Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika bashkëkohore Opinione dhe reagime Studime dhe hulumtime Kontakt
Kujtesa e Ummetit: Muaji shtator

IX. MUAJI SHTATOR

01.

1 shtator 1248

Vdes mbreti Muhammed bin Nexhmuddin Ejjub

 

Ka lindur në Ba’lebek, në qytetin në të cilin babai i tij ishte vali. Në pushtet erdhi pas vdekjes së vëllait, Salahudinit, por ndryshe prej tij që interesohej për luftërat kundër kryqtarëve, merrej me probleme të brendshme, të cilat qenë shkaktuar pas vdekjes së vëllait të tij. Ka qenë i njohur për tiparet e tij, bujarinë, fisnikërinë, drejtësinë, madje edhe njihej si mbret i drejtë.

1 shtator 1928

Shqipëria shpallet mbretëri

 

Ahmet Zogu e shpall Shqipërinë monarki dhe shpallet mbret. Ahmet Zogu ka qenë mbret i Shqipërisë për 10 vjet 7 muaj e 6 ditë. Monarkia i tij mori fund kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste më 7 prill 1939. Ahmet Zogu është një nga personalitetet më të mëdhenj të historisë shqiptare. Një figurë kontradiktore dhe mjaft komplekse për të cilin janë botuar shumë libra. Ndoshta një portret më të saktë për të jep diplomati i shquar Eqrem bej Vlora, që shkruante për Zogun: “Inteligjenca natyrore e këtij njeriu ishte e mahnitshme. Edhe kur ia donte puna të gjykonte dhe zgjidhte probleme shumë të vështira dhe të huaja për të, ai rrallë gabonte. Sikundër edhe në shoqëri me njerëz shumë më të kulturuar ai nuk bënte kurrë figurë të keqe. Por përveç inteligjencës, ajo që i jepte atij epërsi të padiskutueshme mbi gjithë të tjerët ishte mungesa e çdo ndjesie. Ahmet Zogu as ka dashuruar, as ka urryer kurrë. Veprimi dhe sjellja e tij i nënshtroheshin gjithnjë kontrollit të një mendjeje të ftohtë dhe praktike, udhëhiqeshin gjithnjë dhe vetëm prej interesave të tij…”.

1 shtator 1939

Fillon luta e dytë botërore

 

Në orën 4:45 të mëngjesit, rreth 1.5 milion trupa gjermane sulmuan Poloninë në të gjithë kufirin prej 1.750 milje dhe i gjithë territori u vu nën kontrollin e Gjermanisë. Në të njëjtën kohë, forcat ajrore bombarduan aerodromin polak, dhe luftanijet e nëndetëset gjermane sulmuan forcat detare polake në detin Baltik. Lideri nazist Adolf Hitleri deklaroi se sulmi frontal ishte një masë mbrojtëse për ta, por Britania dhe Franca nuk ishin të bindura. Më 3 shtator, ato i shpallën luftë Gjermanisë, duke filluar Luftën e Dytë Botërore.

1 shtator 1971

Pavarësohet Katari

 

 

Katari ishte nën sundimin e Anglisë kur fitoi pavarësinë në vitin 1971. Hapësirë gjeografike që sot njihet si Katar dikur ishte pjesa lindore e gadishullit arabik që ka përfshirë pjesë sot që gjenden në Kuvajt, provincën lindore të Arabisë Saudite, Bahrejnit, një pjesë të EBA-së.

1 shtator 2004

Masakër ruse në Beslan, Çeçeni

 

Një grup çeçenesh kishin marrë peng nxënësit e një shkolle si formë presioni ndaj Rusisë që të braktiste territorin e Çeçenisë dhe të lironte të burgosurit çeçene në burgjet ruse. Komandosët rusë me një plan të kritikuar shumë nga bota mbarë ndërhynë në shkollë duke shkaktuar viktima të shumta nga nxënësit dhe personeli mësimor në ndërkohë që disa nga rrëmbyesit ia kishin dalë të iknin.

02.

2 shtator 1192

Marrëveshja e Remles

 

Rënia e Bejtul Makdisit në duart e muslimanëve shkaktoi tmerr në Evropë. Vatikani bëri thirrje që të organizohej kryqëzata e tretë. Gjermania, Anglia dhe Franca përgatitën flotat detare dhe u nisën në drejtim të Palestinës. Rrugës, flota e Gjermanisë u fundos, ndërsa në Palestinë arritën vetëm francezët dhe anglezët. Më pas, francezët do të ktheheshin ndërsa anglezët, në udhëheqjen e Riçardit, do të mbeteshin. Salahuddin si pjesë të planit strategjik për të ndalë përparimin e tyre kishte ndërprerë rrugët furnizuese të tyre duke detyruar anglezët të lidhnin marrëveshje, e cila do të njihej si ‘marrëveshja e Remles.’ Marrëveshja parashihte që Kudsi të ngelte në dorën e muslimanëve ose pothuajse gjendja të ishte ashtu siç ka qenë para ardhjes së anglezëve. 

2 shtator 1633

Stambolli përfshihet nga flakët

 

Një zjarre i shkaktuar nga duhani u përhap dhe dogji hiq më pak se 20,000 shtëpi. Kjo bëri që shteti osman të nxirrte dekret sipas të cilit ndalohej konsumimi i duhanit edhe brenda shtëpive. Kjo ndalesë u hoq në vitin 1640.

2 shtator 1663

Osmanët marrin Ersekujvarin

 

Në kuadër të ekspeditës osmane në Evropë, merret Ersekujvari, që sot është territor i Sllovakisë. Osmanët e kishin rrethuar atë për 37 ditë. Konsiderohej si pika më e fuqishme e Evropës dhe marrja e saj hapte rrugën edhe për zgjerim të mëtejmë në Evropë.

2 shtator 1898

Beteja e Kererit

 

Sudani që nga koha e Muhammed Aliut ka qenë vartëse e Egjiptit. Me kalimin e kohës, kur ndikimi anglez qe rritur shumë në Egjipt, kjo e fundit pati larguar ushtrinë nga Sudani. Anglia synonte pushtimin e Sudanit. Forcë sfiduese ishin ithtarët e Muhammed bin Abdullah Mehdiut, të cilët do të përçaheshin pas vdekjes së tij. Kjo kishte lehtësuar shumë punën e anglezëve për pushtimin e Sudanit. Qe zhvilluar beteja e Kererit në të cilën gjetën vdekjen me dhjetëra mijëra ensarë (kështu quheshin ithtarët e revolucionit të Mehdiut). Anglezët përfundimisht hyn në Hartum dhe ngritën flamurin në shenjë pushtimi.

2 shtator 1925

Turqia mbyll teqetë

 

Në përpjekje të humbjes së çdo gjurme islame në vend, Mustafa Kemajl Ataturku, urdhëron mbylljen e të gjitha teqeve.

2 shtator 1926

Marrëveshje ndërmjet Italisë dhe Jemenit

 

 

Italia dhe Jemeni nënshkruajnë një marrëveshje sipas të cilës Italisë i delegohej e drejta e mbikëqyrjes së bregdetit lindor të detit të kuq. Ishte kjo koha kur në Itali sundonte Musolini, ideja e të cilit ishte zgjerimi i shtetit në kurriz të të tjerëve.

03.

3 shtator 796

Vdes Muntesiri

 

Ka sunduar në Spanjë. Pushtetin e ka marrë pas babait, AbduRrahman Nasirit. Shteti në kohën e tij ka përparuar shumë.

