Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
A ËSHTË TERRORIZMI PROBLEMI YNË MË I MADH?

Ligji që sanksionon pjesëmarrjen e kosovarëve në luftëra të huaja ka kohë që bën sfiladë në mediat tona. I lënë amanet nga qeveria e kaluar, ligji do të duhej të bënte seften e parlamentit të ri. Kështu edhe ndodhi. Ligji u aprovua. Nuk mungoi as publiciteti medial. Disa media e analistë e përshkruan në superlativ, duke thënë se Kosova zgjidhi nyjën më të madhe të problemeve të saj, për të hapur rrugë për zgjidhjen e problemeve tjera.

Por, a është në të vërtetë kështu? A është terrorizmi problemi kryesor i Kosovës? A është mënyra e duhur e trajtimit të dukurisë së terrorizmit kjo që bëjnë politika dhe mediat?

Këto janë disa pyetje, nga përgjigja e të cilave, së pari,  dua të mohoj teorinë se terrorizmi është problemi ynë kryesor, sikur që dua, së dyti, të evidentojë disa shkaqe, jo shumë të dukshme, por që janë vendimtare në zhvillimin e kësaj dukurie.

I. TERRORIZMI NË KOSOVË

Analizat e shkarkuara nga ngjyrimet ose presionet politike, për shumë dukuri, ndër to edhe për terrorizmin, fajtor kryesor kanë nxjerrë qeveritë dhe varfërinë e tyre programore. Shpeshherë kjo varfëri është materializuar në nisma hipokrite për të krijuar probleme artificiale me gjëra të cilat janë të ndjeshme për popullin, dhe këtë për të zhvendosur sado pak vëmendjen nga problemet qenësore. Por, duke vëzhguar ngjarjet në kronologji, del se populli nuk është mashtruar. Problemi kryesor nuk është terrorizmi islam, siç padrejtësisht po mundohen të tkurrin konceptin e terrorizmit në vetëm terrorizëm islam. Është një lloj tjetër i terrorizmit, shumë më i rrezikshëm, ai që i ka bërë kosovarët të frikësohen. Është ai lloj për të cilin edhe faktori ndërkombëtar na e ka ngrehur veshin. Është korrupsioni, krimi i organizuar, mungesa e sundimit të ligjit, papunësia, gjëra këto për të cilat faji i faturohet qeverisë dhe politikës.  

E në anën tjetër, është për keqardhje gjendja në të cilën kanë rënë disa media. Janë bërë puthadorë të politikanëve. Kanë stërzmadhuar pjesëmarrjen e disa kosovarëve në luftërat fetare në Siri dhe Irak, të cilët supozohet të jenë 200, ndërsa kanë minimizuar dukurinë më të re, migrimin masiv, që, në shifrat më të pakta, del të jetë 100 herë më e madhe se shifra e atyre që kanë shkuar në Siri e Irak. Për të mos mi nxjerrë fjalët jashtë kontekstit, unë nuk them se me këtë shfajësoj ose mbaj anën e atyre që kanë shkuar në Siri e Irak. Assesi. Dua vetëm që problemeve t’iu jepet pesha që kanë, dhe në varësi të kësaj, edhe të trajtohen. Konsideroj se migrimi, që ka filluar me të madhe në fund të vitit të kaluar dhe po vazhdon edhe tani, është pasojë e problemeve të vërteta, të përmendura sipër, e të cilat nuk kanë marrë trajtimin e duhur. Për të portretizuar imazhin e këtyre problemeve dhe rrezikshmërinë e lartë të tyre, do t’i referohem dy ngjarjeve që kanë të bëjnë me migrimin:

