Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
PËRSIATJE RRETH DIAGNOSTIFIKIMIT TË SËMUNDJES SË UMMETIT

Ngjarjet e fundit në Egjipt dhe Turqi kanë shfaqur një tablo dëshpëruese të forcave politike dhe intelektuale të Ummetit. Është për keqardhje deri në ç’nivel kanë arritur fërkimet ndërmjet këtyre forcave, saqë edhe çështje, që janë elemente bashkimi, anashkalohen kur grupi ose partia të jenë në pyetje. Lexoja shkaqet e fërkimit ndërmjet kryeministrit R. T. Erdogan dhe Fethullah Gulenit ndërsa përjetoja një trishtim. Nuk mund t’i besoja vetes se si urrejtja ndërmjet atyre që thonë se kanë një qëllim mund të jetë kaq e madhe.

Sikur kjo nuk mjaftoi për të parë një imazh tjetër të kësaj urrejtjeje por kësaj radhe në Egjipt. Derisa mbahej një seminar nga Partia Nur, e cila ka ndërtuar një qëndrim shumë kundërthënës përkitazi me zhvillimet politike në Egjipt, një i ri, që kishte të veshur një bluzë me mbishkrimin “RABIA”, shenjë kjo që simbolizon rezistencën kundër pushtetit të puçistëve ushtarakë, kishte hyrë në xhami ku po mbahej seminari dhe kishte filluar të falte namaz. Dikush nga aktivistët e tërhoqi zvarrë dhe e nxori prej xhamie. E kuptoj se ishte një provokim i llojit të vet por, nëse veç kishin ndërmend ta nxirrnin nga seminari, atëherë do të duhej të pritnin derisa ta mbaronte namazin. Reflektimi i këtij veprimi ishte tejet zhgënjyes. Nuk do të duhej t’ia prishin namazin.

Këto ngjarje më shtynë që të bëj një analizë të shkurtër fetare sa i përket shkakut të problemeve të Ummetit. Më konkretisht, do të mundohem ta thjeshtësoj këtë gjë nëpërmjet hulumtimit për përgjigjet e dy pyetjeve që paraqesin boshtin e kësaj katrahure që ka mbërthyer botën islame në përgjithësi. Respektivisht, në fokus do ta kam diskutimin për atë se mungesa e cilëve elemente është shkak i problemeve të myslimanëve.

A është mungesa e ithtarëve të shumta dhe resurseve natyrore, apo ka shkaqe tjera?

Pas diskutimit, në konkluzë, do të sjellim atë që ne e shohim si shkakun kryesor të kësaj gjendjeje.

1. A vuan Ummeti mungesën e ithtarëve?

Në paralajmërimet profetike, ndër tjera, hasim edhe në atë se muslimanët do të jenë shumë në numër. Ebu Davudi shënon nga Theubani [Allahu qoftë i kënaqur me të!], se i Dërguari i Allahut [Paqja dhe mëshira qofshin mbi të!] i ishte përgjigjur me “...Jo, ju atëbotë do të jeni shumë...”([1]) kur ai e pati pyetur në ishte shkak i dobësimit të myslimanëve shifra e vogël e tyre.

Kjo gjë është vërtetuar edhe në statistika të ndryshme. Muslimanët sot numërojnë më shumë një miliardë e gjysmë të banorëve të planetit ndërsa, sipas një hulumtimi të bërë nga Pew Research Center’s Forum on Religion & Public Life për pritjet e shtimit të popullsisë së botës ndërmjet viteve 2010-2030, muslimanët në vitin 2030 do të jenë 2.2. miliardë njerëz([2]).

Muslimanët sot llogariten ithtarët me numrin më të madh të ndonjë feje. Këtë gjë e ka thënë edhe Vatikani në një deklaratë të lëshuar më 30.03.2008, ku, duke folur për ngritje-rëniet e feve, llogarit se në nivel botëror 19.2% janë myslimanë derisa katolikë janë 17.4%([3]).

Pra, nuk mund t’i faturohet kjo gjendje këtij elementi.

Sigurisht, kjo ka bërë që edhe resursi njerëzor, si një nga faktorët kyç në zhvillimet e mëdha ekonomike të mos mungojë. Ummeti, falënderuar qoftë Allahu, ka në gjirin e vet profesionistë dhe ekspertë të çdo fushe. Tarik Suvejdan thotë se në botën islame vetëm në shkencat fetare, më konkretisht në sheriat (të drejtën islame), diplomojnë çdo vit 50.000 studentë. Vetëm në Universitetin Islamik në Medinë që nga themelimi kanë diplomuar 60.000 studentë nga gjithsej 200 vende të ndryshme të botës([4]). Janë po kështu edhe dhjetëra e qindra mijëra të tjerë që diplomojnë çdo vit në fusha jofetare.