3 shtator 1189

Bie qyteti i Seville

 

Silves konsiderohet qyteti më i rëndësishëm në perëndim të Spanjës. Ka qenë një nga qendrat më rezistuese karshi të huajve, veçmas pas përkujdesjes që fitoi nga muvehhidinët. Banorët e saj njiheshin për shkathtësitë e luftërave detare. Portugalia që qe ndarë nga Spanja, e dëshironte me çdo çmim. E kishin rrethuar për kohë të gjatë, madje qe shfrytëzuar thirrja e papës për kryqëzatë kundër Bejtul Makdisit (Jerusalemit), kështu që flotat evropiane u thirrën në ndihmë. Përkundër kësaj, Silves nuk u dorëzua. Dorëzimi ndodhi atëherë kur filluan të përhapen epidemi brenda Silves si shkak i mungesës së ujit, që qe ndërprerë nga portugezët, dhe të vrarët e shumtë nga goditjet e pandalura me topa. Paria e qytetit konsideroi dorëzimin si të keqen më të vogël. Qyteti u dorëzua ndërsa marrëveshja për respektim të jetëve, nderit dhe pasurisë u shpërfill nga kryqtarët. Ushtria portugeze nuk pajtoi me këtë kështu që i largoi kryqtarët (francezët, anglezët dhe gjermanët) nga Silves.

3 shtator 1783

Mbaron lufta ndërmjet SHBA-ve dhe Britanisë

 

Lufta Revolucionare Amerikane përfundon me nënshkrimin e Traktatit të Parisit midis Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe. Pika kryesore e traktatit thekson se Mbretëria Britanike i njeh Shtetet e Bashkuara si vend të lirë, sovran dhe të pavarur dhe heq dorë nga çdo pretendim territorial dhe trashëgimi pronësie.

3 shtator 1914

Princ Vidi largohet nga Shqipëria

 

I këshilluar nga përfaqësuesit e fuqive të mëdha, Princ Vidi largohet nga Shqipëria, duke e lënë vendin pas vetëm gjashtë muajsh për shkak të kundërshtimit ndaj sundimit të tij.

3 shtator 1920

Merr fund Lufta e Vlorës

 

Trupat italiane tërhiqen nga Vlora duke ruajtur vetëm kontrollin e ishullit Sazan, ndërsa forcat vullnetare shqiptare hyjnë triumfalisht në qytetin e çliruar.

3 shtator 1922

Internohet Sa’d Zagluli

 

 

Pas vdekjes së Mustafa Kamilit, liderit me prirje islame, anglezët ishin të interesuar që të mos linin në skenë asnjë lider që kishte prirje të tilla. Muhammed Feridin, pasardhësin e Mustafa Kamilit, e kishin internuar në Gjermani ku edhe kishte vdekur.  Si pasardhës të Mustafa Kamilit kishin zgjedhur Sa’d Zaglulin, një besnik të tyre, të cilin, për ta mbajtur në pushtet siç deshën, e frikësuan duke e internuar e burgosur.

04.

4 shtator 1063

Vdes Tugruli

 

Ka qenë sundimtari i tretë nga selxhukët. Ai ka vënë themelet e shëtit selxhuk dhe në kohën e tij janë pushtuar Irani dhe Iraku. Është i pari që ka përdorur flamurin e kuq me hënë dhe yll, i cili më pas do të bëhet flamuri i Turqisë.

4 shtator 1888

Xhorxh Istman regjistron markën tregtare ‘Eastman Kodak’

 

‘Kodak’ është një kompania amerikane, e cila merret me lëndë dhe mjete fotografike. Në fillim ishte e fokusuar në filma fotografikë ndërsa tani në fokus ka fotografinë dhe shtypin digjital.

4 shtator 1948

Abdikon mbretëresha e Holandës

 

Mbretëresha e Holandës Wilhelmina Helena Pauline Maria jep dorëheqje nga froni në favor të së bijës, Xhulianas, e cila do të thirrej më pas ‘Mbretëresha Xhulianë.’

4 shtator 1998

Themelohet Google

 

Rrjeti internetik Google themelohet nga Larry Page dhe Sergey Brin, dy studentë në Universitetin e Stanfordit, SHBA.

4 shtator 2015

Përcillet kufoma e Ajlan Kurdit

 

Ajlan Kurdi është fëmija sirian i cili u mbyt në brigjet turke në përpjekje për të shpëtuar nga lufta në vend. Fotografitë e kufomës së tij kanë ngjallur reagime të mëdha në mbarë botën.

05.

5 shtator 624

Vrasja e Ka’b Eshrefit

 

Ka’bi ishte lider i fisit çifut beni nadir. Ai fyente Profetin dhe nëpërkëmbte nderin e tij. Vajtonte për viktimat e Betejës së Bedrit. Ai u vra nga medinasit e përbërë kryesisht nga fisi evs dhe të udhëhequr nga Muhammed bin Mesleme.

5 shtator 641

Filloi ndërtimi i xhamisë Amr bin el-As në Egjipt, e para në Egjipt dhe në tërë kontinentin afrikan

 

Kjo xhami ekziston edhe sot e kësaj dite dhe vazhdon të ngelë si një ndër imazhet identifikuese të Kajros. Në të kaluarën quhej ‘Xhamia e Çlirimit’, ‘Xhamia Antike’, ‘Kurora e xhamive.’ Xhamia gjatë gjithë kohës ka pësuar zgjerime. Në fakt, më parë, nga frika e përdhosjes prej kryqtarëve, Shavir Sa’diu, ministër në kohën e kryqëzatave, urdhëroi djegien e saj. pas marrjes së Egjiptit nga Salahuddini, u rindërtuan pjesët e dëmtuara dhe pati rregullime të reja.

5 shtator 918

Vdes fekihu Ahmed bin  Surejxh

 

Ka qenë një nga juristët e famshëm të shafiitëve. Ka ndikuar shumë në përhapjen e drejtimit shafiij. Ka qenë autor i shumë veprave të cilat, për fat të keq, nuk i kanë mbijetuar kohës.

5 shtator 1566

Vdes Sulltan Ahmedi III

 

Ka qenë Sulltani i njëzetetretë në dinastinë osmane. Pushtetin e kishte marrë në moshën 32 vjeçare. Jeniçerët që kishin pushtet dhe ndikim, për shkak të mospërputhjes së tij me ambiciet e tyre të shfrenuara, e shkarkuan nga posti.

5 shtator 1793

Revolucioni fillon terrorin

 

Kuvendi i dalë nga Revolucioni Francez, i cili rrëzoi monarkinë, shënon fillimin e mbretërimit të terrorit. Me Robespierin në krye të Komitetit për Sigurim Publik, më shumë se 300 mijë vetë u arrestuan dhe 17 mijë të tjerë u ekzekutuan brenda disa muajve. Kjo ngjarje përshkruhet përgjithësisht në librin “93” romani i fundit i shkrimtarit Viktor Hugo, botuar në vitin 1874, menjëherë pas trazirave të përgjakshme të Komunës së Parisit. 

5 shtator 1795

Shtetet e Bashkuara nënshkruajnë marrëveshjen me Algjerinë

 

ShBA-të nënshkruajnë një marrëveshje prej 22 pikash me Algjerinë, sipas së cilës SHBA do t’i paguanin Algjerisë 642,000 dollarë dukat dhe 12,000 lira osmane dukat çdo vit në këmbim të lirimit të ushtarëve amerikanë që ishin zënë rob në Algjeri si dhe në këmbim të lëvizjes së lirë të anijeve amerikane në Oqeanin Atlantik ose në mesdhe.

