Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
SI TA RUAJMË REPUTACIONIN ISLAM?

Përgjegjësia është një ndjenjë e cila kompleton personalitetin e njeriut. Në Islam, koncepti për përgjegjësinë reflekton një pjekuri të madhe të besimtarit. Ai nuk fokusohet vetëm në veprimet e individit si individ, pra nuk merret vetëm në përgjegjësinë personale që ndien individi për veprimet e tij –gabimet dhe mëkatet, por edhe për atë që mund të reflektojnë ato veprime, edhe nëse në esencë këto të fundit nuk janë të këqija por që mund të provokojnë reagime të këqija. P.sh. Islami ka ardhur për t’i luftuar idhujt, paganizmin, por kjo duhet bërë në atë mënyrë që Islami të mos dëmtohet, ndryshe, përgjegjësia për dëmin e shkaktuar i hidhet edhe besimtarit. Allahu ka thënë: “Ju mos ua shani ata (zota) që u luten (idhujtarët), pos All-llahut, e (si hakmarrje) të fyejnë All-llahun nga armiqësia, duke mos ditur (për madhërinë e Tij...“ (El  En’amë, 108)

Imam Kurtubiu duke komentuar këtë ajet, gjegjësisht pjesën e shkëputur në tekst, thotë se pjesa e parë (Ju mos ua shani ata (zota) që u luten (idhujtarët), pos All-llahut,...) është ndalesa ndërsa pjesa tjetër (...e (si hakmarrje) të fyejnë All-llahun nga armiqësia, duke mos ditur (për madhërinë e Tij...) është përgjigja –arsyeja e ndalesës. Pastaj vazhdon e shpjegon se ndalesa dhe arsyetimi janë të plotfuqishme përherë. Muslimanit i ndalohet të shajë – fyejë kryqet, fenë, kishat e tyre, e që për pasojë do të kishte sharjen apo fyerjen e Zotit, Pejgamberit, Islamit.[1]

Fatkeqësisht, këtë parim dhe rregull fetare e kanë anashkaluar ose injoruar disa besimtarë muslimanë, të cilët, me veprimet e tyre, sidomos kohëve të fundit, janë bërë shkaktarë që të dëmtohet reputacioni i Islamit në botë. Dijetarët muslimanë i kanë kushtuar rëndësi të madhe ruajtjes së reputacionit islam në botë pasi që prej tij varet edhe kumtimi i mesazhit, kështu që, për të mos ardhur deri tek shtrembërimi ose njollosja e Islamit, kanë vënë disa rregulla dhe parime se si duhet të veprojmë, në mënyrë që Islami të mos jetë viktimë e jona.

1. VEPRIMET TONA TË BRENDSHME TË MOS REFLEKTOJNË IMAZH TË KEQ TË ISLAMIT

Forma se si funksionon shoqëria islame është për tu marrë model. Është një shoqëri, në të cilën feja dhe arsyeja bashkëveprojnë. Është shoqëri e cila nuk jeton e ngurtë dhe mbyllur brenda, përkundrazi, jeton me synime dhe objektiva të larta. Pikërisht, për shkak të këtyre objektivave, ndonjëherë edhe iket nga disa parime, aplikimi i të cilave do të mund ta dëmtonte reputacionin e Islamit, si fe dhe sistem. Më konkretisht, që të huajt, jomuslimanët, të cilët nuk e kuptojnë çështjen islame në detaje, nga ndonjë veprim fetar, të mos krijojnë përshtypje të gabuara për Islamin. Kjo ishte logjika me të cilën vepronte i Dërguari i Allahut a.s.. Kur Sahabet [radijAllahu anhum] kërkuan që të ndëshkoheshin disa hipokritë, të cilët botërisht diheshin si pabesimtarë ndonëse publikisht e shprehnin Islamin, dhe, ligjërisht, mund të aplikohej kodi penal ndaj tyre, i Dërguari i Allahut a.s. refuzoi, duke thënë: “...që të mos flasin njerëzit se Muhammedi i mbyt shokët e vet!” (Buhariu dhe Muslimi.)

