Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
RRËFIME NGA PASTRUESIT E KUFOMAVE

I
Erë kundërmuese
Era kundërmonte rëndë madje kaploi të gjitha anët e dhomës...Këtu u bindëm se kjo është shenjë e...por megjithatë u munduam ta kryejmë pastrimin e kufomës.
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Falënderimet i takojnë Allahut ndërsa përshëndetjet qofshin mbi Muhammedi, familjen, shokët dhe të gjithë pasuesit e tij!
Do t’ua rrëfej një ngjarje që më pati ndodhur gjatë pastrimit të një të vdekuri, për të cilin e lus Allahun ta ketë mëshiruar dhe falur sikur që e lus të ma mundësojë rrëfimin e drejtë të kësaj ndodhie.
Ditën e martë, pas mesnate, telefoni cingëroi. Na ka vdekur një i afërm dhe duam ta pastrosh ti- me foli një njeri, që nga zëri vërehej se ishte i ri. Pasi ma përshkroi vendin e banimit u nisa Kur mbërrina i ngushëllova dhe bëra një pyetje, që normal, e bën çdo pastrues: I vdekuri ka qenë apo jo prej atyre që falnin namaz? A e di përse e bëra këtë pyetje? Ngase i vdekuri, nëse nuk ka falur namaz, atij nuk i pastrohet kufoma, nuk qefinoset, nuk i falet namazi i xhenazes dhe nuk varroset në varrezat e muslimanëve. Mu për këtë, bindu se ditën kur do të vjen pastruesi i kufomës sate do ta bëjë këtë pyetje. Njëri prej djemve të tij tha: Po, ai madje edhe kishte një vend të caktuar në xhami. Hyra ta pastroja me një ndihmës. I vdekuri ishte i moshuar dhe kishte kaluar të 60-tatë. Filluam pastrimin: I dhamë abdes por sikur punën tonë për pak çaste e bllokoi një erë e rëndë e cila doli nga trupi i të vdekurit. Para tij pata pastruar shumë veta por nuk më ka ndodhur që nga një i vdekur të kundërmon një erë e tillë e rëndë. Vërtet ishte shumë e rëndë.
Ndoshta është era e asaj që i del nga barku- më tha ndihmësi.
Thashë: Po, por...Era kundërmonte rëndë madje kaploi të gjitha anët e dhomës...Këtu u bindëm se kjo është shenjë e...por megjithatë u munduam ta kryejmë pastrimin e kufomës. E pastrova me kafur, një lëndë me erë të këndshme, e cila largon erërat e këqija por kot. Pas përfundimit të pastrimit e parfumova me ud (lloj parfumi), jo vetëm në pjesët me të cilat ka bërë sexhde por tërë trupin, dhe prapë, era nuk dinte të ndalur. Dola nga dhoma e pastrimit dhe vërtet ndihesha keq. Njëri nga të afërmit e tij, që nga pamja shihej se ishte i devotshëm, më dha një kupë ujë dhe me pyeti: A vërejte ndonjë shenjë?????
Kjo pyetje edhe më shtoi bindjen time se ky njeri paska patur një rrëfim por cili është as unë nuk e di madje as nuk pyeta.
Mirë, inshaAllah, mirë- u përgjigja. Ai do të shkoj atje me atë që ka përgatitur...
Imagjinoni vëllezër dhe motra që ndonjëri prej nesh të jetë sikurse ky plak, a do ta dëshironim këtë për vete?! Nëse nuk kemi dëshirë, gjë që unë e di për secilin prej nesh, atëherë le të nxitojmë para se të na paraprijë caktimi i Allahut duke e lutur Atë që vdekja jonë të jetë vdekje e mirë!
II
O ju që keni lënë namazin, dëgjoni!
O ti që ke braktisur namazin, a ke dëshirë të vdesësh në këtë mënyrë?
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Falënderimet i takojnë Allahut ndërsa përshëndetjet qofshin mbi Muhammedi, familjen, shokët dhe të gjithë pasuesit e tij!
Lexues i nderuar,
Ja ne prapë takohemi për të kaluar çaste në rrëfimin e disa përjetimeve që pata gjatë pastrimit të kufomës së një të vdekuri. Paraprakisht duhet ta dini se këto ngjarje nuk ua rrëfej që kohën tuaj ta kaloni duke dëgjuar apo lexuar “ngjarje të çuditshme”. Jo, dhe pasha Allahun, sikur të ishte për qëllime të tilla kurrë nuk do t’i shkruaja. Këto ua transmetojmë që të merrni mësim dhe të këshilloheni ngase i lumtur është ai që këshillohet nga ndodhia e tjetrit dhe i dëshpëruar e i humbur është ai, që nga ndodhia e tij marrin mësim të tjerët.