5 shtator 1945

Fillimi i luftës së ftohtë

 

Një nëpunës i ambasadës sovjetike në Kanada kërkon strehim politik. Ai u tregoi autoriteteve kanadeze ekzistencën e një rrjeti të gjerë spiunazhi sovjetik në Amerikën e Veriut, duke sinjalizuar fillimin e Luftës së Ftohtë.

5 shtator 1960

Senegali pavarësohet nga Franca

 

Pas plot 300 viteve nën sundimin francez, Senegali pavarësohet duke zgjedhur presidentin e saj. 90% e popullsisë janë muslimanë ndërsa shteti është pjesë e Organizatës së Konfeencë Islamike

5 shtator 1996

Uragani Fran shkakton dëme të mëdha

 

 

5 shtator 1996 – Uragani Fran godet brigjet e Karolinës së Veriut duke shkaktuar vdekjen e 27 personave dhe dëme me vlerë mbi 3 miliardë dollarë. Për shkak të dëmeve të shumta, “Fran” u hoq nga lista e emrave të uraganëve të ardhshëm.

06.

6 shtator 1798

Ekzekutohet lideri Muhammed Kerim

 

Muhammed Kerim ka qenë vali i Aleksandrisë kur francezët ia mësynë Egjiptit nga ana veriore. Ka treguar trimëri dhe guxim të rrallë në ballafaqimin me francezët. Ishte zënë rob dhe ishte ekzekutuar nga forcat pushtuese franceze. Ekzekutimi i tij ishte shkëndija që ndezi revolucionin e parë të Kajros që u nis nga universiteti i Az’harit.

6 shtator 1915

 

Prodhohet tanku i parë

Me datë 6 shtator të vitit 1915 u përfundua dhe u testua tipi i parë i tankut, i krijuar nga William Foster & Company për ushtrinë britanike. Disa vende te ndryshme kishin punuar për te krijuar një mjet që mund të kalonte terrenin e thyer, por Britania ishte e para që ia arriti qëllimit. Të pajisur me një mekanizëm të lehtë armësh, tanket u përdorën për herë të parë në Betejën e Cambrai ne vitin 1917, kur 474 tanke britanike thyen frontet gjermane. Aleatët filluan të përdornin më shumë mjete motorike ne vazhdim te luftës. Pas Luftës së Parë Botërore, vendet Europiane vazhduan te prodhonin tanke, me një ritëm të shfrenuar, duke i armatosur ato me artileri edhe më të rëndë. Tanket u bënë koka e betejave të Luftës së Dyte Botërore.

6 shtator 1965

 

Lufta ndërmjet Indisë dhe Pakistanit

Për shkak të pushtimit të Kashmirit nga India, vend ky me shumicë absolute myslimane, të dyja shtetet hynë në luftë. Forcat ajrore të Pakistanit luajtën rol vendimtar në betejë, që përfundimisht çoi në lidhjen e një marrëveshje në Tashkent, pikat e të cilës favorizonin Indinë.

6 shtator 1989

Presidenti i Unionit të Bashkuar Afrikan viziton Mauritaninë dhe Senegalin

 

Në përpjekje për të zgjidhur konfliktin ndërmjet Mauritanisë dhe Senegalit, Husni Mubarek, njëherësh edhe president i Egjiptit atëkohë, ndërmerr një udhëtim në këto vende i shoqëruar edhe me një  këshill gjashtë anëtarësh të përbërë nga ministra të punëve të jashtme të vendeve afrikane.

6 shtator 1991

Ndalet konflikti i armatosur në Marok

 

Fronti Polisario kërkon themelim të një republike të mëvetësishme, gjë kjo e kundërshtuar nga qeveria marokiane. Për pasojë pati edhe konflikt të armatosur i cili fatbardhësisht u ndal.

07.

7 shtator 1091

Bie mbretëria Beni Abbad në Andaluzi – Spanjë

Shteti islam i dikurshëm në Spanjë ishte i unifikuar dhe bashkuar. Me kalimin e kohës, do të ndahej në shtete të vogla, principata dhe mbretëri, të cilat do të merreshin me njëra tjetrën se kush në llogari të kujt do të zgjerohej e fitonte pushtet. Në Sevilje, gjykatësi Ismail bin Abbad, shfrytëzoi rastin dhe mori pushtetin në dorë, duke e ndarë Seviljen nga pjesët tjera të shëtit dhe duke e bërë mbretëri të mëvetësishme. Strategjia e tij ishte që të mos bënte asnjë luftë derisa të mos forconte rrënjët e shtetit. Pasardhësit e tij ose ishin shumë të ashpër, si i biri Mu’tedadi, ose të dhënë shumë pas epsheve dhe kënaqësive, si nipi, Mu’temidi. Jusuf Tashifini, Emiri i Marokut, iu kishte dalë në ndihmë disa herë, por kur pa se ishte vet gjendja e principatave ajo që krijonte terren të përshtatshëm për depërtimin e kryqtarëve, ai u konsultua me dijetarët, si Imam Gazaliun, Tartushin, që t’i luftonte këta udhëheqës principatash. Ata i sugjeruan ta bënte një gjë të tillë dhe Jusuf Tashifini filloi me mbretërinë e Seviljes,që ishte mbretëria më e madhe dhe prijësi i së cilës ishte më arroganti nga të gjithë dhe njëherësh lider i të shthururve dhe degjeneruarve. Ai e rrethoi mbretërinë e Beni Abbadëve dhe pas katër muajsh arriti ta merrte. Populli që kishin kuptuar tradhtinë e liderit të tyre dhe bashkëpunimin me kryqtarët, ia hapën Jusufit portat e qytetit dhe kështu mbretëria e Beni Abbadëve mori fund.

7 shtator 1521

 

Osmanët marrin Beogradi

Pas marrjes së pushtetit nga Sulltan Sulejman Kanuni, ndodhën disa trazira brenda shtetit osman, të cilat trimëruan venet e pushtuara të ngrenë kokën dhe të refuzojnë dhënien e xhizjes. Një ndër këto vende ishte edhe Hungaria. Sulltan Sulejmani, për të mos lejuar këtë rebelim që të jetësohet dhe as të tjerat që të marrin zemër prej tij, udhëhoqi një luftë në të cilën shoi këto kryengritje dhe mori Beogradin, i cili vazhdoi të ishte nën shtetin osmane deri në fillim të shekullit XX. Beogradi dikur kishte 270 xhami ndërsa sot ka vetëm një ose dy xhami të vogla.

7 shtator 1771

 

Triumf i Selimit III

Sulltan Selimi merr 1/5 e plaçkës detare nga anijet kundërshtare. Vlera e plaçkës ishte afërisht 60 milionë dollarë sot.

7 shtator 1859

Vdes themeluesi i senusitëve

Muhammed bin Ali Senusi (1787-1859), algjerian, ka qenë fillimisht i njohur si themelues i një tarikati, i cili më pas, për shkak të rrethanave politike nëpër të cilat kalonte ummeti, do të shndërrohej në një lëvizje të armatosur për çlirimin e vendeve islame.

7 shtator 1990

Miratohet kushtetuta e Kosovës

 

Delegatët shqiptarë të mbledhur në Kaçanik miratojnë Kushtetutën dhe e shpallin Kosovën Republikë.

08.

