. Namazi me xhemat
Mundohu ta falësh namazin me xhemat sa më shumë që të kesh mundësi, në mënyrë që në Ramazan të mos mungosh në asnjë kohë namazi në xhami.
a.2. Qëndrimi në xhami. Në Ramazan është I’tikafi si adhurim i veçantë, andaj fillo qysh tani të qëndrosh pas namazit të sabahut apo edhe nga namazi ia akshamit deri në jaci që të shikosh për mundësinë e kryerjes së adhurimit të I’tikafit në Ramazan.
b. Namazi fakultativ
Namazi i terapive është shumë i rëndësishëm. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Kur njeriu të jetë falur me imamin deri në mbarim, i llogaritet falja sikur ta ketë bërë gjatë tërë natës!” (Transmeton Ebu Davudi ndërsa Albani e vlerëson për autentik.)
4) Duaja
Ramazani është muaj i duasë. Por, duatë më të mira dhe më afër pranimit janë ato tradicionale, andaj përfito nga koha dhe mëso duatë nga hadithet e Muhammedit [alejhis salatu ves selam] me shpresë se do të përfitosh prej tyre në këtë muaj të madh që po e presim.
5) Vetëpërmbajtjen
a. në veprime
Qëllimi i agjërimit është pastrimi shpirtëror i besimtarit. Alalhu i Madhëruar thotë: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.” (el-Bekare, 183),
Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Kush nuk braktisë shpifjen, injorancën dhe veprimin sipas saj, (atëherë ai nuk ka agjëruar) ngase Allahu nuk ka nevojë që dikush ta lërë ushqimin dhe pijen e tij!” (Buhariu)
Largohu qysh tash nga gjërat që të dëmtojnë në agjërim, mësohu ta kontrollosh vetveten, në fjalor, gjeste, sjellje, qëndrime…
b. kohë
Ruaje kohën tënde. Mundohu qysh tash ta organizosh atë, në mënyrë që nga përvoja të përmirësosh edhe detajet. Le të mos jetë Ramazani muaj i eksperimenteve por i sukseseve. Bëje një orar gjumi jo të gjatë që ta aplikosh atë dhe në Ramazan për të patur kohë të mjaftueshme për adhurim.
c. Në shpenzime. Në vend të kësaj, përgatit të holla që të ushqesh të varfrit sepse për një ushqim të hënë ke shpërblimin e një agjëruesi. “Kush e ushqen një agjërues, ai ka edhe një shpërblim sikur të tij, edhe pse atij nuk i pakësohet fare shpërblimi.” (Albani e vlerëson për autentik.)
III. DISIPLINAT
Besimtari ka mundësinë që në Ramazan të triumfojë, nëse jo në të gjitha fushat e tij, të paktën në disa prej disiplinave. Kjo nuk nënkupton se të gjitha adhurimet e Ramazanit janë me mundësi përzgjedhjeje. Agjërimi është i pakontestueshëm, falja e namazit është e padiskutueshme, porse besimtari ka mundësi që, krahas aspektit obligues, të derdh mundin e tij në ndonjërën prej disiplinave të Ramazanit, të cilat mund t’i sigurojnë shpëtimin. Ja disa prej këtyre disiplinave:
Agjërimi (me përkushtim). Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe llogari (në shpërblimin e Allahut), do t’i falen mëkatet e mëparshme…” (Transmetim unanim)
Namazi, sidomos ai me xhemat. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Kush falet në Ramazan me besim dhe llogari (në shpërblimin e ALlahut), i falen mëkatet e mëhershme!” (Transmetim unanim); “Vërtetë, ai që falet me Imamin gjersa ta mbarojë, falja do t’i llogaritet sikur ta ketë bërë tërë natën!” (Transmeton Ibni Maxheh ndërsa Albani thotë se hadithi është autentik.)
Leximi i Kur’anit: Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Kush lexon një shkronjë nga Libri i Allahut, ai ka për të një të mirë ndërsa e mira shumëfishohet me dhjetë. Nuk them: elif lam mim (që në arabisht janë tri germa të lidhura me njëra tjetrën) është një germë, por elif germë, lam germë dhe mim germ.” (Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e vlerëson për autentik.)
Ramazani është muaji në të cilin ka filluar shpallja e Kur’anit, andaj dijetarët e shfrytëzonin këtë muaj për të lexuar Kur’anin si adhurim në vete. Kishte prej tyre që gjatë muajit bënin edhe tridhjetë hatme (e përfundonin së lexuari 30 herë) .
Duaja, sidomos gjatë momenteve që shpresohet pranimi i saj, si në kohën e iftarit dhe atë të syfyrit. Kjo ka qenë traditë e robërve të sinqertë të Allahut përgjatë gjithë kohës. Allahu duke i përshkruar të tillët thotë: “Dhe ata që janë të durueshëm, të drejtë, të devotshëm e dorëdhënës dhe të cilët në kohën e agimit (syfyrit) kërkojnë ndjesë.” (Ali Imran, 17); “Dhe në syfyr (kah mbarimi i natës) ata kërkonin falje për mëkatet.” (edh-Dharijat, 18)
Sadakaja: Dhënia ushqim agjëruesve dhe pagimi i Zekatit të Fitrit janë gjëra që shumëfishojnë shpërblimin e agjërimit dhe pastrojnë atë nga gabimet eventuale. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Kush e ushqen një agjërues, ai ka edhe një shpërblim sikur të tij, edhe pse atij nuk i pakësohet fare shpërblimi.” (Albani e vlerëson për autentik.)
