Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
NJERIU QË PËRKUJDESET MË SË SHUMTI PËR GRUAN DHE FAMILJEN E TIJ

 
 
إِنَّ الْحَمْدَ لِلَّهِ نَحْمَدُهُ وَنَسْتَعِينُهُ وَنَسْتَغْفِرُهُ وَنَعُوذُ بِاللَّهِ مِنْ شُرُورِ أَنْفُسِنَا وَمِنْ سَيِّئَاتِ أَعْمَالِنَا مَنْ يَهْدِهِ اللَّهُ فَلا مُضِلَّ لَهُ وَمَنْ يُضْلِلْ فَلا هَادِيَ لَهُ وَأَشْهَدُ أَنْ لا إِلَهَ إِلاَّ اللَّهُ وَحْدَهُ لا شَرِيكَ لَهُ وَأَشْهَدُ أَنَّ مُحَمَّدا عَبْدُهُ وَرَسُولُهُ
يـَـأَيُّهَا الَّذِينَ ءَامَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ حَقَّ تُقَاتِهِ وَلاَ تَمُوتُنَّ إِلاَّ وَأَنْتُمْ مُسْلِمُونَ
يـَـأَيُّهَا النَّاسُ اتَّقُوا رَبَّكُمِ الَّذِي خَلَقَكُمْ مِّنْ نَفْسٍ وَاحِدَةٍ وَخَلَقَ مِنْهَا زَوْجَهَا وَبَثَّ مِنْهُمَا رِجَالاً كَثِيرا وَنِسَاء وَاتَّقُوا اللَّهَ الَّذِي تَسَآءَلُونَ بِهِ وَالأرْحَامَ إِنَّ اللَّهَ كَانَ عَلَيْكُمْ رَقِيبا
يَــأَيُّهَا الَّذِينَ ءَامَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَقُولُوا قَوْلاً سَدِيدا يُصْلِحْ لَكُمْ أَعْمَالَكُمْ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ وَمَنْ يُطِعِ اللَّهَ وَرَسُولَهُ فَقَدْ فَازَ فَوْزا عَظِيماً.

Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
“O ju që keni besuar, keni frikë All-llahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!” (Ali Imran: 102)
“O ju njerëz! Keni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe keni frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se All-llahu është Mbikqyrës mbi ju.” (En Nisa:1)
“O ju besimtarë, keni frikë All-llahun dhe thuani fjalë të drejta. Ai (All-llahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh.” (El Ahzab:70:71)

Vëllezër besimtarë!

Ndër akuzat që padrejtësisht i mveshen Islamit është edhe ajo për dhunën ndaj femrës. Feja, e cila shpëtoi femrën nga keqtrajtimet, duke ia kthyer dinjitetin e saj të humbur që moti, tani akuzohet për shkelje të të drejtave të saj. Për të demantuar këto të pavërteta, në kuadër të haditheve që trajtojnë imazhe të besimtarëve më të mirë, do të sjellim një hadith që pikërisht flet për përkushtimin që duhet patur ndaj gruas. Tirmidhiu transmeton nga Aisheja [radijAllahu anha] dhe Ibni Maxheh nga Ibni Abbasi [radijAllahu anhuma] se Pejgamberi [sal-laAlalhu alejhis ve sel-lem] ka thënë: “Më i miri prej jush është më i miri për familjen e tij ndërsa unë jam më i miri për familjen time!” Albani e vlerëson si autentik -sahih.

ÇFARË ËSHTË PËR QËLLIM ME ‘FAMILJEN’ NË HADITH?

Në këtë hadith, mirësjellja ose morali që e bën besimtarin të dalluar është ai që është në shërbim të mirëqenies familjare, por çfarë në të vërtetë synohet me familje këtu? A është kuptimi i gjerë apo i ngushtë i fjalës? Më konkretisht, a bëhet fjalë për gruan (kuptimi i ngushtë) apo për familjen (kuptimi i gjerë ku hyjnë fëmijët, prindërit, të afërmit, farefisi)? Nëse i referohemi aspektit linguistik të hadithit, shprehja ‘ehl’ (familje) apriori nënkupton gruan. Kjo, edhe për shkak të haditheve tjera që kanë ardhur me këtë kuptim e që kanë përmendur tekstualisht gruan si të synuar me këtë mirësjellje. Ibni Maxheh transmeton nga Abdullah ibn Amri (radijAllahu anhuma) se Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem] ka thënë: “Të zgjedhurit nga mesi juaj janë të zgjedhurit për gratë e tyre (mirësjelljen ndaj tyre).” Albani thotë sahih.