8 shtator 965

Vritet Mutenebbiu

 

Mutenebbiu ka qenë poet i njohur nga Kufa. Ka lindur në një familje të varfër ndërsa është edukuar në malësi të Shamit ku ka mësuar gjuhën e pastër arabe nga beduinët. Shumë shpejt poezitë e tij morën dhenë. Mutenebbiu ishte i vrazhdë në raporte. Shante me poezitë e tij dhe njerëzit ndiheshin keq. Bile ai pati pretenduar edhe profetësinë për çka qe burgosur por më vonë u pendua dhe u lirua. Ai u mbyt nga një njeri që e kishte thumbuar me poezitë e tij.

8 shtator 1830

Francezët pushtojnë vakëfet algjeriane

Pushtuesi francez fillon të vë dorë në vakëfet islame në Algjeri, të cilat i selektonte sipas interesave të tij.

 

8 shtator 1943

Italia kapitullon në luftën e I-rë botërore

 

Nënshkruhet akti i kapitullimit te Italisë në luftën e parë botërore.

8 shtator 1954

Formohet aleanca e Azisë juglindore

Në kryeqytetin filipinez, Manila, Pakistan, Filipinet, SHBA-të, Australia, Zelanda e Re, Franca, Britania dhe Tajlanda lidhin një aleancë, qëllimi kryesor i së cilës ishte rezistenca ndaj rrezikut komunist nga Kina.

 

8 shtator 1999

Samiti I i Sirtes

Në Sirte, Libi, 46 krerë shtetesh afrikane marrin pjesë në një samit, qëllim i të cilit ishte themelimi i unionit afrikan.

09.

9 shtator 914

Dheka El-A’ver hyn në Egjipt

 

Me direktiva të halifes abbasit, Dheka El-A’veri, i prin një ushtrie e cila hyn në Egjipt për të ndalur hovin e fatimitëve që synonin marrjen e Egjiptit pas marrjes së vendeve perëndimore arabe.

9 shtator 1269

Beteja e Ajn Xhalut

 

Një nga kujtimet më të këqija në historinë e muslimanëve janë tatarët. Holako, nipi i Xhingiz Hanit, ishte i njohur për urrejtjen e tij ndaj islamit dhe myslimanëve, mbase edhe për shkak të gruas së tij të krishtere, Dhafer Hatun, e cila e nxiste kundër muslimanëve. Ai nuk kishte mjaftuar me shkatërrimin e kryeqytetit shkencor të botës, Bagdadit, sikur që nuk qe ngopur me dhënien fund dinastisë abbasite: ai donte ta shuante Islamin. Triumfet e njëpasnjëshme dhe marrja e pothuajse secilit vend ky hynin, i kishte trimëruar për t’ia mësuar edhe Egjiptit. Kutuzi, fillimisht komandant e më pas mbret, organizoi një ushtri me të cilën arriti jo vetëm ta fitonte por edhe të thyente mitin tatarian ose legjendën tatariane se ata nuk thyhen. Ishte një nga fitoret më të të rëndësishme të muslimanëve.

9 shtator 1672

Beteja e Elbafit

 

Në betejën osmano-polake, osmanët arrijnë të korrin fitore dhe të marrin qytetin Elbaf, i cili sot, gjeografikisht, ndodhet në Ukrainë.

 

9 shtator 1737

Osmanët fitojnë betejën kundër gjermanëve

 

Komandanti osman, Ived Muhammed Pasha triumfon në betejën kundër gjermanëve, nga të cilët mbetën të vrarë 6,000 ushtarë.

9 shtator 1917

Anglia pushton Kudsin

 

Në një komplot ndërkombëtar, i cili synonte grabitjen e tokës palestineze për të themeluar shtetin e Izraelit, pushtimi i Kudsit ishte parë si pikë e e katërt një plani për themelimin e shtetit n fjalë. Plani parashihte rebelimin e Sherif Husejnin karshi shtetit osman me premtimin për ta bërë halife, marrëveshjes Sajkos – Piko për ndarjen e botës arabe ndërmjet Anglisë dhe Francës, premtimi për themelimin e shtetit çifut dhe, e katërta, pushtimi i Kudsit. Atëbotë, komandanti anglez që kishte pushtuar Kudsin, kishte thënë: Tani morën und kryqëzatat.

9 shtator 1976

Vdes Mao Ce Duni

 

Më 9 shtator të vitit 1976, revolucionari kinez dhe burri i shtetit Mao Ce Dun, i cili vuante nga sëmundja e parkinsonit dhe probleme të tjera shëndetësore, vdiq në Pekin në moshën 82 vjeçare. Lideri komunist dhe themeluesi i Republikës Popullore të Kinës konsiderohet si një nga figurat me më shumë influencë në shekullin e 20.

10.

10 shtator 1635

Osmanët çlirojnë Tibrizin

 

Nën komandën e Sulltan Muratit IV, osmanët çlirojnë Tibrizin, dhe këtë në një konflikt të armatosur ndërmjet shtetit osman dhe atij safavit.

10 shtator 1955

Huan Peron largohet nga pushteti

 

Presidenti i Argjentinës Huan Peron u rrëzua nga pushteti pas një revolte nga ushtria

10 shtator 1989

Vdes Hamdi Rebi’

 

Hamid Rebië ka qenë një nga pionierët e mendimit politik islam. Ka qene mësimdhënës në Univeristetin e Kajros. Ka fituar shtatë diploma të doktoratës. Vdekja e tij, pak ditë para hapjes së një qendre të tij, shihet si e dyshimtë dhe me skenar të përgatitur nga të huajt.

11.

11 shtator 980

Lindi Ibn Sina

 

Ibn Sina është emër i njohur në shkencë. Ai është autor i punimeve të shumta dhe me rëndësi të veçantë në mjekësi, astronomi dhe filozofi.

11 shtator 1565

Osmanët largojnë rrethimin e Maltës

 

Pavarësisht sakrificës së madhe, osmanët nuk ia arritën ta marrin Maltën. Ranë dëshmorë 8000 ushtarë gjatë rrethimit në ndërkohë që nga pala kundërshtare pati 8500 të vrarë.

11 shtator 1697

Disfatë e ushtrisë osmane në Zenta

 

Ushtria osmane pëson humbje nga ushtria gjermane në Zenta, një fshat që bie në jug të Hungarisë. Disfata i faturohet tradhtisë së disa komandantëve ushtarakë osmanë.

11 shtator 1971

Vdes Nikita Hrushov

 

 

Më 11 shtator 1971, ish lideri sovjetik Nikita Hrushov, një nga figurat më të rëndësishme të Luftës së Ftohtë dhe pa dyshim një nga më aktivët, vdiq. Gjatë pushtetit të tij në fund të viteve ’50 dhe në fillim të viteve ’60, Hrushovi ishte përfshirë në disa nga ngjarjet më të rëndësishme të Luftës së Ftohtë.

12.

12 shtator 1693

Gjermanët largojnë rrethimin e Beogradit

 

Gjermania, pas përpjekjeve të njëpasnjëshme, në të cilat humbi dhjetëmijë ushtarë, largon rrethimin e Beogradit, i cili ishte nën sundimin osman.

12 shtator 1899

Kthehet në vendlindje Mahmud Sami Barudi

 

Mahmud Sami Barudi ka qenë poet i njohur dhe politikan me nam. Ka lindur në Kajro. Ka qenë i ngarkuar me detyrën e ministrit të revolucionit i cili dështoi për çka edhe ishte internuar. Ka vdekur në Kajro në vitin 1904. 

