Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
DJALLI QË NUK PRANGOSET NË RAMAZAN OSE EDUKIMI I NEFSIT

NEFSI, DJALLI QË NUK PRANGOSET NË RAMAZAN

 

Mëkati është pjesë e karakterit njerëzor. nuk ka njeri që nuk gabon. Edhe besimtari, edhe jobesimtari, që të gjithë gabojnë, vetëm se ajo që e dallon besimtarin nga të tjerët është keqardhja që ndien për mëkatin dhe nxitimi për tu penduar. Profeti [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] ka thënë: “Çdo njeri gabon ndërsa më i miri i gabimtarëve është ai që pendohet.” [1] Krahas kësaj, besimtari interesohet që të bëjë shkëputje me mëkatin dhe këtë duke zbuluar shkaqet që e çojnë tek mëkati. Sigurisht, shkaktari kryesor për mëkatet mbetet djalli i mallkuar por jo i vetmi. Ka dhe gjëra tjera që njeriun e çojnë në mëkate. Tani që jemi në Ramazan dhe Profeti [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të] na ka mësuar se djajtë prangosen duke mos pasur mundësi të shtyjnë njeriun të bëjë keq, shtrohet pyetja kush tjetër e shtyn njeriun të mëkatojë? Një studiues mysliman duke iu referuar hadithit: “...dhe prangosen djajtë (në Ramazan)...[2], thotë se ajo që të mban në siklet nga kjo pjesë është se çdo e keqe që bën në këtë muaj reflekton gjendjen e vërtetë të nefsit tënd.[3] Pra, është nefsi ai që na shtyn të bëjmë mëkate ose është nefsi ai që duhet ta edukojmë në këtë muaj që të mos na shtyjë të bëjmë mëkate.

 

I. ÇKA ËSHTË NEFSI?

Në Kur’anin famëmadh dhe në hadithet profetike nefsi është përmendur shpesh. Për nga ndikimi që ka të jepet përshtypja se bëhet fjalë për një qenie brenda vet njeriut. Mbase edhe është, sepse, dijetarë të shumtë, siç qëndron në Sherhu-l-Akideti-t-Tahavijeh,[4] mendojnë se nefsi është trup nga drita që qarkullon në trupin e njeriut dhe se ai në një farë forme është edhe vet shpirti (janë sinonime me shpirtin).  Nefsi është i krijuar por nuk vdes (të paktën sipas një mendimi).[5] Ai qëndron në trup sa të rrojë njeriu, pastaj ngritët në qiell... Megjithëkëtë, dijetarët prapë, siç nënvizon El-Kurdi në Nakd ve takvim li-nadharijjeti-n-nefsi ve-l-akli inde felasifeti-l-muslimine, thonë se njohuritë tonë për nefsin janë të mangëta. Esencën e tij thellësisht nuk mund ta di askush. Ne dimë diç nga ajo që na ka mësuar Kur’ani dhe Sunneti. P.sh. ngjyrat që dominojnë portretin e nefsit në Kur’an:

1)      Nxitja për të mirë –nefsi el-mutmeinneh (El-Fexhr: 27)

2)      Nxitja për të keq – en-nefsu el-emmaretu bi-s-sui (Jusuf: 53)

3)      Qortimi – en-nefsu-l-levvameh (El-Kijame: 2)

Dijetarët kanë shpjeguar se ndonëse janë përmendur tre lloje të nefsit, bëhet fjalë për një nefs por që mund të merr këto përshkrime, varësisht nga individi. Studiues, që i janë referuar nefsit nga perspektiva kur’anore, si Dr. Aljan Abdullah El-Havli dhe Dr. Fajiz Kemal Sheldan në punimin e tyre Hasais en-nefs el-besherijjeti fi-l-Kur’ani-l-Kerim ve inikasatuha et-terbevijjeh kanë përmendur një sërë karakteristikash të nefsit, të cilat e përafrojnë kuptimin për nefsin dhe të vërtetën përkitazi me të. Ata si veçori të nefsit përmendin:

1)      Nefsi është i krijuar në atë formë që ta njeh All-llahun

2)      Nefsi është i paqëndrueshëm, arrogant dhe me mundësi dalje nga kontrolli

3)      Nefsi ka elementët e njohjes së të mirës dhe të keqes

4)      Nefsi është shumë kureshtar për të mirën dhe shumë i frikësuar nga e keqja

5)      Nefsi është i ngutshëm dhe i pamatur

6)      Nefsi është i hamendësuar dhe i dobët

7)      Nefsi ka mendjemadhësi dhe inat

8)      Nefsi është përbuzës

9)      Nefsi është i dhënë pas pasurisë dhe grumbullimit të saj

10)  Normat e nefsit janë emocionale sipas reagimeve dhe veprimeve të tij

11)  Nefsi është epsharak, kërkon kënaqësinë dhe dëfrimin

12)  Nefsi ka frikën dhe shpresën

13)  Nefsi ka lakminë je koprracinë

Këto elemente në fakt kanalizojnë edhe debatin në këtë punim.