Ka dhe tjera hadithe në të cilat fjala-shprehja ‘ehl-familje’ është përdorur për gruan.[1]

Ndërsa nëse i referohemi kontekstit të përmbajtjes së hadithit, pra moralit-mirësjelljes, atëherë ka një domethënie më të gjerë. Mubarekfuri kur shpjegon në Tuhfetu-l-ahvedhi për domethënien e hadithit, thotë se (sipas një mendimi) përfshin gruan dhe të afërmit për shkak se hadithi flet për moralin e mirë.[2] Kështu, me kuptim të gjerë të bamirësisë dhe mirësjelljes e ka interpretuar edhe Ibni El-Ethiri në librin e tij të famshëm En-Nihaje.[3]

Megjithëkëtë, gruaja ngel si e synuara kryesore me mirësjellje në këtë hadith, veçanërisht kur edhe hadithe tjera, siç përmendëm, gruaja përmendet tekstualisht, andaj edhe komenti ynë do të fokusohet në mirësjelljen ndaj gruas.

KONCEPTI ISLAM PËR PRIORITETIN NË MIRËSJELLJE

Njeriu më i mirë –sipas hadithit të temës- është ai që përkujdeset për gruan e tij. kjo domethënie në të vërtetë është esenca e konceptit islam për mirësjelljen dhe bamirësinë në përgjithësi, pasi që nuk llogaritet mençuri të ndihmosh të tjerët e të lësh keq familjen tënde. E vërtetë, shpërblim ka të ndihmosh të gjithë, por shpërblimi për familjen – gruan tënde është më i madh. Kjo për shkak se ky veprim paraqet nivel të lartë vetëdije dhe formimi te besimtari, i cili radhit gjërat sipas prioriteteve të tyre, pra nuk vepron kuturu. Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem] ndërsa numëron fusha të bamirësisë ku mund të shpenzojmë, specifikon familjen si më kryesoren dhe me shpërblimin më të madh: “Dinarin që e shpenzon në rrugën e Allahut, dinarin që e shpenzon për lirimin e robit, dinarin që e shpenzon për të ngratin, dinarin që e shpenzon për familjen tënde, (për të gjitha këto ka shpërblime por) dinari që e shpenzon për familjen tënde ka shpërblimin më të madh.”[4]

Imam Neveviu në komentim të hadithi shpjegon se arsyeja e dhënies prioritet familjes është për shkak se shpenzimi ndaj tyre ka disa trajta: është obligim për shkak të afërsisë (prindërit), e preferuar, është lëmoshë dhe mbajtje lidhjesh familjare (familja e gjerë), është obligim për shkak të kurorëzimit (gruaja)...[5]

Pra, shpenzimi ndaj gruas është obligim, andaj edhe i është dhënë përparësi, ngase të kryesh një obligim ka më shumë shpërblim se të kryesh një vepër fakultative. Fetarisht, shpenzimet që bëhen me qëllime të caktuara, pra janë përtej përmbushjes së një nevoje të thjeshtë materiale, shpërblehen dyfish. Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem] ka thënë: “Sadakaja ndaj një të ngrati është vetëm një sadaka (ka vetëm një shpërblim) ndërsa ndaj të afërmit është (me) dy (shpërblime): sadaka dhe mbajtje e lidhjeve familjare.”[6]

Pra, sadakaja ndaj të afërmve, për shkak se me të përforcohen lidhjet, llogaritet me shpërblim të dyfishtë.

RËNDËSIA E PËRKUJDESJES NDAJ FAMILJES – REFLEKTIMI

Përkujdesja ndaj familjes është edhe një lloj testimi, që në rast se kalohet, nënkupton kualifikimin e besimtarit për përgjegjësi edhe më të mëdha. Në kuptim të hadithit bazë, gjegjësisht në përpjekje për të zbuluar urtësinë se përse njeriu që përkujdeset për familjen është më i mirë, disa dijetarë kanë thënë se ka mundësi që njeriu që është i mirë me familjen e tij, të bekohet nga Allahu për të qenë i tillë – i mirë edhe në të gjitha punët tjera, derisa të bëhet i mirë në tërësi.[7]

Sigurisht, mirësjellja ndaj gruas nuk është tipari i vetëm për të cilin duhet përkujdesur besimtari, sepse, siç mund të shihet, ky tipar është mbase fryt i një besimi të thellë dhe ndërgjegjeje të lartë fetare, ndryshe, në rast se nuk është rezultat i besimit, nuk është tipar. Nga këtu, dijetarë të shumtë kanë tërhequr vërejtjen që të mos anashkalohet kjo lidhje ndërmjet besimit, si frymëzim dhe inspirim, dhe sjelljes-etikës, si reflektim dhe rezultat.