12 shtator 1980

Puçi i dytë ushtarak në Turqi

 

Në vitin 1972, për herë të parë që nga rënia e perandorisë osmane, shfaqet një parti me prirje fetare. Vitin vijues, renditet e treta në zgjedhjet nacionale, duke u bërë pjesë edhe e koalicionit qeverisës. Nexhemdin Erbakan bëhet zv. kryeministër.  Në vitin 1975, kjo parti ngjitet në vendin e dytë në zgjedhjet nacionale. Nga frika e rritjes së kësaj partie, veçmas pas lidhjes së koalicioneve me partitë tjera, kreu i shtetit, Kenan Evren, anulon të gjitha partitë. Qëllimi në fakt ishte që partitë me qasje islame të mos shënojnë rritje qoftë dhe përkohësisht.

12 shtator 2006

Papa Benedikti XVI fyen muslimanët

 

Në një fjalim në Gjermani, Papa Benedikti XVI citoi një tekst mesjetar, që i karakterizonte disa mësime islamike si "të këqija dhe jonjerëzore". Kjo ngjalli reagime të ashpra në gjithë botën islame.

13.

13 shtator 786

Lindi Me’mun bin Harun Rreshid

 

Ka qenë i shtati në listën e halifëve të dinastisë abbasite. Ka sunduar plot 20 vite, nga viti 813 e deri në vitin 833.

13 shtator 1754

Vdes Mahmudi I

 

Sulltani osman, Mahmudi I, i biri i Mustafait II, ka qenë sulltani i njëzetekatër në listën e sulltanëve osmanë.

13 shtator 1955

Marrëdhënie diplomatike ruso-gjermane

 

Që nga lufta e dytë, për herë të parë, gjermania perëndimore lidhte marrëdhënie diplomatike me Rusinë.

13 shtator 1993

Marrëveshja e Oslos

 

 

Është kjo marrëveshja e nënshkruar nga Jasir Arafati, përfaqësues juridik palestinez, dhe Isak Rabini, kryeministër izraelit. Marrëveshja organizohej nën patronatin e Bill Klinton, president amerikan. 

Pavarësisht spektakleve mediale, marrëveshja ishte në interes të palës çifut.

14.

14 shtator 786

Harun Rreshidi merr fronin

 

Në kohën kur Harun Rreshidi mori pushtetin ishte 25 vjeçar, megjithëkëtë, periudha e pushtetit të tij konsiderohet më e arta dh më progresivja. Ka sunduar 24 vite.

14 shtator 1807

Marrëveshja e Demenhourit

 

Marrëveshja quhet sipas vendit të lidhur, qytetit Demenhourit, njëherësh kryeqytet i Buhajras. Marrëveshja parashihte largimin e anglezëve nga Egjipti në këmbim të ushtarëve të zënë rob dhe të tjerëve të plagosur gjatë përpjekjes së Anglisë për ta pushtuar Egjiptin.

14 shtator 1918

Marrëveshja e dorëzimit të shtetit osman në luftën e parë botërore

 

Pjesëmarrja e Turqisë në këtë luftë fillimisht ishte hap i gabuar e më pas edhe dorëzimi. E tërë kjo shihet nga aspekti historik si një mashtrim i masonëve. Për herë të parë, që nga çlirimi, aleatët pushtuan Stambollin. Italia pushtoi pjesën jugore të Anadollit ndërsa Greqia atë perëndimore. Nuk kaluan shumë vite dhe perandoria osmane ra përfundimisht.

14 shtator 1960

Themelohet OPEC

 

Themelohet OPEK-u, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës.

14 shtator 2000

Freskimi i fundit për MS-DOS

 

 

“Microsoft” paraqet freskimin e fundit për sistemin operativ MS-DOS (Verzioni 8.0)

15.

15 shtator 1829

Marrëveshja e Edrenesë

 

Shteti osman lidh marrëveshje me Rusinë sipas së cilës i jepet fund luftës që zgjati një vit e katër muaj. Marrëveshja parashihte që shteti osman të paguante dëmshpërblime për luftë Rusisë si dhe ti jepej pushtet më shumë kësaj të fundit në brigjet e detit të zi.

15 shtator 1928

Zbulohet penicilina

 

Mjeku anglez, Alexander Fleming, zbulon penicilinën. Zbulimi i penicilinës ka  hyrë në historinë e zbulimeve më të mëdha. Ka shpëtuar me miliona njerëz nga sëmundje të ndryshme dhe vazhdon të shpëtojë në ditët e sotme.

15 shtator 1990

Shqipëria kërkon anëtarësim në KSBE

 

Shqipëria kërkon anëtarësim të plotë në Konferencën për Sigurim e Bashkëpunim në Evrope, KSBE, sot OSBE.

16.

16 shtator 1431

Marrëveshje ndërmjet muslimanëve dhe spanjollëve

 

Kjo marrëveshje ishte marrëveshje nderi ndërmjet muslimanëve dhe katalonasve, që konsiderohet si hapi më i rrezikshëm i ndërmarrë për pastrimin e pranisë islame në Spanjë.

16 shtator 1543

Marrëveshja osmane -franceze

 

Shteti osman lidh marrëveshje me Francën për të menaxhuar ujërat e Tulunit.

16 shtator 1931

Ekzekutohet Umer el-Muhtar

 

Luani i shkretëtirës, figura emblematike libiane, Umer el-Muhtar, i njohur për rezistencën e tij karshi italianëve, që kishin kolonizuar vendin e tij, zihet rob dhe ekzekutohet. Figura e tij akoma vazhdon të jetë motivuese për libianët.

16 shtator 1957

Përurohet universiteti shtetëror i Tiranës

 

Përurohet Universiteti i Shtetëror i Tiranës, i pari universitet shqiptar. I organizuar sipas modelit sovjetik nga profesori rus V. T. Makarov, ish-rektor i universitetit Tomsk, Universiteti i Tiranës u hap me 8 fakultete me 24 degë të veçanta dhe 41 departamente. Personeli mësimdhënës përbëhej nga rusë dhe shqiptarë, këta të fundit që kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik.

17.

17 shtator 641

Çlirimi i Egjiptit

 

Nën komandën e shokut të shquar të Profetit Muhammed ï·º, Amr bin el-Asit [Allahu qoftë i kënaqur me të!], çlirohet Egjipti. Egjipti ishte nën sundimin romak dhe Amri, që kishte arritur të çlironte pjesët më të mëdha të Egjiptit, kishte ngelur pa çliruar vetëm Aleksandrinë. E mësyu atë dhe e rrethoi. Në ndërkohë, mbreti Hirakli vdiq, dhe Aleksandria u dorëzua nga romakët, duke rënë kështu Egjipti plotësisht në duart e muslimanëve.

17 shtator 1171

Egjipti rikthehet nën pushtetin e dinastisë abbasite

 

Me angazhimin e Salahuddin Ejjubit, Egjipti rikthehet nën dinastinë abbasite dhe këtë që nga koha e fatimitëve. Si akt formal i këtij rikthimi ishte fillimi me lutjet dhe duatë për liderët e dinastisë në ligjërimet e së premtes.

17 shtator 1176

Këllëxh Arslan fiton ndaj bizantinëve

 

Sulltani turk, Këllëxh Arsllan II, në një betejë në Anadoll, korr fitore të madhe ndaj bizantinëve. Ka vdekur në vitin 1192 në moshën 76 vjeçare.