Kah ora 11 e mbrëmjes më telefonoi një i ri se djali i tezes kishte vdekur në një aksident trafiku dhe se kufoma e tij tani ishte në spital. Pas pak arrita në spital dhe pashë se nga ndodhia e aksidentit e deri tani nuk kishte kaluar as një orë e plotë. Kur hyra në dhomën e emergjencës pashë trupin e tij të shtrirë të mbuluar me një çarçaf të bardhë. Ia hoqa çarçafin dhe pashë si ai ishte një djalosh që nuk kishte kaluar të 18-tatë ende. Ishte në rininë e hershme.  Në tru kishte një hemorragji (derdhje gjaku) të madhe dhe kishte shumë gjymtyrë të thyera. Filluam procedurën e pastrimit shumë shpejt pasi që mjeku na këshilloi për një gjë të tillë ngase hemorragjia me gjasë, pas ftohjes së trupit, do të rritej. Filluam pastrimin por gjatë pastrimit iu shfaq një shenjë, e cila lëndoi zemrën dhe e shqetësoi shumë atë. Për Zotin o vëllezër dhe ju motra, prej pjesës së lartë të krahut e deri mbi kokë, në pjesën më të lartë të saj, ngjyra e trupit i ndryshoi. Nuk ishte e zezë. Ishte tamam si një re, hije. Që ta kuptosh më mirë ngjarjen, dorën tënde largoje nga tastiera dhe do ta vëresh qartë dallimin e shndritjes në mes vendit ku e pate dorën dhe pjesës tjetër të tastierës. Këtë e kam për qëllim…Fytyrën e kishte të mërrolur…Pas pastrimit ia falëm xhenazen këtij djaloshi dhe e dërguam në varreza. Isha i pari që zbrita në varr ta pastroj sipërfaqen e poshtme dhe t’ia largoj gurët. Vet unë e pastrova atë pjese por shikoni, vëllezër dhe motra, unë vet e pastrova atë pjese, por Pasha Allahun filloi të shfaqet një pamje tmerruese. Filluan disa krimba të vegjël t’ia mbulojnë trupin. Nuk di nga dilnin, sigurisht se prej trupit të tij jo. Fillova t’i largoj me dorën time por pa dobi; e largoja një hipte mbi të tjetri. E lamë në varr ashtu dhe e mbuluam me dhe. Pas ca ditësh më erdhi në xhami një djalosh i ri, i cili ishte musliman i mirë dhe më pyeti: A ti e pastrove filanin? Thashë: Po. A vërejtje diç të pazakonshme?- më pyeti. Jo, përveç gjërave të mira asgjë tjetër nuk pashë- ia ktheva. Më tha, dëgjoni vëllezër dhe motra, më tha se ai nuk falte namaz. Ai falte një farz e linte shumë sosh…Thashë në vete: Ky qenka shkaku i krimbave....E lus Allahun ta ketë falur dhe mëshiruar!
O ju që keni lënë namazin, mendoni!
O ju që keni lënë namazin dhe kaloni kohen pranë TV-së, internetit apo lojërave të ndryshme, a keni dëshirë të vdisni në këtë mënyrë?
A doni një përfundim të tillë? Shpejto vëlla e pendohu ngase do të vijë dita kur do të ndiesh keqardhje dhe pishmanllëk por do të jetë tepër vonë…
III
Nga fytyrëngrysuri në të buzëqeshur
Nuk dua t’ua marrë kohën tuaj, dua të kthehem e tua rrëfej një tregim prej atyre që përjetova dhe përjetojmë zakonisht në dhomat e pastrimit të kufomave…
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
E lus Allahu që mua dhe ju të na bashkojë në Xhennetet e Firdevsit!
