Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
Trekëndëshi i ndryshimit: Ndryshimi në raport me Allahun: 1. Pendimi

TREKËNDËSHI I NDRYSHIMIT

 

I. NDRYSHIMI NË RAPORT ME ALLAHUN

 

1. PENDIMI SI HAP I PARË DHE I DOMOSDOSHËM

 

 

Pendimi është fillimi i kthimit tek Allahu. Është momenti i ndryshimit të kahes në jetë, nga rruga e gabuar në rrugën e drejtë. Është vendimi më i rëndësishëm që merr njeriu dhe e mira më e madhe që mund t’i bëj vetes. Pendimi është rikthim në natyrshmëri, rikthim i identitetit, gjetje e vetvetes. Njeriu është krijuar për ta adhuruar Allahun dhe pendimi i shërben pikërisht këtij qëllimi. Allahu ka thënë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.” [Edh-Dharijat: 56] Pendimi, nga kjo perspektivë, nënkupton nxjerrjen e njeriut nga bota e mëkatit dhe kundërshtimit në botën e adhurimit dhe bindjes e respektit për fenë e Allahut. Me fjalë të tjera, pendimi nënkupton shpëtimin. Allahu ka thënë: “Pendohuni të gjithë te All-llahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.” [En-Nur: 31]

Pendimi është dritë në errësirë, është shpresë për një fillim të ri dhe të mbarë. Pendimi është impulsi që e kthen zemrën në jetë. “Allahu e shtrin dorën gjatë natës që ta falë mëkatarin e ditës, dhe e shtrin dorën gjatë ditës, që ta fal mëkatarin e natës, dhe këtë derisa dielli të mos lindë nga perëndimi.[1]

Pendimi është rikthim i kujtesës së vjedhur nga mëkatet, rikthim i vetëdijes së humbur nga përplasja me epshet, rikthim i dijes së bllokuar nga pengesat e vëna prej mëkateve. 

Pendimi është mirësi e kësaj feje. ‘Kushdo që mendon rreth bazave të fesë do ta di (kuptojë) se feja, kur të jetë në pyetje pendimi, ka treguar në çdo mënyrë zemërgjerësi, dashamirësi, mëshirë dhe delikatesë.’[2] Pra, nuk ka portë që nuk ia ka hapur të penduarit. Allahu ka thënë: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse All-llahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!”.” [Ez-Zumer: 53]

E dini kujt i është drejtuar Allahu me këto fjalë apo kujt ia ka hapur portat e kthimit? Atyre që kanë bërë mëkatet më të mëdha, madje, siç komenton Ibn Kethiri, edhe atyre që e kanë mohuar Allahun. Është thirrje për të gjithë që të kthehemi tek Allahu, pavarësisht mëkateve tona, sepse, nëse mëkati është sëmundje, pendimi është ilaç. Ibn el-Kajjim ka thënë: “Zemra sëmuret sikur trupi ndërsa shërimin e ka në pendim.

Ilaçi i pendimit jep efektet e veta pavarësisht kohës a moshës. “Allahu e pranon pendimin e robit përderisa shpirti të mos i vijë në fyt (të mos vdes).”[3]

Pendimi është derë e madhe e shpërblimeve. Njeriu që pendohet për secilin mëkat të kryer, ai në fakt arkëton sevape të mëdha, të mira të shumta, dhe këtij pikërisht të këqijat i shndërrohen në të mira mu ashtu siç ka thënë Allahu: “Edhe ata që pos All-llahut, nuk lusin zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që ka ndaluar All-llahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkimin. (68) Atij i dyfishohet dënimi ditën e kiametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë. (69) Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve All-llahu të këqijat ua shndërron në të mira. All-llahu është mëshirues, ndaj Ai falë shumë.” [El-Furkan: 69-70]

Pendimi, siç do të shprehej Ali Tantavi, ka shpirt dhe trup: shpirti është të kesh ndjesi për shëmtinë e mëkatit ndërsa trupi është të largohesh prej mëkatit.

Që të pendohemi sinqerisht tek Allahu, pra t’i kthehemi tërësisht Atij, kemi nevojë ta kuptojmë esencën e pendimit, thelbin e saj. “Pendimi, thotë Imam Gazaliu, ka tre përbërës: dijen, gjendjen dhe veprimin. Sa i përket dijes ajo nënkupton të njohësh pasojat e mëkateve dhe se ato janë perde ndërmjet robit dhe të Dashurit të tij (Allahut). Kjo njohuri shkakton një gjendje – ndjesi në zemër, e cila është lëndimi nga frika e humbjes së të Dashurit, gjendje kjo që është keqardhje (për mëkatin e bërë).  Dominimi i kësaj ndjenje provokon vullnetin për pendim dhe shkëputjen nga e kaluara. Kështu, pendimi nënkupton braktisjen e atypëratyshme të mëkatit, vendosmërinë për të mos iu kthyer më mëkatit dhe shkëputjen me të kaluarën...”[4]

 



[1] Transmeton Muslimi.

[2] Thënie nga Ibn Tejmije. Shih: Ibn Tejmije, Tefsiru ajatin ushkilet ala kethirin min el-ulema, 2/595.

[3] Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e konsideron të mirë –hasen.

[4] Ihjau Ulumi-d-Din, 4/3.


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013