17 shtator 1934

Shqipëria vendos marrëdhënie diplomatike me Rusinë

 

Shqipëria dhe Bashkimi Sovjetik shkëmbejnë nota diplomatike dhe vendosin lidhje në nivel konsullor. Mbreti Zog e pa këtë kontakt të ri me Moskën si hapje të mundshme të një rruge për të dalë nga vështirësitë financiare, tani që marrëdhëniet me Italinë ishin tensionuar dhe marrja e ndonjë huaje nga Roma dukej e pashpresë. Ky hap i Mbretit Zog, pa dashje, do t’i hapte udhën edhe shtimit te hyrjes së literaturës komuniste në vend.

17 shtator 1991

Anëtare të reja të OKB-së

 

17 shtator 1991 - Koreja e Veriut, Koreja e Jugut, Estonia, Latvia, Lituania, Ishujt Marshallë dhe Mikronezia, iu bashkëngjitën Kombeve të bashkuara.

18.

18 shtator 1171

Fundi i epokës fatimite në Egjipt

 

Salahuddini ndalon ligjërimin e së premtes nga ubejdijjët duke rikthyer lutje për pushtetarët abbasite. Formalisht, kjo nënkuptonte rënien përfundimtarë të shtetit ubejdijj që rrejshëm është quajtur sipas vajzës së Profetit ï·º, Fatimes [Allahu qoftë i kënaqur me të!].

18 shtator 1672

Marrëveshja e Bozakut

 

Ndërmjet shtetit osman dhe shtetit të Polonisë lidhet një marrëveshje e njohur si marrëveshja e Bozakut, sipas të cilës mbreti polak tërhiqej nga disa prona në favor të osmanëve dhe pranonte të paguante xhizjen.

18 shtator 1696

Flota osmane në luftë me flotën veneciane

 

Nën komandën e kapitenit Mezomorta Husejn Pasha, flota osmane hyn në një luftë kundër flotës veneciane, duke vrarë plot pesë mijë ushtarë dhe fundosur 13 anije.

18 shtator 1819

Lindi Leon Foukault

 

Dëshira e tij ishte të bëhej mjek, por gjaku e turbullonte, prandaj iu përkushtua fizikës, matematikës dhe inxhinierisë. Në vitin 1850, ai vërtetoi se drita udhëton më ngadalë nëpër ujë se përmes ajrit, duke hedhur poshtë një teori të Njutonit.

18 shtator 1851

Del numri i parë i gazetës New York Times

 

Del numri i parë i gazetës “New York Daily Times”. Për arsye se e diela ishte pushim, fjala 'daily" - "e përditshme" u hoq nga titulli dhe gazeta filloi të njihej si “New York Times”.

18 shtator 1933

Vdes mbreti Fejsal I

 

Fejsali ka qenë mbet i Irakut. Ka vdekur në Zvicër ndërsa ka lënë të birin, Gazin, si trashëgimtar të fronit pas vete.

18 shtator 1961

Vritet Sekreti i OKB-së

 

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së , Dag Hammarskjold u vra në një aksident ajror në Rodezinë Veriore (Zambia), ku kishte shkuar për të ndërmjetësuar zgjidhjen e krizës në Kongo.

19.

19 shtator 673

Çlirohet ishulli Rodos

 

Me urdhër dhe direktivë të Muavijes [Allahu qoftë i kënaqur me të!], Xhenadeh bin Ebi Umejje, shkon për ta çliruar ishullin e Rodosit, që të ishte si pikënisje e sulmeve ndaj flotave romake dhe prerjen e rrugës që të mos arrinin në brigjet islame.

19 shtator 1146

Vritet Emiri Imaduddin Zenki

 

Ka qenë i njohur për trimërinë dhe guximin e rrallë. Ka qenë i pari që i ka larguar kryqtarët nga Shami. Pas vete la dy bijtë, Sejfuddin Gazin, i cili jetoi pak vite pas babait, dhe Nuruddin Mahmudin, i cili e vazhdoi rrugën e babait në lutërat ndaj kryqtarëve.

19 shtator 1876

Patenta e fshesës elektrike

 

Zbuluesi amerikan Melville Bissell regjistroi patentën për një pastrues dyshemesh, sot fshesa elektrike.

19 shtator 1985

Tërmet në Meksikë

 

Meksika u godit nga një tërmet shkatërrues që mori 6.000 jetë njerëzish.

20.

20 shtator 1519

Magilani arrin në Sanlúcar Barrameda

 

Në rrugën e tij për eksplorimin e botës, Fernando Magilani dhe 270 burrat e tij arrijnë në Sanlúcar Barrameda.

20 shtator 1792

Fillon gjykimi i mbretit Luis XVI

 

Mbreti akuzohej për tradhti të madhe dhe këtë pas dështimit në disa beteja. Revolucionarët i hodhën fajin mbretit, i cili u gjykua për tradhti më 20 shtator 1793 për tu ekzekutuar vetëm një ditë më pas.

20 shtator 1887

Vdes Ahmed Faris Shedjak

 

Shkencëtar i madh dhe themelues i revistës së njohur El-xhevanib.

20 shtator 1932

Mahatma Gandi në grevë

 

Për shkak se anglezët nuk i lejonin shtresën e varfër të merrnin pjesë në zgjedhje, Mahatma Gandi hyri në grevë.

21.

21 shtator 1916

Anglezët pushtojnë Gazzan

 

Pas disfatave nga osmanët, ushtria angleze pushton Gazzanë, e cila sapo qe lidhur me hekurëdhë dhe sistemin e ujit të pirjes.

21 shtator 1964

Pavarësia e Maltës

Malta që nga viti 1814 ishte nën sundimin anglez. Në vitin 1947 i qe deleguar e drejta për vetëqeverisje ndërsa më 1964 pavarësohet përfundimisht nga Anglia.

21 shtator 1979

Puç ushtarak në Afrikën e Mesme

 

Jean-Bédel Bokassa largohet nga pushteti me anë të një puçi ushtarak në vitin 1979. Do të burgosej dhe akuzohej për vite derisa përfundimisht burgu do ti lehtësohej. Vdiq në vitin 1996.

22.

22 shtator 1520

Vdes Sulltan Selimi I

 

Ka qenë Sulltani i nëntë në dinastinë osmane. Ne pushtet ka ardhur pas puçit të bërë ndaj babait të tij, Sulltan Pajazitit. Ndryshe nga paraardhësit e tij që ishin fokusuar në perëndim të Evropës, ai qe fokusuar në lindjes së Arabisë. Ai futi nën pushtetin Sham, Hixhazin, Egjiptin.

22 shtator 1917

Lindi Muhammed Gazali

 

Një nga mendimtarët më të çmuar muslimanë të Egjiptti në shekullin e kaluar. Ka qenë i njohur për mendimin e peshuar mirë dhe për idetë, disa prej të cilave kanë qenë zgjidhje adekuate për probleme të shumta të muslimanëve. Ka vdekur në vitin 1996.

22 shtator 1938

Italia përgatitet ta pushtojë Shqipërinë

 

Ambasadori jugosllav në Tiranë paralajmëron Ministrinë e Jashtme shqiptare se Italia po përgatitej të pushtonte Shqipërinë. Paralajmërimi mbështetej në të dhënat mbi një mobilizim të fshehtë të trupave italiane në Bari dhe Brindizi.

 

 

23.

