Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
SI TA DËSHMOJMË ISLAMIN NË PRAKTIKË?

SI TA DËSHMOJMË ISLAMIN NË PRAKTIKË? 

 

Një njeri erdhi të dëshmojë tek Omer bin Hattabi [radijAll-llahu anhu] por duke qenë se nuk e njihte i kërkoi ta sillte ndonjë dëshmitar. Erdhi një njeri dhe tha: Unë e njoh.  

E si e njeh?- e pyeti Omeri 

E njoh për të drejtë dhe të mirë- u përgjigj njeriu.  

Mirë, a e ke fqinj të afërm, që ta dish se çfarë bën natën e çfarë bën ditën, çfarë sjell në shtëpi e çfarë nxjerr prej saj? – e pyeti. 

Jo – tha njeriu. 

A ke qenë ortak me të në tregti, ngase devotshmëria e njeriut dhe ruajtja nga harami (drejtësia dhe besnikëria) njihen nëpërmjet dinarit dhe dërhemit? 

Tha: jo. 

A ke udhëtuar me të sepse udhëtimi shpalos tiparet e moralit? -e pyeti. 

Tha: jo. 

Dejnuri e ka përmendur se Omeri [radijAll-llahu anhu] i tha: Po të shoh se e ke parë duke u falur në xhami dhe për këtë po dëshmon se është i drejtë. Shko se ti nuk e njeh këtë njeri. 

Pastaj iu drejtua njeriut që erdhi për të dëshmuar: Shko dhe sille dikë që të njeh.1  

Kriteret e dëshmimit të vlerave 

Kjo ngjarje e Omerit [radijAll-llahu anhu] përmban në vete një kriter shumë me rëndësi sa i përket dëshmimit për vlerat dhe tiparet që posedojmë. Do të doja, që të mos krijohet asnjë keqkuptim, të filloj me namazin, që Omeri [radijAll-llahu anhu] nuk e parashikoi si kriter vlerësues. Sigurisht, kjo jo pse namazi nuk ka rëndësi, ose, jo pse Omeri nuk e vlerësoi për të tillë, sepse, siç është dëshmuar, Omeri [radijAll-llahu anhu] namazin e kishte kriter vlerësues për ata që emëronte në detyra shtetërore. Omeri [radijAll-llahu anhu] pa se njeriu falte namaz por nuk e dinte sa reflekton namazi në sjelljet dhe veprimet e tij. Nga ky këndvështrim, kjo thënie e Omerit [radijAll-llahu anhuështë të kuptuar (fikh) i përfituar nga ajetet kur’anore dhe nga hadithet e Muhamedit [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem]. Sa i përket ajeteve, All-llahu përmend në Kur’an se besimi është vepër produktive, vepër që reflekton pozitivizëm.  

﴿أَلَمْ تَرَ كَيْفَ ضَرَبَ اللَّـهُ مَثَلًا كَلِمَةً طَيِّبَةً كَشَجَرَةٍ طَيِّبَةٍ أَصْلُهَا ثَابِتٌ وَفَرْعُهَا فِي السَّمَاءِ﴿٢٤﴾ تُؤْتِي أُكُلَهَا كُلَّ حِينٍ بِإِذْنِ رَبِّهَا وَيَضْرِبُ اللَّـهُ الْأَمْثَالَ لِلنَّاسِ لَعَلَّهُمْ يَتَذَكَّرُونَ  

A nuk ke kuptuar se si All-llahu bëri shembull: fjalën e mirë si pema e mirë që rrënjët e saj janë thellë (në tokë) e degët e saj janë lart, 25. E që me vullnetin e Zotit, ajo e jep frutin e vet në çdo kohë. All-llahu pra u parashtron njerëzve shembuj ashtu që ata të mendojnë.” [Ibrahim: 24-25] 

Ndërsa sa i përket haditheve kemi, p.sh., hadithin e Muhamedit [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem]  për gruan për të cilën i thanë se falet, agjëron dhe jep lëmoshë shumë por që me gjuhën e saj i shqetëson (shan e fyen) të tjerët, për të cilën tha: “Ajo është në Xhehennem!2  

Pra, në thënien e Omerit [radijAll-llahu anhunuk kemi të bëjmë me namazin, si obligim, por me namazin si reflektim. Nëse njeriu nuk posedon vlera, virtyte dhe tipare, kjo është dëshmi se detyrimet fetare nuk kanë lënë gjurmë tek ai. Për këtë shkak, Omeri [radijAll-llahu anhu], që pa se njeriu falej, nuk u mor me namazin, por me reflektimin e tij. Për këtë shkak, i bëri pyetje për mirësjelljen, devotshmërinë dhe korrektësinë e tij. 