Nuk dua t’ua marrë kohën tuaj, dua të kthehem e tua rrëfej një tregim prej atyre që përjetova dhe përjetojmë zakonisht në dhomat e pastrimit të kufomave…
E fala namazin e drekës dhe u nisa për në shtëpi. Gjatë rrugës një djalosh i ri më njoftoi në celular se babai i tij kishte ndërruar jetë dhe se ai tani gjendej përpara vendit ku bëhet pastrimi i të vdekurve. E ndërrova drejtimin dhe kur arrita atje një pamje i shkaktoi dhimbje zemrës sime. Një grup vëllezërish në një veturë të vjetër ndërsa i vdekuri ishte i vendosur aty. Më erdhi keq shumë se si nuk patën mundësi ta siguronin një veture pakëz më të mirë për ta sjellur babain e tyre me të. Ata nuk më njoftuan më herët që ta merrja kufomën me veturën e pastrimores sonë. E futëm në dhomën e pastrimit dhe krahas dy djemve të rinj që sapo kishin filluar të merreshin me këtë punë, kërkoi edhe njeri nga bijtë e tij të na bashkëngjitej gjatë pastrimit. Kur ia zbuluam kokën pashë se i vdekuri ishte burrë afër përfundimit të 50-tave. Në fytyre vëreheshin qartë mundimet dhe dhimbjet e agonive të vdekjes. Fytyrën e kishte të mërrolur ndërsa dhëmbët e tij të sipërme kishin kafshuar fort buzën e tij të poshtme.  E pastruam këtë kufomë dhe pas përfundimit e pyeta të birin e tij: A dëshiron dikush ta përshëndes kufomën para se ta mbulojmë me qefin fytyrën e tij? Jo, kryeje qefinosjen e tij,  ndoshta e zëmë namazin e ikindisë,- u përgjigj ai. Befasisht një e trokitur në derë. Ishte njëri prej djemve të tij që jetonte në një qytet tjetër. Ai deshi ta shikonte babain për herë të fundit. Ia shpalosa fytyrën kësaj kufome por një befasi e këndshme nga pamja e këtij të vdekuri, që asnjëri prej nesh nuk do ta kishte imagjinuar. Dy djemtë që me ndihmonin kishin hyrë neë dhomën e ndërrimit të rrobave. I vdekuri që shpalosa fytyrën e tij thuajse nuk ishte ai që më parë pastrova. Kishte ndryshuar tërësisht. Fytyra, nuk ishte ajo që thashë më herët se ishte e mërrolur me dhëmbë që kishin kafshuar buzën e poshtme, jo, në fytyrën e tij vërehej buzëqeshja, dhëmbët i ishin kthyer ashtu siç ishin, madje nga buzëqeshja dukeshin të gjithë. Fytyra e tij tashme reflektonte fytyrën e një njeriu të qetë, të rehatuar dhe të kënaqur. Bërtita me zërin tim më të lartë: Allahu Ekber (Allahu është më i madhi) dhe e putha në ballë këtë të vdekur. I thirra dy ndihmësit dhe iu thashë: A është ky i vdekuri që e pastruam më herët?! I pari brohoriste: Allahu Ekber (Allahu është më i madhi) ndërsa i dyti nuk mundi ta përmbante veten nga lotët.  Vërtet ky është një nder i madh dhe shenjë për një sinqeritet të pranuar. Pyeta për të dhe gjendjen e tij? Sa e mirë që ishte: namaz, agjërim, djalë që kishte mësuar Kur’anin përmendësh dhe tani ishte mësues i Kur’anit...Ky burrë i vdekur vazhdimisht e kishte nxitur dhe stimuluar këtë djalë për mësim të Kur’anit dhe materialisht e kishte përkrahur gjithnjë.
E lus Allahun t’ia lartësoj gradat dhe neve së basku me të të na ringjalle në shoqëri të krijesës më të pastër, Muhammedit, alejhi’s  selam!
IV
Muzika...
Kthehemi prapë tek ju që së bashku të hyjmë në atë dhomë prej së cilës frikësohen shumë veta. Prej njerëzve, ka madje që frikësohen edhe t’i afrohen asaj. Kësaj radhe do t’ua rrëfej një tregim interesant. Një tregim prekës deri në pikë të fundit. Isha udhëtar për në Taif dhe pak para udhëtimit kujdestari i pastrimores së kufomave më telefonoi:
Ku je?
Jam në shtëpi dhe po bëhem gati të udhëtoj- ia ktheva.
Shko, Allahu të bekoftë- më tha.
A ka ndonjë lajm?- e pyeta.
Tri kufoma do të sillen pas pak ngase ka ndodhur një ndeshje në trafik.
Do të vij edhe unë- i thashë.
Jo, mos eja- më tha. U nisa për në Taif por ende pa e lëshuar Xhidden dikush më telefonon. Ishte prapë kujdestari.