INTERESIMI I ISLAMIT PËR GRUAN

Islami e gjeti femrën në një gjendje të mjerueshme. Për shkak të besëtytnive që dominonin skenën botërore, pozita e saj ishte aq e nënvlerësuar, saqë kishte raste edhe kur debatohej në ishte qenie njerëzore apo jo. Konstatimi më “human” ishte se ajo ishte njeri porse ishte krijuar për t’i shërbyer burrit. Për ta ndryshuar gjendjen, Islami ndërmori disa hapa të rëndësishëm, si:
  1. Islami vërteton se gruaja është qenie njerëzore
  2. Islami shfajëson gruan nga fajet që i janë ngarkuar padrejtësisht sikur që zhduk botëkuptimet se kinse ajo është burim fatkeqësie
  3. Islami konfirmon se burri dhe gruaja, ndonëse nuk janë të njëjtë, megjithëkëtë, të barabartë janë
  4. Islami njeh meritat e gruas dhe të drejtat e saja[8]
ÇFARË PËRFSHIN TRAJTIMI I MIRË PËR GRUAN

Trajtimi i gruas në Islam, siç pamë deri më tani, është një kulmim vlerash. Pra, është rezultat i një vetëdije të lartë fetare, kështu që nuk bëhet fjalë për thjesht një kryerje obligimi material ndaj saj (përkujdesja për ushqimin, banimin, veshmbathjen), por edhe për një trajtim emocional dhe sentimental ndaj saj. Është thënë se për qëllim me mirësjellje ndaj gruas është që të trajtohet me buzëqeshje, të mos lëndohet fizikisht, t’i bëhet mirë (bamirësia ndaj saj) si dhe të durohen sjelljet e saj të vrazhda.[9]

Me një fjalë, është përpjekje për a bërë burrin të ndiejë se bota e tij është gruaja e tij, lumturia e tij është gruaja e tij, qetësia shpirtërore është gruaja e tij. Kështu ka thënë Allahu i Madhëruar: “Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë.
Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.“ (Err-Rrum, 21)

Madje, pikërisht për shkak të këtij fakti, Islami ka edukuar besimtarin që të gjurmojë në jetën bashkëshortore gjithherë për këtë qëllim: lumturinë. Pra, të mos jetë shkak ndonjë gjë e vogël ta shkatërrojë jetën bashkëshortore. Allahu i Madhëruar thotë: “Çoni jetë të mirë me to. Nëse i urreni ato, bëni durim pse ndodh që All-llahu të japë shumë të mira në një send që ju e urreni.“ (En-Nisa, 19)
Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem] na porosit që të mos na pushtojë mendimi i keq për gruan asnjëherë për shkak të një sjellje apo gjesti të keq të saj, për shkak se sjelljet dhe gjestet tjera të saj mund të jenë shumë të mira. “Besimtari nuk e urren besimtaren: nëse nuk i pëlqen një moral i saj, i pëlqen morali tjetër.”[10]

Islami ka ndaluar që gruaja të trajtohet si objekt për dëfrim dhe më pastaj të degradohet personaliteti dhe karakteri i saj. Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem], siç transmetojnë Buhariu, Muslimi, ka thënë: “Për çfarë e rrah njeriu gruan e tij sikur ta rrihte një robëreshë ndërsa ai në mbrëmje mund të flenë me të?!”

Siç ka shpjeguar Imam Neveviu, në këtë hadith ndalohet rrahja e gruas, veçanërisht kur bëhet për motive të këtilla të pajustifikuara. Hadithi është argument për mirësjelljen dhe edukatën që duhet patur me gruan.[11] Ndërsa rrahja që bëhet për edukim, e përmendur në Kur’an (En-Nisa, 34), nuk hyn në këtë kategori, pasi që ajo përdoret vetëm si mjet për edukim dhe se nuk përfshin format brutale që do t’i shkaktonin gruas lëndime apo do ta degradonin personalitetin e saj. 

PREJ KUJT TË MARRIM SHEMBULLIN E INTERESIMIT PËR GRUAN

Në hadith, shohim se si Muhammedi [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem] shfaq nivelin e tij të lartë fetar dhe edukativ ndaj të gjithë neve, edhe, përveç tjerash, për shkak të mirësjelljes së tij ndaj grave. Kjo, në njëfarë forme, nënkupton se kodin e mirësjelljes dhe respektit bashkëshortor duhet ta marrim prej tij, ashtu siç i marrim edhe gjërat tjera. Pra, nëse dikush dëshiron ta di se si trajtohet femra në islam, le t’i drejtohet traditës së Muhammedit [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem], i cili ka qenë shembull i përkryer dhe absolutisht i dalluar për të mirë. Ai, përveç që ka flakë bindjet e gabuara përkitazi me femrën, ka shërbyer edhe si shembull konkret për modestinë dhe mirësjelljen me familjen. Kur Aisheja [­radijAllahu anha] qe pyetur për gjendjen e Pejgamberit [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem] brenda shtëpisë, qe përgjigjur: Sa ishte brenda, i shërbente familjes, ndërsa kur vinte koha e namazit, dilte për namaz.[12]