Ajo që neve na intereson ka të bëjë me edukimin e nefsit. Ne nuk mëtojmë të bëjmë shpjegim filozofik të nefsit. E tëra që duam është shpjegimi edukativ. Me nefsin nënkuptojmë një trup, në të cilin janë gërshetuar veti dhe cilësi të liga, të cilat na duhet t’i gdhendim. Ose, duam të merremi me atë se si nefsi nga shkalla e të qenit urdhërues për të keq të kaloj në nefs që kënaqet me adhurimin...

 

II. A EDUKOHET NEFSI?

Bazuar në ajete dhe hadithe, nefsi edukohet. Nefsi është përshkruar si i inspiruar për të mirën dhe të keqen. All-llahu ia ka dhënë këtë funksion, siç thotë:

وَنَفْسٍ وَمَا سَوَّاهَا * فَأَلْهَمَهَا فُجُورَهَا وَتَقْوَاهَا * قَدْ أَفْلَحَ مَنْ زَكَّاهَا * وَقَدْ خَابَ مَنْ دَسَّاهَا

Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur, 8. duke ia bërë të njohur atij të keqen e të mirën! 9. Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, 10. ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.” [Esh-Shems: 7-10]

Pra, në nefs janë të kombinuara elementet e të mirës dhe të keqes, që nënkupton se nefsi do të anojë kah e mira ose e keqja varësisht se si e dirigjojmë ne.

Profeti [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] na ka treguar se nefsi ndryshon dhe se ne duhet të jemi ata që e ndryshojmë. Ka thënë:

أفضل الجهاد أن يجاهد الرجل نفسه وهواه

Xhihadi më i mirë është që njeriu ta luftojë nefsin dhe epshin e tij.”[6]

Në një hadith tjetër qëndron:

المجاهد من جاهد نفسه في الله

Muxhahid është ai që e lufton nefsin e tij për All-llahun.”[7]

In Kajjim në Zadu-l-Mead thotë se xhihadi është katër kategori:

1)      Luftimi i nefsit

2)      Luftimi i djallit

3)      Luftimi i të pafeve, dhe

4)      Luftimi i hipokritëve.

Xhihadi i nefsit –vazhdon Ibn Kajjimi- është që ta luftosh (edukosh) që ta mësojë udhëzimin, të veprojë më pas sipas këtij udhëzimi, të thërret në këtë udhëzim, të durojë vështirësitë dhe problemet që i shfaqen në këtë rrugë...

Pra, ajo që neve na intereson është se nefsi po u edukuaka.

Atëherë:

 

III. SI TA EDUKOJMË NEFSIN NË RAMAZAN?

Nefsi është i prirë për të bërë keq, për të qenë i shthurur, për të shtyrë njeriun t mos sakrifikojë me asgjë për adhurim. Është si të thuash i llastuar, tekanjoz, arrogant, që kërkon një lloj regjimi në edukimin e tij. Trajnimi i nefsit kërkon si të thuash një lloj disiplinë të ngjashme me disiplinën ushtarake. Nefsin duhet detyruar, ndryshe nuk edukohet.

1. Motivimi për edukimin e nefsit

1) Motivimi për angazhim

Angazhimi i besimtarit për ta edukuar nefsin nuk është i kotë. Ai jep frytet e tij, respektivisht e edukon nefsin. All-llahu ka thënë:

وَجَاهِدُوا فِي اللَّـهِ حَقَّ جِهَادِهِ

Luftoni me një luftë të denjë për hir të All-llahut...” [El-Haxh: 78]

Në shpjegim të këtij ajeti, Hakim Tirmidhiu thotë se All-llahu na ka urdhëruar që ta luftojmë nefsin dhe ta frenojmë nga gjërat e këqija, duke na mësuar se mundi dhe puna jonë do të shpërblehen:

وَالَّذِينَ جَاهَدُوا فِينَا لَنَهْدِيَنَّهُمْ سُبُلَنَا

E ata, të cilët luftuan për hir Tonë, Ne me siguri do t'i orientojmë rrugës për te Ne...” [El-Ankebut: 69][8]

Pra, nëse angazhohemi, me lejen e All-llahut do ta edukojmë nefsin.