Es selamu alejkum!
We alejkumus selam!- ia ktheva.
Patjetër duhet të kthehesh ngase çështja qenka tepër problematike- më kërkoi. Pas gjysmë ore arrita dhe kufomat ende nuk kishin arritur. Pas pak erdhi vetura. Djaloshi që voziste dhe ndihmësi i tij ishin të shokuar…Kjo nuk ka ndodhur më parë. Vetura ishte e pajisur me kondicionim të fortë që pengonte daljen e erërave jashtë. Erdhi vetura dhe u hap dera. Ishin tri kufoma të meshkujve. Po i quaj të meshkujve ashtu siç na treguan ndryshe nga aksidenti nuk dallohej gjinia.
I futëm brenda. Ishim pesë veta dhe i ndamë kufomat për pastrim. Kujdestari dhe një ndihmës morën një kufomë, dy të rinjtë dhe një ndihmës morën një kufomë ndërsa robi i varfër i Allahut, unë, vetëm, e morra kufomën e tretë. Rasti im ishte më i vështiri. Trupi ishte ndarë në tri pjesë: gjoksi, barku dhe këmbët. Në fillim u mundova t’ia heqja rrobat por nuk munda. Përveç pjesës së kofshës asgjë nuk kishte mbetur. Nuk munda t’ia zhvesh rrobat. Nga beli nuk dilnin assesi pantallonat. Pas disa përpjekjeve dhe prerjes se rripit i tërhoqa pantallonat. U mundova ta largoj mishin por diç, diç, diç ishte e varur-lidhur në xhepin e majtë. Ishte diç brenda xhepit dhe eshtrave të thyer që kishte depërtuar në mes të trupit. Me vështirësi e nxora kur ja kjo gjë ishte: Kasetë me muzikë. Kjo gjë ishte kapur për xhepit të majtë në trup dhe brenda trupit ishte shkatërruar. Gjaku i tij ishte përzier me shirit të kasetës. Pasha Allahun, shiriti i kasetës kishte mbështjellur zorrët në mënyrë të frikshme. Zemra ime filloi të rrahë fuqishëm. O Allah, çfarë përfundimi është ky?! Vdes ndërsa kaseta me muzikë është në xhepin e tij! Shiriti i ishte ngjitur për eshtrave dhe i ishte mbështjellur mishit dhe zorrëve. O Zot, çfarë përfundimi është ky?! Me vështirësi arrita ta nxjerri këtë shirit ndërsa lotët kishin vërshuar sytë e mi. Gjatë tërë kohës së pastrimit thosha: O Allah, fale këtë të vdekur, o Allah përfundimin tonë bëje të mirë!
O vëllezërit e mi!
O ju që dëgjoni muzike ditë e natë, a nuk keni frikë që të zbresë tek ju meleku i vdekjes ndërsa ju jeni në këtë gjendje? A nuk keni frike të vdisni duke dëgjuar muzikë? A mos iu ka mashtruar afatizimi i Allahut e ju tash bëni mëkate haptazi. O Allah, sa i butë që je! Pendohu para se të dyluftojë vdekja ngase asaj nuk mund t’i besh ballë. Këtë të ri nuk e priti vdekja derisa ta largoj kasetën prej xhepit të vet. Allahu e di se çka ka dëgjuar ai para vdekjes së tij.
E lusim Allahun për ne dhe juve falje e shpëtim!
V
Vdekja e Imamit të Qabesë
Si të mos pikëllohet zemra dhe si të mos lotojë syri kur unë po e pastroj imamin e Qabesë së Shenjtë?!
I pastër qoftë Ai, që e nderoi të gjallë dhe të vdekur!!!
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
12 Dhu’l Ka’deh 1426 (sipas hixhrit)
Ora dhjetë e natës. Në telefon më arriti lajmi i vdekjes së Dr. Ali Xhabirit…Namazi i xhenazes do t’i falet pas ikindisë në varrezat fejsalije…Befasi e pakëndshme. Imami i Qabesë, i cili për 9 vite me radhë me zërin e tij të ëmbël përshkonte anët e shtëpisë së Allahut. Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi! O Zot më shpërble për fatkeqësinë time dhe më dhuro të mira pas saj! E luta Allahun me tërë qenien time që të më begatonte me mundësinë për pastrimin e tij! Por unë nuk kisha asnjë informacion se ku është trupi i tij tani. Pas shkëmbimit të disa informacioneve me disa vëllezër kuptova se trupi i pajetë i imamit gjendej në një spital të veçante. Kishte vdekur afër orës nëntë të mbrëmjes dhe e kishin vendosur në morg. U dakorduam me bijtë e tij rreth pastrimit por ata kishin rënë në hall ngase shumë hoxhallarë kishin kërkuar të nderoheshin me këtë gjë.
