Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
NUK ËSHTË TOLERANCA POR DISKRIMINIMI AI QË ZBULON VIZITA E PAPA FRANÇESKUT

Përshkrimet në superlativ të vizitës së Papës në Shqipëri javën që lamë pas nuk munguan. Në të vërtetë, që para ardhjes së tij, vizita interpretohej me efekte magjike. Ndonëse qe paralajmëruar si vizitë fetare dhe ashtu edhe u realizua, gjithnjë sipas protokollit të Vatikanit, në Shqipëri, jo që vizitës i dhanë dimensione krejtësisht tjera, porse pati edhe përshtypje të formuluara në formë të ideve për nisma politike, që vërtet të habisnin për nga pesha e marrëzisë që bartnin. Mesila Dode, deputete nga radhët e demokratëve, propozon që 21 shtatori, dita kur Papa vizitoi Shqipërinë, të shpallet si festë kombëtare dhe ditë e përkujtimit të martirëve të besimit.[1]

Jo nga ky propozim, por nga pakuptimësia e një pritjeje shtetërore të një vendi laik që i bëhej një vizite të rëndomtë fetare të Papës, e që gjithnjë thirrej në emrin e mikpritjes që ka tradita shqiptare, sigurisht vetëm sa për të fshehur atë që në të vërtet ekziston, fillova këtë shkrim. Personalisht, kam bindjen se trumbetimet për tolerancën ndërfetare gjatë vizitës së Papës janë vetëm sa për të shurdhuar veshët që të mos dëgjohet e vërteta. Besoj se epilogu i vizitës së Papës shpërfaq hipokrizinë e politikës shqiptare (edhe kosovare) dhe trajtimin diskriminues që i bëhet komunitetit mysliman.

Këtë do të mundohem ta vërtetoj në çështjet që do të diskutoj në vazhdim.

Çfarë rëndësie ka për Shqipërinë, një shtet laik, vizita fetare e një Pape?

Do të doja që “mikpritja” shqiptare të mos jetë kryefjalë e këtij debati. Çështja ka të bëjë me krejtësisht diç tjetër. Dua të pyes, në një vend të deklaruar laik, ku feja nuk ka rol, veçanërisht në politikat kryesore të shtetit, ç’kuptim ka që të çohet i madh e i vogël, që nga Presidenti e poshtë, që t’i organizohet pritje shtetërore një lideri fetar, i cili përgjatë gjithë vizitës u kujdes që ajo të mos zhvishej nga ky qëllim?!
  1. A nuk do të mjaftonte një pritje e rëndomtë, që megjithatë do të ishte “mikpritje”, siç bëhet me liderë politikë?
  2. A ka kursime të bollshme shteti shqiptar që në këtë llum varfërie e skëterre ekonomike të harxhojë 2.5. milionë euro për një vizitë që ka vetëm karakter fetar?
  3. A ekziston hapësira që komunitetet tjera fetare, veçanërisht ai mysliman, që është më i madhi në vend, të ndihen të fyer në një farë forme kur për prijës e klerë të lartë të feve të tyre nuk organizohet diç e tillë?  Në këtë mbase ka aluduar edhe gazeta britanike “The Telegraph”, kur ndër dhjetë faktet e panjohura për publikun evropian për Shqipërinë, numëronte edhe atë se Papa ka realizuar këtë vizitë në një vend i cili ka rreth 10% katolikë derisa  60% janë myslimanë dhe pjesa tjetër janë të krishterë ortodoksë. Për këtë bindem edhe më shumë kur lexoj lajme me tituj tendenciozë, si: “Papa për gazetarët: Shqipëria nuk është vend mysliman, por evropian”[2], e që në fakt paraqet konkluzën e vizitës së papës dhënë gazetarëve në avion gjatë kthimit. Nëse ndalesh dhe lexon përmbajtjen, sheh se Papa nuk ka thënë tekstualisht se “Shqipëria nuk është vend mysliman, por evropian”, por se kjo është nxjerrë absolutisht krejt jashtë kontekstit. Është bërë krim me këtë titull. Ja kush e ka thënë këtë. Gazeta Dita publikon lajmin kështu: “I pyetur nga gazetari Sokol Balla për vizitën në një vend me shumicë myslimane, Papa Francesku shprehet: “Ju thatë që ka shumicë myslimane, por nuk është një vend mysliman. Është një vend evropian. Për mua kjo ishte surprizë.”[3] Pra, ka qenë gjëja që i është thënë Papës, e jo që e ka thënë ai, dhe ajo që në fakt e ka surpizuar ngase, si mund të ndodhë që të ketë kaq përqindje të madhe një komunitet dhe të jetë kaq shumë i margjinalizuar dhe  diskriminuar. Kjo mbase nuk ndodhë edhe në ndonjë vend tjetër, me përjashtim të Kosovës.
'Integrimi evropian' fetar apo politik?