2) Motivimi nga rezultatet e angazhimit dhe frytet e tij

All-llahu i Madhëruar na ka nxitur që ta edukojmë nefsin sepse vetëm kështu mund të shpëtojmë prej të ligave të tij dhe rrjedhimisht të fitojmë Xhennetin. Thotë All-llahu:

وَأَمَّا مَنْ خَافَ مَقَامَ رَبِّهِ وَنَهَى النَّفْسَ عَنِ الْهَوَى * فَإِنَّ الْجَنَّةَ هِيَ الْمَأْوَى

E kush iu frikësua paraqitjes para Zotit të vet dhe ndaloi veten prej epsheve, 41. xhenneti është vendi i tij.” [En-Naziat: 40-41]

2. Trajnimi për devotshmëri

Në Ramzan nefsin e edukojmë për devotshmëri, që njëherësh është edhe qëllimi kryesor dhe final i agjërimit.

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ

O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” [El-Bekare: 183]

Si ta manifestojmë devotshmërinë në edukimin e nefsit:

-          Duke aplikuar në jetë përmbajtjen esenciale të saj: zbatimin e urdhëresave dhe largimin nga haramet.

-          Pendimi. Ka thënë Ibn el-Xheuzijj: "Rënia e mëkatit në zemër është sikur rënia e (spërkatja me) vaj në rroba, po nuk nxitove ta pastrohesh, përhapet (në rrobë)."

-          Duke e ushtruar nefsin edhe për largimin nga gjërat e lejuara. Buka dhe uji nuk janë të ndaluara por ato gjatë ditës së Ramazanit na ndalohen. Profeti [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

يَتْرُكُ طَعَامَهُ وَشَرَابَهُ وَشَهْوَتَهُ مِنْ أَجْلِي

e braktis ushqimin, pijen dhe epshin për hir Timin…”[9]

Kështu, nëse ne arrijmë ta largojmë veten nga gjërat e lejuara, atëherë si të mos e largojmë nga gjërat e ndaluara?!

-          Duke e edukuar për zëvendësim të gjërave. Hakim Tirmidhiu e merr shembullin e fëmijës, që e ka të vështirë të ndahet nga gjiri i nënës, por kur të ndahet dhe ta zëvendësojë atë me gjërat tjera (ushqime), atëherë ndahet pa problem.[10] Nefsit duhet ndryshuar gjërat me të cilat ushqehet. Duhet ushqyer me devotshmëri.

-          Duke forcuar mbretin e trupit: zemrën. Zemra, në raport me gjymtyrët tjera, është sikur mbreti ose komandanti, nëse ajo është e fortë, atëherë gjymtyrët i nënshtrohet dhe rrjedhimisht ndikimi i nefsit shkon duke u zvogëluar. [11]

-          Duke ia bërë vetes të qartë se devotshmëria është një frikë e një lloji të veçantë, e cila synon që ta afrojë njeriun tek Zoti, jo ta largojë prej Tij. Ka thënë njëri nga të parët, Ebu-l-Kasim El-Hakim: ‘Kush frikësohet prej ndonjë gjëje, ik prej saj, ndërsa kush frikësohet prej All-llahut, ai ik kah All-llahu (e jo prej Tij).’

3. Gdhendja e personalitetit

Nefsin duhet ta edukojmë në atë mënyrë që të mos përmbysë konceptet tona për vlerat dhe tiparet. Vlerat tona kanë kuptimet të veçanta. Nefsi na nxit për vrazhdësi, dhunë, arrogancë, ndërsa agjërimi për maturi, sabër, vetëpërmbajtje. Profeti [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] ka thënë:

الصِّيَامُ جُنَّةٌ فَلَا يَرْفُثْ وَلَا يَجْهَلْ وَإِنْ امْرُؤٌ قَاتَلَهُ أَوْ شَاتَمَهُ فَلْيَقُلْ إِنِّي صَائِمٌ مَرَّتَيْنِ

