Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
RËNDËSIA E BESIMIT NË PËRMIRËSIMIN E SJELLJEVE DEVIJANTE

RËNDËSIA E BESIMIT NË PËRMIRËSIMIN E SJELLJEVE DEVIJANTE

(Hutbe)

HYRJE

Të nderuar vëllezër besimtarë!

Koha në të cilën jetojmë karakterizohet për përhapje të dukurive të shumta negative, të cilat, fatkeqësisht, prekin pothuajse çdo sferë të jetës private e publike. Devijimi dhe lajthitja në besim –respektivisht përhapja e besëtytnive, pesimizmit dhe vetëvrasjes; degjenerimi moral, dhënia pas konsumimit të lëndëve narkotike; shthurja administrative, gjegjësisht përhapja e korrupsionit, keqpërdorimit dhe përfitimit të paligjshëm, janë disa prej imazheve kryesore që flasin për këtë katandisje të shoqërisë. Nëse ndalemi dhe analizojmë secilin prej këtyre problemeve do të vërejmë se shkak kryesor i paraqitjes së tij është mungesa e besimit të pastër dhe të duhur.

Këtu qëndron sekreti pse Profetët [alejhimusselam] kur kanë filluar me përmirësimin e popujve të tyre, kanë filluar pikërisht nga besimi, sepse besimi është bazë, është themel, është pikënisje e parë e ndryshimit. Në fakt, besimi nuk ka qenë vetëm pikënisja, por edhe litari që ka shërbyer për të vënë pikat e konstruktit fetar të shoqërisë. Kjo nënkupton se besimi ka qenë çdoherë i pranishëm në misionin e profetëve [alejhimusselam].

Kjo na detyron neve që të merremi me besimin më shpesh, ta bëjmë atë referencën e parë dhe ilaçin kryesor të shërimit të problemeve tona, çfarëdo qofshin ato.

Sot, në këtë hutbe të xhumasë, besimin do ta prezantojmë si një ilaç të përgjithshëm, për të parë se sa ndikim ka ai në përcaktimin e vlerave, dinjitetit dhe personalitetit të njeriut.

Të dashur xhematlinj!

BESIMI SI PEMË ME FRUTA TË MIRË

Besimi nuk është thjesht teori. Nuk përbëhet vetëm nga fjalët por edhe nga veprat. Besim quhet ai që reflekton tek besimtari. Në Kur’an, në shumë vende, gjejmë se besimi është i lidhur me veprat (El-Bekare: 25; 82; 277; Ali Imran: 57; En-Nisa: 57; 122; 173;...), sikur që gjejmë përshkrime figurative të veprave të besimit. P.sh. në kaptinën Ibrahim, ajetet 24-25, All-llahu besimin e sjell në shembullin e një peme, e cila jep fruta të mira çdoherë.

﴿أَلَمْ تَرَ كَيْفَ ضَرَبَ اللَّـهُ مَثَلًا كَلِمَةً طَيِّبَةً كَشَجَرَةٍ طَيِّبَةٍ أَصْلُهَا ثَابِتٌ وَفَرْعُهَا فِي السَّمَاءِ ﴿٢٤﴾ تُؤْتِي أُكُلَهَا كُلَّ حِينٍ بِإِذْنِ رَبِّهَا وَيَضْرِبُ اللَّـهُ الْأَمْثَالَ لِلنَّاسِ لَعَلَّهُمْ يَتَذَكَّرُونَ

Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli? 25. Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj njerëzve, që t’ua vënë veshin.

Pra, besimi i vërtetë qenka pemë, por jo çfarëdo peme; pemë e mirë, e cila jep fruta të mira dhe këtë çdoherë, verë e dimër. Me fjalë tjera, besimtari është i dobishëm kudo që të jetë dhe në çfarëdo rrethanash të gjendet. Tirmidhiu transmeton të ketë thënë  Ebu Dherr-rri [radijAll-llahu]:

قال لي رسول الله صلى الله عليه وسلم: «اتق الله حيثما كنت وأتبع السيئة الحسنة تمحها وخالق الناس بخلق حسن«

Më ka thënë i Dërguari i All-llahut [sal-laall-llahu alejhi ve sel-lem]: «Kije frikë All-llahun kudo që të jesh, të keqen pasoje me të mirë dhe shoqëroji njerëzit me moral të mirë.» [Albani e konsideron hadith të mirë –hasen.]