  1. Në luftën e fundit, dhunshëm, shumë shqiptarë u larguan nga Kosova. Fati e deshi që një pjesë e tyre të gjejnë strehim në disa vende evropiane dhe më gjerë. Me të marrë lajmin se Kosova është çliruar, një pjesë e madhe, ndonëse patën mundësinë të vazhdojnë qëndrimin, u kthyen në Kosovë. Kthimi i tyre bëri bujë në tërë botën. Shqiptarë e duan vendin e tyre. U kthyen duke shpresuar në një ardhmëri më të mirë. Kosova do të jetë në duart e shqiptarëve. Në duart tona. Gjithsesi se do të bëhet mirë. Por, kështu nuk ndodhi. Ndonëse për shumë vite i mbante gjallë shpresa se do të bëhej mirë, për shkak se vendi administrohej nga të huajt dhe se tanëve ende nuk iu ishte dhënë shansi, madje, për shkak të kësaj Kosova u radhit në mesin e vendeve me shpresën më të madhe në botë, megjithatë, shpresa u kthye në zhgënjim. Kriza materiale vetëm sa thellohej. Kosovën e lëshuan shumë, ndër të cilët edhe ata që kanë luftuar për Kosovën. Ata që dje kanë shprehur gatishmërinë për të vdekur për këtë vend, sot nuk po gjejnë arsye për të jetuar në të, për të mos harruar se deri më tani llogaritet të jenë 44 ish-ushtarë të UÇK-së, që kanë kryer vetëvrasje për shkak të kushteve materiale.[1] Dhe ky është portreti më i vrazhdë i këtij mjerimi.
  2. Kosovës po i ikën truri. Janë edhe ata që, me kualifikimet e tyre, kanë ose mund të shpresojnë në një të ardhme financiare të mirë, që po e lëshojnë këtë vend. Federata Sindikale e Shëndetësisë, përveç lajmit për ikjen e 400 mjekëve dhe shumë infermierëve, tregon dhe për një anketë të bërë me studentët e mjekësisë, 73% prej të cilëve janë shprehur se nuk duan të qëndrojnë në Kosovë.[2]
Këto fakte flasin për vdekjen e idealeve shtetërore në këtë vend. Kosova gjithsesi duhet të adoptojë një ligj kundër terrorizmit, i cili përfshin të gjitha format e manifestimit të terrorizmit. Do të duhej të ishin pjesë e këtij ligji edhe organizatat e fshehta kriminale. Ambasadori i Britanisë së Madhe (I.Cliff)[3], tash kur po diskutohet për këtë ligj, tërhoqi vërejtjen për aktivitetet e SHIK-ut, që kemi menduar (na është thënë) se është shuar. Është një hije e zezë, e cila siç duket ende po na ndjek. Po kështu, kemi një lloj tjetër të terrorizmit, brenda vet shtetit. Kosova nuk po arrin të shtrijë sovranitetin në të gjithë territorin. Kemi struktura paralele, madje edhe të sigurisë.
 
 
Këto janë disa probleme, që konsideroj se janë më të mëdha se ajo që po e quajnë terrorizëm fetar dhe, gjithsesi, edhe më prioritare për tu debatuar dhe sanksionuar me ligje.

II. TERRORIZMI NË EVROPË DHE SHBA

Rasti në Francë ndezi motorët kundër Islamit. U ngritë e tërë bota në këmbë. U alarmuan shtetet, duke mbledhur liderët kryesorë, për të diskutuar këtë rrezik dhe hapat që duhen ndërmarrë për ta sfiduar atë. Të mbushej mendja se Evropa nuk kishte problem më të madh. Referuar raporteve të Europolit, terrorizmi fetar nuk është problemi kryesor i Evropës, madje as i vendeve veç e veç, duke përfshirë në radhë të parë këtu Francën. Sulme më të tmerrshme se ai ndaj redaksisë së revistës Charlie Hebdo, janë regjistruar nga grupi që pretendon pavarësi në ishullin e Korsikës.  Madje, gjithnjë referuar Europolit, në 2013, nga 152 sulme terrori, vetëm 2 kishin motive fetare, derisa Franca, si një ndër pesë shtetet anëtare të BE-së të përfshira në raport, kishte patur më së shumti sulme terroriste, gjithsej 63 nga 152 sa kishte në vendet në fjalë.[4]

As në SHBA, niveli i terrorizmit nuk është alarmues. Alarmuese ka dukuri tjera. Ferid Zekerija (Fareed Zakaria), duke folur për terrorizmin, sjell një të dhënë interesante për të në SHBA. “Sipas bazës globale të të dhënave të terrorizmit, në 12 vitet mes 11 shtatorit 2001 dhe fundit të 2013-ës, numri i amerikanëve që vdiqën në tokë amerikane prej terrorizmit ishte 42. Ndërkohë, në vetëm një vit, qendra për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve raporton se 32 351 amerikanë kanë vdekur për shkak t ë armëve të zjarrit.”[5]

Së këndejmi, është e pakuptimtë të paraqitet terrorizmi fetar si problemi më shqetësues.