I’tikafi: Qëndrimi në Xhami për adhurim në dhjetëditëshin e fundit është me rëndësi të madhe. Me të synohet arritja e:
Nata e Kadrit, e cila është më e mirë se njëmijë muaj. Angazhimi në këtë natë sjell shpëtimin. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “…dhe kush falet Natën e Kadrit me besim dhe llogari (në shpërblimin e Allahut), do t’i falen mëkatet e mëparshme!”(Transmetim unanim)
IV. OBJEKTIVAT
Ramazani është shans i mirë për të fituar mirësi të shumta dhe të mëdha. Është një minierë në të cilën nuk gjurmohet për ar por për diamant, andaj qëllimet e besimtarit nuk guxojnë të kufizohen në gjëra të rëndomta. Ai duhet të ketë synime nga më të lartat. Pra, të mos e konsideroj sukses agjërimin si adhurim por ta marrë atë si mjet për realizimin e një tjetër objektive madhore, asaj të kënaqësisë së Allahut të Madhëruar. Dua të jem prej atyre:
1) Që kanë zemër të pastër. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] qe pyetur për njeriun më të mirë ndërsa pati dhënë këtë përgjigje: “Çdo zemërpastër dhe fjalëmirë (folës i së vërtetës). Këtë të parin po e dimë por ky zemërpastri kush është? – e pyetën. Tha: Është i devotshmi, i pastri, ai që nuk ka mëkate, nuk është mizor, nuk ka smirë dhe zili.” (Hadithin e transmeton Ibni Maxheh ndërsa Albani e vlerëson autentik.)
2) Dua ta largoj koprracinë dhe t’i ndihmoj njerëzve aq sa kam mundësi. Dua që Allahu të jetë në ndihmën time ashtu siç ka thënë Muhammedi [alejhis salatu ves selam]: “…Allahu është në ndihmën e robit për aq kohë sa ai është në ndihmën e vëllait të tij…” (Muslimi dhe Ibni Maxheh)
3) Dua t’i fal namazet përherë në kohë dhe në xhemat.
4) Dua të agjëroj të hënave dhe të enjteve.
5) Dua që Allahu të mburret me mua. Ky duhet të jetë qëllimi final. Dhe kjo arrihet nga lidhja e besimtarit me adhurimet. Imam Muslimi transmeton në Sahihun e tij nga Seid el-Hudrijj: “Muaviu shkoi tek një grup burrash në xhami dhe (duke qenë se nuk ishte kohë namazi) i pyeti: Çfarë iu bënë të qëndroni këtu? Po e përkujtojmë Allahun – iu përgjigjën? Pashë Allahun a vetëm për këtë gjë po qëndroni? Pasha Allahun nuk kemi synim tjetër – iu përgjigjën. Muaviu tha: Sa më përket mua, nuk iu bëra be pse dyshova në ju dhe nuk ka njeri që ka një pozitë (të afërme) te Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] e që ka transmetuar hadithe më pak se unë, por (ajo që desha tua them është se) Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] shkoi një ditë në xhami dhe pa një grup të shokëve të tij, të cilët i pyeti: Çfarë iu bënë të qëndroni këtu? Jemi ulur këtu ta përkujtojmë Allahun dhe ta falënderojmë për se na udhëzoi në Islam dhe na begatoi me të. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] iu tha: Pashë Allahun, a nuk keni ndonjë qëllim tjetër nga ky qëndrim juaji në xhami? Pasha Allahun nuk kemi synim tjetër – iu përgjigjën. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] iu tha: Sa më përket mua, nuk iu bëra be pse dyshova në ju por më erdhi Xhibrili dhe më njoftoi se Allahu mburret me ju para melaikeve!”
Vëlla dhe motër!
Dua për një çast të ndaleni dhe të mendoni për atë se çfarë d.t.th. të mburret Allahu me ty! Paramendoni, nëse në këtë botë arrini një titull shtetëror, ta zëmë për ndonjë kontribut me vlerë shteti duke qenë gjallë iu jep privilegje që nuk ua mbyllin derën askund, por privilegji i mburrjes së Allahut me ty mendon se nuk të hap të gjitha dyert?! A mund ta përjetosh atë se si është që Allahu të jetë i kënaqur me ty dhe të mburret me veprën tënde para melaikeve. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Ebu Hurejre se Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë: “Kur Allahu ta dojë një rob, e thërret Xhibrilin: Allahu e do filanin andaj duaje dhe ti!, kështu që edhe Xhibrili e do ndërsa thërret edhe banorët e qiellit: Allahu e do filanin andaj dojeni dhe ju! Edhe ata e duan. Pastaj, dashuria për atë rob hedhet edhe në banorët e tokës!”
Përmbyllje
Të nderuar vëllezër dhe motra!
Mospjesëmarrja në Ramazan ndëshkohet (konsiderohet mëkat ndër më të mëdhatë) ndërsa pjesëmarrësi që lëshon rastin pa fituar llogaritet i dobët. “…dhe i përulur (nënçmuar) është ai që Ramazani vjen dhe shkon tek ai ndërsa atij nuk i falen mëkatet…” (Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e konsideron hadithin autentik.)
Tashmë që kanë mbetur vetëm ca javë pa ardhur Ramazani, ta lusim Allahun e Madhëruar të na mundësojë arritjen e këtij muaji dhe të mos na privojë nga mirësitë e tij! Amin!


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013