Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
RËNDËSIA SIMBOLIKE E MUAJIT SHABAN

Simbolika e muajit Sha’ban

Muaji Shaban është muaji që paraprin muajin e madhërishëm të Ramazanit. Kjo mbase ka dhe urtësitë e veta. Dijetarët myslimanë ndonjëherë janë munduar që disa prej adhurimeve të caktuara t’iu zbulojnë urtësi edhe nëpërmjet studimit të gjërave që i paraprijnë ato. P.sh. Bejhekiu në librin e tij Fedailu’l evkat transmeton nga Ebu Sulejman ed-Darani se Aliu [radijAll-llahu anhu] qe pyetur se cila ishte urtësia që qëndrimi (në Arafat) është në kodër dhe jo në Harem (zonë të shenjtë)? Aliu [radijAll-llahu] qe përgjigjur: Ngase Qabeja është shtëpia e Allahut ndërsa Haremi është dera e (shtëpisë së) Allahut, andaj kur iu drejtuan haxhilerët (Shtëpisë së Shenjtë), i ndali te dera që të përulen. Po përse i ndali prapë në Mesh’ar el-haram (në Muzdelife në zonën ku fillon zona e shenjtë)?- e pyetën. Tha: Kur iu dha leje të hyjnë, i ndali tek porta e dytë, Muzdelifeja, ngase pas përuljes së tyre të gjatë, Ai iu dha leje të therin kurbanet e tyre në Mina, e kur ata larguan papastërtitë dhe therën kurbanet e tyre, duke u pastruar kështu nga mëkatet që i patën, Allahu iu dha leje që të pastër ta vizitojnë Atë.[1]

Vështruar nga kjo perspektivë, simbolika e paraprirjes së Ramazanit me muajin Sha’ban mund të përmbajë disa urtësi, të cilat janë me rëndësi të madhe për shfrytëzimin e Ramazanit dhe përfitimin prej tij. Muaji Sha’ban është porta e Ramazanit, është ndalesa e fundit, në të cilën bëhet një pastrim i llojit të vet, në mënyrë që në Ramazan të pastër dhe me vullnet e energji.

Dy urtësitë kryesore të muajit Sha’ban

Urtësitë e muajit Sha’ban të cilat duam t’i nënvizojmë këtu si më të rëndësishmet për pastrimin para Ramazanit janë dy, të cilat njëherësh përfshijnë dy sfera apo dimensione të ndryshme:

1. Dimensioni kohor i urtësive të muajit Sha’ban

Muaji Sha’ban llogaritet si muaji që bën përmbylljen vjetore të veprave të njeriut. Transmeton Nesaiu nga Usame bin Zejdi [radijAll-llahu anhuma], i cili thotë:

قُلْتُ يَا رَسُولَ اللَّهِ لَمْ أَرَكَ تَصُومُ شَهْرًا مِنْ الشُّهُورِ مَا تَصُومُ مِنْ شَعْبَانَ قَالَ ذَلِكَ شَهْرٌ يَغْفُلُ النَّاسُ عَنْهُ بَيْنَ رَجَبٍ وَرَمَضَانَ وَهُوَ شَهْرٌ تُرْفَعُ فِيهِ الْأَعْمَالُ إِلَى رَبِّ الْعَالَمِينَ فَأُحِبُّ أَنْ يُرْفَعَ عَمَلِي وَأَنَا صَائِمٌ

I thashë: O i dërguari i Allahut! Nuk të kam parë të kesh agjëruar në muajt tjerë siç po të shoh në Sha’ban.

Tha: Ai është muaj, në mes Rexhebit dhe Ramazanit, që e anashkalojnë njerëzit (janë neglizhent ndaj tij); në të ngritën veprat tek Zoti i botëve andaj unë kam dëshirë që vepra ime të ngritët vepra ime duke qenë unë agjërueshëm.”[2]

Në këtë hadith të Profetit [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] apostrofohen dy gjëra me rëndësi:

1) Muaji Sha’ban është muaji në të cilin ngritën veprat tek All-llahu, pra bëhet përmbyllja vjetore e tyre. Kjo i bie që Ramazani është fillimi i vitit të veprave, andaj fillimi duhet të jetë i gjallë, i fuqishëm. Për të ndodhur kjo duhet që muajin Sha’ban ta shndërrojmë në zonën e ushtrimeve përfundimtare. Gjegjësisht, na duhet të përgatitemi shumë.