III. SI (NUK) DUHET TRAJTUAR DUKURIA E TERRORIZMIT?

Kjo është pika më e ndjeshme e kësaj çështjeje. Terrorizmi është problem, që nuk duhet nënvlerësuar. Është dukuri, që duhet trajtuar me kujdes, për shkak se defektet eventuale në këtë drejtim, mund të sjellin pasoja tjera të mëdha. Për nga rreziku, i ngjan një bombe, e cila mund të shpërthejë në dorën e atij që nuk është kujdesshëm me të. Fatkeqësisht, në këtë aspekt janë duke u vërejtur defekte të mëdha, përgjegjësinë për të cilat duhet ta bartin liderët politikë bashkë me mediat servile.

Në vijim do të nënvizoj disa nga këto defekte:
  1. Tentativat për t’i dhënë terrorizmit vetëm ngjyrë islame. Breiviku ndonëse vrau 77 veta, nuk u cilësia si ekstremist i krishterë dhe aq më pak që rasti i tij të përshkruhej si terrorizëm i krishterë. Kjo vërehet edhe tek ne në Kosovë. Gazetarja Arbana Xharra e quajti shpërndarjen e disa materialeve fetare për jetën e profetit Muhammed [Paqja dhe mëshira qofshin mbi të!] si material para-terrorizues (parapërgatitës për terrorizëm), ndërsa shpërndarja e literaturës së krishterë që bëhet çdo ditë në Prishtinë, siç duket nuk e pengon fare. Për dallim prej saj, Adriatik Kelmendi, po kështu gazetar, bëri thirrje që të mos aplikohen standarde të dyfishta: o të lejohet për të gjithë propagandimi fetar, o të ndalohet për të gjithë.
  2. Laicizmi ekstrem, i cili, në mllefin e pamundësisë së shtrirjes së territorit, merr trajtë agresive. Një imazh i tij është edhe neglizhimi i të drejtave thelbësore fetare, gjë që intelektualë e analistë të paanshëm e shohin si shkak të tërthortë të shfaqjes së pakënaqësive, që ndonjëherë mund të manifestohen edhe me veprime të dhunshme.
  3. Miratimin e ligjeve ekstreme, siç u procedua të miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës ligji për përgjimet elektronike, përmbajtja e të cilit ishte skandaloze.
  4. Ekzagjerimi i problemit aq shumë saqë shoqëria, e cila ka dert si të sigurojë kafshatën e bukës, të ndihet e tmerruar, ndërsa njerëz të caktuar, për qëllim të ikjes nga vendi, do ta shfrytëzojnë si arsyetim pse kanë ikur nga vendi. Kështu, viktimë, para qytetarit, do të jetë vet shteti, që një mënyrë, po del të jetë vet sponsor (shkaktar) i kësaj dukurie.
 
 
 
Për fund, do të doja që si konkluzë të këtij opinioni të nxjerr gjërat në vijim:
  1. Të trajtojmë problemet sipas peshës dhe hapësirës që zënë në shoqëritë tona. Të mos i ekzagjerojmë.
  2. Të trajtojmë terrorizmin, cili do që të jetë ai, me mjetet dhe metodat e duhura, sepse metodat e dhunshme mund të jenë terrorizëm, në njërën anë, dhe provokim i terrorizmit, në anën tjetër. Zjarri me zjarr nuk shuhet.
  3. Të punohet në drejtim të ruajtjes dhe garantimit të të drejtave fetare. Kjo do të minimizonte pakënaqësitë, e rrjedhimisht edhe reflektimin e tyre.


VIDEOS / YOUTUBE
Devotshmeria synim kryesor i agjerimit Vlera e kohes Monumente besimi ne agjerim Edukimi seksual i femijeve
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013