U ndieva keq shumë por e luta Allahun për hoxhën dhe fatbardhësisht Allahu ma plotësoi duanë. Në mëngjes, në ora tetë, erdhi një lajm sihariques. Abdullahu, djali i hoxhës, më informoi se kishin pajtuar që unë ta pastroja kufomën. Nxitova në drejtim të spitali. Tërë personeli mjekësor ishin tubuar tek morgu që të merrnin pjesë në bartjen e hoxhës deri tek dhoma e pastrimit. Kah ora nëntë filluam pastrimin. Abdullahu, unë dhe një pastrues. Dëgjo, hoxha ishte i shtrirë dhe askush përveç ne të treve nuk ishte në dhomë. Ishte shtatlartë por për Zotin kur e bartëm u çuditem ngase ishte shumë i lehtë. Shikuam njeri tjetrin me habi. Si ka mundësi një burrë trupmadh të jetë kaq i lehtë?! Nuk është kjo këshilla. Nuk është ky mësimi që merret nga ky tregim. Kur filluam t’ia zhveshim rrobat pamë se trupi i tij ishte normal dhe thuajse nuk kishte hyrë fare në frigorifer (morg). Trupi i tij nuk ishte i ngrirë. Ishte vetëm një ftohje normale që kap një të vdekur i cili nuk hyn fare në morg. As këtu nuk është këshilla e mësimi. Kur ia zbuluam fytyrën pame një buzëqeshje impozante. I thashë birit të tij, Abdullahut: Shikoje këtë buzëqeshje! I rrodhën lot nga sytë. As këtu nuk është këshilla e mësimi.
Prej përvojës sime shumëvjeçare në pastrimin e kufomave kam vërejtur se nëse trupi hyn në morg dhe qëndron dy orë ai ngrihet madje në disa raste në trup gjenden edhe pjesë të akullta që shkrihen pas nxjerrjes. Nëse e vendos dorën tënd mbi bark të të vdekurit mendon se e ke vendosur në ndonjë pllakë të ftohte të qelqit....Por me hoxhën ndodhi e kundërta. Ai qëndroi në frigorifer plot 12 orë dhe kur ia kapa dorën ajo lëvizte normal. E shikova ndihmësin tim dhe ai filloi t’ia kap dorën tjetër, e cila po ashtu lëvizte normal. Më shikonte i mahnitur. Abdullahu i qëndronte tek koka. Kur ka hyrë në frigorifer?- e pyeta. Mbrëmë kah ora nëntë e mbrëmjes- mu përgjigj. Allahu Ekber (Allahu është më i madhi)- bërtita me zë të lartë. Është prej gjërave më interesante që më kanë ndodhur. Të qëndrojë 12 orë në frigorifer dhe të mos ngrihet aspak kjo vërtet është mahnitëse! Abdullahu dhe ne të dy qamë.
E falëm namazin e drekës në xhami e më pas e bartëm kufomën në drejtim të vendit, që zemra e tij ishte shumë e lidhur me të. E bartëm tek vendi ku njerëzve iu printe si imam. E bartëm tek vendi prej te cilit e njohu bota mbarë. E dërguam tek Qabeja. Nuk do t’iu rrëfejë për grumbullin e njerëzve. Nuk do t’iu tregoj për turmën e madhe teë atyre qeë përcollën veturën e bartjes se kufomës. Nuk do t’ua përshkruaj kohen e gjatë që bëmë në rrugë për shkak të kallaballëkut. Nuk do t’iu flas për shumë lot që pamë. Të gjithë luteshin për hoxhën. Në varrezat zyrtare ishte varri i tij. Varrezat ishin përplot policë që rregullonin dhe ruanin rendin në trafik. Allahu të mëshiroftë o Dr. Ali b. Abdullah Xhabir! E lusim Allahun e Madhëruar që hoxhën tonë të nderuar ta dërgojë në fqinjësi të sahabeve dhe të krijesës më të respektuar, Muhammedit, alejhi’s selam në Xhennetet e Larta!
VI
Muslimane e vërtetë!
