Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
ERA E GOJËS SË AGJËRUESIT

ERA E GOJËS SË AGJËRUESIT

 

Ndër shpërblimet e përmendura për agjërimin është edhe ai se era e gojës së agjëruesit tek Allahu është më e këndshme se era e miskut. Siç përcjellë Ebu Hurejre [Allahu qoftë i kënaqur me të!], Profeti Muhammed [Paqja qoftë mbi të!] ka thënë:

«والذي نَفسي بيدهِ لُخلوفُ فمِ الصائمِ أطيبُ عِندَ الله تعالى منْ ريحِ المِسكِ»

“...betohem në Atë, në dorën e të Cilit është shpirt im, se era e gojës së agjëruesit është më e këndshme tek Allahu se era e miskut...”[1]

Profeti [Paqja qoftë mbi të!], duke dashur të na ofrojë një imazh për erën e mirë të gojës së agjëruesit mori shembull miskun, i cili ka arën më të këndshme tek ne. Por, cila është domethënia e kësaj ere dhe cili është interpretimi për të?

 

1. Interpretimi i ‘erës së gojës’ ndërmjet reales dhe metaforës  

Ibn Dekik el-Idi, kur flet për erën e këndshme të gojës së agjëruesit, përmend se ajo mund të interpretohet si konkrete por edhe si metaforë. Si konkrete merr kuptim vetëm në botën tjetër ndërsa si metaforë nënkupton kënaqësinë e Allahut për këtë vepër dhe shpërblimin e madh për të.[2]

Në fakt, Ibn Dekik el-Idi aludon në qëndrimet e dy taborëve të dijetarëve: tradicionalistëve, që interpretojnë tekstualisht erën, pra si erë konkrete, të cilën besimtari e gjen tek Allahu, dhe të tjerëve, që erën e shohin si metaforë ndërsa i japin kuptime të ndryshme. Ibn el-Kajjim, pasi trajton mendimet e thëna rreth interpretimet të erës, konstaton se interpretimi tekstual është ai më i qëlluari dhe se nuk ka asnjë nevojë që të interpretohet teksti dhe shprehjes t’i jepet kuptim tjetër nga ai që ka.[3] Ky mendim mbështetet fuqishëm edhe  nga versioni i hadithit i shënuar në Sahihun e Muslimit, në të cilin precizohet se për qëllim është bota tjetër.

«وَالَّذِي نَفْسُ مُحَمَّدٍ بِيَدِهِ، لَخُلُوفُ فَمِ الصَّائِمِ أَطْيَبُ عِنْدَ اللهِ، يَوْمَ الْقِيَامَةِ، مِنْ رِيحِ الْمِسْكِ»

Betohem në Allahun, në dorën e të Cilit është shpirti i Muhammedit, era e gojës së agjëruesit, tek Allahu, në Ditën e Kiametit, është më e mirë se era e miskut.”[4]

 

2. Largimi i erërave të këqija gjatë agjërimit dhe erës së gojës në veçanti

Era e gojës së agjëruesit nuk është rezultat i mos mbajtjes së higjienës personale dhe më konkretisht i mos pastrimit të dhëmbëve. Era e gojës shkaktohet nga zbrazja e stomakut nga ushqimi, era kjo që, pavarësisht pastrimit të dhëmbëve a gojës, nuk largohet. Nga këtu, nuk ka ndonjë ndalesë që të pastrohen dhëmbët, të shpërlahet goja herë pas here me ujë apo edhe i tërë trupi.[5]  

 

3. Mëkatet humbasin erës e këndshme të gojës

Dikush nga gjeneratat e para ka thënë: ‘Adhurimet kërkojnë që edhe nga ana e jashtme – dukja të kujdesemi për to. Nëse në namaz kërkohet rroba e pastër, në agjërim kërkohet era, dhe, sikur që rroba njolloset me spërkatje, dhe rrjedhimisht bëhet e pavlefshme për tu falur me të, era njolloset/humbet me fjalë të këqija.’

Pra, janë fjalët e pista ato që zbehin agjërimin në tërësi dhe erën e gojës në veçanti.

 

4. Shpërblimi për agjërimin

Referuar shpjegimeve të mëparshme të hadithit, del se shpërblimi për agjërimin është i madh. Respektivisht është:

1)     Shpërblim i llojit të veprës

Duke qenë se nga agjërimi është shkaktuar erë e pakëndshme e gojës, në botën tjetër, nga vet lloji i veprës (era), i jepet shpërblimi.

2)     Shpërblim i sinqeritetit

Duke qenë se agjërimi kryhet në fshehtësi, atëherë Allahu dëshiron ta shpërblejë robin me këtë erë në Ditën e Llogarisë, në prani të njerëzve, e cila dëshmon sinqeritetin në agjërim.[6] Mu ashtu siç dallohen besimtarët që marrin abdes me përpikëri me ndriçimin e gjymtyrëve të trupit, po kështu besimtari i sinqertë në agjërim dallohen me erën e mirë.

3)     Shpërblim më i madh se ai për dëshmorin

Era e gojës së agjëruesit tek Allahu është më e mirë se era e gjakut të dëshmorit, për disa arsye:

a)     Tekstualisht, era e gojës së agjëruesit është vlerësuar më shumë se era e gjakut të dëshmorit. Për erën e gojës së agjëruesit është thënë se ‘është më e mirë se era e miskut’ ndërsa për erën e gjakut të dëshmorit është thënë: ‘...ngjyra e tij ngjyrë gjaku, era e tij erë misku...’[7] Pra, për erën e gojës së agjëruesit është thënë se është më e mirë se era e miskut ndërsa për gjakun e dëshmorit është thënë se ka erë misku.

b)    Agjërimi është një nga shtyllat kryesore të fesë, është obligim individual, përderisa xhihadi është obligim parcial.[8]

 



[1] Transmeton Buhariu.

[2] Shih: Ibn Dekik el-Idi. (2009). Sherhu-l-ilmam bi ehadithi el-ahkam. Siri: Dar nevadir. 3/151-153. Si metaforë e kanë shpjeguar edhe shumë

[3] Shih: Ibn Kajjim el-Xheuzijjeh, Muhammed bin Ebi Bekr. (1999). El-vabil es-sajjib min el-kelim et-tajjib. Kajro: Dar el-hadith. Fq. 28.

[4] Hadithi nr. 1151.

[5] Shih: Ibn Tejmije, El-fetava el-kubra, 2/474; Fetava el-lexhneti ed-daimeti, 10/328; Fetava esh-Shejh Ibn Baz, 15/260.

[6] Shih: Lashin, Musa Shahin. (2002). El-menhel el-hadith fi sherhi el-hadith. P.v.b: Dar el-medar el-islamij. 2/228-230.

[7] Transmeton Tirmidhiu.

[8] Shih: Lashin. (2002). El-menhel el-hadith fi sherhi el-hadith. Op. cit. 2/228-230.


VIDEOS / YOUTUBE
Devotshmeria synim kryesor i agjerimit Vlera e kohes Monumente besimi ne agjerim Edukimi seksual i femijeve
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013