Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
IMAZHI I SAHABEVE TEK SUNNITËT DHE SHIITËT

Dr. Muhammed Ammare

Ebu’l Hasen Ali en-Nedvi [1914-1999], një nga emrat më të spikatur të mendimit islam në shekullin e XX-të, ka një libër të çmuar, të cilin e ka titulluar ‘Dy imazhe kontradiktore tek sunnitët dhe shiitët’[1], në të cilin ka ofruar konceptet e grupeve në fjalë për udhëzimin profetik dhe Sahabet (shokët) e të Dërguarit të All-llahut [Lavdërimi dhe paqja e All-llahut qofshin mbi të!]. në këtë libër, Nedviu ofron konceptin e sunnitëve (ehlu sunnetit) për rezultatet dhe të arriturat e udhëzimit profetik, i cili ia doli mbanë –me mirësinë e All-llahut- të ngre institucione dhe ndërmarrje të industrisë së rëndë, pra institucione të edukimit, të cilat arritën ta rikthejnë formulimin e njeriut sipas sistemit të vlerave dhe moralit islam.

Kur i Dërguari i All-llahut [Lavdërimi dhe paqja e All-llahut qofshin mbi të!] kaloi në fqinjësi të All-llahut, shifra e përgjithshme e atyre që kishin pranuar Islamin ishte 124.000 (njëqindenjëzetekatër mijë). Kur historianët muslimanë shkruan për biografinë e Sahabeve të zgjedhur, të cilët u edukuan në shkollën profetike, numëruan rreth 8.000 (tetëmijë), prej të cilëve mbi 1.000 (njëmijë) femra, shifër kjo më e larta e atyre që ndonjëherë mund të jenë përgatitur e formuar nën përkujdesjen e drejtpërdrejtë të ndonjërit prej profetëve, e lëre më prej revolucionarëve dhe rilindasëve. Këtë të vërtetë e kanë dëshmuar edhe shumë jomyslimanë perëndimorë, të cilët profetin Muhammed [Lavdërimi dhe paqja e All-llahut qofshin mbi të!] e radhisin në krye të listës së njerëzve më të mëdhenj dhe me më së shumti ndikim gjatë gjithë historisë.    

Kundruall këtij imazhi të udhëzimit profetik dhe të edukimit dhe përgatitjes së Sahabeve, vjen imazhi tjetër, plotësisht i kundërt dhe gjithsesi i zymtë dhe shtrembëruar, të cilin e kanë pikturuar shpifjet, trillimet dhe gënjeshtrat e shiiitëve ndaj Profetit të Islamit dhe shokëve të tij. Ata e përshkruan të Dërguarin e All-llahut [Lavdërimi dhe paqja e All-llahut qofshin mbi të!] i një edukator të dështuar, i cili jo që dështoi me edukimin e shokëve por edhe me edukimin e vet grave të tij. Shiitët gjykuan me herezi, renegatllëk, humbje, devijim dhe lajthitje shumicën e muslimanëve, duke mos kursyer këtu as shtetin, kulturën, qytetërimin dhe historinë. Këtë e mbështetën në një thënie të refuzuar, të cilën ia atribuuan Imamit të tyre të V-të, Ebu Xha’fer Muhammed Bakirit [676-732], sipas të cilit, pas vdekjes së Muhammedit [Lavdërimi dhe paqja e All-llahut qofshin mbi të!], vetëm tre burra ngelën muslimanë: Mikdad bin Esvedi, Ebu Dherr Giffariu dhe Selman Farisiu.

Profetin e Islamit [Lavdërimi dhe paqja e All-llahut qofshin mbi të!] e konceptuan edhe si një luftëtar për pushtet të trashëguar për pasardhësit e tij nga vajza, Fatimeja [All-llahu qoftë i kënaqur me të!]. Këtij koncepti ia shtuan më pas atë të dymbëdhjetë imamëve të pamëkate, pozitën e të cilëve (imametin) e panë edhe mbi pozitën e Profetëve, sepse, nëse pozita e këtyre të fundit –gjithnjë sipas shiitëve- është lutf i (mirësi e) veçantë, atëherë imameti është lutf i (mirësi e) përgjithshme.[2] Nuk kanë mjaftuar me kaq. Ata kanë glorifikuar Imamët derisa i kanë shpallur për hyjni, duke ia shoqëruar All-llahut në sundimin e çdo gjëje të kësaj bote.

Duke qenë se në Kur’anin Fisnik nuk gjetën çfarë do të mund të dëshmonin bindjet e tyre, atëherë shpallën (shpifën) se ky Kur’an është shtrembëruar dhe se ai i vërteti posedon, jo 6236 ajete, por 70.000 ajete, duke mohuar kështu premtimin e All-llahut se do ta ruajë këtë Libër nga shtrembërimet: “Ne, me të vërtetë, kemi shpallë Kur’anin dhe, Ne, me të vërtetë, do ta ruajmë atë (origjinalitetin e tij).” [El-Hixhr: 9]

Këto akuza të rreme dhe të çoroditura janë strumbullari rreth të cilit vërtiten shiitët gjatë historisë. Ato janë të evidentuara në burimet më të dokumentuara dhe referencat më të besueshme të tyre, duke filluar nga Kulejni [ vd. 941] e deri tek Homeini në kohën tonë. Ky i fundi ka shkruar: ‘Imamët kanë një pozitë të lakmueshme, një shkallë të lartë dhe një sundim ose pushtet strukturor (ar. hilafe tekvinijje),[3] të cilit i nënshtrohet çdo gjë në këtë gjithësi. Sipas asaj që detyrimisht duhet besuar në drejtimin tonë, Imamët kanë një pozitë që nuk mund ta arrijë as engjëlli i afërt dhe as profeti i dërguar. Para krijimit të kësaj bote ata ishin drita rreth Arshit të Tij, të cilëve iu dha pozitë të afërt që vetëm Ai e di...”