Këta hipokritë, siç thamë, në publik janë shtirur si muslimanë, dhe, që të mos mendojnë ata që nuk i kanë njohur si hipokritë se Muhammedi a.s. qenka sikur liderët e fiseve, kabileve, shteteve, që jetonin nën ankthin e rivalitetit për çka edhe i mbysin njerëzit më të afërt të tyre, nuk e aplikoi kodin penal ndaj tyre. Muhammedi a.s. është Pejgamber. Nga këtu, veprimi i Pejgamberit a.s. është llogaritur strategji e llojit të vet, sepse, njerëzit janë të thirrur që të vlerësojnë gjërat nga aspekti i jashtëm, jo i brendshëm, dhe përderisa hipokriti (i synuar në hadith, Abdullah ibn Ubej) sipërfaqësisht shtirej mysliman, atëherë mbytja e tij do të dëmtonte imazhin islam.[2]

Këtu ka një detaj që nuk do të duhej të na ikte. Muhammedi a.s. i është frikësuar propagandës që do të mund të bëhej kundër Islamit në një kohë kur komunikimi ka qenë shumë i vështirë. Paramendojeni, sa shumë do t’i kushtonte rëndësi këtij parimi sikur të jetonte sot Muhammedi a.s. ndërsa mjetet e komunikimit janë këto që janë janë.

Dua t’iu pyes, a nuk është i tërë ky irritim i të huajve nga Islami pikërisht për shkak të veprimeve të pamenduara mirë të muslimanëve?! A nuk janë njollosur edhe ato që janë objektiva islame dhe të cilat do të duhej ta prezantonin Islamin si shpëtuesin e vetëm, a nuk janë njollosur shkak i veprimeve të gabuara të muslimanëve? P.sh. vëllazëria islame është objektivë. Allahu i Madhëruar na ka treguar se jemi vëllezër (Kur’ani: El-Huxhurat: 10) ndërsa Muhammedi a.s. na ka portretizuar këtë vëllazëri në formë të trupit të përbërë nga pjesë dhe gjymtyrë, të cilat reagojnë instinktivisht për njëra tjetrën (Muslimi).

Më thoni si paraqitet sot kjo objektivë islame para të huajve?

A nuk janë të irrituar pikërisht për shkak të saj, dhe këtë nga dy këndvështrime:

  1. Luksi përrallor i një pjese të shoqërisë dhe mjerimi trishtues i një pjese tjetër, dhe
  2. Luftërat dhe problemet ndërmjet muslimanëve.
  3. Këto kanë bërë që reputacioni dhe fama e Islamit në vendet joislame të rrezikohet, andaj edhe bëjmë thirrje që të kemi kujdes në veprimet tona.
2. TË MOS NJOLLOSEN QËLLIMET DHE OBJEKTIVAT ISLAME NË RAPORT ME TË TJERËT

Muslimanët nuk duhet të kenë kujdes vetëm për veprimet e brendshme të tyre që të ruhet reputacioni islam, por edhe për veprimet e jashtme, gjegjësisht me të tjerët. Islami, si mision universal, ka për qëllim kryesor udhëzimin e njerëzve në rrugën e drejtë. Ky është qëllimi ndërsa të gjitha të tjerat janë mjete. Xhihadi nuk është qëllim por është mjet, mu për këtë, që të mos del jashtë kësaj që i është përcaktuar fetarisht, janë ndërmarrë hapa rregullativë. P.sh., në qoftë se ndërmjet muslimanëve dhe të tjerëve ka marrëveshje dhe armëpushim, atëherë muslimanët nuk guxojnë ta thyejnë atë, sepse qëllimi i misionit të tyre do të shtrembërohej. Kjo do të bëhej vetëm nëse pala kundërshtare e thyen armëpushimin ose kihet frikë se do ta bëjë këtë. Për ta shpjeguar më mirë këtë, do t’i referohem dy rasteve nga historia e ndritur e muslimanëve. Imam Ahmedi, Ebu Davudi dhe Tirmidhiu transmetojnë se ndërmjet Muaviut r.a. dhe romakëve kishte marrëveshje – armëpushim. Duke qenë se koha e mbarimit të marrëveshjes afrohej, Muaviu r.a. ishte nisur nëd drejtim të vendbanimeve të romakëve që të ishte sa më afër tyre pasi të mbaronte marrëveshja dhe t’i luftonte. Një njeri i hipur mbi kalë erdhi duke thënë: Allahu Ekber! Allahu Ekber! Përmbushje të premtimit e jo tradhti! Shikuan kur ja ai ishte Amr ibn Abese r.a.. Muaviu r.a. e dërgoi një njeri ta pyeste se çfarë dëshironte të thoshte me këtë. Ai tha: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut a.s. duke thënë: “Ai që ka marrëveshje me ndonjë popull, le ta respektojë dhe le të mos e prish derisa të kalojë koha ose që prishja të jetë reciproke[3].” Muaviu r.a. kur e dëgjoi këtë hadith, u kthye dhe nuk vazhdoi rrugën.

