Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
TRE LLOJET E PADREJTËSISË NDAJ VETVETES

Jemi në një prej muajve të shenjtë, muajin rexheb, karakteristikë e të cilëve, përveç tjerash, është edhe thirrja për rishikim të gjendjes sonë shpirtërore dhe etike. Në Kur’an, në lidhje me këtë karakteristikë të këtyre muajve është thënë:

فَلَا تَظْلِمُوا فِيهِنَّ أَنفُسَكُمْ

...Prandaj, mos i bëni vetes dëm, duke i shkelur këta muaj!” [Et-Teube: 36]

Ky ajet kur’anor po na tregon se njeriu po i bëka vetes padrejtësi dhe kjo padrejtësi qenka ose po u manifestuaka duke i shkelur dispozitat dhe normat e All-llahut, respektivisht duke bërë mëkate. Për ta kuptuar më mirë se për çfarë bëhet fjalë, do t’i referohemi një thënie profetike, në të cilën jepen detaje se si manifestohet padrejtësia ndaj vetvetes. Thotë Muhammedi [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem]:

الظلمُ ثلاثةٌ ، فظُلمٌ لا يغفرُهُ اللهُ ، وظلمٌ يغفرُهُ ، وظلمٌ لا يتركُهُ ، فأمّا الظلمُ الذي لا يغفرُهُ اللهُ فالشِّركُ ، قال اللهُ : إِنَّ الْشِّرْكَ لَظُلْمٌ عَظِيمٌ ، وأمّا الظلمُ الذي يغفرُهُ اللَّهُ فَظُلْمُ العبادِ أنفسُهمْ فيما بينهُمْ وبينَ ربِّهمْ ، وأمّا الظلمُ الّذي لا يتركُهُ اللهُ فظُلمُ العبادِ بعضُهمْ بعضًا حتى يَدِينَ لبعضِهِمْ من بعضٍ

Zullumi (padrejtësia) është tre lloje: padrejtësi që nuk e lë All-llahu, padrejtësi, të cilën e fal dhe padrejtësi të cilën nuk e fal. Sa i përket padrejtësisë që nuk e fal, (ajo është t’i bësh All-llahut shok, sepse) shirkun All-llahu nuk e fal. Sa i përket padrejtësisë që e fal, është padrejtësia e robit në gjërat ndërmjet tij dhe All-llahut. Kurse padrejtësinë që nuk e lë All-llahu është padrejtësia e robërve ndërmjet vete. All-llahu merr hak nga njëri tjetri.” ‘’[Albani në Sahihu-l-xhamii, 3961, e vlerëson hasen.]

Bazuar në këtë hadith, padrejtësia qenka e ndarë në tre lloje:

Lloji i parë, padrejtësia të cilën All-llahu nuk e fal. Kjo padrejtësi është kur njeriu e mohon All-llahun. Në Kur’an, All-llahu na ka treguar se Ai nuk e fal mëkatin e pabesimit nëse njeriu nuk bën teube-pendim. Pra, çdo mëkat tjetër që nuk është shirk, mbetet me mundësi falje nga All-llahu edhe nëse nuk pendohet njeriu, ndërsa shirku, nëse nuk pendohesh, kurrë nuk të fal All-llahu. Thotë All-llahu:

إِنَّ اللَّـهَ لَا يَغْفِرُ أَن يُشْرَكَ بِهِ وَيَغْفِرُ مَا دُونَ ذَٰلِكَ لِمَن يَشَاءُ

Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë...” [En-Nisa: 48]  

Në Kur’an edhe figurativisht na janë ofruar imazhe të padrejtësisë së shirkut. Në kaptinën El-Haxh, ajeti 31, qëndron:

وَمَن يُشْرِكْ بِاللَّـهِ فَكَأَنَّمَا خَرَّ مِنَ السَّمَاءِ فَتَخْطَفُهُ الطَّيْرُ أَوْ تَهْوِي بِهِ الرِّيحُ فِي مَكَانٍ سَحِيقٍ

“...Kush i shoqëron Allahut diçka (në adhurim), i ngjan atij që bie nga qielli e që e rrëmben zogu ose i ngjan atij që stuhia e erës e ka hedhur në një vend të largët e të humbur.

Po kështu në hadithet profetike na janë ofruar imazhe të kësaj padrejtësie. Në një prej haditheve përshkruhet një insert i dhembshëm i kësaj padrejtësie.