ISLAMI EDHE SOT SI SHPËTIM PËR FEMRËN 

Kodi profetik për mirësjelljen me gruan, në përgjithësi, dhe familjen në veçanti, po bëhet gjithnjë e më i nevojshëm për shoqërinë njerëzore. Kjo për shkak të degradimit të femrës dhe çnjerëzimit të saj. Femra, ndonëse propagandohet shumë për të drejtat e saj, ka përfunduar më keq se kurrë më parë. Nderi dhe dinjiteti i saj identifikohen me trupin dhe bukurinë që ka, ndërsa ligjet që garantojnë të drejtat e saj, janë ligje që lehtësojnë rrugën deri tek ajo. Tregtia me femrën vazhdon, industria e pornografisë është ndër më profitabilet. Roli familjar i femrës është parë si pengesë e zhvillimit në Evropë, për këtë, është bërë thirrje që të shkatërrohet ai. Turpi është pari si sëmundje që duhet shëruar (pra duhet zhveshur nga turpi) ndërsa nderi si prapambeturi dhe shtypje e lirisë seksuale...[13]
Tërë kjo nëse flet për diç, flet për domosdonë e rikthimit në jetë të kodit islam për gruan dhe familjen. Vetëm kështu do t’i kthehej dinjiteti i saj, si krijesë, e cila do të çmohej për shkak të rolit të saj ndërtues në shoqëri si nënë dhe edukatore.
 
 


[1] Buhariu transmeton se Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem] ka thënë: “Nëse dikush prej jush flenë me familjen – gruan e tij (kryen marrëdhënie) dhe thotë: Bimilah – me mrin e Allahut, o Allah na e largo djallin dhe largoje po kështu edhe nga ajo që na ke dhuruar (fëmija), kështu nëse (e thotë këtë lutje dhe) iu falet fëmijë (mbetet me barrë), djalli nuk do ta dëmtojë kurrë.”

[2] Shih: El-Mubarekfuri, Muhammed ibn AbduRrahman ibn AbduRrahim. Tuhfetul ahvedhi bi sherhi xhamii-t-Tirmidhijj. Bejrut: Dar el-kutub el-ilmijjeh. 10/269.

[3] Ibn El-Ethir, El-Mubarek ibn Muhammed ibn Muhammed ibn Muhammed ibn Abdul Kerim. (1979) En-Nihaje fi garbi-l-hadithi ve-l-ether. Verifikues: Tahir Ahmed Ez-Zavi dhe Mahmud Muhammed Et-Tanahi. Bejrut: El-Mektebetu el-ilmijjeh. 2/91.

[4] Transmeton Imam Muslimi.

[5] Shih: En-Nevevi, Jahja ibn Sheref. (1392 h.) El-Minhaxh sherhu Sahihi Muslim ibn El-Haxh-xhaxh. Ed. 2. Bejrut: Dar Ihja et-turath el-arabijj. 7/81.

[6] Transmetojnë Tirmidhiu dhe Ibni Maxheh ndërsa Albani e ka vlerësuar hadithin për të saktë.

[7] Shih: Es-Sindi, Muhammed ibn Abdul Hadi Et-Tetevi. (p.v.b.) Hashijetu-s-Sindi ala Suneni Ibni Maxheh. Bejrut: Dar el-Xhil. 1/699.

[8] Dr. Jusuf Kardavi ka bërë një shpjegim të hollësishëm dhe me argumente e fakte të shumta, andaj, kush të do, për këtë çështje mund t’i kthehet librit të tij Gruaja në Islam, të përkthyer në shqip nga Sadush Tahiri dhe të botuar në Prishtinë, më 2002, nga Shoqata Bamirëse e Katarit.

[9] Shih: Es-Sidiki, Muhammed ibn Al-lan. (2004) Delilu-l-falihine li turuki rijadi-s-salihine. Ed. 4. Bejrut: Daru-l-ma’rifeh. 3/106.

[10] Hadithin e transmeton Muslimi.

[11] Shih: En-Nevevi. (1392 h.) El-Minhaxh sherhu Sahihi Muslim ibn El-Haxh-xhaxh. 17/188.

[12] Hadithin e transmeton Buhariu.

[13] Shih: Ammare, Muhammed. (2009) Tahriru-l-mer’eti bejne-l-garbi ve-l-Islam. Kajro: Mektebetu El-Imam El-Buhari. F. 38;40.


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013