Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
FILOZOFIA E FESTËS NË ISLAM

 

Hutbe e mbajtur në sheshin e qytetit të Vushtrrisë për festën e Kurban Bajramit, 1 shtator 2017.

 

Hyrje

Festat janë ditë të veçanta, jo se janë ditë shtesë të javës apo muajit, por për shkak të domethënieve që bartin, mesazheve që përçojnë, vlerave që kultivojnë. Nuk janë rrobat dhe ushqimet ato që bëjnë dallimin në festë dhe i japin kuptim asaj, por janë vlerat dhe virtytet që e karakterizojnë atë dhe mësimet e saja. Nisur nga kjo perspektivë, festat islame, si kjo e Kurban Bajramit, janë më shumë se shënime, më të mëdha dhe më të rëndësishme se të jenë thjesht ceremoni formale; festat tona janë momente reflektimi, vetëdijesimi, e lartësimi shpirtëror.  

[Sfondi fetar]

Të respektuar vëllezër!

Festat në Islam kanë tipare dalluese. Ato janë gëzim, dëfrim e argëtim por jo të atilla që të arrijnë në nivele shthurje e degjenerimi. Festat janë të lidhura ngushta me adhurimin dhe përkushtimin për Allahun. Për këtë shkak, dy festat që kemi, Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami, paraprihen me adhurime të caktuara: Fitër Bajrami me agjërim mujor ndërsa Kurban Bajrami me obligimin e haxhit për haxhilerë dhe dhjetë ditët e mëdha të dhul hixh-xhes për ne të tjerët që sot nuk jemi në Mekkë. Kështu, mund të themi se esenca dhe thelbi i festës në Islam janë gëzime dhe kënaqësi me adhurimin dhe afrimin tek Allahu. Në Kur’an Allahu na mëson:

﴿قُلْ بِفَضْلِ اللَّهِ وَبِرَحْمَتِهِ فَبِذَلِكَ فَلْيَفْرَحُوا هُوَ خَيْرٌ مِمَّا يَجْمَعُونَ

Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.”.” [Junus: 58.] 

Rëndësia e kësaj është se koncepti për festën nuk tkurret në një ditë por shtrihet gjatë tërë jetës: sa herë që adhurojmë Allahun, kryejmë detyrimet karshi Tij, karshi vetes, karshi të tjerëve, ndihemi sikur kemi festë e gëzim. Hasan Basriu ka thënë: ‘Festë e ke çdo ditë në të cilën Allahut nuk i bën mëkat.’[1]

Se festa në Islam ka këtë sfond dallues flet edhe fakti se ato janë alternativë islame karshi festave tjera. Kur Muhammedi [Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të!] kaloi në Medinë, ku edhe themeloi shtetin islam, njerëzit i gjeti tek festonin dy ditë, ose dy festa, të cilat, për shkak të domethënieve dhe mesazheve, ua ndërroi me dy festa tjera, Fitër Bajramin dhe këtë festë, pra Kurban Bajramin.[2] Ky ndërrim ka një simbolikë të rëndësishme, atë se me ndërrimin Allahu synon lumturinë tonë. Dijetari i madh, Ibn Abidin, për domethënien e fjalës bajram (ar. el-îd) thotë: “Është quajtur festa me këtë emër sepse në këtë ditë besimtareve iu kthehen të mirat e Allahut. Pas Ramazanit, hiqet ndalesa e ushqimit, ndërsa në haxh bëhet plotësimi me tavafin e shtëpisë së lashtë, ngrënien e mishit të kurbanit, etj...[3]

Të dashur vëllezër!

Festa e Kurban Bajramit është një rikujtim për përsosmërinë e kësaj feje. Në vitin e dhjetë sipas hixhrit, në Arafat, në Haxhin Lamtumirës, Allahu i Madhëruar shpalli kompletimin e kësaj feje:

﴿الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمُ الْإِسْلَامَ دِينًا

“…Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe…” [El-Maide: 3.]

Të nderuar vëllezër!

