Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
Porosi madhështore të Muajit Sha'ban

Sot është nata e 15-të e muajit Sha’ban, një natë, mësimet e të cilës janë universale. Ato nuk janë të veçanta vetëm për Sha’banin. Janë mësime, këshillat dhe porositë e të cilave vlejnë çdoherë, në çdo kohë dhe për çdo njeri. Ato, tash kur jemi në vigjilje të Ramazanit, janë edhe parapërgatitja më e mirë që bëhet për të. Kjo është arsyeja pse sonte kam vendosur që të flas për to dhe të shpjegoj domethënien dhe esencën e tyre. Pra, për të mos i ikur asaj që koha ta dikton ta trajtosh si temë, por edhe për të përfituar nga ndodhia madhështore, e cila na pret pas vetëm pak ditësh.
Më konkretisht, do të flas për mësime të nxjerra dhe përpunuara nga dy hadithe të Muhammedit [sal-laAlalhu alejhis ve sel-leme]. Fjala është për hadithin, të cilin e transmeton Nesaiu nga Usame b. Zejdi, i cili thotë:
“I thashë: O i dërguari i Allahut! Nuk të kam parë të kesh agjëruar në muajt tjerë siç po të shoh në Sha’ban. Tha: Ai është muaj, në mes Rexhebit dhe Ramazanit, që e anashkalojnë njerëzit (janë neglizhent ndaj tij); në të ngritën veprat tek Zoti i botëve andaj unë kam dëshirë që vepra ime të ngritët vepra ime duke qenë unë agjërueshëm.” (Albani thotë se është hasen.)
Po kështu është edhe hadithi tjetër, në të cilin qëndron:
“Allahu, në natën e 15-të të muajit Sha’ban, shikon krijesat e Tij dhe ua falë mëkatet të gjithëve, përveç atij, që ka bërë kufër (pabesim) dhe atij që ka bërë armiqësi.” (Albani thotë për këtë hadith se është autentik.)
Kësisoj, nga këto dy hadithe, që janë ndër hadithet e pakta të sakta për vlerën dhe rëndësinë esenciale të këtij muaji dhe kësaj nate, në arrijmë të nxjerrim tri mësime shumë të rëndësishme:
1)Ftesë për pendim
2)Falja e Allahut dhe mëshira e Tij
3)Besimi, para së gjithash, , dhe
4)Portreti i vërtetë i besimtarit
Le të fillojmë me shpjegimin e tyre.
1. Ftesë për pendim
Muai Sha’ban është muaji, i cili shënon fundin e vitit të veprave të besimtarit. Është muaji, në të cilin ngritet regjistri vjetor i veprave të njeriut. Është muaji, i cili duhet ta mbajë në ankth besimtarin në kuptim të asaj se athua vallë si do të përmbyllet ky vit për mua. Në hadithin, që cituam më parë, pamë se si Muhammedi [sal-la Allahu alejhis ve sel-leme] preferonte të agjëronte në këtë muaj, në mënyrë që në rastin e dorëzimit të regjistrit të tij, ai të ishte në gjendje adhurimi. Kjo, para së gjithash, për shkak të një rregulli që vet ai na e ka mësuar, e që ka të bëjë me atë se një vepër vlerësohet ashtu siç mbaron. Buhariu transmeton në Sahihun e tij
“…Vërtetë, njeriu do të bëjë vepra të banorëve të Xhehennemit por ai është nga banorët e Xhennetit, sikur që do të bëjë vepra të banorëve të Xhennetit ndërsa është nga banorët e Xhehennemit. Veprat vlerësohen sipas përfundimit të tyre.”
Hadithi në të vërtetë ka një shkas. Ai lidhet me rastin e një njeriu, për të cilin Muhammedi [sal-la Allahu alejhis ve sel-leme] paralajmëroi të ishte nga banorët e Xhehennemit. Ai edhe pse punoi vepra që do t’ia siguronin Xhennetin, për shkak se i dha fund jetës së tij në formë të ndaluar, pra e mbyti veten, ai shkoi në Xhehennem. Ajo që dua të them është se forma se si përmbyllet vepra është vendimtare për pranimin ose refuzimin e saj. Andaj, të jemi kureshtarë që të punojmë sa më shumë vepra të mira dhe të pendohemi tek Allahu për lëshimet dhe mangësitë tona.