Rast tjetër madhështor kemi atë që e rrëfen Muhammed Ebu Zehre, i cili, duke folur për drejtësinë si karakter islam, merr shembull çlirimin e Samarkandit nga komandanti Kutejbe ibn Muslim. Ky i fundit nuk kishte përfillur metodologjinë islame, kështu që pa asnjë paralajmërim, kishte hyrë në Samarkand. Populli i qenë ankuar Halifes Omer ibn Abdul Aziz se komandanti i tij ky hyrë në vendin e tyre pa paralajmërim. Kur Halifeja vërtetoi se çështja qëndronte siç përshkruhej në ankesën e priftërinjve dhe murgjve, atëherë urdhëroi komandantin që ta lëshonte Samarkandin. Kur panë këtë drejtësi islame, një pjesë e madhe e tyre pranuan Islamin.[4]

Në raport me të tjerët, veprimet tona që do të duhej të kenë nivelin e lartë të përgjegjësisë në mënyrë që praktika dhe teoria të përputhen. Ndryshe, edhe objektivat me të cilat i mburremi botës mbarë, na njollosen. Pas rastit të revistës satirike në Francë, një lidere evropiane pyeste nëse kishte jeta vlerë për ata muslimanë që sulmuan revistën.[5] Jeta, kjo objektivë e shtrenjtë islame, na është njollosur nga një grup njerëzish, të cilët udhëhiqen nga emocioni dhe jo arsyeja. Sikur të ndërmerrnim ndonjë hap për të bindur të huajt se jeta në Islam është e shenjtë, se atë nuk ka të drejtë t’ia merr njeriut askush pa të drejtë, madje as vet njeriut vetvetes (Kur’ani: En-Nisa: 29). Pastaj, ndër mëkatet që kanë dënimin më të madh është vrasja me pa të drejtë. Ja për çfarë dënimi bëhet fjalë. “Kush e mbytë një besimtarë me qëllim, dënimi i tij është xhehennemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. All-llahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur dënim të madh.“ (En Nisa, 93)

Ibni Kethiri, duke komentuar këtë ajet thotë: Është një kërcënim i ashpër dhe paralajmërim serioz për ata që kryejnë mëkat të këtillë, të cilin e gjejmë paralel me shirkun (mëkatin absolutisht më të madh) në më shumë se një vend në Kur’an...Ibni Ababsi r.a. e shihte se njeriu që mbyt qëllimshëm besimtarin nuk ka pendim për të (nuk i pranohet pendimi).[6]

3. QË TË MOS I DËMTOJMË VËLLEZËRIT TANË QË JANË NË MESIN E JOMYSLIMANËVE

Maturia në veprimet tona parasheh që, për të mos dëmtuar vëllezërit tanë, të braktisim edhe atë që është legjitime. Fjala është për vëllezërit që për një ose arsye tjetër legjitime gjenden në vende joislame. Xhafer Idris, duke folur për ruajtjen e reputacionit islam, i referohet fjalës së Allahut: “Ata janë që nuk besuan, ju penguan t'i afroheni xhamisë së shenjtë (Qabes), duke i mbajtur kurbanet të penguar të arrinin në vendin e vet. E sikur të mos kishte burra besimtarë dhe gra besimtare, që ju nuk i dinit, e t'i sulmonit duke mos ditur, dhe me mbytjen e ndonjërit prej tyre të turpëroheni (Zoti do t'ju jepte leje të hyni në Mekë). (E bëri atë) Për ta marrë All-llahu në mëshirën e vet atë që do. Dhe sikur të ishin të ndarë, Ne do t'i dënonim me një dënim të rëndë ata prej tyre të cilët nuk besuan.“ (El Fet’h, 25), tek e cila vëren se shkak pse Allahu i ndaloi besimtarët që t’i luftojnë idhujtarët në Qabe është se në Mekkë kishte edhe besimtarë myslimanë, dhe që të mos thuhej pastaj se muslimanët nuk kursehen as nga vrasja e vëllezërve të tyre, i ndaloi prej sulmit ndaj jomyslimanëve. Allahu i ndaloi besimtarët prej një pune, që në esencë është e ligjësuar, në mënyrë që të mos vihet deri tek ajo që si shkak i saj muslimanët do t’i godiste turpi.[7] 

