Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
PËRSIATJE RRETH PARAMETRAVE TË GAFLETIT NË MUAJIN SHABAN

PËRSIATJE RRETH PARAMETRAVE TË GAFLETIT NË MUAJIN SHABAN

 Kur Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] u pyet për arsyen se përse agjëronte vullnetarisht më shumë në muajin Shaban se në muajt tjerë, tha se ai është një muaj ndaj të cilit janë të pavëmendshëm, të shkujdesur, gafilë, njerëzit. Usame b. Zejdi [radijAllahu anhuma], siç shënon Nesaiu,  thotë: “I thashë: O i Dërguari i Allahut! Nuk të kam parë të kesh agjëruar në muajt tjerë siç po të shoh në Sha’ban. Tha: Ai është muaj, në mes Rexhebit dhe Ramazanit, që e anashkalojnë njerëzit (janë neglizhent ndaj tij); në të ngritën veprat tek Zoti i botëve andaj unë kam dëshirë që vepra ime të ngritët vepra ime duke qenë unë agjërueshëm.” (Albani thotë se është hasen.)

Pra, muaji Shaban qenka një muaj i veçantë, ndaj veçantive të të cilit njerëzit qenkan të shkujdesur ose të pavëmendshëm.

Atëherë, për çfarë shkujdesje ose pavëmendje bëhet fjalë?

Ky punim modest mëton të hedh dritë mbi disa aspekte ku vërehet pakujdesja jonë, gafleti dhe neglizhenca karshi këtij muaji të madhërishëm.

1) Neglizhent ndaj elementit kohë

Siç potencohet edhe në hadith, shkaku se përse Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ka agjëruar në këtë muaj më shumë, është se ai paraqet përmbylljen vjetore të veprave. Është muaji kur bëhet ngritja vjeçare e veprave tek Allahu i Madhëruar.

Është si të thuash një shenjë në rrugë që na përkujton për rëndësinë e kohës. Sa shpejt vjen fundi i vitit ndërsa ne nuk e dimë se me çfarë i dalim Allahut përpara. Sa shumë do të donim sikur ë kthehej koha e ta përmirësonim veten, por kjo nuk bëhet. Këtë e dëshiron njeriu atëherë kur arrin esencialisht ta kuptojë më së miri –kur të vijë koha për të vdekur. Thotë Allahu për njeriun që është duke vdekur: “E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: O Zoti im, më kthe. 100. që të bëj vepra të mira e të kompensoj atë që lëshova! Kurrsesi, (Kthim nuk ka) e kjo është vetëm fjalë që thotë ai, e ata kanë para tyre një perde (distancë periodike) deri në ditën kur ringjallen.“ (El-Mu’minune, 99-100)

Për këtë shkak, i dashuri ynë, Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] na ka porositur që të nxitojmë me vepra të mira, t’ia paraprijmë gjërave me vepra të mira, veçmas vdekjes.

“Shfrytëzo pesë gjëra para pesë të tjerave: rininë para pleqërisë, shëndetin para sëmurjes, pasurinë para varfërisë, kohën e lirë para zënies me punë dhe jetën para vdekjes.” (Albani në Sahihu-t-tergib, 3355, e vlerëson autentik.)

2) Neglizhent ndaj asaj që na bën dobi

Muaji Sha’ban është muaji në të cilin zbulohet e vërteta për vlerën e gjërave.

Çfarë marrim nga kjo botë?

Çfarë na bën dobi tek Allahu nga kjo botë?

Cila është gjëja më e mirë për ne?

Sigurisht, nuk janë gjësendet pas të cilave duam ta lëmë edhe shpirtin. Nuk janë pallatet dhe as veturat. Janë vetëm veprat e mira. Janë ato për të cilat Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ka kaluar ditë të tëra duke abstenuar nga ushqimi dhe pija. Janë veprat e mira. Aisheja [radijAllahu anha], siç transmeton Tirmidhiu në Sunen, rrëfen se kishin therur një dele ndërsa Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] pasi që kishte urdhëruar të shpërndahej lëmoshë për hire të Allahut, e kishte pyetur Aishen: “Çfarë ka mbetur prej saj? Asgjë, me përjashtim të një krahu -iu përgjigj Aisheja. Paska mbetur e tëra, me përjashtim të atij krahu – ia ktheu ai.” (Albani thotë se hadithi është sahih -autentik.)