Paramendoni sikur ky të jetë edhe fundi i jetës sonë, si do të ndiheshim? Si do ta përjetonim këtë fund kur do të merrnim vesh se puna jonë ka mbaruar. Dua tua përkujtojë edhe një rregull me rëndësi. Në koment të ajetit 102 nga kaptina Ali Imran:
O ju që besuat, kini frikë All-llahun me sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni, pos vetëm duke qenë muslimanë (besimtarë)!”
…Ibni Kethiri ka thënë:
“Ruajuni dhe kujdesuni për fenë tuaj kur të jeni shëndoshë dhe mirë, në mënyrë që të vdisni në të, ngase Fisniku ka caktuar me fisnikërinë e Tij që kush jeton në një gjendje, të vdesë në të dhe kush vdes në diç, të ringjallet në të…”
Pra, të pendohemi para se të jetë vonë. Do të doja tua shpjegojë edhe çështjen e rëndësisë së nxitimit për në pendim ose sa ka rëndësi për pendimin koha, qoftë edhe me minuta. Ka thënë Allahu i Madhëruar:
Nuk është pendim (i pranueshëm) i atyre që vazhdimisht bëjnë punë të këqia dhe vetëm atëherë kur t’i vjen vdekja ndonjërit prej tyre, të thotë: “Unë tash u pendova!” e as i atyre që vdesin duke qenë jobesimtarë. Ndaj tyre kemi përgatitur dënim të ashpër.“ (en-Nisa, 18)
Ndërsa Muhammedi [sal-laAlalhu alejhis ve sel-leme] në hadithin e personit që vrau 100 veta, këtë gjë na e sjell edhe në formë figurative, e cila në të vërtetë edhe ka ngjarë asisoj. Ai në fund të hadithit përshkruan këshillën e atij njeriut të urtë që i kishte thënë këtij kriminelit të largohej nga vendi i tij sepse kishte njerëz të këqij dhe kësisoj të jetuarit në mesin e tyre pamundëson vazhdimin e jetës me besim të pastër dhe vepra të mira. Ai u largua por e zuri vdekja në një gjendje shumë interesante. Ishte penduar por nuk kishte bërë asnjë vepër të mira, andaj si ta llogarisnin melekët? Të jetë prej banorëve të Xhennetit, sipas melekëve të mëshirës, ka arsye sepse është penduar por, ai, sipas grupit të melekëve të ndëshkimit nuk mund të ishte i tillë ngase nuk kishte bërë vepra të mira. Atëherë, për ta zgjidhur këtë mospajtim, Allahu dërgoi një melek në formë gjykatësi, i cili iu tha: Matni distancat nga kjo pikë ku ka vdekur me vendin të keq, prej të cilit është larguar dhe me vendin e mirë, të cilit ia ka mësyer, dhe gjykoni për të varësisht nga afërsia me vendin përkatës. Melekët bën një matje dhe zbuluan se ai ishte për një pëllëmbë më afër vendit të mirë, kështu që e morën melekët e mëshirës. Pra, shpëtoi. Poenta qëndron pikërisht këtu: “një pëllëmbë.” Madje, sipas shpjegimeve që ka bërë Hasan Basriu, thuhet se kur personit në fjalë i erdhi vdekja, atëherë ai u zvarrit edhe pak me gjoks kah vendi i mirë. Tash, paramendoni sikur udhëtimin e tij ta shtynte edhe për vetëm një minutë, cilit vend do t’i përkiste dhe cili do të ishte fati i tij?
Pendimi në muajin Sha’ban e ka edhe rëndësinë e vet të madhe për muajin Ramazan. Ai ndikon drejtpërdrejtë në suksesin e tij. Ka thënë Muhammedi [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme]:
“…pastaj, i përbuzur dhe nënçmuar është ai që ka përjetuar fillimin e Ramazanit ndërsa fundi i tij e ka gjetur pa iu falur mëkatet.” (Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani thotë se është hasen sahih.)