Një shfletim, qoftë edhe kalimthi, i ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur në perëndim e që kanë të bëjnë me muslimanët, do të na bëjë të kuptojmë se si veprimet e pamençura na kanë shkaktuar probleme të shumta: mbytje muslimanësh, demolim dhe djegie xhamish, etj.

4. QË VEPRIMET MOS T’I ATRIBUOHEN ISLAMIT

Jo rrallë, kemi parë se si veprimet e dhunshme i janë përshkruar Islamit ose se janë ndërmarrë për llogari të tij. Kjo është gabim. Veprimet të cilat ndeshen me rregullat dhe etikën islame, sado që t’i përshkruhen Islamit, nuk janë islame. Madje, neve, na kërkohet të mos ia përshkruajmë Islamit as veprat, të cilat janë fillimisht janë të mira por që më pas mund të kalojnë në trajta tjera, prej të cilave më pas mund të njolloset Islami. Pejgamberi a.s. ka thënë: “....nëse e rrethon ndonjë kala dhe kërkojnë prej teje t’ua japësh besën e Allahun dhe besën e të Dërguarit të Tij, atëherë mos ua jep atyre besën e Allahut dhe as besën e të Dërguarit të Tij, por jepuani besën tuaj dhe besën e shokëve tuaj, sepse, që ju ta thyeni besën tuaj është më lehtë se sa ta thyeni besën e Allahut dhe besën e të Dërguarit të Tij ...” (Muslimi)
Sa shumë kemi nevojë që ta aplikojmë këtë në përditshmërinë tonë!

Sikur ato veprime të gabuara t’i atribuoheshin autorëve të tyre dhe jo Islamit, puna do të ishte me më pak pasoja!


[1] Shih: El-Kutubi, Muhammed ibn Ahmed. (1964) El-Xhamiu li ahkami-l-Kur’an. Kajro: Dar el-kutub el-misrijjeh. 7/61.

[2] Shih: Ibn Mulekkin, Umer ibn Ali. (2008) Et-Teudih li sherhi-l-xhami-s-sahih. Damask: Dar en-nevadir. 23/408.

[3] Nga frika e tradhtisë – prishjes së njëanshme të marrëveshjes nga pala kundërshtare, prish marrëveshjen por duke lajmëruar më parë palën kundërshtare, në mënyrë që të mos etiketohet për tradhti. Shih: El-Adhim Abadi, Muhammed Eshref ibn Emir ibn Ali ibn Hajdar. (1410 h.) Aunu-l-Ma’bud sherhu Suneni Ebi Daud. Bejrut: Dar el-kutub el-ilmijjeh. 7/312.

[4] Ebu Zehre, Muhammed. (1996) Ed-dauetu ile-l-Islam – tarihuha fi ahdi-n-Nebijji ve-s-sahabet v-t-tabiin ve-l-uhud el-mutelahikati ve m jexhib el-an. Kajro: Dar el-fikr el-arabijj. F. 14-16.

[6] Ibni Kethir, Ismail ibn Umer. (1999) Tefsiru el-Kur’ani-l-adhim. Kajro: Daru Tajjibe li-n-neshri ve-t-teuzië. 2/371-372.

[7] Xhafer Idris: “Min kavaidi-d-in: el-muhafedhatu ala husni sum’ati-l-Islam”, http://www.jaafaridris.com, shfletuar më 16.01.2015.


VIDEOS / YOUTUBE
Devotshmeria synim kryesor i agjerimit Vlera e kohes Monumente besimi ne agjerim Edukimi seksual i femijeve
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013