Sipas Homeinit, “Sahabet nuk kanë patur tjetër gajle vetëm se si të pasurohen dhe të fitojnë pushtet. Ata –gjithnjë sipas tij- Kur’anin e morën si mjet për të realizuar qëllimet e liga të tyre. Ata larguan nga Kur’ani ajetet që flasin për hilafetin e Aliut dhe të Imamëve, shtrembëruan atë dhe e hoqën nga qendra e vëmendjes duke bartur fajin e këtij mëkati deri në Ditën e Kiametit. Akuza që ia drejtojnë çifutëve dhe të krishterëve për shtrembërim të fesë, në fakt, vlen për vet ata.”

Kështu e kanë perceptuar shiitët Islamin, Kur’anin, Profetin dhe shokët e tij, që u edukuan prej tij dhe të cilët e përcollën këtë fe brez pas brezi duke ngritur një qytetërim që ndriçoi botën mbarë dhe që akoma vazhdon të ndriçojë...

Ebu-l-Hasen Nedviu u mor me karakteristikat e këtij imazhi të shthurur shiit për udhëzimin profetik dhe Sahabet, duke zhvleftësuar ato pikë për pikë dhe duke përdorur gjatë gjithë kohës për kundër argumente thënie të Aliut [All-llahu qoftë i kënaqur me të!] të cilat shiitët i përmblodhën në librin Nehxhu-l-belagah.

Nedviu argumentoi edhe me shkrime e libra të shkencëtarëve perëndimorë për historinë e hershme të Islamit, duke kaluar, mjeshtërisht, nëpërmjet vrojtimit të kulturës shiite, në një temë tjetër të rëndësishme, e cila flet se si pozita e Muhammedit [Lavdërimi dhe paqja e All-llahut qofshin mbi të!] ka pësuar rënie në llogari të pozitës së Aliut. Pastaj, pozita e Aliut ka pësuar rënie në favor të pozitës së Husejnit, duke shkuar aq larg me këtë të fundit saqë vendet e faljes dhe lutjes të mos i quajnë më Shtëpi të All-llahut (xhami) por husejnijjate. Po kështu edhe tek poetët shiit elegjitë, virtytet dhe tiparet e Imamëve, ngjarjet dhe ndodhitë e Qerbelasë, dominojnë mbi poezitë ose kasidet profetike. Çështja që ka shkuar aq larg saqë Ajetullah Mutahhari thotë se Kur’ani duhet braktisur me pretendimin se ai i drejtohet vetëm Imamëve, sikur që mohon argumentimin logjik me justifikimin se në fe nuk ka vend për logjikë. Ai po kështu ka mohuar edhe ixhmain (konsensusin) për shkak se hilafeti i Ebu Bekrit është vërtetuar me ixhmaë.

Ja, kështu urrejtja e shiitëve arriti deri në këto nivele të shthurjes dhe çmendurisë..
 
Burimi: http://www.altareekh.com
 


[1] Ar. Súretáni mutedaddetani inde-s-Sunneti ve-sh-shíati.

[2] Shprehja në arabisht është ‘lutf’ dhe në shqip përkthehet si: privilegj, përdëllim, delikatesë, mëshirë, butësi, mirësi. Në terminologji të shiitëve lutfi paraqet elementin që e shtyn dhe nxit njeriun t’i nënshtrohet Zotit dhe të braktisë mëkatet, duke e bërë kështu më afër përfilljes së urdhrave të Zotit dhe më larg ndalesave të Tij. Me lutf të veçantë për Profetët kanë për qëllim se ata nuk janë për çdo kohë, pra koha e tyre mbaron, ndërsa me lutf të përgjithshëm në rastin e Imamëve kanë për qëllim se Imami, në një ose formë tjetër, vazhdon të jetë prezent. Përkthyesi.

[3] Me këtë kanë për qëllim vullnetin e Imamëve që është kriter për realizimin e vullnetit të All-llahut. Kanë thënë se kinse All-llahu nuk vepron në tokë asgjë vetëm se nëpërmjet duarve të tyre. Kanë marrë si shembull farën që mbinë në tokë. Kanë thënë se fara mbin kur dikush më parë ta ketë lëvruar tokën dhe ujitur atë. Përkthyesi.


VIDEOS / YOUTUBE
Devotshmeria synim kryesor i agjerimit Vlera e kohes Monumente besimi ne agjerim Edukimi seksual i femijeve
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013