Shkaku i mosfaljes së mëkateve është vazhdimësia me mëkate në ramazan. Pra, ka munguar një pendim para tij. kështu, thirrja që bëhet në muajin Sha’ban për pendim, ka efektin edhe në suksesin e besimtarit në muajin Ramazan.
Allahun e lus të na begatojë me pendim të sinqertë!
Amin!
2. Mëshira e madhe e Allahut
Mësimi tjetër fetar që përfitojmë nga ky muaj është edhe falja e Allahut. Prej mirësisë së Tij është që për robërit e Tij ka lënë edhe mundësi të shumta për faljen e mëkateve, një prej të cilave edhe kjo në Sha’ban. Sigurisht, është vetëm shembull, ndryshe falja e Allahut është shumë e madhe. Ibni Abbasi, siç transmeton Muslimi në Sahihun e tij, tregon për një grup të veçantë njerëzisht që kishin ardhur tek Muhammedi [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme] për ta pranuar Islamin. Thotë Ibni Abbasi: Një grup njerëzish idhujtarë, që kishin vrarë dhe e kishin tepruar, kishin bërë prostitucion dhe e kishin tepruar, erdhën tek Muhammedi [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme] dhe i thanë: Vërtetë, ajo që po thua dhe në të cilën po thërret është e mirë, por sikur të na tregoje se a ka shpagim për ne për atë që kemi bërë. Atëherë, si përgjigje, Allahu i shpalli dy ajete:
Edhe ata që pos All-llahut, nuk lusin zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar All-llahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkimin.“ (el-Furkan, 68)
Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse vërtetë All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!“ (ez-Zumer, 53)
Kjo ndjenjë për faljen dhe mëshirën e Allahut e ka efektin e vet para Ramazanit, për shkak se përgatit psikikisht dhe shpirtërisht besimtarin për mundësitë që ka në Ramazan për të arritur faljen e Allahut, dhe atë gjatë tërë Ramazanit. Thotë Muhammedi [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme]:
“Në natën e parë të muajit Ramazan prangosen djajtë dhe xhinët e tërbuar, (në njërën anë) mbyllen dyert e Xhehennemit dhe nuk hapet asnjë derë, (ndërsa në anën tjetër) hapen dyert e Xhennet dhe nuk mbyllet asnjë derë e tij. ndërsa një thirrës thërret: O ti që do të mirën, eja! O ti që kërkon të keqen, mjaft më! Allahu për çdo natë liron njerëz nga zjarri. ” (Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani thotë se është autentik.)
Në koment të këtij hadith, respektivisht të kësaj pjesës së fundit: “…O ti që do të mirën, eja! O ti që kërkon të keqen, mjaft më!…” është thënë:
“Eja dhe shpeshto adhurimin ngas kjo është kohë e lehtësimit të adhurimeve, burgosjes së djajve dhe lirimit të shumtë nga zjarri i Xhehennemit. O ti që bën mëkate, ndalu nga mëkatet sepse kjo është koha e pranimit të pendimit dhe bekimit për vepra të mira.”
3. Besimi, para së gjithash
Mësimi i tretë i rëndësishëm që vjelim nga ky muaj është besimi dhe nevoja e përkujdesjes për të. Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme] po na tregon se të privuarit nga falja e Allahut janë ata që nuk besojnë. Pra, mungesa e besimit është shkak për mosfalje të mëkateve. Ky është kriter, të cilin Allahu na e ka përmendur në Kur’an.
S’ka dyshim se All-llahu nuk falë (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i falë kujt do. Kush përshkruan All-llahut shok, ai ka trilluar një mëkat të madh.“ (en-Nisa, 48)
Edhe Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme], siç transmeton Buhariu në Sahihun e tij, e llogarite ndër mëkatet më të mëdha.
