Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
ÇFARË TË LIGJËROJ NË HUTBEN E XHUMASË?

Hutbeja e xhumasë ka një rëndësi të veçantë në Thirrjen Islame. Ajo është një mjet i saj tradicional dhe bashkëkohor. Për shkak të lidhjes me namazin e xhumasë, ku bëhet takimi javor i myslimanëve, ajo vazhdon t’i mbijetojë çdo kohe dhe çfarëdo zhvillimi. Madje, për shkak të karakteristikave me të cilat disponon (është pjesë e një obligimi – farzi javor që myslimanët e kryejnë në kolektiv –namazi i xhumasë, është, si pjesë e adhurimit, e obliguar të dëgjohet duke qenë i pastër- me abdes dhe me përkushtim –nuk lejohet të flitet gjatë kohës sa zhvillohet ajo), ajo vazhdon të ngel si mjeti më efikas në përçimin e mesazhit islam tek besimtarët. Pikërisht ky element i saj ka bërë që jomyslimanët ta radhisin hutben si sfidë të pakapërcyeshme për ta.  E kjo, në një farë forme, na detyron që hutbes, në përgjithësi, t’i kushtojmë vëmendje dhe rëndësi. “Hutbeja nuk është një performancë e thjeshtë, përkundrazi, është punë e vështirë, e cila do kohë dhe mund.” 
 
Një hutbe e mirë padyshim se është art dhe për ta shndërruar hutben në të tillë duhet një parapërgatitje psikike për të (motivimi shpirtëror) dhe pastaj përgatitja konkrete. Hapi i parë që duhet ndërmarrë në këtë drejtim është përcaktimi për temën, gjë që ndonjëherë paraqet problem për ligjëruesin. Ndoshta edhe për shkak të ligjërimit të përjavshëm dhe trajtimit të shumë temave, ligjëruesi ndonjëherë sikur bie në konfuzion se çfarë të ligjëron. Është gjendje që përshkon pothuajse të gjithë ligjëruesit e rregullt por jo të gjithë kanë metodën e njëjtë dhe të duhur të zgjidhjes së problemit. Një metodë e gabuar (e pse është e gabuar dhe si duhet të jetë do ta shpjegoj në vijim) është edhe ajo e kërkimit të propozimeve nga rrethi i gjerë i xhematit, qoftë nëpërmjet rrjeteve sociale, qoftë nëpërmjet formave ose metodave tjera (emailet, emailet nga uebfaqja, sms-të telefonike, etj).
 
Që të jemi korrekt, nuk ka gjë të keqe të konsultohesh për hutben me një ose disa persona nga audienca, por kjo bëhet për vlerësimin e hutbes, shikimin në mënyrën e performimit të saj, ndërsa që propozimet e xhematit të determinojnë agjendën e ligjërimit, kjo, jo vetëm që është gabim porse ka dhe pasojat e veta. Në të vërtetë, çështja është relative. Ajo që bart pasoja është mbështetja e pakontrolluar, ndryshe, nuk duhet mbyllur sytë para të gjitha propozimeve. Të shohim njëherë se çfarë pasojash bart mbështetja e tërësishme në propozimet e jashtme për hutbe ndërsa më pas do të flasim për atë se si trajtohen propozimet dhe disa kritere të rëndësishme të përcaktimit të temës së hutbes, që njëherësh paraqesin edhe konkluzën e temës.
 
1. Pasojat e mbështetjes së pakontrolluar në propozimet për hutbe
 
Pasojat e neglizhimit të përgatitjes së duhur për ligjërim i vuan Imami, sikur që i vuajnë edhe xhemati. Në vazhdim këtë do të mundohemi ta shpjegojmë me pak fjalë.  
 
1) Paraqet mungesën e dijes, formimit dhe vizionit të Imamit, i cili nuk mundësi të vërejë tek xhemati i tij se cili aspekt fetar është çaluar për ta trajtuar atë. Është thënë shumë herë nga ekspertë të Thirrjes se Imami (thirrësi) i ngjan një mjeku, i cili diagnostifikon sëmundjen, dhe jo vetëm atë, por edhe nivelin e saj, pra saktë e di se çfarë i duhet xhematit në tërësi dhe individëve me të cilët diskuton, veç e veç. Paramendojeni sa keq do të dilte sikur mjeku t’iu kërkonte pacientëve që ta zbulojnë sëmundjen e tyre. Ndoshta do t’i përgjigjeshin me sarkazëm dhe ironi: “Po sikur ta dimë se ç’kemi, nuk do të vinim tek ty fare!” 