إذا جمع اللهُ الأوَّلين والآخِرين ليومٍ لا ريبَ فيه يُنادي منادٍ من كان أشرك في عملٍ عمِله للهِ أحدًا فليطلُبْ ثوابَه من عندِ غيرِ اللهِ فإنَّ اللهَ أغنَى الشُّركاءِ عن الشِّركِ

 “Kur All-llahu t’i ketë tubuar njerëzit në Ditën që nuk ka dyshim në të, të parët dhe të fundit, do të thërret një thirrës: Kush i ka përshkruar All-llahut shok në ndonjë prej punëve që e ka bërë, le të mos e kërkojë shpërblimin tek All-llahu, sepse All-llahu nga ata që ia përshkruani më së paku ka nevojë për shok.”

Pra, të mos e besosh All-llahun d.t.th. që të mbetesh pa mëshirën e Tij në Ditën e Llogarisë, e kush mbetet ashtu, ai nuk shpëton kurrë.

Andaj, të nxitojmë e të pendohemi nga besimi dhe bindjet e gabuara, sepse pendimi i shlyen ato. Thotë All-llahu:

قُلْ يَا عِبَادِيَ الَّذِينَ أَسْرَفُوا عَلَىٰ أَنفُسِهِمْ لَا تَقْنَطُوا مِن رَّحْمَةِ اللَّـهِ إِنَّ اللَّـهَ يَغْفِرُ الذُّنُوبَ جَمِيعًا إِنَّهُ هُوَ الْغَفُورُ الرَّحِيمُ

Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.” [Ez-Zumer: 53]

Lloji i dytë i padrejtësisë është padrejtësia që falet. Fjala është për mëkatet që nuk janë në gradën e shirkut. Këto mëkate, edhe nëse nuk pendohet njeriu, mund të falen prej All-llahut. Në të vërtetë, nëse  ndëshkon robin për to, e ndëshkon me drejtësinë e Tij, e nëse e fal, e fal me mëshirën e Tij. kjo, absolutisht, nuk thërret që të bëjmë mëkate. Përkundrazi. Është një thirrje e një lloji të veçantë të pendimit; thirrje për kultivim të dashurisë për All-llahun dhe thirrje për luftim të dukurisë më të shëmtuar, e cila është postë e shirkut (pabesimit): pesimizmit. Nëse All-llahu po na falka mëkatet tona, atëherë a nuk e meriton Ai dashurin tonë. Gjithsesi se po.

Ajeti që cituam më parë nga kaptina Zumer na ofroi përmasat e faljes së All-llahut: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut!” Ndërsa në kaptinën Jusuf, All-llahu e konsideron se të mos e kesh këtë bindje në All-llahun është gabim i rëndë. All-llahu thotë:

وَلَا تَيْأَسُوا مِن رَّوْحِ اللَّـهِ إِنَّهُ لَا يَيْأَسُ مِن رَّوْحِ اللَّـهِ إِلَّا الْقَوْمُ الْكَافِرُونَ

“...dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Shpresën në mëshirën e Allahut nuk e humb askush, përveç jobesimtarëve.”  [Jusuf: 87]

Lloji i tretë i padrejtësisë, të cilin nuk e lë All-llahu, është padrejtësia ndërmjet nesh. Këtë lloj nuk e falë All-llahu për shkak se ai ka një shtrirje tjetër. Ai ka shkelur të drejtën e tjetrit, andaj nuk falet nëse tjetri nuk ta fal. Për këtë shkak, dijetarët myslimanë, kur kanë folur për pendimin, në gjeneral kanë thënë se i ka tre kushte ndërsa të katërtin (kërkimin e hallallit/kthimin e hakut) e kanë përmendur kur kanë folur padrejtësinë ndaj njëri tjetrit, duke shtuar se pendimi nuk pranohet pa përmbushjen e këtij kushti. Andaj, kjo është një thirrje që të nxitojmë të pajtohemi ndërmjet vete. Nëse i kemi bërë padrejtësi dikujt, t’ia kërkojmë hallallin dhe nëse e kemi dëmtuar, t‘ia kompensojmë dëmin. Ndryshe, nëse jo në këtë botë, në botën tjetër, atëherë kur kemi nevojë më së shumti për vepra të mira, All-llahu do të na i marrë ato që i kemi dhe do t’ua jap atyre që i kemi dëmtuar. Nëse nuk kemi vepra të mira, atëherë do të marrë gabimet e atyre që i kemi dëmtuar dhe do të na i ngarkojë neve.

Andaj, të pendohemi tek All-llahu, të pastrojmë shpirtin tonë dhe të kërkojmë hallallëk e të kompensojmë dëmet që ua kemi bërë të tjerëve, në mënyrë që të mos jemi prej atyre që vetes i bëjnë padrejtësi!


VIDEOS / YOUTUBE
Edukimi seksual i femijeve Depresioni Lutja Perfitime nga istigfari
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013