2) Fakti që muaji Sha’ban shënon fundin e vitit të veprave besimtarin e bën që ta rishikojë gjendjen e tij, të pendohet, të përmirësojë atë që ka gabuar. Për këtë shkak, Profeti [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] po na mëson se ai ka agjëruar sepse ka dashur që në kohën kur vepra ngritët, të jetë në një gjendje shpirtërore të mirë. Kjo është edhe porosi e Kur’anit. Është konsideruar arrogancë ose së paku tipar jo i besimtarëve që të bëhet vepra e pastaj të konsiderohet se ajo pranohet pa asnjë dyshim. All-llahu ka thënë:

وَالَّذِينَ يُؤْتُونَ مَا آتَوا وَّقُلُوبُهُمْ وَجِلَةٌ أَنَّهُمْ إِلَىٰ رَبِّهِمْ رَاجِعُونَ
“Dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre.” [El-Mu’minune: 60]

Kjo kur kemi të bëjmë me vepra të mira, ndryshe kur të bëhet fjalë për mëkate, që kemi të gjithë dhe që askush nuk shpëton prej tyre veçmas tash kur në pyetje është ngritja vjetore e veprave, atëherë ajo që duhet të na shoqërojë është që krahas pendimit dhe kërkimfaljen të përgjërohemi tek dera e Ramazanit me adhurime ndoshta All-llahu na fal.

2. Dimensioni shpirtëror dhe etik

Muaji Sha’ban është muaji në të cilin kërkohet rishikimi i gjendjes shpirtërore, gjegjësisht ebsimti,d he gjendjes etike, respektivisht raporteve me njerëz. Profeti [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

يطلع الله تبارك و تعالى إلى خلقه ليلة النصف من شعبان ، فيغفر لجميع خلقه إلا لمشرك أو مشاحن

All-llahu, në natën e 15-të të muajit Sha’ban, shikon krijesat e Tij dhe ua falë mëkatet të gjithëve, përveç atij që ka bërë kufër (pabesim) dhe atij që ka bërë armiqësi.”[3]

Pra, në këtë hadith na kërkohet që në Sha’ban:

1) Ta pastrojmë besimin tonë, sepse defektet në besim shkaktojnë fundin e keq gjithsesi por edhe privimin nga të mirat e Ramazanit. Kushdo që ka lexuar prë Ramazanin nuk mudn të mos i ketë rënë në sy insistimi profetik që besimit t’i kushtohet vëmendja kryesore. “Kush agjëron Ramazanin me besim dhe shpresë në shpërblimin e All-llahut, i falen mëkatet.[4]- është një hadith që aludon indirekt në rëndësinë e pastrimit shpirtëror në Sha’ban, ndryshe, agjërimi pa këtë element, është privim shpërblimi.

2) Rregullimi dhe ndreqja e raporteve me njerëzit përreth. Në Sha’ban kërkohet ndreqja e raporteve me njerëz ndërsa Ramazani është muaji ku bëhet kultivimi i këtyre lidhjeve. Ajo që vërehet në hadithin e sipërshënuar është se kërkohen dashuri, respekt dhe mirësjellje të çiltra, që kanë burim zemrën. Në Sha’ban e pastrojmë zemrën prej dukurive negative (smirës, urrejtjes), ndërsa në Ramazan e ushtrojmë atë që të jetë e fortë karshi provokimeve. Profeti [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] na ka mësuar që në rast provokimesh njerëzve t’iu themi: “Unë jam agjërues![5]

      

O All-llahu ynë, na fal në muajin Sha’ban, na prano pendimin tonë si vepër me të cilën përmbyllim vitin tonë të veprave dhe mos na privo nga përjetimi dhe agjërimi i Ramazanit!



[1] El-Bejhaki, Ebu Bekir Ahmed bin El-Husejn bin Ali. (1997). Fedailu-l-evkat. Kontrollor shkencor: Hal-laf Mahmud Abdu-s-Semië. Bejrut: Dar el-kutub el-ilmijjeh. F. 109-110.

[2] Albani në Sahihu-n-Nesai, nr. 2356, e vlerëson hasen.

[3] Albani në Sahihu-t-Tergib, nr. 2767, e vlerëson hasenun sahih.

[4] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

[5] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.


VIDEOS / YOUTUBE
Devotshmeria synim kryesor i agjerimit Vlera e kohes Monumente besimi ne agjerim Edukimi seksual i femijeve
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013