23 shtator 1642

Përurohet Harvardi

 

Në Kembrixh të kolonisë Masaçusetsit përurohet universiteti “Harvard”, një nga shkollat e larta më me ndikim në histori dhe pasuri. “Harvard” është institucioni më i vjetër i arsimit të lartë në Amerikë. Universiteti “Harvard” ka Bibliotekën më të madhe akademike në Shtetet e Bashkuara, dhe një nga më të mëdhatë në botë. Tetë presidentë amerikanë janë diplomuar nga ky universitet dhe 144 laureatë të çmimit “Nobel” kanë qenë studentë ose profesorë të kësaj shkolle. Nga “Harvard” gjithashtu kanë dalë rreth 62 miliarderë, shumica amerikanë.

23 shtator 1698

Flota veneciane pëson disfatë

 

Flota osmane shënon fitore ndaj asaj veneciane në detin mesdhe, në të cilën mbetën të vrarë 2500 ushtarë venecianë.

23 shtator 1789

Osmanët korrin fitore ndaj rusëve

 

Në rajonin e Kakazit, në qytetin Ismailija në Moldavi, ushtria osmane mund ushtrinë ruse. Fitorja erdhi pas disfatës së thellë të osmanëve nën e udhëheqjen e po të njëjtit komandant, Hasan pashait. Më vonë, Hasan Pasha emërohet vali i këtij qyteti.

23 shtator 1913

Shqiptarët e Maqedonisë kundërshtojnë ndarjen nga shteti shqiptar

 

Shqiptarët në Maqedoninë perëndimore kundërshtojnë me armë vendimin e komisionit të posaçëm ndërkombëtar të kufijve që i la ata jashtë shtetit shqiptar. Në këtë kundërshtim bashkohen edhe forca nën udhëheqjen e Isa Boletinit, ministër i luftës në qeverinë e Ismail Qemalit. Kryengritësit marrin kontrollin e qyteteve Gostivar, Strugë e Ohër, krahas Kërçovës, Gjakovës dhe Peshkopisë, duke zmbrapsur trupat serbe. Gjithashtu Prizreni u sulmua, ndërsa luftime kishin shpërthyer për rreth Tuzit dhe Gucisë. Si rrjedhim, ushtria serbe, e përqendruar në Dibrën e madhe, u mobilizua, dhe nën pretekstin e ndjekjes së kryengritësve fillon marshimin drejt bregdetit Adriatik për në Durrës, duke i shtyrë shqiptarët shumë brenda përtej kufijve të 1913-s.

24.

24 shtator 812

Vdes Vekië bin Xherrah

Një nga dijetarët e rrallë të muslimanëve. Imam Ahmedi thoshte të mos ketë parë të ngjashëm me të në dije dh devotshmëri.

24 shtator 1736

Përcaktimi i kufijve persiano-osmanë

 

Shteti osmanë nënshkruan marrëveshje sipas së cilës përshkruhen kufijtë e tij dhe kufijtë persinan.

24 shtator 1963

Marrëveshje kundër testeve nukleare

 

SHBA, Anglia dhe Rusia nënshkruajnë marrëveshje sipas së cilës do të kufizoheshin testet nukleare.

25.

25 shtator 1396

Beteja e Nikopolisit

 

Trupat osmane konsolidojnë kontrollin në Ballkan ndërsa dalin fitues në betejën në Nikopolis (Bullgari) ndaj një ushtrie të madhe evropiane. Përfundimi i betejës gjithashtu shkurajoi përpjekjet e shteteve evropiane për të krijuar në të ardhmen aleanca të ngjashme ushtarake kundër pushtimit Osman.

25 shtator 1513

Evropiani i parë që sheh oqeanin paqësor

 

Eksploruesi spanjoll Vasco Nunez de Balboa kalon ngushticën e Panamasë dhe bëhet evropiani i parë që sheh Oqeanin Paqësor. Ai e quajti atë Deti i Jugut, duke e shpallur zotërim spanjoll.

25 shtator 1690

Emigrantët në botën e re

 

Shumë emigrantë erdhën në Botën e Re për t’i shpëtuar përndjekjeve; megjithatë, kjo tokë e lirë fillimisht nuk ishte medoemos e lirë. Në këtë ditë, gazeta e parë shumëfaqëshe u botua në Amerikë. Por censura ngriti kokën e saj dhe autoritetet britanike e urdhëruan botuesin Benjamin Harris, ta mbyllte gazetën sepse përmbante një artikull mbi mizoritë që kryheshin ndaj banorëve autoktonë të Amerikës.

25 shtator 1952

Bie monarkia në Egjipt

Mbreti Faruk detyrohet të abdikojë dhe internohet jashtë vendit.

 

26.

26 shtator 1245

Vdes Ibn Salahi

 

Dijetar i amdh i hadithit dhe autor i librit të famshëm Ulum el-Hadith (Shkencat e Hadithit).

26 shtator 1371

Beteja e Maricës

 

Forcat e sulltan Muratit nën komandën e Lala Shahin Pashës dhe ushtria serbe nën komandën e Vukashin Mërnjavçevit dhe Jovan Ugljeshës u përleshen në Betejën e dytë të Maricës. Pas betejës, Maqedonia dhe pjesë të Greqisë ranë nën pushtimin osman. Beteja e Maricës parapriu më vonë Betejën e Kosovës më 1389.

26 shtator 1618

Nënshkruhet marrëveshja e Erdbilit

 

Shteti osman nënshkruan marrëveshjen e Erdbilit me Iranin, sipas të cilës, kjo e fundit obligohej për t’i dhënë 50% më pak mëndafsh si xhizje se që obligohej 6 vite më parë sipas marrëveshjes së Stambollit.

26 shtator 1987

Vdes Xhevad Ali

 

Xhevad Ali ka qenë një historian i madh irakian. Ka shkruar librin enciklopedik dhjetëvëllimësh ‘El-mufessal fi tarihi-l-arab kabl el-Islam’ (Shpjegues gjithëpërfshirës i historisë paraislame të arabëve).

26 shtator 1991

Shkencëtarët në biosferë

 

 

Një grup shkencëtarësh, 4 burra dhe 4 gra filluan një qëndrim dy-vjeçar në Biosferë, një strukturë e mbyllur në Orakëll të Arizonës. Ata kishin planifikuar të mos kishin asnjë kontakt me botën e jashtme, të kultivonin ushqimin e vet dhe të jetonin së bashku në harmoni si pasardhësit e një bote të ashpër dhe të huaj. Për fat të keq, bota e jashtme duhej të ndërhynte disa herë; për të larguar një dyndje milingonash; për të sjellë një pompë me oksigjen; për nevoja të ngutshme mjekësore, ose për t’u sjellë shkencëtarëve sendet e harruara kozmetike etj. Tetë shkencëtarët qëndruan 2 vjet në Biosferë, por kur dolën prej andej dukeshin gjysmë-të çmendur e të uritur, aq sa policisë iu desh t’i shoqëronte ata.

27.

27 shtator 1669

Dorëzohen çelësat e kalasë kandija

 

Venecia dorëzon çelësat e kalasë Kandija, duke i dhënë fund kështu luftës 24 vjeçare në të cilën ranë 130,000 osmanë.

27 shtator 1822

Deshifrimi i simboleve të gjuhës së vjetër egjitpiane

 

Jean-François Champollion deshifron simbolet e gjuhës së vjetër egjiptiane duke mundësua për herë të parë studimin shkencor të mirëfilltë të historisë egjiptiane.