 

Festa është moment i prezantimit të mirësive të Islamit dhe mësimeve të tij, të cilat përputhen me njeriun dhe kërkesat e tij. Islami nuk ka ndaluar argëtimin dhe zbavitjen: ai vetëm ka vënë rregulla dhe norma që i rregullojnë ato. Për këtë shkak, sot, në këtë ditë feste, më shumë se kurrë më parë, kemi arsye të shfaqemi të gëzuar, të zbukuruar, të veshur. Ka qenë traditë e Profetit Muhammed (Lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të!) që bajrameve të vishej bukur, madje kishte rroba të veçanta vetëm për bajrama. 

Xhematlinj të respektuar! 

[Sfondi shoqëror]

Zhveshja e festave nga qëllimet, i tkurr ato në manifestime që nuk kanë kuptim. Festat janë moment për të konfirmuar ekzistencën shpirtërore të ummetit, jo atë biologjike e formale. Festat nuk janë thjesht ndërrim ditësh; festat janë fuqi shpirtërore që ka mundësi të ndryshojë ditët. Festa është hapësira ku takohen prindërit me fëmijët, vëllezërit me vëllezërit, i vjetri me të riun, i pasuri me të varfrin, të gjithë...Festa është ora praktike e mësimit për qytetarinë, vlerat dhe civilizimin. Jo rastësisht, Profeti Muhammed [Lavdërimi dhe paqja qofshin mi të!] e përzgjodhi festën që të proklamonte vlerat shoqërore të Islamit:

O njerëz! Kini frikë Zotin dhe respektojeni Atë. Bëhuni të njerëzishëm dhe të drejtë ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve...Ruajeni, respektoni dhe nderojeni vlerën e personalitetit dhe dinjitetit njerëzor. Njeriu është vepër madhështore e Allahut dhe mjerë për atë që e nënçmon nderin dhe dinjitetin e veprës së Allahut.”

O besimdrejtë! Ta dini, ta mbani mend dhe të jeni të bindur se përfundoi koha e mosdijes dhe traditave të këqija, që i sollën fatkeqësi të shumta gjinisë njerëzore...Gjakmarrja është e ndaluar…Fajdeja dhe kamata janë të ndaluara...”

O bashkëshortë! Silluni ndaj grave tuaja me shumë mirësi dhe dashuri…Gratë tuaja u janë dorëzuar në besë të Zotit. Respektojeni, o besimdrejtë, atë amanet të Zotit.

Festa është momenti i kujtimit të përgjegjësisë shoqërore. Me gjithë bollëkun, shoqëria njerëzore çdoherë e më shumë po egërsohet brenda vetvetes: më pak mëshirë, më pak solidaritet, më pak humanizëm. Festa në Islam vjen, jo vetëm si përgjigje, por si alternativë solidare që sfidon varfërinë. Për këtë janë ligjësuar sadakatu-l-fitri dhe therja e kurbanit. Në lidhje me këtë të fundit, Allahu në Kur’an na mëson:

﴿لن ينال الله لحومها ولا دماؤها ولكن يناله التقوى منكم

Tek All-llahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre, por te Ai arrin bindja juaj…” [El Haxh, 37.]

Të nderuar vëllezër!

Nëse festa ka këto dimensione fetare dhe shoqërore, atëherë ajo duhet të jetë një pikënisje për reformim shpirtëror dhe kulturor. Le të tregohemi, krahas asaj si besimtarë të sinqertë, edhe qytetarë të kulturuar. Ju lutem mos lejoni që smira dhe urrejtja t’iu pengojnë nga vizitat e ndërsjella ndërmjet vete, mos lejoni që jetimi të jetë i tepërt sot në familjen tuaj, mos lejoni që zemrat e prindërve tu edhe sot të jenë të pikëlluara. Shkoni, urojuani festen, puthuani duart dhe shoqërojini ata.

Le të mbretërojë paqja, hareja, dashamirësia kudo sot.

Nëse Mekkeja e nderuar sot jehon nga Telbija, atëherë le të jehon ky vend nga tekbiret!

 

 

 



[1] Shih: Letaif el-mearif, fq. 278.

[2] Hadithin e transmetojnë Imam Ahmedi, Ebu Davudi dhe Nesaiu.

[3] Shih: Hashijetu Ibn Abidin, 2/165.


VIDEOS / YOUTUBE
Devotshmeria synim kryesor i agjerimit Vlera e kohes Monumente besimi ne agjerim Edukimi seksual i femijeve
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013