Vizitën e Papës e përshkruan edhe si një shenjë e mirë për të ardhmen e shqiptarëve, pasi që deri më tash fakti se kanë një shumicë myslimane nuk i ka bërë komod shumë politikanë, analistë, gazetarë, etj.
  1. Duke qenë se vizita ishte e karakterit fetar, atëherë çfarë lidhje ka kjo me integrimin evropian të shqiptarëve?
  2. A nënkupton se integrimi evropian duhet të bëhet me identitet të caktuar fetar apo jo?
  3. A paraqesin këto deklarata të politikanëve dhe analistëve dhe ky interpretim që i bëhet karakterit të vizitës zbërthim të maksimës së integrimit evropian? A mund të themi se në fjalorin politik, integrimi evropian nënkupton detyrimisht të qenit të krishterë dhe se laicizmi apriori nënkupton vetëm zhveshjen nga përkatësia fetare islame?
  4. Çfarë rëndësie ka publikimi i përkatësisë fetare të kryeministrit, i cili në të vërtetë qenkësh konvertuar nga ortodoks në katolik, sikur që i pakuptimtë mbetet tërë ai vrap për ta bekuar të birin?
  5. Përse nuk pati dhe një martir të vetëm tjetër, me përkatësi islame ose të krishtere ortodokse, fotoja dhe emri i të cilit do të ishin në shesh atë ditë? A mos vallë vetëm katolikëve iu është mohuar feja nga komunizmi? Një shtet laik nuk do të duhej ta neglizhonte këtë.
  6. A nuk është diskriminim kur pas tërë kësaj, kryeministri pa fije turpi del dhe më shumë se një herë mohon që Shqipëria është vend mysliman? A nuk duhet të merret kjo edhe me shqetësim si një paralajmërim (kryqëzatë e vogël) nga politika?
A u fol për njohjen e Kosovës?

Ministri në ikje, Enver Hoxhaj, një ditë para ardhjes së Papës në Shqipëri, tha se njohja nga Vatikani nuk do të vononte.[4] Ky lajm siç duket elektrizoi median kosovare, të cilat, bashkë me eprorët e tyre politikanë, filluan t’i thurin lavde vizitës së Papës. Sigurisht, edhe për këtë çështjen e ndjeshme, njohjen e pavarësisë së Kosovës, rezervuan hapësirë. Këtë e bënë edhe për shkak se nga mediat e pranishme zëdhënësit të Papës iu parashtrua pyetje edhe për këtë çështje. Pati një përgjigje e disa përkthime dhe interpretime. Vulë të gjitha këtyre, që pak më poshtë do t’i sjellim të detajuara, iu dha konstatimi i politikës kosovare: “Prishtina e sheh vizitën e Papës si dëshmi për orientimin perëndimor të shqiptarëve”[5] – që besoj se është pallavra më e madhe që është thënë për vizitën e Papës. E vërteta qëndron krejt ndryshe. Vatikani jo vetëm që nuk ka njohur Kosovën, porse këtë e ka bërë me justifikime tepër fyese. Vatikani ende Kosovën e llogarit si territor të kishës ortodokse serbe, madje djep të saj. Kështu, konsideroj se reagimi politik që do të duhej të vinte nga politika kosovare do të duhej të kishte këtë titull: “Prishtina e sheh Vatikanin ende si pengesë të integrimit në Evropë.”