Tregimi që sot do t’ua rrëfej ka një karakter tjetër. Shkakun sigurisht se do ta mësoni. Një djalosh që e njoh mirë më thirri në telefon derisa isha në orar të punës, më përshëndeti me selam dhe më tha: A je i zënë në punë?
Po- ia ktheva.
Mbesa ime (vajza e vëllait) pak kohë më parë vdiq. Duam që të vish.
Menjëherë po nisem- iu përgjigja.
Në cilin spital jeni?
Nuk jemi fare në spital- mu përgjigj.
Atëherë po vij në shtëpinë tuaj- i thashë.
Jo, jo, as në shtëpi nuk jemi- më tha.
Ne rregull, atëherë ku është kufoma e vajzës?- pyeta i habitur.
Ne jemi në qendrën e mësimit të Kur’anit përmendësh për femra.
Me zërin më të larte bërtita: La ilahe il-la Allah, Vallahu ekber! (Nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush përveç Allahut! Allahu është më i madhi!)
Shkuam në objektin tonë të pastrimit të kufomave, e morra ambulancën dhe u nisëm drejt kësaj qendreje. E morëm kufomën dhe u nisëm drejt spitalit (ku pastrimin do ta bëjë ndonjë grua). Gjatë rrugës mësova tregimin e saj. Dëgjojeni këtë tregim që të merrni mësim prej tij. Ishte një vajzë e re, që kishte një martesë katër vjeçare. Allahu nuk e kishte begatuar me fëmijë. Ishte vajzë me moral dhe fetare e madhe. Kishte pak ditë që vuante nga anemia. Këtë ditë, ajo së bashku me burrin e saj u ngritën para namazit të sabahut. Burri i saj ishte imam xhamie. Kur u kthye pa se gruaja e kishte shtruar mëngjesin. Pas ngrënies dhe para se burri të shkonte në punë, gruaja kërkoi që të shkonte në qendër të mësimit të Kur’anit përmendësh.
Sot dukesh e lodhur, lëre e shkon ndonjë ditë tjetër- i sugjeroi burri.
Ajo refuzoi dhe nguli këmbë që atje të shkonte.
I dha leje.  
Shkoi atje dhe hyri në test ditor të asaj që kishte mësuar përmendesh. A e dini se sa faqe të Kur’anit testonte për çdo ditë?A e dini se sa ishte obligimi i saj ditor për përsëritje në këtë qendër? Ishte një xhuze i plotë. Ku janë burrat, djemtë dhe gratë tona sot?
Nxënëset u ngritën ta falin namazin e duhasë. Pas namazit ajo ndiente një rëndim në frymëmarrje. U tubuan rreth saj mësueset dhe e dërguan në dhomën e tyre. I telefonuan burrit të saj, i cili erdhi me shpejtësi. Ajo ndiente dhimbje. A të dërgojmë në spital?- e pyeti burri.
Jo- u përgjigj.
Atëherë po e sjellim një mjek këtu- sugjeroi.
Jo, unë po vdes tani-shtoi ajo.
Pas pak ajo kaloi në fqinjësi të Allahut të Madhëruar. Ajo vdiq pas faljes së namazit të sabahut në kohën e tij. Ajo vdiq me Kur’an në dorë. Ajo tha përmendësh një xhuz (pjesë) të tërë. E fali namazin e duhasë e më pas e dorëzoi shpirtin e saj tek Allahu.
O Allah, sa vdekje e mirë! O Zot, sa përfundim i mirë! Kush prej nesh nuk ka dëshirë një vdekje dhe përfundim të tillë?!
Allahu nuk begaton me një vdekje të tille askënd përveç atyre që vepruan sikur ajo motër jona. Shikoje punën tënde që ta dish se si do të jetë fundi yt. O ti që dëgjon muzike, o ti që konsumon alkool, o ti që han nga pasuria haram, a ke dëshirë që të vdesësh me këto gjëra? Nëse jo atëherë ndërro rrjedhën e veprave tua që Allahu ta ndërroj fundin tënd.
Allahu të mëshiroftë oj motër dhe të begatoftë me Xhennetet e Tij dhe në fqinjësi të të dashurit të Tij, Muhammedit, alejhi’s salatu ve’s selam!
Amin! Amin! Amin!

Burimi: www.twbh.com
Përshtati në shqip: Sedat G. ISLAMI
31 tetor 2007, e mërkurë
Vushtrri, Kosovë


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013