“Keni kujdes, shmanguni shtatë mëkateve shkatërruese: E cilat janë ato, o i Dërguari i Allahut? – e pyetën. Tha: T’i bësh Zotit shok…”
Shirku nuk është vetëm mëkat. Ai është edhe dëshpërim. Është dëshpërim për shkak të humbjes së një të mire të madhe për një gjë të vogël. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Enes Ibni Malik se Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme] ka thënë:
“Allahu i Madhëruar do t’i thotë njeriut me dënimin më të ultë në Xhehennem: Po ta kishe dynjanë dhe çfarë ka në të, a do ta jepje atë për të shpëtuar veten. PO –përgjigjet robi. Atëherë Allahu i thotë: Kam kërkuar prej teje më pak se kaq kur ti ishe në kurrizin e Ademit: (kam kërkuar) që të mos më përshkruash shok –kujtoj thotë transmetuesi se ka thënë “e Unë të të mos fus në Xhehennem”- por ti ke refuzuar dhe më ke përshkruar shok.” (Teksti është i Muslimit.)
Një nga imazhet e këtij shirku shkatërrues është edhe syefaqësia. Ndonjëherë ne nuk jemi të kujdesshëm ndaj ruajtjes së çiltërsisë së besimit, kështu që disa vepra na shoqërohen edhe me një dozë syefaqësia, çka rrezikon shumë besimin në tërësi. Ka thënë Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme]:
“A t’iu flas për diç që për mua në raport me ju është më e frikshme se sprova e Dexh-xhallit? Po, gjithsesi- thanë. Tha: Shirku i fshehur, (i cili është) kur njeriu ngritet të falet ndërsa e zbukuron namazin për shkak të shikimit të ndonjë njeriu (në të).” (Transmeton Ibni Maxheh ndërsa Albani thotë se është hasen.)
Këtë mësim mund ta përdorim si parapërgatitje për Ramazan ngase veprat në Ramazan janë të lidhura drejtpërdrejtë me besim. Allahu këtë e përmend në raport me obligimin e agjërimit ndërsa Muhammedi [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme] në raport me agjërimin dhe namazin. Thotë Allahu i Madhëruar:
O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.“ (el-Bekare, 183)
Pra shohim se si urdhri për agjërim i është drejtuar atyre që kanë besim. Ndërsa Muhammedi [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme] ka thënë:
“Kush agjëron Ramazanin me besim dhe llogari, i falen mëkatet e mëhershme!” (Hadithin e transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.)
“Kush falet në Ramazan me besim dhe llogari (në shpërblimin e Allahut), i falen mëkatet e mëparshme!” (Hadithin e transmeton Buhariu.)
Pra, edhe agjërimi, edhe namazi në Ramazan, janë të kushtëzuara me besim, andaj t’i kushtojmë rëndësi besimit!
4. Çiltërsi vëllazërore
Një nga mësimet që marrim nga ky muaj i bereqetshëm është mësimi për vëllazërinë myslimane. Muslimanët janë vëllezër nga feja dhe kjo vëllazëri ka ndikimin më të madh.
…Përkujtojeni nimetin e All-llahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit fenë islame) ishit të armiqësuar, e Ai i bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntinë e Tij aguat të jeni vëllezër…“ (Ali Imran, 103)
Është një vëllazëri jo deklarative. Pra, nuk mjafton vetëm t’i thuash vëlla, por doemos duhet ta vërtetosh në praktikë. Për këtë gjë, besimtarët janë përshkruar si pjesët e një trupi të vetëm. Thotë Muhammedi [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme]:
“Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën dhe butësinë e ndërsjellë është sikur shembulli i trupit, që nëse një gjymtyrë e tij rënkon, atëherë i tërë trupi ngel pa gjumë dhe përfshihet nga ethet.” (Transmeton Muslimi)
Vëllazëria islame është imazh i çiltërsisë shpirtërore. Është vëllazëri që buron nga zemra dhe menaxhohet prej saj. Imam Ahmedi transmeton nga Enes Ibn Malik, i cili thotë: Ishim ulur në prani të Pejgamberit [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme] kur ai na tha: Tash do të vijë një njeri, që është nga banorët e Xhennetit. Kur ja njeriu që erdhi ishte nga Ensarët. Kështu –vazhdon transmetimin Enesi- ndodhi ehd epër dy ditë tjera dhe gjithnjë ishte ky sahabi që vinte. Ditën e tretë, pasi që Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme] tha të njëjtat fjalë dhe erdhi i njëjti person, Abdullah ibn Amri e përcolli njeriun dhe i tha: Jam grindur me babanë tim dhe jam betuar se nuk do të hyjë në shtëpinë e tij tre ditë me radhë, a do të më bësh konak derisa të kalon ajo që kam bërë.