Mospërkushtimi i Imamit ndaj hutbes së xhumasë cilësohet si nënçmim dhe përbuzje ndaj xhematit. Ligjëruesi duhet të ketë në hatër nivelin intelektual të atyre që prezantojnë në ligjërimet e tij.  Përzgjedhja e temës duhet të jetë produkt i një analize të gjendjes shpirtërore dhe shoqërore të xhematit, ose të prek vendin ku lëndon xhemati dhe të udhëzojë në shërimin konkret. E kundërta është pikërisht çfarë ndodhë kur anashkalohet përzgjedhja e duhur ose trajtohen tema kuturu.
    
2) Vë në pikëpyetje personalitetin e Imamit, të cilin mund ta refuzojnë xhemati, për shkak të kësaj modestie, që mund të reflektojë si imazh dobësie e jo modestie. Paraqet mungesën shkathtësive dhe zotësive në ligjërim. Hutbeja nuk nënkupton patjetër të flasësh vetëm për një temë të caktuar. Ka hapësirë të gjerë që mund të trajtohen tema nga fusha të ndryshme. Bile kjo ka ndikim të madh, pasi që lehtëson punën e ligjëruesit, në njërën anë, si dhe largon monotoninë nga xhemati, në anën tjetër. 
   
3) Paraqet të qenit të Imamit jashtë rrjedhave të kohës, pasi që o sot o kurrë ka çfarë të ligjërohet, sidomos kur kihen parasysh rrjedhat e paqëndrueshme të kohës, ndryshimet e mëdha shoqërore, sfidat dhe sprovat e shumta, bile një thirrës, duke patur parasysh këto do të thoshte që edhe po të ligjërosh çdo ditë do të gjesh mjaft gjëra për t’i diskutuar.
 
4) Çekuilibron kërkesat e vërteta të xhematit, pasi që propozimet e bëra në të shumtën e rasteve pasqyrojnë nevojat individuale dhe jo kolektive të xhematit. Mund të trajtojë një temë, e cila mund të jetë edhe  e mirë dhe e rëndësishme, por jo më me rëndësi dhe prioritet se temat tjera. 
  
2. Trajtimi i duhur i propozimeve
 
Propozimet mund të jenë një ndihmesë e madhe në rast se dihet mënyra e përfitimit prej tyre. Në vazhdim po japim dy mënyra të dobishme të përfitimit nga propozimet e jashtme:
 
1) Nëse mbledhja e propozimeve do të bëhej me qëllim klasifikimin e tyre dhe renditjen në bazë të rëndësisë dhe prioritetit, atëherë kjo nuk do të ishte e keqe. Propozimet do të kërkoheshin për intervale të gjata kohore dhe jo për xhumanë e ardhshme. Një hap të këtillë ka marrë Këshilli i Përgjithshëm i Çështjeve Islame dhe Vakëfeve në EBA, i cili në faqen zyrtare të tij në internet , në rubrikën e hutbeve, ka rezervuar një hapësirë për propozimet e hutbeve ndërsa ka vënë këto kushte: 
 
- Titulli i temës të jetë i qartë dhe i shkurtër.
- Të përcaktohet koha – data kur tema mund të mbahet. Propozimi nuk duhet të përfshijë periudhën më herët se dy muaj, pasi që Komisioni duhet të ketë kohën e mjaftueshme në dispozicion për të studiuar propozimin.  
- Të jepet arsyeja pse është përzgjedhur kjo temë dhe pse është e rëndësishme të mbahet. 
- Të shkruhen pikat kryesore të temës. 
 
Nga këto kushte që i janë vënë propozimeve, shihet se  bëhet fjalë për propozime serioze.
 
2) Konsultimi të jetë në rrethe më të ngushta. Më së miri do të ishte që kjo të bëhej në forume të veçanta për hoxhallarë, për shkak se propozimet dhe diskutimet përkatëse do të kishin ngjyrë profesionale. 
 