Edhe po të vepronim me Vatikanin me atë logjikën e numrave (na duhen numra, jo detyrimisht miq), siç është zënë në gojë “shkarazi” nga diplomacia kosovare për disa vende tjera, veçanërisht ato të Lindjes së Mesme, ky titull i formuluar nga përshtypjet e politikanëve, është vetëm farsë. Pati kërkesa zyrtare nga shteti i Kosovës për takime me Papën, por ato u refuzuan.[6]

Por, kjo nuk shuan shpresën, sepse, për habinë e të gjithëve, kemi një shpresë që askush nuk e ka. Papa “e di” se ne jemi evropianë. Edhe kur Papa rikonfirmoi qëndrimin zyrtar nëpërmjet zëdhënësit për Kosovën, mediat flisnin përgjumuri: “nuk tha se e refuzon njohjen, është vetëm çështje protokollesh.” Zëdhënësi, prerazi, thoshte se vizita ka vetëm karakter fetar dhe se nuk merret me këtë çështje që nuk përkon me natyrën e vizitës, ndërsa mediat prapë shihnin ëndrra me sy çelë. Unë kështu e lexoj deklaratën e zëdhënësit. Ja teksti, lexojeni edhe ju dhe gjykojeni.

“Zëdhënësi i Vatikanit, At Frederico Lombardi teksa mbajti një konferencë për shtyp ku zbardhi përshtypjet e Papa Franceskut në takimet e tij në Tiranë, u pyet nga gazetarët dhe për njohjen e Kosovës. Drejtori i Zyrës së Shtypit në Vatikan nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë për këtë çështje. Ai u mjaftua duke thënë se “Jemi në kuadër të një vizite fetare të Papës në Shqipëri dhe kjo vizitë nuk ka asnjë qëllim për të finalizuar rezultate diplomatike apo politike.”

Ja si e pasqyruan – titulluan këtë lajm disa media shqiptare jashtë Kosovës (e që nuk e trajtojnë me emocione këtë problem):
  1. Vatikani shmang debatin për njohjen e Kosovës në Tiranë[7]
  2. Njohja e Kosovës? Vatikani: Papa Francesku jo në Tiranë për diplomaci e politikë[8]
  3. Vatikani nuk do të njohë Kosovën, Lombardi: Udhëtim pastoral i Papës, jo politik[9]
  4. Vatikani i ikë përgjigjes për njohjen e Kosovës[10]
Ndonëse pati disa përkthime të përgjigjes së zëdhënësit, nuk mungoi edhe kjo që mediat kosovare e sollën në formë të titujve bombastik, se kinse nuk kemi të bëjmë me refuzim, por vetëm me çështje kohe, prapë çështje nuk qëndron kështu. Zëdhënësi tha se kjo është çështje tjetër dhe jo refuzim, sepse të këtilla janë përgjigjet diplomatike. Gjithnjë janë me fraza shpresëdhënëse, emocionale, ama gjithnjë boshe. Kështu, “diplomatike”, më duken se janë edhe përgjigjet e mediave tona ndaj lexuesve të tyre, të cilëve vazhdojnë t’iu bëjnë magji me tituj të tillë të rremë. “Vatikani: Nuk i kemi thënë jo, njohjes së Kosovës”[11] – është një titull që sjell indeksonline.net, sa për shembull, e që përmbajtësisht është sikur lajmet tjera në mediume tjera, por që i është kushtuar vëmendje optikës së jashtme, respektivisht kësaj që me keqardhje po më duhet t’i them mashtrim. Titulli, që tërthorazi e shpalos tërë të vërtetën, është ky në vijim: “Vatikani nuk e njeh Kosovën, por shqiptarët e Kosovës e duan Papën”[12] Po t’i thuhej popullit kështu, besoj se do të ishte më e ndershme dhe më e mirë.

Për të qenë korrekt, kishte media që lajmin e përshkruanin siç ishte, siç ta zëmë bëri kosovapress.com, e cila lajmin e titulloi: “Vatikani nuk flet për njohjen e  Kosovës, thotë se vizita e Papës ishte fetare”[13]

Mendoj se si përfundim i natyrshëm i këtij shkrimi do të ishte konstatimi se vizita e Papës zbulon të vërtetën për diskriminimin politik ndaj komunitetit më të madh fetar në trojet shqiptare, sikur që dekodon fjalorin politik të shqiptarëve si dhe demaskon qëllimet e tij.


[13] http://www.kosovapress.com/sq/nacionale/vatikani-nuk-flet-per-njohjen-e-kosoves-thote-se-vizita-e-papes-ishte-fetare-25307/


VIDEOS / YOUTUBE
Devotshmeria synim kryesor i agjerimit Vlera e kohes Monumente besimi ne agjerim Edukimi seksual i femijeve
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013