Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
PËRGJIGJE ATYRE QË THONË: “I KEMI ZEMRAT E MIRA”

Shpeshherë ata që braktisin obligimet fetare na arsyetohen duke thënë se iu mjafton që i kanë zemrat e mira. Është një përgjigje, e cila është shndërruar në një lloj maksime të atyre që nuk praktikojnë fenë. Si dukuri, është e rrezikshme, për shkak se nuk paraqet vetëm përmbysje të konceptit fetar përkitazi me të mirën dhe të keqen, të urdhëruarën dhe të ndaluarën, porse ka edhe efekt shkatërrues për vet individin. Këtë të fundit e nxjerr nga dynjaja duke mos patur me çka t’i del para Allahut. Për këtë shkak, ligjëruesit fetarë shpesh e trajtojnë atë në ligjëratat dhe fjalimet e tyre, madje nga këndvështrime të ndryshme. Ibnu-l-Kajjimi në librin El-Fevaid,[1] duke folur për urdhëresat dhe ndalesat, përmend disa dobi të rëndësishme, disa prej të cilave i shkëputëm dhe i sollëm këtu, si një kontribut shtesë për trajtimin e çështjes në fjalë.

Rregull i rëndësishëm

Braktisja e një urdhri tek Allahu është më e madhe se kryerja e një ndalese.”

Pra, të kryesh një mëkat, nuk është më e rëndë se sa të braktisësh një farz. Ata që thirren në zemrat e tyre të mira e që nuk falin namazin, duhet ta dinë se fakti që nuk falin namazin dëshmon për zemrat e sëmura të tyre. Me këtë veprim ata kanë bërë gabimin më të madh, kanë njollosur zemrën me ndryshkun e një prej mëkateve më të mëdha. Ka thënë Sehl ibn Abdullahu: “Të braktisësh një urdhër, tek Allahu është më e rëndë se sa të kryesh një ndalesë, sepse Ademit, të cilit iu ndalua të hante nga pema ndërsa ai ngrëni prej saj, iu pranua pendimi, ndërkaq iblisit, i cili u urdhëruar të bënte sexhde ndërsa refuzoi, nuk iu pranua pendimi.”

Klasifikimi i mëkateve

Mëkatet, që të gjitha janë të urryera, por prej tyre ka që janë të mëdha vetëm se në rrezikshmëri dallojnë nga njëra tjetra. Disa mëkate kanë për bazë epshin, e të tjera mendjemadhësinë. Ky është shkaku pse Ademit [alejhiselam] iu pranua pendimi, dorësa iblisit jo. Ademi bëri mëkat, por jo se e kundërshtonte Allahun, jo se shfaqte mendjemadhësi ndaj tij. Ishte epshi që e shtyri të bënte këtë mëkat. Dëshmia më e mirë për këtë është se Ademi menjëherë u pendua. Pra, nuk nguli këmbë në mëkat. Ndërsa djalli i mallkuar, refuzoi duke ngulur këmbë në qëndrimin e tij. Ishte mendjemadhësia. Allahu e përshkruan këtë qëndrim të tij në Kur’an: “Ne ju krijuam pastaj ju dhamë formën, e mandej engjëjve u thamë: "Bëni sexhde për Ademin". Ata i bënë sexhde pos Iblisit. Ai nuk qe prej atyre që bënë sexhde. 12. (All-llahu) Tha: "Çka të pengoi ty të bësh sexhde, kur Unë të urdhërova?" Ai (Iblisi) tha: "Unë jam më i vlefshëm se ai, më krijove mua nga zjarri, e atë e krijove nga balta!".” (El-A’rafë, 11-12)

Pra, shkak pse nuk i bëri sexhde Ademit, ishte mendjemadhësia.

Pse iblisi nuk pendohet?

Ne e dimë se fetarisht çdo mëkat falet nëse pendohesh, madje edhe pabesimi. Një jomysliman, nëse pendohet, thotë shehadetet, bëhet mysliman.

Mirë, pse nuk pendohet iblisi?