Islami praktik është Islami komplet 

Nëse do të donim të reflektojmë Islam konkret, atëherë përkufizimi vetëm në kryerjen e detyrimeve fetare në raport me All-llahun (namazi, agjërimi, zekati, haxhi), atëherë ne nuk do ta përfaqësonim Islamin në mënyrën e duhur. Njeriu ka edhe obligime tjera që rrjedhin nga feja. Madje, këto janë një lloj testimi për detyrimet ndaj All-llahut. Ose janë të lidhura njëra me tjetrën. Si shembull ilustrues do të merrja hadithin: “Kush nuk falënderon njerëzit, nuk e ka falënderuar All-llahun!” Pra, nëse duam të jemi falënderues ndaj All-llahut, nuk duhet të jemi përbuzës ndaj të mirave të njerëzve. Nëse e duam All-llahun, duhet t’ia duam edhe prindërit. Adhurimi për All-llahut, siç ka ardhur në Kur’an, është në vijë paralele me respektimin për prindërit [El Isra: 23]. Nga këtu, sahabiu i nderuar, Ibni Abbasi [radijAll-llahu anhuma] thoshte se këto dy gjëra nuk pranohen pa njëra tjetrën. Si mund të jetë besimtar i devotshëm ai që nuk ka raporte të mira me prindërit?! Çfarë Islami mund të dëshmojë/provojë ai që ka çaluar në këtë aspekt?! A nuk është dështimi i tij në raport me respektimin e prindërve si dëshmi se ai nuk e ka adhuruar sinqerisht All-llahun?! Gjithsesi se po.  

Nëse duam ta shprehim fetarinë e vërtetë, atëherë, referuar rastit të Omerit [radijAll-llahu anhu], na duhet që këtë ta shprehim edhe në sjelljet dhe traditën tonë të përditshme, gjegjësisht në shembujt ilustrues në vijim: 

  • Përkujdesja për fqinjët  

Nëse duam ta prezantojmë Islamin e vërtetë, atëherë duhet të kujdesem për fqinjët. Është urdhër kur’anor [En Nisa: 36] dhe profetik. Muhammedi [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] duke dashur të na shpjegojë në mënyrë figurative sa i rëndësishëm janë fqinjët për njëri tjetrin dhe se sa shumë duhet të kujdesen, thotë: “Xhibrili vazhdoi të më porosiste aq shumë për fqinjin saqë mendova se do ta caktojë trashëgimtar!3    

A jemi ndalur ndonjëherë ta kuptojmë se tek fqinji e gjejmë All-llahun e MadhruarMuhammedi [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] në hadith kudsijj na tregon se All-llahu i Madhëruar do t’i thotë njeriut në Ditën e Llogarisë se përse nuk më ushqeve ndërsa Unë isha i uritur...Sikur të shkoje tek fqinji yt që ka qenë i uritur do të më gjeje.4 

Solidariteti shoqëror, pra një rreth më i gjerë i bamirësisë, është imazh që reflekton fetarinë e vërtetë. Muhammedi [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] na ka përshkruar si një trup që dhimbjen e përjeton për çdo pjesë të tij, 5 ndërsa ne, jemi bërë shembuj të shpenzimeve ekstreme dhe luksit të shfrenuar.  

  • Përmbajtja nga harami 

Devotshmëria ka një fushë të gjerë veprimi. Të jesh i devotshëm d.t.th., të reflektosh drejtësi, korrektësi dhe nder çdoherë. Nuk mund t’i thuhet mysliman i devotshëm atij që mashtron të tjerët apo që tregton me gjëra të ndaluara. Është për keqardhje se në kohën kur ne jemi identifikuar si shoqëri myslimane, paralel me të jemi identifikuar edhe si shoqëri që konsumon shumë alkoolin. Pra, tregtohet me gjëra të ndaluara, të cila zbehin imazhin islam tek ne si shoqëri.    

  • Fisnikëria dhe bujaria 

Sa jemi fisnikë dhe bujarë aq jemi edhe myslimanë. Këto tipare më së miri i tregojmë kur jemi larg familjes dhe vendit ose kur jemi në udhëtim siç do të shprehej Omeri [radijAll-llahu anhu]. Sa përkujdesemi për detyrimet fetare, sa i shmangemi ndalesave duke ditur se jemi në ambiente ku nuk na njohin të tjerët, sa jemi bujar dhe ndihmojmë shokët gjatë udhëtimit duke e ditur se ndodhë që dikujt t’i harxhohen të hollat, t’i humbasin apo edhe t’i vidhen, etj.  

Këto dhe aspekte tjera të jetës së përditshme na tregojmë më së miri se sa jemi fetarë të vërtetë. 



VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013