27 shtator 1905

Artikulli i Ajnshtajnit për revistën shkencore Annalen der Physik

 

Revista shkencore Annalen der Physik merr nga Albert Ajnshtajni shkrimin me titull “A varet inercia e një trupi nga energjia e tij?”, duke paraqitur formulën E = mc ², ku E është energjia, M është masa, dhe c është shpejtësia e dritës. Sipas tij, kjo masë-energji thekson se faktori i proporcionalitetit midis sasive ekuivalente të energjisë dhe masës është i barabartë me shpejtësinë e dritës në katror. Kjo formulë gjithashtu shërben për të kthyer njësitë e masës në njësi të energjisë, pavarësisht se çfarë sistemi për matjen e njësive është përdorur.

27 shtator 1930

Haile Selassie organizon puç ushtarak

Perandori i etiopisë kryen puç ushtarak për të ardhur në pushtet. Sundon 40 vite e rrëzohet nga pushteti po kështu me puç ushtarak.

28.

28 shtator 1238

Dorëzohet qyteti i Valencias

 

Pas një rrethimi të hekurt, qyteti i Valencias, i dorëzohet mbretërisë së krishtere të Aragonit në Spanjë.

28 shtator 1538

Flota detare e Perandorisë Osmane korr fitore vendimtare ndaj flotës së Lidhjes së Shenjtë të Krishterë në Betejën e Prevezës

 

Pas kësaj – deri më 1571 kur humbi në Betejën e Lepantos – flota osmane do te ishte mbizotëruesja e vetme e Mesdheut duke detyruar Venedikun të dorëzonte kontrollin e ishujve dhe rajoneve detare nga Gjiri i Artës deri në brigjet dalmate. Në betejën e Prevezës, por edhe më pas, flota osmane komandohej nga admirali Hajredin Baba-Oruç (Barbarossa – shqiptuar nga italianët – sepse ai ishte edhe mjekërkuq). Burime të ndryshme thonë se gjenerali i madh ishte shqiptar. Nëna e tij, Katerina, ishte greke nga ishulli Mytilene. Jakupi, babai i tij, ishte shqiptar që kishte marrë pjesë si jeniçer në pushtimin osman të ishullit Lesbos më 1462 dhe mbeti atje. Në librin “Victory of the West” Da Capo Press, 2007, autori Niccolo Capponi thotë se “lindur në Mytilene në një familje shqiptare rreth vitit 1466, Hajredini atëherë quhej Hizir.”

28 shtator 1663

Osmanët marrin kalanë Nohzel

 

 

Osmanët nën komandën e Ahmed Koprililiut, marrin kalanë Nohzel, marrja e së cilës pati jehonë të madhe më Evropë.

28 shtator 1960

Fjalimi i Shehut në OKB përcillet me protesta

 

Kryeministri i Shqipërisë Mehmet Shehu mban fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Mes të tjerash ai shpreh dëshirën e Shqipërisë për marrëdhënie diplomatike me Britaninë dhe SHBA-në. Këto fjalë duket se u morën pak seriozisht, pasi asgjë nuk kishte ndryshuar në qëndrimin e Shqipërisë që nga viti 1945 kur lidhjet ishin ndërprerë. Pak ditë para fjalimit, ndërsa kryeministri Shehu ndiqte punimet e Asamblesë, një grup emigrantësh politikë shqiptarë kishin dalë para selisë së OKB-së në Manhatan për të protestuar kundër shtypjes që Shqipëria komuniste ushtronte ndaj popullit te vet. Shumë prej protestuesve kishin në Shqipëri të afërm në burgje, kampe pune ose internim.

29.

29 shtator 1916

Vriten tre oficerë duke ruajtur trashëgiminë kulturore

 

Një grup oficerësh austriakë në Shqipëri nisen për të plaçkitur monumentet e kulturës në Apolloni, por befasohen nga thirrjet “ndal” të oficerit shqiptar Kamber Benja dhe 2 nënoficerëve të tij, Bexhet Manastirliu dhe Abaz Taushani; pas shkëmbimeve të shtënash me armë, tre oficerët shqiptarë mbetën të vrarë në mbrojtje të pasurive të trashëguara kulturore. Për nder të tyre, që prej vitit 2007, Shqipëria e ka shpallur 29 shtatorin si Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore.

29 shtator 1918

Dorëzohet Bullgaria

 

Në luftën e parë botërore, Bullgaria dorëzohet para forcave të aleatëve. Lufta e parë botërore mori jetën e më shumë se nëntë milionë njerëzve.

29 shtator 1988

Gjykata ndërkombëtare rikonfirmon të drejtën e Egjiptit mbi Taba

 

Problemi qe krijuar që nga marrëveshja e Kam Dejvidit. Izraeli qe larguar nga Sinaja por jo edhe nga Taba. Konsideronte se ndërkombëtarësht është territor i saj. Gjykata ndërkombëtare vërtetoi të kundërtën.

29 shtator 2015

Ujë në Mars

 

NASA konfirmon praninë e ujit nën sipërfaqen e ngrirë të Marsit.

30.

30 shtator 788

Vdes AbduRrahman Dahil – themelues i dinastisë emevite në Spanjë

 

Ka qenë nipi i Hisham bin Abdul Melikut. Ka ikur nga pushteti abbasit dhe, për ta themeluar shtetin, ka shkuar në Andaluzi, ku ia ka paraqitur idenë e vet ithtarëve dhe dashamirësve të dinasitisë ejjubite. Periudha ndërmjet viteve 755-928 njihet si periudha e sundimit të dinastisë ejjubite në Spanjë.

30 shtator 976

Vdes Mustensiri

 

Musntensiri i përket dinastisë së liderëve ejjubitë në Spanjë. Është i pari që e ka quajtur veten Emiru-l-Mu’mininë dhe Halife në Spanjë. Këtë hap e ka ndërmarrë për ta zmbrapsur dominimin shiit që dëshironin t’i jepnin fund dinastisë abbasite në Bagdad dhe shtetit ejjubit në Spanjë. Koha e tij karakterizohet për zhvillim, ai ka themeluar një bibliotekë më e madhja në mesjetë.

30 shtator 1882

Hidrocentrali i parë në botë

 

Në lumin Fox në Appleton, Wisconsin, përurohet hidrocentrali i parë në botë, i projektuar nga Thomas Edisoni.

30 shtator 1883

Britania zëvendëson gjykatësit fetarë me gjykatës të huaj

 

Në kundërshtim me traditën lokale në Egjipt, ku  gjyqtarë emërohej një jurist nga drejtimi hanefit dhe tjetri nga ai shafiit, anglezët larguan gjykatësit fetarë dhe në vend të tyre sollën ata laik, anglezë.

30 shtator 1911

Italia në luftë kundër Libisë

 

Italia konsideronte se Tunizia dhe Libia janë pjesë të pushtetit të saj. Pas humbjes kundër ahbashëve, Italisë nuk i kishte mbetur tjetër vetëm se ta pushtonte Libinë.  

 

 

 


VIDEOS / YOUTUBE
Ajeti prezantues i Kuranit Tipare te Kuranit Agjerimi me perket Mua Rrefimet me te bukura
AUDIO / FOTO

Biografia Artikuj Media Libraria Dosje Problematika
bashkëkohore
Opinione dhe
reagime
Studime dhe
hulumtime
Kontakt
  Akide Video Libra Ramazani   Opinione Fetare  
  Islam Audio Recensione librash Haxhi   Reagime Shkencore  
  Tefsir Foto            
  Hadith              
  Dave              
  Histori islame              
  Orientalizem              
  Kulture dhe civilizim              
  Avancim personal              
  Hutbe              
  Tregime              

Të gjitha të drejtat e rezervuara - 2013