Njeriu e pranoi në konak.
Abdullahu qëndroi për tre net duke u munduar të zbulonte veprën që ia kishte garantuar atij Xhennetin, por, nuk arriti të evidentonte ndonjë vepër të rëndësishme. Njeriu ishte tërësisht normal. Bënte adhurim modest. Pas tre ditëve, Abdullahu ia rrëfeu të vërtetën. Jnuk ishte shkaku pse ishte prishur me babanë që kishte qëndruar tek ky, por ishin fjalët e Muhammedit [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme] për të, që e kishin përshkruar si banor të Xhennetit. Abdullahu i tha se nuk kishte mundur të vërente diç që vërtetë do ta bënte të veçantë aq sa Xhenneti të garantohej për të. atëherë njeriu tha: Unë nuk bëj diç jashtë asaj që ti ke parë, me përjashtim se unë asnjëherë nuk ndiej në shpirt diç të keqe për muslimanët. As që kam zili ndonjërin, të cilit iu është dhënë ndonjë e mirë nga Allahu.
Abdullahu tha: Po kjo qenka ajo, me të cilën ti ke arritur atë që tha i Dërguari i Allahut [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme].
Pra, dashuria e cila është në shpirt, ajo është më e rëndësishmja. Ajo është dashuria e vërtetë. Ajo e bën besimtarin të pjekur dhe të matur. Do të doja tua përmend një rast shumë interesant për të parë se si vëllazëria fetare është e madhe. Dy shokë patën një mospajtim, i cili përfundoi me konflikt fizik. Njëri e sulmoi tjetrin. I ra shuplakë në fytyrë. Ky i rrahuri, e mori një shkop të vogël dhe gërvishti në rërë: “Sot, shoku im më i dashur më ra shuplakë në fytyrë!” dhe vazhduan rrugën. Kaluan pranë një moçali, rëra e të cilit ishte lëvizëse – përpinte çdo gjë. I rrahuri filloi të fundosej por e shpëtoi shoku i tij. me të shpëtuar, ai mori një hekur dhe gërvishti në një guri: “Sot, shoku im më i dashur më shpëtoi jetën!”
Kjo gjë e bëri shokun e tij të çuditej, andaj, me habi e pyeti: Pse kur të rashë shuplakë herën e parë, e shkrove në rërë se më goditi shoku im, ndërsa tani që të shpëtova e shkrove në guri?! Shoku i tij iu përgjigj me butësi: Kur neve të na bëjë keq dikush, duhet ta shkruajmë në rërë, në mënyrë që era ta fshijë atë, ta humbasë, ta harrojmë…Ndërsa kur dikush të na bëjë mirë, duhet ta shkruajmë në guri, në mënyrë që asnjë erë të mos mund ta fshijë atë.
Vëllazëria islame ka dhe një karakter tjetër shumë me rëndësi, që është veçori vetëm e vëllazërisë sialme. Ajo nuk kërkon që atij që i bën mirë, të të bëjë mirë. Kjo ngase lidhja është me Allahun dhe shpërblimi kërkohet prje Tij. Ka thënë Muhammedi [sal-laAllahu alejhis ve sel-leme]:
“Nuk është mbajtës i lidhjeve ai që kërkon kompensim, por mbajtës është ai që i vazhdon lidhjet edhe kur të tjerët ta kenë shkëputur.” (Transmeton Buhariu.)
Le të jenë zemrat tona të pastra!
Le të reflektojë dashuria fetare edhe në praktikë. Të ndihmojmë ata që kanë nevojë, tua lehtësojmë agjërimin e Ramazanit dhe të japim për Allahun që ta fitojmë kënaqësinë e Tij!
E lus Allahun që përfundimi i vitit të veprave tona të jetë me vepra të mira dhe të na bekojë Allahu për një vit të mbarë!
Ju faleminderit!
Wes selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu!


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013