Dijetarët kanë folur për këtë çështje dhe kanë përmendur se iblisit i është kushtëzuar pranimi i pendimit me të bërit sexhde për Ademin [alejhiselam] tek varri i tij ndërsa ai ka thënë se nuk i ka bërë sa ka qenë gjallë e nuk do t’i bën as tash.

Pra, është mendjemadhësia.

Këtu qëndron shpjegimi i hadithit të Pejgamberit [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem] për ata që me një grimcë besimi hyjnë në Xhennet dhe të tjerë që për një grimcë mendjemadhësie hyjnë në Xhehennem. Thotë Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem]: “Nuk hyn në Xhennet ai që ka në zemrën e tij mendjemadhësi qoftë dhe sa një grimcë e vogël e mustardës, sikur që në zjarr nuk do të hyn ai që ka besim në zemrën e tij qoftë edhe sa një grimcë e farës së mustardës.[2]

Klasifikimi i veprave të mira

Jo të gjitha veprat e mira janë të njëjta. Ka prej tyre që preferohen me shumë se tjera. Po kështu, kanë dhe një klasifikim tjetër: vepër e mirë në vetvete dhe vepër e mirë për shkak të veprave tjera. Më konkretisht, kanë thënë se “Kryerja e urdhëresës më e dashur se braktisja e ndalesës.”

Pra, të bësh mirë në vetvete, është e mirë, p.sh. ta falësh namazin, por e mirë konsiderohet dhe kur ti për Allahun e braktis një mëkat. Megjithatë, të kryhet një vepër e mirë në vetvete është më e pëlqyer se të braktisjet një mëkat. Nga tekstet fetare kuptohet se të kryesh një urdhër është më e dashur se sa ta braktisësh një mëkat. Pejgamberi ka thënë: “Vepra më e dashur tek Allahu i Madhëruar është namazi në kohën e tij!”[3]

Së këndejmi, të thuash e kam zemrën e mirë vetëm pse nuk bën ndonjë ndalesë konkrete nuk është më e mirë se sa të kryesh urdhrat, gjegjësisht të falësh namazin dhe të kryesh obligimet tjera fetare. Të parët tanë këtë bindje e kanë konceptuar si vetëmashtrim. Të thuash se jam i mirë vetëm pse (ty të duket se) nuk bën keq, është vetëmashtrim, iluzion. Hasan Basriu ka thënë: “
Imani nuk është me dëshira por që ngel në zemër dhe e vërtetojnë veprat. Disa njerëz dolën nga kjo botë ndërsa nuk kanë asnjë vepër. Ata thanë: Ne kemi mendime të mira për Allahun, por gënjyen sepse po të kishin mendime të mira, do t’i bënin edhe veprat e mira.

Urdhëresat dhe ndalesat karshi qëllimit të krijimit

Njeriu ka një qëllim pse ka ardhur në këtë botë. Është adhurimi për Allahun. Pra, është përfillja e urdhrit që të adhurojë vetëm Allahun. Ikja nga kjo gjë dhe mjaftimi vetëm me braktisjen e të ndaluarave sikur e bënë inekzistent njeriun. Pra, nëse nuk adhuron, nuk kryen urdhrin, dhe kjo e bën njeriun të jetë i pa adresë, i hutuar, përherë në konfuzion. Kjo ka dhe pasoja tjera psikike dhe shpirtërore, që d.t.th. sepse po të kishte njeriu zemër të mirë, po të dispononte me shëndet të mirë shpirtëror, nuk do të kishte këto vuajtje. Thotë Allahu: “E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kiametit do ta ringjall të verbër...“ (Taha, 124-126)  

Së këndejmi, të thirrurit në ‘zemrën e mirë’ është iluzion, i cili në këtë botë e bën individin të hutuar ndërsa në botën tjetër të humbur.
 
 
 


[1] Ibn Kajjim el-Xheuzijjeh, Muhammed ibn Ebi Bekr. (1429 h.) El-Fevaid. Mekke: Dar Alem el-Fevaid. F. 171-185.

[2] Transmeton Ibni Maxheh ndërsa Albani sahih.

[3] Transmeton Muslimi.


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013