3. Përsëritja e temave si kriter i përcaktimit të temës së hutbes
 
Imami ose ligjëruesi nuk duhet ta ndiejë vetën nën presion se çdoherë duhet të trajtojë diç të re, që xhemati nuk e kanë dëgjuar më parë. Nuk ka asgjë të keqe që të përsëriten disa tema, dhe këtu, do të doja që këtë çështje ta shtjelloj në pikat kryesore:
 
1) Përsëritja e temave që janë themelore në fe, si: besimi, domethëniet, botëkuptimet, kushtet, reflektimet dhe detyrimet që rrjedhin prej tij. Janë tema që duhen ripërsëritur për shkak të rëndësisë së tyre. Në këtë kuadër do të trajtoheshin edhe temat që flasin për gjërat që rrezikojnë besimin, format si manifestohen ato, mënyrat si të mbrohemi prej tyre, etj. Janë këto gjëra që Imami qëllimshëm, nga koha në kohë, duhet tua përsëris xhematit, veçanërisht nëse vëren se për shkak të ndonjë ceremonie, manifestimi, date a shënimi, bëhen veprime që kanë sfond dhe përmbajtje të shirkijjateve –gjërave që rrezikojnë besimin. 
 
2)Përkujtimi i gjërave që imponohen si nevojë e rrjedhave dhe zhvillimeve, p.sh. mund të përsëriten temat që flasin për dukuri negative të caktuara, që shfaqen kohë pas kohe, si: vrasja, vjedhja, lakuriqësia, etj. Në këtë kontekst, pra të përkujtimit të gjërave, është edhe të folurit për solidaritetin në rast fatkeqësisht, ndihmën reciproke me të tjerët, etj. 
 
3) Përsëritja e temave që lidhen me ditë dhe muaj të caktuara,   si: temat për Ramazanin, S. Fitrin, Haxhin, Kurbanin, etj.
 
4) Përsëritja e temave që lidhen me obligime të caktuara të besimtarëve, si p.sh. ligjëratat për Zekatin, dispozitën, pasuria për të cilën jepet ai, sasia që duhet dhënë, kujt duhet t’i jepet, e çështje tjera që kanë të bëjnë me natyrën juridike të këtij obligimi.
 
5) Përsëritja e temës por nga këndvështrime tjera. Ta zëmë, nëse është folur për rregullat fetare të namazit, zekatit, agjërimit, haxhit, dhe Imami ka frikë se xhemati mund të ndiejnë monotoni prej ripërsëritjes së tyre, atëherë le të flet për rëndësinë dhe efektet shpirtërore, edukative dhe sociale të këtyre adhurimeve.  
 
Si konkluzë, për përmbyllje, do të mund të rikonfirmonim rëndësinë që ky hutbeja dhe përgjegjësinë që ka Imami për përgatitjen dhe performimin e saj. Hutbeja duhet të jetë rezultat i dijeve dhe njohurive të Imamit, në njërën anë, si dhe vëzhgimit të rrjedhave dhe zhvillimeve përreth, në anën tjetër. Vetëm kështu do t’i kthehet nami hutbes dhe do t’i mundësohet ushtrimi i rolit edukativ në shoqëri.   
 
----------------------
  1.   Shih: Taha, Sabir Ahmed. (2001) Ed-Davetu ila Allahi Teala fi dav’i-l-Kitabi ve-s-Sunneh. Ed. 2. Kajro: El-Menar lit tibaatil haditheh. F. 189.
  2.   El-Mehdeli, Es-Sejjid Muhammed Akil ibn Alijj. (1997) El-Hatabetu ve mekanetuha fi ed-daveti el-islamijjeh. Kajro: Darul hadith. F. 120.
  3.   Shih: El-Axhemij, Salim. (2011) Vesaja lil Hatib. Kajro: Darul furkan. F. 21. 
  4.   Shih: Taha. (2001) Ed-Davetu ila Allahi Teala fi dav’i-l-Kitabi ve-s-Sunneh. F. 190.
  5.   Shih: El-Axhemij. (2011) Vesaja lil Hatib. F. 26. 
  6.   Shih: El-Mehdeli. (1997) El-Hatabetu ve mekanetuha fi ed-daveti el-islamijjeh. F. 122.
  7.   http://www.awqaf.gov.ae/SuggestTopic.aspx?t=Khutba akses më 19 tetor 2014.
  8.   Shih: Mahfudh, Ali. (1984) Fennu-l-hatabeh. Egjipt: Darul I’tisam. F: 110.
 
 
Publikuar në rev. Dituria Islame.


VIDEOS / YOUTUBE
Devotshmeria synim kryesor i agjerimit Vlera e kohes Monumente besimi ne agjerim Edukimi seksual i femijeve
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013