2. A janë të varfër muslimanët?

Ose, a është varfëria shkak i dobësisë së tyre?

Natyrisht se nuk është.

Imam Ahmedi shënon në Musned se Pejgamberi [Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!] ka thënë se nuk ka frikë për ne varfërinë, por pasurinë([5]).

Revista amerikane Forbes në vitin 2010 Katarin e ka zgjedhur si vendin më të pasur në botë. Ndërsa në listën prej dhjetë vendeve më të pasura, në pozitat 5 dhe 6 janë Brunei Darussalam dhe EBA.

Arabia Saudite disponon me rezervat më të mëdha në botë të naftës derisa vendet tjera disponojnë me resurse që një mirëshfrytëzim i tyre do t’i bënte të pasura.

Kësisoj, as varfëria nuk është shkak.

Konkluza

Atëherë, ku qëndron problemi?

Cili është shkaku?

Pejgamberi [Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!] ka folur për këtë gjë. Është një defekt i brendshëm. Në të vërtetë, është sëmundje. Imam Muslimi shënon në Sahihun e tij nga sahabiu i nderuar Sa’d ibni Ebi Vekkasi se Pejgamberi [Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!] ndonëse e kishte lutur Allahun që ummetin e tij të mos e sprovonte me përçarje dhe kundërshtime, lutja e tij nuk qe pranuar.

Pra, ummeti vuan nga kjo sëmundje.

Ajo që ka dërrmuar ummetin është kjo, përçarja.

Përçarja e cila kalon kufijtë e normales duke prodhuar wdhe urrejtje ekstreme.

Nëse unë urrej një parti, nuk do të urrej nismat e saja që janë plotësisht fetare.

Më duket sikur këtij hadithi i janë qasur për të mësuar se duhet përçarë e jo për të kuptuar se ajo është sëmundja jonë. Janë njerëz që veprojnë me konceptin e asaj që unë e quaj ‘mentaliteti i pakicës’ ndërsa kam për qëllim ata që duke synuar mbajtjen e fesë, përjashtojnë të tjerët prej saj. Sikur drejtimi i tyre është vet feja. Kanë harruar se hadithi vetëm përshkruan gjendjen si do të jemi ndërsa, ruana Zot, të ftojë në përçarje. Ata që e interpretojnë për përçarje le ta dinë se kanë shpifur ndaj të Dërguarit të Allahut [Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!]. Kësisoj do të akuzohej feja për përçarje ndërsa Kur’ani na kërkon që t’ia njohim meritat për bashkimin tonë. Ka qenë Kur’ani ai që na ka bashkuar ndryshe nuk do të bashkoheshim.

“Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kur'anin) e All-llahut, e mos u përçani! Përkujtojeni nimetin e All-llahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit fenë islame) ishit të armiqësuar, e Ai i bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntinë e Tij aguat të jeni vëllezër. Madje ishit në buzë të greminës së xhehennemit, e Ai ju shpëtoi prej tij. Po kështu All-llahu ua sqaron juve argumentet e veta që ju ta gjeni të vërtetën e lumtur.“ (Ali Imran, 103); “Dhe Ai është që bashkoi zemrat e tyre. Edhe sikur ta shpenzoshe gjithë atë që është në tokë, nuk do të mund t'i bashkoje zemrat e tyre, por All-llahu bëri bashkimin e tyre, pse Ai është i gjithëfuqishëm, i urtë.“ (El-Enfalë, 63)

Pra, feja qenka ilaçi.

Kur’ani dhe Sunneti qenkan bari shërues.

Nëse duam dhe pretendojmë Islam, le t’i kthehemi këtyre dy burimeve, në të cilat mësojmë se përçarja është sëmundje ndërsa bashkim ilaç.

O Zoti ynë, ne nuk kemi çfarë të bëjmë më shumë se sa me përulësi dhe zemër të thyer të ngrijmë duart kah qielli e të të lusim t’i bashkosh muslimanët!

-----------------------

[1] Albani në Sahihu Suneni Ebi Davud, nr. 4297, e vlerëson autentik.

[2]http://www.pewforum.org/2011/01/27/the-future-of-the-global-muslim-population/

[3]http://uk.reuters.com/article/2008/03/30/uk-vatican-muslims-idUKL3068682420080330

[4] http://www.okaz.com.sa/new/Issues/20131114/Con20131114654633.htm

[5] Hadithin e transmeton nga Ebu Hurejre. Shih: 15/214. Ahmed Shakiri dhe Albani e vlerësojnë hadithin autentik.


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013