Të nderuar vëllezër!

2. BESIMI SI FAKTOR I FORMIMIT TË PERSONALITETIT TË NJERIUT 

Besimi ka një rol të pazëvendësueshëm sa i përket formimit të njeriut, qoftë në kuptim të rolit që ka në këtë botë, qoftë në kuptim të gjetjes së prehjes dhe lumturisë shpirtërore, qoftë në kuptim të vlerave morale që duhet të përvetësojë, në mënyrë që të ketë raporte të mira me të tjerët.

2.1. Përkujtimi i rolit për çka është krijuar njeriu

Njeriu nuk është krijuar së koti. Si qenie e përkryer, ai duhet të ketë një sekret dhe arsye përse ekziston. Sigurisht, nuk është arseja për të ngrënë, pirë e dëfryer ajo pse ekzistojmë, por është adhurimi. All-llahu ka thënë në Kur’an:

﴿وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ

Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” [Edh-Dharijat: 56]

Pra, qëllimi pse ekzistojmë, është adhurimi. Kjo nënkupton se edhe veprimtaria jonë gjatë jetës duhet të jetë në një linjë me këtë qëllim dhe duhet të korrespondojë e përputhet me të, ndryshe, konsiderohet devijim. Atyre që lajthitën nga kjo rrugë dhe devijuan nga besimi i vërtetë duke adhuruar të tjerë pos All-llahut, All-llahu iu drejtohet:

﴿قُلْ تَمَتَّعُوا فَإِنَّ مَصِيرَكُمْ إِلَى النَّارِ

“...Thuaj: “Kënaquni, se përfundimi juaj është në zjarr!”.” [Ibrahim: 30]

Po kështu edhe atyre që u dhanë pas kënaqësive dhe lukseve të dunjasë, All-llahu iud drejtohet:

﴿ذَٰلِكَ مَتَاعُ الْحَيَاةِ الدُّنْيَا وَاللَّـهُ عِندَهُ حُسْنُ الْمَآبِ

“...Këto janë kënaqësitë e kësaj jete, por shumë më i mirë është kthimi tek Allahu.” [Ali Imran: 14]

Pra, besimtari e di pse ekziston, e di si duhet të veprojë në këtë botë, dhe mbi të gjitha, e di se çfarë e pret pas vdekjes. Për këtë shkak edhe veprojnë mirë dhe largohen nga mëkatet, siç do të përmendim më vonë, inshaAll-llah.

2.2. Besimi dhe roli i tij në lumturinë e njeriut

Lumturia është gjëja që e kërkojmë të gjithë, besimtarë e jobesimtarë, të devotshëm e mëkatarë, por ajo që dallojmë nga njëri tjetri është në mjetet e arritjes së lumturisë.

Si ta gjejmë lumturinë?

Çfarë na e sjell lumturinë?

A është besimi apo janë epshet ato që na sjellin lumturinë e vërtetë?

Në Kur’an, All-llahu na tregon se lumturia ose qetësia shpirtërore nuk arrihet duke ngrënë e pirë, duke lozur u dëfryer, por duke e përkujtuar All-llahun. Madje, na e shpjegon se për zemrën e njeriut nuk ka lëndë tjetër që siguron këtë qetësi. Thotë All-llahu:

﴿أَلَا بِذِكْرِ اللَّـهِ تَطْمَئِنُّ الْقُلُوبُ

“...Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” [Err-Rra’d: 28]

Pra, nuk janë epshet, nuk është luksi dhe shthurja, nuk është paraja ajo që të sjell lumturinë. Nëse doni argument, shihni se sa shumë të pasur vuajnë nga dëshpërimi, depresioni e pesimizmi. Pyetni ata, për Zotin, nëse e kanë gjetur kënaqësinë në epshe e dëfrime. 