Agjërimi është mburojë, andaj (agjëruesi) le të mos flet fjalë të pahijshme dhe le të mos shfaqë injorancë. E, nëse ndokush e provokon apo shan, le të thotë -dy herë-: unë jam agjërueshëm!… ”[12]

4. Përkujtimi i rezultateve/pasojave të gjërave

Profeti [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] na ka mësuar se ne jemi ata që me punën tonë vendosim për fatin tonë. Ka thënë:

كل الناس يغدو، فبائع نفسه فمعتقها أو موبقها

“...Të gjithë njerëzit angazhohen (në një ose tjetër formë): ka të atillë që e shet veten dhe e liron, e ka të atillë që e shkatërron...”[13]

Së këndejmi, nuk është logjike që veten t’ia shesim zjarrit. Ne dueht ta lirojmë atë. Na duhet ta mbajmë nefsin nën kontroll. Ka thënë Ibn Kajjimi: ‘Të durosh ndaj epshit është më lehtë se sa të durosh ndaj pasojave të tij.’

Profeti [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem] sjell një rast interesant për durimin dhe mosdurimin ndaj epsheve: “Në Ditën e Kiametit do të sillet banori i Xhehennemit qe ishte dëfryer më së shumti në dynja, do të zhytet një herë në zjarre e pastaj i thuhet: O njeri, a ke përjetuar ndonjëherë ndonjë të mire? A ka patur ndonjëherë ndonjë te mire? Thotë: Jo, pasha Allahun o Zoti im kurrë nuk kam patur të mira! Pastaj sillet banori i Xhennetit që në dynja kishte përjetuar më së shumti fatkeqësi, zhytet një herë në Xhennet e i thuhet: O njeri, a ke vuajtur ndonjëherë? A ke patur ndonjë bela ndonjëherë? Thotë: Jo, pasha Allahun o Zoti im kurre nuk kam vuajtur dhe kurrë nuk me ka ardhur asnjë bela.”[14]

Nëse të gjitha kënaqësitë e botës po u harruakan me të hyrë vetëm për një çast në Xhehennem, atëherë nuk është aspak e mençur që të jepemi pas tyre. Përfundimin e këtij punimi modest dua të bëj me fjalët e All-llahut, që konsideroj se janë porosia më përmbledhëse dhe më e mirë e mundshme për temën në fjalë:

وَأَمَّا مَنْ خَافَ مَقَامَ رَبِّهِ وَنَهَى النَّفْسَ عَنِ الْهَوَى * فَإِنَّ الْجَنَّةَ هِيَ الْمَأْوَى

E kush iu frikësua paraqitjes para Zotit të vet dhe ndaloi veten prej epsheve, 41. xhenneti është vendi i tij.” [En-Naziat: 40-41]



[1] Albani në Sahihu-t-Tergib, e vlerëson hasen.

[2] Albani në Sahihu-t-Tergib, e vlerëson autentik.

[3] Shih: Abdullah bin Ahmed El-Havil. “Texharub ve havatir ramadanijjeh”. http://saaid.net/Doat/alhaweel/74.htm. shfletuar më 16.06.2016.

[4] Shih: Ibn Ebi-l-Izz, Sadruddin Muhammed bin Alauddin Ali bin Muhammed. (1984).  Sherh el-akide et-tahavijjeh, el-mekteb el-islamijj, tahrixh: el-albani, Bejrut: El-Mekteb el-islamijj. F. 393-395.

[5] Disa, referuar ajetit ‘Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen...’ [Ali Imran: 185], kanë konstatuar se nefsi vdes.

[6] Hadithin e transmeton Ibn Nexh-xhari ndërsa Albani e konsideron të saktë.

[7] Hadithin e transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e konsideron të saktë.

[8] Shih: El-Hakim Et-Tirmidhijj, Muhammed bin Ali. (1993) Edebu-n-nefs. Tahkik: Ahmed AbduRrahim Es-Sajih. Kajro: Ed-dar el-misrijjeh el-lubnanijjeh. F. 27.

[9] Transmeton Buhariu.

[10] Shih: El-Hakim Et-Tirmidhijj. (1993) Edebu-n-nefs. Op. cit. F. 35.

[11] Shih: Ibid. F. 14.

[12] Transmeton Buhariu.

[13] Transmeton Muslimi.

[14] Transmeton Muslimi.


VIDEOS / YOUTUBE
Devotshmeria synim kryesor i agjerimit Vlera e kohes Monumente besimi ne agjerim Edukimi seksual i femijeve
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013