Pra, e mirë, e ruajtur, e deponuar, është ajo që bëhet për Allahun e Madhëruar dhe shpërblimi për të cilën pritet në ahiret.

3) Neglizhent ndaj mënyrës së forcimit për adhurim

Në muajin Sha’ban ne shfaqim neglizhencën edhe ndaj formës se si mund të jemi të fortë në adhurim. Fakti se nuk agjërojmë në këtë muaj e dëshmon më së miri këtë. Edhe kur jemi kaq shumë pranë maratonës së Ramazanit, ne ende vazhdojmë ta injorojmë garën. Ibni Rexhebi, duke e shpjeguar urtësinë e agjërimit të Pejgamberit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] në Sha’ban, thotë: Është thënë për agjërimin e Sha’banit: “Agjërimi i tij është sikur një ushtrim – parapërgatitje për agjërimin e Ramazanit, në mënyrë që besimtari të mos i hyj agjërimit të Ramazanit me vështirësi e ngarkesë. Përkundrazi, ai (që ka agjëruar në Sha’ban) do të jetë i përgatitur dhe do ta ketë agjërimin shprehi. Ai do të gjejë në agjërimin e Sha’banit ëmbëlsinë e agjërimit dhe lezetin e tij, kështu që do t’i qaset agjërimit të Ramazanit me forcë dhe vullnet.”

4) Neglizhent ndaj konceptit të veprës vullnetare

Vepra vullnetare më e mirë është ajo që kryhet sistematikisht, qoftë edhe nëse nuk është shumë. Aisheja [radijAllahu anha], duke rrëfyer për Pejgamberin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], thotë: “Gjëja që i pëlqente më së shumti nga feja (respektivisht praktikat fetare) ishte ajo që njeriu e bënte në vazhdimësi.” (Albani në Sahihu-l-xhami, 4626, e vlerëson autentik.)

Ne e kemi neglizhuar këtë parim.

Falim namaz vullnetar vetëm në Ramazan, dhe atë në fillim dhe mbarim të tij, ndërsa jashtë tij sikur namazi vullnetar nuk ekziston fare. Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] me praktikat e tij na e dëshmon të kundërtën. Duhet të kujdesemi vazhdimisht sepse kjo mënyrë apo traditë është edhe ajo që na mban të përgatitur përherë për çfarëdo gare është kjo formë e adhurimit.

5) Neglizhent ndaj gjendjes se si duhet të jemi në fund të veprave

Beismtari nuk është arrogant, nuk e pason të mirën me të keqe. Përkundrazi, në fund të veprave, ai mbushet me frikë se cili do të jete fati i veprave, andaj edhe mundohet që me forma të ndryshme adhurimi (dua, dhënie lëmoshe, etj) që të përfitojë mëshirën e Allahut. Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] zgjodhi që fundi i veprave të shoqërohet me një vepër të rëndësishme –agjërim. Kjo për shkak se Allahu pranon vetëm prej vepërmirëve. “...All-llahu pranon vetëm prej të sinqertëve.“ (El-Maide, 27)

E fund, dhe më e rëndësishmja:

6) Neglizhent ndaj qëllimeve të fesë

Muaji Sha’ban është muaji në të cilin reflektojnë qëllimet e adhurimeve. Kjo është një thirrje vetvetiu që qëllimeve dhe synimeve t’i kushtohet rëndësi, jo manifestimeve të thata. Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]  ka thënë: “Allahu, në natën e 15-të të muajit Sha’ban, shikon krijesat e Tij dhe ua falë mëkatet të gjithëve, përveç idhujtarit dhe atij që ka bërë armiqësi.” (Albani thotë për këtë hadith se është autentik.)

Pra, nëse nuk i kushtojmë rëndësi besimit, si bazë, dhe mirësjelljes, si fryt, atëherë kemi dështuar në kuptimin e domethënieve bazë të fesë. Feja nuk është formalitet. Adhurimet nuk janë formalitete. Feja dhe adhurimet kanë synime, si këto që na i përkujton muaji Sha’ban: pastrimi i besimit dhe ruajtja e raporteve të mira me njerëz.

Allahu na bëftë prej atyre që përmirësojnë veten para se të jetë vonë!

 

 

 

 

 

 

 

 

 


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013