Besimi ka dhe një rëndësi tjetër në këtë aspekt. Ai e lufton pamëshirshëm çdo element që sfidon qetësinë shpirtërore. Si argument, shihni se si All-llahu në Kur’an pesimizmin e ka bërë prej mëkateve më të mëdha (Jusuf: 87), sikur që Profeti [sal-laall-llahu alejhi ve sel-lem] ka kërcënuar ata që përhapin pesimizëm në mesin e popullin:

﴿من قال هلك الناس؛ فهو أهلكهم

Kush thotë: ‘Janë shkatërruar njerëzit!’, ai është më i shkatërruari (ose ai është që po i shkatërron ata).” [Transmeton Muslimi.]

Në fakt, feja ka treguar se ajo që të sjell çdo të keqe, është vetëm largimi nga besimi, nga feja, nga kjo rrugë e paqes, lumturisë dhe rehatisë shpirtërore.

﴿وَمَنْ أَعْرَضَ عَن ذِكْرِي فَإِنَّ لَهُ مَعِيشَةً ضَنكًا

Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar...” [Ta Ha: 124]

Besimi nuk nënkupton zhveshjen nga dynjaja dhe përfitimin nga mundësitë dhe të mirat që të ofron, përkundrazi. Ajo që besimi kërkon është balancimi ndërmjet dynjasë dhe ahiretit dhe drejtpeshimi i gjërave që kanë të bëjnë me to (El-Kasas: 77).

3. BESIMI DHE KULTIVIMI I VIRTYTEVE

Besimi ka një rëndësi të madhe s ai përket kultivimit të vlerave morale dhe etike. Në Kur’an, All-llahu na ka treguar se njeriu vlerësohet në bazë të besimit, gjegjësisht devotshmërisë (El-Huxhurat: 13), sikur që i Dërguari i Tij na ka mësuar se me vlera ecet përpara dhe se me to dallohemi.

»من بطأ به عمله لم يسرع به نسبه«

Atë që e ngadalëson vepra, nuk mund ta përshpejtojë prejardhja.” [Transmeton Muslimi.]

Po kështu na ka treguar se besimtari më i mirë është ai që ka tipare të mira.

»أكمل المؤمنين إيمانا أحسنهم خلقا«

Besimtarët me imanin më të përkryer janë ata që kanë moralin më të mirë.” [Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e konsideron hadith autentik.]

Besimi ndikon në kultivimin e respektit, unitetit, vetëpërmbajtjes, përkushtimit për mirëqenien e njerëzve. Ka thënë i Dërguari i All-llahut [sal-laAll-llahu alejhi ve sel-lem]:

»مَنْ كَانَ يُؤْمِنُ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ فَلْيُحْسِنْ إِلَى جَارِهِ، وَمَنْ كَانَ يُؤْمِنُ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ فَلْيُكْرِمْ ضَيْفَهُ، وَمَنْ كَانَ يُؤْمِنُ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ فَلْيَقُلْ خَيْرًا أَوْ لِيَصْمُتْ«

Kush beson në All-llahun dhe në Ditën e Fundit, le t’i bëjë mirë fqinjit! Kush beson në All-llahun dhe në Ditën e Fundit, le ta nderojë mysafirin e tij! Kush beson në All-llahun dhe në Ditën e Fundit, le të flet mirë ose le të hesht!”  [Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.]

Në këtë hadith, shohim se si me besim është lidhur mirësjellja ndaj fqinjëve, respektimi i mysafirëve dhe përmbajtja nga fjalori i pistë.

Të dashur vëllezër!

[4. PËRKUJTIMI PËR SHPËRBLIMIN DHE NDËSHKIMIN]

Besimi ka dhe një element tjetër me rëndësi që ndikon në sjelljet dhe veprimet e individit. Është përkujtimi për botën tjetër, respektivisht llogarinë dhe shpërblimin për të mirën e të keqen. All-llahu ka thënë:

﴿فَمَن يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ خَيْرًا يَرَهُ ﴿٧﴾ وَمَن يَعْمَلْ مِثْقَالَ ذَرَّةٍ شَرًّا يَرَهُ

Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, 8. e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” [Ez-Zelzele: 7-8]

Kështu e arrijmë dynjanë dhe ahiretin, të mirat e saj dhe të mirat e botës tjetër, kështu jetojmë të qetë këtu, në këtë botë, e të shpërblyer në botën tjetër.


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013